More
    KreuLetërsiShënime mbi libraStefan Çapaliku: Përkthimi i “Komedisë Hyjnore” të Dantes midis Luigi Lorecchios dhe...

    Stefan Çapaliku: Përkthimi i “Komedisë Hyjnore” të Dantes midis Luigi Lorecchios dhe Meritan Spahisë

    Që nga shekulli i 15-të, Komedia Hyjnore, e shkruar nga Dante Alighieri midis 1304-7 dhe 1321, është përkthyer në një numër të madh gjuhësh të gjalla si dhe në disa gjuhë të vdekura. Përkthimi i parë u realizua më 1417 në gjuhën latine dhe që prej asaj dite përkthyesit nuk kanë reshtur duke u marrë dhe duke përballuar atë sfidë. Sipas përmbledhjes “Dante nel mondo”, kryer nga Komuna e Ravenës më 2016, ka 58 përkthime të plota të Komedisë në gjuhët Evropiane, Aziatike, Afrikane dhe të Amerikës së Jugut.

    Në shqip ekzistojnë dy përkthime të plota, të dyja të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe të dyja në gegnisht. Vetëm dy përkthime të pjesshme ekzistojnë deri tani në shqipen standarte.

    Por gjithsesi duhet thënë që në krye të herës se shqiptarët janë takuar vonë me Danten. Përkthimi i parë nga Komedia Hyjnore duket se është bërë në arbërisht nga Luigi Lorecchio, një pasues i denjë i Jeronim de Radës, në vitin 1895.

    Në gegnisht për herë të parë Dante shfaqet në vitin 1900. Por edhe ky përkthim do botohet aso kohe jashtë Shqipërie. Është fjala për përkthimin e një pjese të Këngës V, të Paolos dhe Françeskës, që do botohet në revistën e arbëreshëve të Italisë, “La Nazione Albanese”, me autor një farë Sokol Baazi (Baci), për të cilin Ernest Koliqi thotë se duhet të jetë i biri i bajraktarit të Grudës, shkolluar në Romë.

    Ndërkaq në territorin shqiptar botimi i parë i vargjeve të Dantes u bë nga i lumi Vinçens Prennushi, i cili botoi më 1924 këngën XI të Parajsës, pikërisht atë ku poeti takon Shën Françeskun.

    Këngë të veçanta të Komedisë Hyjnore janë sjellë gjithashtu në shqip përgjatë viteve nga Ernest Koliqi, në antologjinë e tij, “Poetët e mdhej t’Italis”, botuar në vitin 1933, si dhe nga Nikollë Dakaj, i cili pjesë të Ferrit i botoi nën pseudonimin Basho Jona.

    Në toskërisht Dante u shfaq për herë të parë në vitin 1937 nëpërmjet përkthimit të Kristo Floqit, i cili botoi në Shkodër, te revista e jezuitëve “Leka”, këngën XXXIII, atë të kont Ugolinit.

    Dhe më në fund u desh të vinte viti 1960 që shqiptarët të kishin në dorë Danten e plotë, përkthyer në mënyrë integrale nga Pashko Gjeçi. Po ky variant, me redaktimin e poetit Ali Podrimja u botua edhe në Prishtinë, më 1981 nga “Rilindja”.

    Përkthimi i dytë integral i Dantes u bë nga Mark Ndoja. Marku kishte botuar për herë të parë në vitin 1937 dy këngë të Purgatorit, por më vonë fati i jetës së tij kishte qenë po kaq dantesk sa edhe i Pashkut. Kësisoj janë gjasat që Pashku dhe Marku të mos kenë qenë në dijeni të kësaj pune paralele që kishin ndërmarrë. Gjithsesi, Marku e përfundoi punën e vet më 1967, por për herë të parë ai përkthim u botua pas vdekjes, më 1998.

    I këtyre kohëve duhet të ketë qenë edhe përkthimi ad literam që Hektor Shënepremte (1921-1997) i kishte bërë “Ferrit”. Ky përkthim pa dritën e botimit shumë kohë më vonë vdekjes së përkthyesit, më 2018.

    Në shekullin tonë pra gjithashtu u shfaq ndër librari edhe përkthimi i Çezar Kurtit, i cili e botoi “Ferrin” e vet në vitin 2000.

    Kjo qe pak a shumë panorama digresive para së cilës u shfaq një poet shkodran, Meritan Spahija, i cili, i pakënaqur nga ç’kishte lexuar nëpër përkthimet shqiptare të Dantes, i hyri punës për përkthimin e “Ferrit”, që do ta përfundojë më 2016.

    Meritan Spahija, i lindur më 1967, ia nisi kësaj pune mbasiqë kishte mprehur shprehitë e tij si artist pamor, si filolog, si njohës i Biblës dhe sidomos si shkrimtar, me botimiet e librave me tregime “Luleshtrydhet” 2002; Vegimet e fundit, tregime, 2010; Monolog me vetveten, 2016; Enea iku i fundit, 2017; si dhe romanet: “Vegimet e një dite me shi” 2004, “Alegoria e një historie të vërtetë” 2007.

    Puna e tij krahas me përkthimet vazhdon në mënyrë intensive edhe me komentet, duke lavruar kësisoj edhe gegnishten e kohës sonë, krahas asaj klasikigjante. Ai gjendet për momentin në mes të “Purgatorit” të vet, i vendosur si kurrë më parë për ta shijuar edhe “Parajsën” eternale.

    Aksioni njerëzor i këtyre njerëzve, shumica e të cilëve me jetë të vështira, të margjinalizuara dhe të rrethuara prej mosmirnjohjes, na bën që t’i çmojmë edhe më shumë se kurrë në këtë shtatëqind vjetor të vdekjes së Dante Aligierit.


    FRAGMENTE NGA PËRKTHIMI I MERITAN SPAHISË

        Takimi me Virgjilin Kanga I
    
        Mejherë sa e pashë në atë zallishte t’shkretë, 
        «Ki mshirë për mue», - kam thirrë, tue e përbé, -
    66  «në qofsh ti shpirt apo njeri i vërtetë!»    
    
        M’u gjegj: «Nuk jam njeri, njeri kam lé, 
        e prindëve të mi lombardë u thonë, 
    69  Mantovën patën që të dy atdhé.   
    
        Nën Julin kam pas lindë, edhe se vonë, 
        në Romë, në kohë t’Augustit kam jetue,
    72  kur n’zota t’rremë ish vû besimi jonë.  
    
        Poet kam qenë dhe atij i kam këndue, 
        t’Ankizit bir, ardhë Troje e t’gjatë lundrimi, 
    75  si Ilioni madhështor qe krejt shkrumbue.        
    
        Po ti, përse po kthen n’këtë vend trishtimi?
        Përse s’i ngjitesh t’naltit rrugëtim, 
    78  që asht arsye për çfarëdolloj gëzimi?»  
    
        «A thue je ti Virgjili, ai burim,
        që fjalët të vërshojnë si lum n’pranverë?» 
    81  - i thashë e kryet kam ulë me përnderim.     
    
        «O ti, i mbarë poetve dritë dhe nder, 
        shpërblema gjithë atë dashuni t’pamatë,
    84  që të studioj krejt veprën tande t’vlerë.    
    
        Je mjeshtri, shembull n’timen jetë përgjatë, 
        ti je i vetmi t’cilit e kam nxanë
    87  të bukrin stil, që m’solli aq lëvdatë.
    
    
        Takimi me Brunet Latinin Kanga XV
    
        Kështu të ngranë me sy ksaj grumbullí,
        qeshë njoftë nga një që kindit më ka ngrehë, 
    24  e krejt habitë më tha: «Oh, ç’mrekullí!». 
    
        E unë, n’sa krahun meje sapo ndehë,
        i ngula sytë n’fytyrën përvëlue, 
    27  që djegia mundësi t’mos kish me fshehë,     
        ato tipare në kujtesë fiksue;
        e lehtë me dorë tu’ u ba përkëdhelim, 
    30  «Oh, sër Bruneti», - i thashë, - «dhe ju këtu?!»
    
        ...
    
        «Po t’bahej çfarë do kisha me dëshrue»,
        - përmallë jam gjegjë, - «endè s’do ishit shqitë
    81  nga bota e t’gjallve dhe asaj mërgue.    
    
        Se n’mendje ngulë më asht, e kjo m’sfilitë, 
        i shtrejti dhe atnori shembëllim,
    84  kur s’gjalli n’botë, çdo çast, orë e përditë,    
    
        më msonit si njeriu t’gjejë përjetsim: 
        e për sa t’mundem, sa të jem i gjallë, 
    87  do gjejë kjo n’fjaltë e mia pasqyrim.   
    
    
        Vdejkja e kontit Ugolin e bij nga uria Kanga XXXII
    
        Të tanë qemë zgjue dhe koha po kalonte 
        kur na ofronin vaktin zakonisht,
    45  prandaj secili andrrën po frigonte;     
    
        kur ndjeva të gozhdonin mizorisht, 
        atë derë të kullës s’mbrapshtë, dy sytë at’herë,
    48  i shtangun n’bijtë fiksova ngultësisht.  
    
        Nuk qava, por ba gur e n’ftyrë i terë;
        të përvajue kam ndie t’Anselmit zâ: 
    51  ‘O atë, çfarë ke, që sytë s’na i heq një herë?’      
    
        Prandaj i mbajta lotët, s’thashë kurrgjâ, 
        gjithë ditës s’gjatë e natës në vazhdim, 
    54  dersa të dalë një tjetër diell kam pa.   
    
        Por fill sa rrezja bani aty përshkim,
        n’qelinë e kobshme, e qartazi dallova
    57  në katër ftyrat përngjasimin tim,   
    
        nga dhimbshunia duert me dhambë kafshova; 
        dhe tue mendue se uria po më pret, 
    60  u çuen e m’thanë, n’sa ballas u qëndrova:   
        ‘O atë, shumë herë ma pak trishtim na qet
        nëse me ne ushqehesh: me këtë mish
    63  ti na ke veshë e i gjithi ty t’përket’.      
    
        Kam heshtë që pezmin mos t’ua baj dyfish; 
        s’u ndjemë atë ditë, as n’tjetrën, për kohë t’gjatë; 
    66  oh, hapu tokë!, kush vallë duron kësish?

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË