Kjo është një dosje me poezi të botuara ndër vite në librat e mi, disa prej të cilave të papërfshira në përmbledhjen e plotë me titull “Nga dëshira për të jetuar”, 2020. Besoj se poezia ka për funksion me krijue një Botë, dhe në procesin e krijimit të saj, qëndron kënaqësia e krijuesit, e poetit. Në këtë process krijimi dhe rikrijimi, ai ka për lëndë përvojat e jetuara ku kryqëzohen dhe gërshetohen kujtimet dhe përfytyrimet.
Këtu, veç poezive, janë edhe disa shënime kryesisht me karakter spjegues.
Në vitin 1999, kam botuar librin “Unaza dhe zjarri” ku gjendet poezia Art Poetik. Te kjo poezi e përbërë nga shtatë pjesë të shënuara me shkronjat e alfabetit tonë, janë edhe këto vargje:
D
Bota është send dhe qenie dhe kohë
Poezia është send dhe qenie dhe kohë
A është poezia Botë?
A është bota Poezi?
……………………………………………
F
Nëse shkruaj për hënën dhe kopshtin dhe lumin
(Në të vërtet nëse
Art poetic paraqes)
Shkruaj për veten time
Nëse shkruaj për veten time
Shkruaj për hënën dhe kopshtin dhe lumin
……………………………
G
Nuk flas për gjëra që s’i di
Nuk flas për gjëra që i di
Flas për gjërat që takoj
Flas në çastin e takimit
Por si ndodh takimi? Sepse koha ik. Po te libri “Unaza dhe zjarri”, gjendet e botuar poezia që fillon me vargun “Nga kohët, më e dashura”:
***
Nga kohët, më e dashura
nuk është e tashmja
Të shkuarën me emocione
do dëshiroje ta takoje
Por e vërteta ty të lodh
se ndonjëherë kjo nuk do ndodhë
O, në ty nuk vdes mendimi
për mundësinë e një takimi
Dikur… diku… për tu rinjohë
pa vend dhe pa kohë
Më bëhet se poeti i parë i huaj që kam lexuar është Robert Bërnsi, në përkthimin e Lasgush Poradecit, i botuar në ’61, një libër që e lexoj edhe sot. Sigurisht kjo është një rastësi. Mund të them se mes dy a më shumë përkthimesh, jam i primun me marrë të parin në dorë, një përkthim qoftë dhe “jo të mirë” të Lasgushit, pasi e di se aty sidoqoftë, është dora, shija dhe mundi i një poeti të vërtetë, si Ai. Unë poetët përgjithësisht, kështu i kam njohur, përmes veprave. Një libër i vjetër me poezi të bukura, është si një varkë magjike që na lëviz ne në kohë. Një poezi e bukur, perceptohet nga ne, edhe më e bukur sesa mund të jetë, nëse autorin e kemi të njohur edhe për poezi tjera të bukura, pasi ne jemi bërë tashmë, më të vëmendshëm ndaj tyre, përmes optikës së besimit apo të sugjestionit. Po kështu, nëse një poet e lexojmë prej shumë kohësh, ai është bërë pjesë e kujtesës dhe emocioneve që shoqërojnë ditët tona. Një poezi e pastër, na vendoset në kujtesë si muzika. Vërtet, nganjëherë poezia është afër këngës, si te Paul Verlain-i apo te Apollinaire-i apo te Robert Bërnsi me të cilin i nisa këto radhë.
Megjithatë për vetë poetët, ndoshta edhe për të tjerë lexues besnikë të poezisë, gjërat mund të mos mbesin të pandryshueshme në kohë, dhe qëndrimi ynë ndaj një poeti apo ndaj një poeme mund të lëvizë, në drejtim, më shumë pozitiv o më pak. Madje edhe vetë poema mund të jetë shkruar, ose shkruhet për tu lexuar ndryshe, në kohë të ndryshme. Kjo ndodh pasi ndryshon këndi i vështrimit tonë mbi gjërat, ndryshim që vjen për shkak të dijeve të reja dhe përvojave të reja që ndërkohë kemi përfituar nga jeta dhe nga leximet, apo të dijeve dhe përvojave që kemi pasë por që tashmë i kemi aktivizuar në një mënyrë apo në një imagjinatë të re, apo për shkak të kushedi ç’gjërave të reja që ndoshta hedhin dritë mbi një krijim! (Nuk di a hyjnë këtu leximet mekanike!) Kështu bota e poezisë brenda nesh, mbetet e gjallë dhe në lëvizje. Është kjo gjë që e ka bërë Lasgushin apo Frederik Rreshpen disi të veçantë dhe të papërshtatur me realitetin. Por megjithatë, për vetë poetin si krijues, ky është kushti i parë, pasi ç’poezi do mund të shkruante nëse kjo botë e tij, do ishte pa këso vegimesh dhe zërash?
Këto radhë po i shkruaj ndërsa kam para librin tim “E pamundura”, botuar më 1993, të hapur te një poezi. Është një poezi që nuk e kam përfshirë te përmbledhja e plotë, paraqitur nga Botimet Princ, jo pse nuk më ka bindur si punim arti, por sepse jam ndier jo i kënaqur prej saj në disa vargje. Megjithatë vë re këtu, te kjo pjesë diçka domethënëse që mua më pëlqen mos me e harrue: interesin për me e qartësue, me e gjallnue, me e ba aktiv vizionin tim të poezisë, qysh në ato momente, menjëherë sapo liria u shfaq. Thoshin surealistat: sa ma të largëta të jenë gjërat e përqasura të një metafore, aq më e fuqishme shfaqet ajo si realitet poetik. Mirëpo për me u ndie kjo, duhet kuptue përafria e largët e gjërave, dhe këtu dallohet lexuesi cilësor dhe i vërtetë i poezisë moderne. Poezia është liri në kuptimin ma sublim të fjalës, duke marrë në konsideratë faktorë të jashtëm por edhe të brendshëm që mund ta kushtëzojnë atë, kjo, si për poetin që e krijon, ashtu edhe për lexuesin. Është e kuptueshme se, në kohën e diktaturës, një poet nuk mund të realizonte visionin e vet, sado i talentuar të ish, vizionin, që asht njëfarësoj projekti shumë personal dhe shumë intim si fati: ç’do të bënte ai me talentin e vet? Me mbarimin e viteve ’80, që shënojnë fundin e atij sistemi, poetët, si e gjithë shoqëria, dolën në një situatë të re, me mundësi të reja. Në këto kushte, për fat të keq, jo shumë gazmore për ne, problemi i poezisë nuk ishte ndërrimi i ideologjive: nga një e keqe në një të mirë, por ishte eksplorimi i fushës së poezisë moderne, i fushës së artit poetik. Në gjërat e mia të shkruara e të botuara në atë kohë, gjendet sot i pasqyruar sak ky shqetësim mbi artin e poezisë, mbi raportin e gjërave që e bëjnë poezinë, mbi raportin e Un-it tonë me botën e jashtme, mbi punën e poetit, tashmë të lirë, pa presionin apo pa kushtin e domosdoshëm për me u inkuadrue në një ideologji të përcaktuar. Ndryshimi i ardhur ishte ky: një poet mundet me e realizue vizionin e vet të poezisë!
Fragmenti për të cilin fola ma parë, i përket poezisë me titull “Në shpirt më rri një vner”, fq. 62 e librit “E pamundura”:
……………………………………
Çdo send lëshon një dritë, një tingull a një frymë
krejt më rrethojnë, shpirtin me jetë për t’ma nginjur
ua ndiej vezullimën e artë a të brymtë
Dhe mishi dhe gjaku dhe fjala më janë lidhur
rreth vnerit të shtrënguar të heshtur e të ndrymë
si fruti me aromë rreth thalbit helm të hidhur
BOTA E BUKUR
Dimri e ka të bukurën te bora
Pranvera e ka të bukurën te lulet
Vera ka freski dhe ngrohtësi
Vjeshta e ka të bukurën te drurët
Borën më të këndshme e bën zjarri
Lulet s’janë të bukura pa flladin
Me diellin na josh deti dashurinë
Hëna bën në drurë kunora ari
Kjo botë e ka të bukurën te njerëzit
Njerëzit s’janë të bukur pa lirinë
Këto poezi janë marrë nga libri “Zogjtë e perëndimit”, 1995. Poezia e parë nuk është përfshirë në përmbledhjen e plotë të poezive, ndërsa nga poezia e dytë gjendet një variant i saj por jo vetë ajo.
ROJA I BOSTANORES
Përse po endem plot trishtim
tash në fund të verës
ndër loze të shkelura plot mëri e përçmim
me gjëra çarë për t’u thithur zemrën…
Këtu ka pasur kaq shumë ëmbëlsi
si një fytyrë hirplote…
Shihja hënën e re si një thelë pjepri
dhe pija lëng nga zemra jote.
1994
SIKUR DIELLI
Sikur dielli të linte vragë në qiell
si qerrja pranverës në fushën me bar
mbase do ishim më pak të panginjur
dhe disi më shumë ëndërrimtar
O njeri, ti je ëndërrimi
si lulja që është aromë dhe ngjyrë
si ylli në muzg është vezullimi
kur n’ujëra malesh veten kqyr
Në udhën e kohës që shkon e s’kthehet
mbështesim kryet te një gur
se nga vraga në shpirt e kujtimit të hershëm
një gjethe dhimbjeje e hidhët, e freskët
që na mbështjell
ne s’na ndan kurrë
Kjo asht një faqe e marrë nga libri “Nga ankthi te…”, 1997. Poezia asht krijue mbi analogjinë mes motivit biblik dhe raportit të poetit me poezinë, me atraksionin dhe pasionin, dyshimin dhe pendimin dhe në fund sidoqoftë, me përcaktueshmërinë dhe lidhjen fatale në origjinë, simbas poezisë.
MOLLË E EDENIT
A je e vërteta a je mashtrimi
Dritë a hije bekimi a pendimi
Pemë e lindur te një tokë e qiellit
Plot fruta që ndrijnë te një qiell i tokës
Kaq vezullues sa ma verbojnë kujtesën
Në kopshtet e netëve ma dehin ëndërrimin
Ç’m’i dogjën gishtat e hollë deri në zemër!
E ndiej si po bie te rrënja jote
Pikë loti e shpirtit të natyrës
MËRZI SHIU
Ky shi, këto shira, këto shira t’pambarimta
nëpër sy dritaresh të përhimta
nëpër buzë pëshpërimash të molisura
nëpër gërvima zemrash, dyersh… shira
nëpër fushë, nëpër mal
nëpër mua, nëpër librat e mi nëpër gjithçka që pres të vijë…
ditët në moçal kanë për t’na i kthyer
deri në fund shpirtërash gërryer
dhjetor ‘96
Ndërsa kam pranë përmbledhjen e plotë të poezive t’mia, shoh këtë poezi të shkruar shumë vite më parë, diku në vjeshtën e 1996-ës, por të papërfshirë aty me mendimin se ndoshta këto “poezitë për poezinë”, po bëhen shumë, po e kalojnë masën. Atëherë sapo kisha shkruar “Trembëdhjetë variacione mbi një ndjeshmëri”, një poemë që e pata mbajtë për shumë muaj brenda vetes, dhe që në fund e shkrova me një frymë, dhe po përpunoja idenë për botimin e një libri të ri. Arsyeja ishte se gjëra të reja po shihja në imagjinatën time, por që nuk ndaheshin me të tjerët, pasi kështu janë poetët: nuk flasin për projektet e tyre për faktin se ato janë të paqarta edhe për vetë ata. Dhe vërtet kështu do ndodhte: libri do dilte në fillim të marsit të vitit tjetër, ( Nga ankthi te…) dhe tre muaj më pas, do botoja poemën “Ballkoni”, një nga gjërat e mia përfaqsuese. Kështu poezia që përmenda – ideja për një shpirt të lirë, të gjallë dhe kreativ – them se e ka paralajmëruar këtë poemë. Në fakt qysh nga libri “E pamundura”, 1993, unë kam dashtë me depërtue në poezinë që shkruaja apo që do të shkruaja në të ardhmen. Vetë titulli i librit të ardhshëm do t’ishte “Unaza dhe zjarri”, titull që reflekton një lidhje të fortë të krijuar në bukuri dhe zjarr, siç është lidhja e poetit me poezinë, siç është vetë poezia. Dhe, ndiej se edhe sot më intereson kjo gjë: natyra e poezisë që shkruaj apo që do të shkruaj, ndonëse jeta sa vjen e bëhet ma e reduktuar, gjithsesi ndoshta edhe ma thalbore.
NËSE ZOGU…
Nëse zogu veç qiellit dëshiron edhe degën
a mos e do pjeshkën për frutat e artë?
Dhe nëse i ka për zemër qershitë e këndshme
përse e bën shtëpinë në kurorën e blirit?
Po nëse do plepin për majën e lartë diellore
përse lodron e zbavitet në kaçube trëndafili?
E nëse zogu lodron e këndon pa barriera
unë, pse të vë barriera në poema?
Sot qe një ditë vere, e nxehtë, dhe përveç këtyre, verë, dhe e nxehtë, qe edhe e diel, që i jep ditës një tjetër nxehtësi, ndërsa i jep edhe një tjetër kujtesë. Mua më ra ndër mend kështu se ka qenë maj, a gjysma e dytë e majit, ma saktë, kur kam shkruar poemën “Ballkoni”. Mbaj mend se menjëherë e çova te gazeta “Drita” ku gjithashtu pa vonesë, u botua në numrin e radhës, më 8 qershor. Gazeta pati mirësinë dhe besoj vëmendjen korrekte, me e shoqërue botimin e poemës me një shënim ku shkruhej: “Sokol Zekaj është një poet me talent të padyshimtë. Mbase poema Ballkoni, është kurora e krijimtarisë së tij të çmuar, të derimësotme”. Krijimtaria ime atëherë përfshinte katër vëllime poetikë, prej të cilëve, vëllimin e katërt e kisha botuar pak muaj më parë, në mars.
Nga ato ditë e sot, ka kaluar një kohë, po them, e gjatë, plot njëzetepesë vjet, mbasi ai qe sak viti nëntëdhjeteshtatë, viti i famshëm, me shenjën e mbrapshtisë, por kjo shenjë, jo për fushën e letrave. Letërsia ndiqte rrugëtimin e vet pa u prekur në vetvete, në atë që është natyra e saj. Tash, në këto kohë që kemi ndërmjet, kam shkruar shumë poema, dhe kam botuar shumë libra tjerë. Më 2020, botova edhe përmbledhjen e plotë, me titull “Nga dëshira për të jetuar”, ku gjendet e gjithë poezia ime, ndërsa kam mendimin se poema Ballkoni qëndron këtu, si njëra nga kollonat e saj. Më duket vetja me shumë fat, me një fat pothuaj fantastic, që kam mundur të arrij deri te kjo, në një realitet ashpërsisht kundërvus, duke e zbuluar dhe duke i dhënë trajtë konkrete, ditë mbas dite, diçkaje iluzore. Ne ecim në jetë me shpresën, drejt dritës por nuk na ndahet e errta, ankthi i rënies, i humbjes. Dhënia e këtij rrugëtimi të bukur dhe të vështirë, përmes një poetike të gjallë, të ngarkuar me emocione, më ka tërhequr vijimsisht, dhe në këtë kuptim, shoh te poema Ballkoni, një sintezë të krejt poezisë sime, të asaj që qe shkruar dhe të asaj që ishte brenda meje atëherë, dhe që do të zhvillohej, do të rritej në të ardhmen. Mbaj mend se poema qe me shkrim dore, (kushedi pse, punë ndjesie atë mbrëmje një qershori, të nesërmen do t’udhëtoja për Tiranë) dhe ia pata lënë poetit Xh. S. pasi në redaksi nuk po vinte njeri (ishte ’97). Xh. e pa, dhe tha: Por, Sokol, pse “Balkoni”? “Ballkoni”. Mirë, i thashë, Ballkoni.
Ja, disa nga vargjet që mbyllin këtë poemë:
………………………………………………………
Jam në udhëkryq
si një kaproll i zgjuar frikshëm
mes krismës dhe jehonës
E di ku më çon çdo rrugë
por s’e di çfarë fsheh
Hëna sa i prek selvitë në varreza
hijet presin gardhin e lyer në të bardhë
ku dikush ka ndalë, pra nuk lëviz
dhe sheh tokën me barin e errët
ndërsa copat e yjeve i ftohin ujërat
në trupin tonë të errësirës.
Ndiej çfarë nuk shoh
gjëra që kanë qenë s’mund të mos jenë
si kiza e këputur në hatullat e jerevisë
si brini i kaut në zumaren e vjetër
si hingëllima e trishtuar e mazit në fushë
kur bie muzgu, dhe mbi rrafshinë duket hëna e re
nëpër drurët e rrallë si purteka të zeza
Se mos e gjeti njeri lulen magjike!
Se mos është shpirti saksi pa dhimbje!
A s’u shfaq lumturia qysh së pari si një ëndërr?
Dhe, a nuk është pasuria ime vetë shpirti im?
Nata është ujë, ballkoni varkë
Ku jam tash, dhe çfarë?
Kur unë kam qenë ranë, shqopë, bredh
ti, çfarë ishe?
……………………………………
Këto dy pjesë nga poezia me titull “Për poezinë”, botuar tek “Pjekuria”, – “Bukurshkrim shqip”-, 2008, nuk janë përfshirë në përmbledhjen e plotë të poezive t’mia.
PËR POEZINË
III
Pastaj e pastrova poemën
dhe lashë
veç gjërat e argjendta
nën kërshërinë e syve të uritur
fjalë pas fjale
si orizin
IV
Problemi nuk është
të jetosh ti
me poezinë
Problemi është
të jetojë poezia
në ty
ti thjesht të kuptosh
seriozitetin
e saj
Këto poezi janë marrë nga libri “E arta që lidh stinët”, 2014, dhe janë të papërfshira në përmbledhjen “Nga dëshira për të jetuar”.
VEPRIMI, JO-VEPRIMI
Poezia gjithkujt ia ndryshon jetën
përveç poetit
si dielli nuk e ndryshon realitetin e një vere
buzë detit
as bora të një dimri
në male
TYM DHE FLAKË
Mesditë. Rrafshinë dhe gurë këtu, atje. Dielli pulson, zemra e verës. Gjaku i verës vërshon përrojeve të thata. Nga hija ku jam, nga hija që frushullon, nga hija passionante, vë re gjithandej vatra zjarri. Gjëra që shoh në çast zhduken. Fantazma ngrihen nga toka në ajër. Befas pema lëviz, merr një flakë përdore, dhe ikën duke u gajasur.
ULIKSI
Mesnatë. Pak erë. Liqeni
shkrin argjendin e hënës
Shikoj argjendin e unazës
Dyshoj
KTHJELLIM
Gjithë natën shtrëngata e ka shkundur natyrën
ndërsa të gjitha lëveret e palara i flakte ndër përroje
Mëngjes. Kam dalë. Ua kthej shpinën ujërave të turbullta
Shoh qiellin. Tungjatjeta, dritë e kaltër diellore!
Tash, ndërsa po shkruaj këto fjalë të fundit, vë re se po perëndon edhe dielli, me siguri duke flakëritur gjithandej mijëra dritaret e Botës, sikurse kjo dosje e vogël, hodhi dritë, them, në njëmijë faqet e poezive të mia, në Botën e tyre.