More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Takimi fatlum i Doruntinës me Kadarenë

    Skënder Karriqi: Takimi fatlum i Doruntinës me Kadarenë

    Paragrafi përmbyllës i shkrimit: “Intertekstualiteti në romanin “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë, me autor Islam Haxhiun, botuar në ExLibris, dt. 7 janar  2023, thelbi i të cilit është pyetja retorike në “…mund të themi se Doruntinën e solli rebelimi i mendjes së ndritur të epokës sonë  për t”i dhënë legjendës kuptim sublim”, është në vetvete një ftesë për ta parë në vazhdim romanin: ”Kush e solli Doruntinën” në këndvështrimin e sublimes dhe sublimimit. Në këtë rast ideja e përqasjes, sado shkurt dhe e përciptë qoftë ajo për arsye mase, do të ishte e nevojshme për ta inkuadruar dukurinë në prcesin historik letrar, aq sa do të ishte e nevojshme në kufijtë e këtij shkrimi,

    Kur më është dashur të lexoj për sublimen dhe sublimimin, një kuptim të thjeshtë të saj, përtej gjuhës teorike filozofike të estetikës, e kam hasur tek Anne Radix në monografinë e saj: “Njeriu prometeian i shek XIX”, ku ajo shtjellon tezën mbi prometeiken dhe prometeizmin në letërsinë e shek. XIX. Radix sjell tezën e saj në figurën e së lehtës që, për shkak të çlirimit prej peshës (si në rastin e avullit të çliruar nga gjendja agregate ujore) identifikohet me thelbin e painteresuar, përtej kohës dhe hapësirës humane tridimensionale. Të tillë e përjeton ajo figurën e Prometeut, mbërthyer në shkëmbin e Kaukazit: sublim dhe madhështor, krenar në vuajtjen e vet, i përkushtuar deri në sakrificë ndaj njerëzimit, i çliruar prej vetes materiale. Ky model antik i sublimes, përgjatë historisë së kulturës do të reflektojë në invariante, të cilat, në fund të fundit, kanë historinë e tyre në letërsinë botërore.

    Në këtë këndvështrim historik letrar të tërheq vëmendjen rasti i sublimimit letrar (fetar), mishëruar në novelën e Çehovit: “Murgu i zi”, ku Kovrini, nën ndikimin e dialogëve haluçinantë, përjeton dramën e çlirimit të dhimbshëm prej materiales, deri në një ide të kthjellët për botën e shpirtrave, ide e cila nga njera anë e motivon në sublimim e sipër, nga ana tjetër e konflikton me rrethin e vet të ngushtë familjar, të cilët, të rënduar prej materiales, nuk mund ta kishin për referencë botën e shpirtrave, zbuluar me aq mundim prej Kovrinit.

    Një rast tjetër, i pavërejtur sa dhe si duhet, është ai social- letrar, si  rasti i Kareninit në romanin e Tolstoit,“Ana Karenina” dhe Ivanit e Dhimitrit tek romani i Dostojevskit: “Vëllezërit Karamazov”. Në momente të veçanta, i shkëputur krejtësisht nga mjedisi social plot paragjykime, Karenini, në sublimim e sipër, çliruar prej peshës së egos që e mban në nivele banale sociale, vendos t’ia japë Anës divorcin dhe t’i hapë rrugë dashurisë së saj me Vronskin. Por gjithmonë aty rrotull gjendet guvernantja Lidia Ivanovna, e cila sipas figurës së Tolstoit, ndërsa Karenini është në ngritje e sipër (në sublimim), ajo arrin ta kapë për këmbësh, ta tërheqë dhe ta ulë në tokë, pikërisht në atë mjedis të rënduar paragjykimesh. Personazhet e Dostojevskit i përkasin rastit të heroit, i cili, duke përshkruar rrugën e vështirë të njohjes së vetvetes, sublimohet, duke arritur të çlirohet nga pesha e krimit dhe e genit Karamazov.

    Për shkak të referencave të ndryshme, madje të kundërta, ky proces sublimues, në të tria rastet e përmendura pasohet me bllokimin e komunikimit. Ky bllokim komunikimi shkakton keqkuptime deri në shkatërrim të lidhjeve, siç është rasti i  Kovrinit me Tanjën, rasti i Kareninit të pakuptuar në prirjen e vet sublimuese, si njeri i penguar dhe rasti  i vëllezërve të çuditshëm Karamazov, sidomos rasti i Dhimitrit, i cili për të ardhmen e tij duhet të arratiset nga Rusia, të ndërrojë identitet, me mendimin për t’u kthyer aty si një njeri tjetër, duke fshehur identitetin e vërtetë dhe historinë e tij. 

    Autori ynë i shquar, Ismail Kadare, ndër të tjera, tërheq vëmendjen me rastin e sublimimit, të cilin do ta quanim etnik. Na vjen ta quajmë kështu këtë rast, pasi, në një nga romanet më të mira të tij, siç është romani: “Kush e solli Doruntinën”, Kadare vjen me figurën e arbërimit, që, në të vërtetë, s’është gjë tjetër, veçse ai proces i madh i çlirimit prej peshës institucionale: ligjeve të jashtme, burgjeve, gjyqeve, policisë, ushtrisë etj, dhe adaptimi i tyre së brendshmi, për të siguruar egzistencën në kohë përplasjesh të mëdha botësh polare (Lindje-Perëndim) dhe feve të tyre të Romës dhe Bizantit. Në thelb të këtij procesi sublimues etnik, të cilit i paraprin grupi i të rinjve, është Besa, të cilën vetë Konstandini, ky prijës energjik i grupit të të rinjve, e quan “një nga vlerat më sublime”, nën efektin konstitucinal të së cilës qenia etnike çlirohet nga pesha e ligjeve të jashtme  dhe institucioneve të rënda shtetërore.

    Edhe në rastin etnik të sublimimit, si në romanin e Kadaresë: “Kush e solli Doruntinën”, ka bllokim të komunikimit. Në pamje të parë duket sikur, për shkak të natyrës së të rinjve, pasojë e këtij bllokimi është një marrëdhënie kundërvënëse e të rinjve me kapiten Stresin, që hetonte rastin e kthimit të Doruntinës. Në fakt, shkak janë referencat e ndryshme në raport me të cilat përftohet mendimi i dialoguesve: Stresit nga njëra anë dhe grupit të të rinjve nga ana tjetër. Ndërsa Stresi ende i paçliruar nga pesha e rëndë e shtetit, i referohet një bote të zakonshme, botës tripërmasore, të rinjtë e sublimuar i referohen një bote tjetër, me një përmasë të re, një bote me besë, të cilën Stresi, nën efektin e peshës së ligjeve dhe institucionit shtetëror që përfaqëson, e nënqesh dhe ironizon.

    Ndryshe nga rasti antik i sublimimit, të cilit i referohet Anne Radix, dhe rastit të vëllezërve Karamazov, veçanërisht Dhimitrit dhe Ivanit, ku bllokimi i komunikimit mbetet i tillë deri në fund të rrjedhës së subjektit, në rastin etnik të sublimimit si në romanin: “Kush e solli Doruntinën”, komunikimi zhbllokohet, dhe ky është momenti i sublimimit të vetë kapiten Stresit. Në këtë moment sublimimi, ai vjen në figurën e interpretit të Besës “kësaj vlere të madhe sublime” siç e konsideron atë grupi i të rinjve, për ta konfirmuar me dorëheqje, si shenjë e çlirimit prej peshës dhe idesë së shtetit, kësaj makinerie të rëndë, me ligje nga jashtë. Në rastin etnik të sublimimit si në romanin: “Kush e solli Doruntinën”, të Isamail Kadaresë, gjithë ajo peshë e rëndë e institucionit që quhet shtet, sipas të rinjve, reduktohet vetëm në një fjalë. Është fjala Besë, në shenjën e sublimimit të etnisë, sipas shembullit të të rinjve që, ndër të tjera, arbëronin edhe këtë sublimim konstitucional.

     Besa në vetvete , sipas Fjalorit të Shqipes së Sotme është: “Fjala e dhënë me sigurinë se do të mbahet, fjala e nderit për të plotësuar një detyrim që merret përsipër”. Ky nocion etnografik shqiptar, i mishëruar në praktikat zakonore shqiptare dhe folklorin shqiptar, është marrëveshja reduktuese e imponimit nga jashtë, në një akt  fjalëdhënieje që buron nga brenda njeriut. Ajo nuk është në vetvete një kusht material, një detyrim i imponuar nëpërmjet forcës, gjyqit, policisë, ushtrisë etj. Është krejt e kundërta e këtyre nocioneve të rënda  materiale. Në fund të fundit, Besa është tejkalim sublim i ligjeve dhe mekanizmave të jashtme, që kanë të bëjnë me jetën e njeriut në një shoqëri, është zgjidhja etnografike spontane, deri në sublimimin e organizimit të jetës dhe marrëdhënieve në shoqëri. Besa shqiptare është një kontratë e pashkruar. Si një nocion shumë i lashtë etnografik, ajo është ideuar dhe praktikuar  para se të vinte shkrimi. Në këtë kuptim shpallja e saj ishte verbale dhe njoftohej si akt me mënyrat dhe shenjat e kohës, kurse arshivimi bëhej nëpërmjet folklorit dhe traditave etnografike: veshjeve, zakoneve, festave popullore etj. Kjo përmbajtje sublime është tema e madhe e arbërimit të të rinjve, në romanin: “Kush e solli Doruntinën” të Kadaresë, gjë që ishte e pëlqyeshme edhe nga më të vjetrit.

    Po t’i referohemi përsëri, tani në përmbyllje të mendimit tonë, shkrimit të Islam Haxhiut, përmendur në hyrje si një ftesë, do të thoshim se Doruntina kishte shekuj që vinte drejt nesh për të na dhënë mesazhin sublim. Dihet se, në distanca shumë të largëta kohore kodet e komunikimit ndryshojnë dhe leximi i tyre kërkon inteligjencë, fantazi dhe talent për t’i deshifruar. Legjendave nuk mund t’u jepet kuptimi që ato nuk e kanë apo nuk e lejojnë në përputhje me hapësirat e tyre kuptimore. E kundërta do të ishte spekulim, fjalë që gjetkë e kanë në majë të gjuhës, kur është fjala për deshifrimin dhe leximin që u bën Kadareja legjendave shqiptare. Kur është fjala për Doruntinën e legjendës së njohur,, mjeshtri vetëm sa e ndriçon atë, duke e përqëndruar fokusin artistik në përmbajtjen sublime, si një thelb dhe kusht i mbijetesës së saj. Ishte fatlum takimi i Doruntinës me Kadarenë, para se koha të mos ishte në favor të saj dhe ajo të hynte përsëri në një proces të gjatë pritjeje dhe udhëtimi nëpër shekuj erërash globaliste.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË