More
    KreuLetërsiBibliotekë"Suite française", poezi nga Shqiptar Oseku

    “Suite française”, poezi nga Shqiptar Oseku

    Bagneux

    Largësia kohore nga aerporti: 51 min.
    Në tren, ju s’deshët që të uleshit.
    Mediat kishin alarmuar
    se çimkat po i thithnin gjakun Parisit,
    duke gëluar në trena, hotele, taksi-
    madje edhe në sfilatat me haute couture.
    Por rruga nga Charles de Gaulle s’kish fund,
    e ju, të lodhura, të pamësuara me nadje të hershme.
    Dikur u dorëzuat. U ulët, së pari njëra,
    mandej tjetra. Gjithë ankth.
    Kishim ardhur në Paris për ditëlindjen tuaj,
    do të mbushnit gjashtëmbëdhjetë.
    Por pjella e shqiptarit këtë fat ka: has gjithmonë
    në anë të errët të çdo gjëje të ndritshme,
    edhe në Qytet të Dritave.
    U detyruam të mirrnim një shtëpi private
    për t’u ikur hoteleve të infektuara;
    tashti mbresë e parë Parisi ju bë paralagjja.
    S’e kisha kujtuar ashtu atë rrugëtim.
    Lodhje, çimka, e paralagje të zhubrosura.
    Por dalë-ngadalë, tek po ecnim me valixhet
    drejt shtëpisë në Bagnieux, e diell i ngrohtë, e dritë,
    e mure të ulëta të shtëpive, e lilakë matanë
    në kopshtije të vogla, e aromë zambakësh.
    E papritur ti Perri the se ndihej disi sikur po ecnim
    në rrugë të tetës në Gjakovë.


    Arc de triomphe

    Ishte momenti që kapa në fotografi:
    ju kthyet shikimin nga unë,
    kulla e Ajfelit një siluetë në largësi.

    Ai vend u bë qendra jonë.

    Kishim fluturuar të hapërdarë
    ulëse paralele: botë paralele:
    ju hidh e prit në një iso, e unë ndamas,
    prind i divorcuar që kërkon të kompensojë
    të pakompensueshmen.

    Ngjitja e gjatë e shkallëve metaforë.
    Kur dolëm më në fund në dritë ishim një.
    Familje. Fis.

    Ditë e ngrohtë shtatori, si piskamë vere.

    Më vonë,
    dymbëdhjetë aveny do të na largonin që aty.
    Me të kthyer, ju shkuat tek mamaja
    e s’do të ishim më bashkë një muaj të tërë.

    Vjeshtë shirash.

    Por në atë moment, kapa diçka që do të ruanim:
    Dy motra. Një atë. Një shikim diellor.


    Louvre

    Njeriu s’arrin dot ta shohë të gjithë muzeun
    edhe po ta ketë një javë në dispozicion

    -dyzet mijë eksponate
    në gjashtëdhjetë mijë metra katror –

    Në këtë mënyrë muzeu është tropë e jetës:
    duhet të zgjedhësh, e t’i përmbahesh zgjedhjes

    që ke bërë. Pa ngurrime. Pa hamendje.
    Pa pendime.

    Nëse – dhe vetëm nëse! – bën ashtu.
    Atëhere arrin të të mrekullojë mahnitja

    më e kulluar. Asgjë s’të vjedh lumturi.
    A s’është njësoj me çdo dashuri?


    Tour Eiffel

    Dëgjoni këtu, kur u ngrit kjo kullë
    kish pa numër që e kritikonin.

    Inxhinierë. Politikanë. Artistë e poetë.
    E quanin me përçmim La dame de fer,

    Zonjë e hekurt. Për ta,
    kjo shprehje qe oksimoron i shëmtuar.

    Është halucinim, thonin. E shkëputur
    nga gjithçka e bukur.

    Është tepër e gjatë. Tepër e madhe.
    Dominon tepër.

    Madje kishin në plan që ta sheshojnë
    sa të mbaronte panairi.

    Mbajeni në mend këtë!


    Seine

    Kishim bileta për një lundrim nate në Seine.
    Por ishte vonë, ju dhimbnin këmbët,

    e kulla e Ajfelit ju kish shtjerrur të gjitha
    shqisat; mrekullitë e kanë këtë shprehi.

    A bën të kthehemi në shtëpi, babi?
    Kam frikë se s’do ta shijoj si duhet

    kur ndihem kaq e rraskapitur.
    Ta lëmë një arsye për t’u kthyer prapë!

    Ju shikova, si për herë të parë:
    dy vargje në një poezi.

    E natë e ngrohtë. E pont d’Iena.
    E lumi që thoshte shkoni, u pafshim përsëri.

    Si ta duash Parisin
    (suite française)

    1.
    Çelësi quhet përzgjedhje.

    2.
    Do të kujtosh vetëm çka të risiguron,
    një mënyrë kjo dashurie
    krejt e paarsyeshme.
    Si ta zëmë,
    faktin se Russeau kish një admirim
    për shqiptarin egërsirë fisnike.
    Ose, ta zëmë,
    faktin se Apollinaire adhuronte Konicën.
    Ata të dy mund të kenë qenë edhe dashnorë
    të paarsyeshëm, po ashtu;
    tek e fundit, ishte la belle epoque,
    ishin të rinj, e kufiri shkonte në qiell:
    gjithçka quhej e mundshme,
    pos kiametit që po i qasej botës
    tinëzisht.

    3.
    La belle epoque:
    Ju kremtuat ditëlindjen e gjashtëmbëdhjetë
    krejt pranë 202 boulevard Saint-Germain.
    Ishit kaq të reja, kufiri ju shkonte në qiell:
    gjithçka quanit të mundshme
    pos ndarjeve.

    4.
    Përzgjedhja është çelësi: selekto
    pa sedër, në mënyrë komplet vetëmohuese.
    Mos u habit.
    Mos u hamend.

    Si të duash çka s’të do?
    Mos ngurro!
    As kur bie në pozita vetëshkatërruese.

    Bëhu Konicë!

    5.
    Ja kështu duhet Parisi:
    duke krijuar një histori tënden në të.

    6.
    Bija ime, e ku ka patur ndonjëherë
    dashuri të arsyeshme?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË