More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Rostania (ose përralla e refuzimit të totemit)

    Skënder Karriqi: Rostania (ose përralla e refuzimit të totemit)

    Njeri qesh e njeri jam, njeri tjetër këtu s’kam. “Kjo që do t’ju rrëfej, ka ndodhur shumë kohë më parë, që kur s’mbahet mend…!” Kështu e fillonte përrallën nëna jonë, Sofia, që ndjesë i pastë shpirti ku i ka rënë, atje, në Dherin e Bardhë, në Prrenjës, ku janë varrezat, edhe të fshatit, edhe të qytetit, Pastaj ajo na rrëfente se një ditë dimri ndajnate, gratë e fshatit malor, mu atje ku  fillonte qielli, kishin vajtur për të bërë dru dhe se njëra prej tyre, një nusë e re një vit e martuar, pasi kishte ngarkuar drutë, nuk kishte mundur të ngrihej se kishte qenë  me barrë dhe se ajo e gjora kishte patur turp t’u kërkonte ndihmë  grave të tjera, prandaj  kishte mbetur aty, e kishte zënë  muzgu, e kishte zënë nata, e kishte zënë terri i zi, deri sa kishte dalë një hënë dimri, e verdhë po e po, por edhe e ftohtë, e më pas kishin filluar të lëvizin nëpër pyll shtazëria. Sipas rrëfimit të nënës sonë, asaj nuses së re i kishte vajtur lepuri për ta ndihmuar. Ai i shuari e kishte pyetur se ç’bënte aty dhe  nusja e re i kishte thënë se ishte me barrë dhe s’mund të ngrihej. Atëhere lepuri i kishte thënë të kapej pas bishtit të tij, por bishti i lepurit qe këputur dhe  nusja kishte mbetur aty, rënë, me dy barra mbi vete: fëmijën në bark dhe drutë në kurriz. Pakëz më vonë  i qe afruar për ta ndihmuar edhe dhelpra, por  edhe bishti i saj  qe këputur. Pas dhelprës, rrëfente  nëna jonë, i qe afruar baba Ariu, që i qofshim falë, edhe ai për ta ndihmuar nusen e re,  mbetur në mes të pyllit një natë të ftohtë dimri, me një hënë të verdhë, por edhe ajo shumë e ftohtë.  Edhe baba Ariu e kishte pyetur nusen e re se ç’bënte aty dhe ajo e shkreta ia kishte qarë hallin. Pastaj, ashtu si lepuri dhe dhelpra më parë, baba Ariu i kishte thënë të kapej pas bishtit të tij dhe  hopa, e kishte ngritur menjëherë. Pasi e kishte ngritur, i kishte thënë që, nëse do të lindte djalë, t’i rronte dhe ta kishte me shëndet e jetë të gjatë, ndërsa po të lindte vajzë, emrin  t’ia vinte Rostani dhe t’ia falte atij, baba Ariut. Mirë, i kishte thënë nusja dhe, nëpër dritën e hënës, kishte drejtuar rrugën për t’u kthyer në fshat.   

    ***

    Ne e dinim që këtu mbaronte pjesa e parë e përrallës. Dinim gjithashtu se në përfundim të kësaj pjese, nëna jonë Sofie i hidhte një sy zjarrit, e ushqente atë me ndonjë shkarpë dhe  rregullonte shaminë e kokës. Edhe ne pas saj të bënim dy-tri levizje çmpirëse, për t’u përqëndruar përsëri  tek sytë e zinj në fytyrën e saj të bardhë. Mu në këtë moment ajo e kuptonte se duhet të fillonte rrëfimin e pjesës së dytë të përrallës dhe merrte përsëri pozicionin e rrëfimtares. Atëhere ne e denim se nëna jonë Sofie do të na fliste me ritëm dhe stil të veçantë dhe kur na fliste kështu, me ritëm dhe stilt ë veçantë, nëna jonë Sofie ishte ndryshe, sikur kishte ardhur nga ndonjë kohë dhe vend tjetër, të na tregonte përrallën e saj për Rostanisë dhe të ikte përsëri.

    ***

    Në pjesën e dytë nëna jonë Sofie na rrëfente se, pasi kishte kaluar shumë kohë dhe  Rostania ishte rritur,  ajo dilte të luante kasollash me fëmijët e tjerë të fshatit. Një ditë andej kishte kaluar Baba Ariu, i cili ishte ndaluar  përpara saj, e kishte pyetur  si e kishte emrin dhe ajo i kishte thënë se e kishte emrin Rostani. Ai e kishte uruar: “Më rrofsh moj bijë!”, siç urojnë prindërit e gjyshërit dhe e kishte porositur që, kur të shkonte në shtëpi, t’i kujtonte nënës  bisedën  me atë, baba Ariun, kohë më parë, në një natë të ftohtë dimri, kur ajo ishte nuse e re, me barrë, dhe kishte mbetur e vetme në pyll.  Rostania nuk i kishte thënë gjë nënës atë mbrëmje, nga që  kishte vajtur e lodhur në shtëpi, kishte harruar dhe e kishte zënë gjumi. Edhe baba Ariut ashtu i kishte thënë ditën tjetër, se  kishte vajtur e lodhur në shtëpi, kishte harruar dhe e kishte zënë gjumi.  Pasi Rostania kishte harruar  edhe herën e dytë,  rrëfente nëna jonë Sofie, baba Ariu i kishte dhënë asaj tri kokrra mollë që t’i fuste në brez. Kur ta hiqte atë për të fletur gjumë, do të gjente mollët dhe do të kujtohej për porosinë e baba Ariut. Herën e tretë, kur kishte hequr brezin për të fletur, Rostania kishte gjetur mollët që i pat dhënë baba Ariu, ishte kujtuar  për porosinë dhe  ia kishte thënë nënës së vet ç’i kishte thënë baba Ariu. Nëna ishte kujtuar për atë bisedë kohë më parë, në një natë të ftohtë dimri dhe i kishte thënë Rostanisë që t’i thoshte Baba Ariut: “Ku ta gjejë, le ta marrë”. Nëna jonë Sofie e mbyllte pjesën e dytë duke na rrëfyer se, me të dëgjuar atë përgjigje, baba Ariu e kishte marrë  Rostanien dhe e kishte çuar në shpellën e tij, ku ajo kishte jetuar për një kohë të gjatë bashkë me të.

    ***

    Gjatë rrëfimit të pjesës së dytë ne gjenim momentin të merrnim pak frymë, kur nëna jonë Sofie rrëfente në mënyrë të përsëritur, fjalë për fjalë, dy harresat e Rostanisë për t’i kujtuar nënës së vet porosinë e baba Ariut, kohë me parë, në një natë të ftohtë dimri, kur ajo, nëna e saj, ishte nuse e re, me barrë, dhe kishte mbetur e vetme në pyll. Ajo që ne nuk e kapërcenim dot ishte lehtësia (nga ato lehtësitë e papërballueshme, për të cilat flet Kundera në romanin e vet) me të cilën nëna i thotë që ajo vetë, Rostania, t’i thoshte Baba Ariut: “Ku ta gjejë, le ta marrë”. E shkreta Rostani, nuk e dinte që fjala ishte për vetë atë; ishte ajo vetë që diku do të gjendej dhe atje ku dhe kur të gjendej, do të merrej (do të rrëmbehej). Pra, në thelb, ishte ajo vetë porosia e Baba Ariut, kohë më parë, në një natë të ftohtë dimri…  Ndërkohë që ne e përjetonim në këtë mënyrë një mospërputhje të figurës së nënës së Rostanisë me figurën e nënave të tjera, nëna jonë Sofie ishte bërë gati të fillonte rrëfimin e pjesës së tretë, që do të thotë së ajo ishte vënë në pozicionin e rrëfimtares dhe ne, me ndjesinë e ritmit dhe stilit të veçantë të rrëfimit, ishim shndërruar përsëri në dëgjues, gjithë sy e veshë.

    ***

    Pjesën e tretë të përrallës nëna jonë Sofie e vazhdonte duke na rrëfyer se një ditë prej ditësh ishin kthyer në fshat ushtarët që kishin qenë në shërbim të të Parit të Vendit dhe se me ta ishte kthyer edhe vëllai i Rostanisë.  Me të hyrë në shtëpi, ai kishte pyetur për motrën e vet dhe  nëna i kishte thënë se Rostanien e kishte marrë baba Ariu motmot e më shumë. Atëhere vëllai kishte dalë nëpër male e pyje për të gjetur motrën që i kishte marrë baba Ariu dhe kishte gjetur gjurmet e pas tyre kishte gjetur shpellën, ku bashkë me Ariun, motmot e më shumë, rrinte edhe motra e tij, Rostania. Ai i ishte afruar shpellës, kishte pritur  kur baba Ariu të dilte dhe ky të hynte të takonte motrën. Një ditë, pasi baba Ariu kishte dalë, ky kishte hyrë në shpellë dhe e kishte takuar motrën. Kur baba Ariu qe kthyer,  Rostania kishte vonuar ta hapte shpellën, deri sa e kishte fshehur vëllanë në një cep të errët të saj. Pasi kishte hyrë në shpellë dhe kishte  nuhatur, baba Ariu ishte dyshnisur dhe i kishte thënë Rostanisë: “Rostani a bi/ Vjen era njëri/”. Rostania kishte bërë sikur nuk e kishte dëgjuar dhe baba Ariu i  kishte thënë përsëri: “Rostani a bi/Vjen era njeri/. Atëhere, me krenari, Rostania i ishte përgjigjur: “Njeri qeshë e njeri jam/ Njeri tjetër këtu s’kam/”. Baba Ariu  qe kujtuar se motmot e më shumë jetonte me një njeri dhe kishte dalë përsëri në pyll.  Menjëherë pas kësaj, Rostania me vëllanë kishin përmbysur të gjitha enët: pjata, lugë, sita, korita, tepsi, kusi, që ato të mos flisnin kur të kthehej baba Ariu. Por në nxitim e sipër, kishin lënë pa përmbysur një lugë të vogël shtrembaluqe dhe kur baba Ariu  ishte kthyer më vonë me një cjap të zi për brirësh duke thirrur në të këndua e në të gëzuar: “Rostani a bi/Hape derën ti/Solla capn e zi/, ajo luga e vogël që kishte mbetur e papërmbysur, mezi kishte drejtuar llafet dhe kishte arritur të thoshte: “Mori vlai e koi” (“E mori vllai e shkoi”). Në fillim baba Ariut i dëgjohej  se luga shtrembaluqe po i thoshte: “Po lan kokën”,  por më pas ai e kishte kuptuar gjuhën e saj dhe i kshte hipur cjapit për të ndjekur motrën me vëllanë, duke thirrur në të qarë e në të gjëmuar: “Cjap ta hamë e cjap ta pimë/Rostanien ta arrijmë/. Rostania kishte marrë me vete sapunin, krehërin dhe pasqyrën. Kur baba Ariu me cjapin  po i arrinin, për herë të parë, ajo kishte nxjerrë sapunin, e kishte hedhur pas shpinë dhe më të ishte bërë një baltë e madhe,  që  baba Ariu me cjapin mezi e kishin kaluar.  Kur baba Ariu me cjapin po i arrinin përsëri, për herë të dytë, ajo kishte nxjerrë krehërin, e kishte hedhur pas shpinë dhe më të ishte bërë një pyll i dendur me shkurre, që baba Ariu dhe cjapi mezi e kishin kaluar. Kur baba Ariu dhe cjapi për pak dhe po i arrinin, për herën e tretë, ajo kishte nxjerrë pasqyrën, e kishte hedhur pas shpine dhe e gjithë udha pas tyre më të ishte bërë akull e kallkan, sa baba Ariu dhe cjapi mezi e kishin kaluar. Ndërkohë që ata, baba Ariu dhe cjapi ishin vonuar duke kaluar pengesën e fundit, Rostania me vëllanë kishin arritur në të hyrë të fshatit dhe kështu vëllai e kishte kthyer motrën në shtëpi. Nëna jonë Sofie e pëfundonte përrallën duke na rrëfyer se që atë moti baba Ariu ishte zemëruar me njerëzinë. Ndërsa Rostaninë kishte ardhur dhe e kishte marrë  nuse me në një kale të bardhë, një trim me yll në ballë.

    ***

    Sot, kur mendoj për këtë përrallë, temën e saj më vjen ta shoh lidhur me hijen totemike të Ariut.  Argumentet i gjej në rrëfimet e të vjetërve apo bisedat me ta, të cilët, pothuajse në të gjitha rastet, kur bie fjala për këtë  kafshë të fuqishme të pyjeve tona, e quajnë jo thjesht Ariu, por baba Ariu, duke treguar shenja të qarta respekti dhe adhurimi për të. Në fakt, përralla: “Rostania”, më shumë se sa për konfirmimin e një totemi, flet për  refuzimin e tij, ndoshta në një moment ndërgjegjësimi për pengesën e mendimit apo zakonit totemistik dhe praktikave të tilla, në një moment shkëputjeje përfundimtare të njerëzve prej varësisë apo kushtëzimit të faktorëve natyrorë, në një fazë të hershme të zhvillimit të tyre, në kushte të veçanta hapsinore. “Njeri qeshë e njeri jam/Njeri tjetër këtu s’kam”/. Kjo përgjigje në vargje e Rostanisë ndaj baba Ariut, ndoshta mund të interpretohet si moment i refuzimit të totemit dhe madje i shkatërrimit të tij, duke qenë në të njëjtën kohë edhe një konfirmim apo lartësim i diferencuar i qenies njerëzore, në raport me botën shtazore. Në këtë përrallë nuk del fare figura e babait, çka të bën të mendosh se ajo lidhet me kontekste historike të erës materiarkale. Nga ana tjetër, rrëfimi në fillim për një grup grash që shkojnë në mal për të bërë dru një mbasdite të ftohtë dimri, e lëkund këtë ide. Interesante duket në këtë përrallë edhe figura e vëllait, i cili, sapo kthehet në shtëpi pas një mungese të gjatë, pyet për motrën Rostanie dhe kur merr vesh ç’i kishte ndodhur, bëhet shpëtimtari i saj, por pa ofruar  të dhëna që ti të mëndosh për një dashuri thjesht vëllazërore. Në mbyllje të përrallës Rostaninë vjen dhe e merr nuse me një në një kalë të bardhe, trimi me yll në ballë. Gjithsesi, hija e një ndjenje inçestuale të vëllait ndaj motrës të mbetet në mendje.

    Nuk ka shumë kohë që një shok universiteti, Roland Berhami, me të cilin i kemi biseduar shumë herë ide të tilla, më rekomandoi si refererencë librin e Aristidh Kolës: “Gjuha e Perëndive”, përkthyer prej greqishtes nga Spori Xhai, botim i “Plejad” 2003, ku në faqen 187 të tij thuhet: “Në fillim ky emër Ardem ose Ardam i perëndeshës (Artemisës-shënimi im, S.K.) krijoi një sërë vetish shtesë dhe  një cikël të dytë mitologjik, do të guxonim të thoshim. Bie fjala, në Arkadi, por edhe në Atikë, Artemisi dhe kulti i saj lidhen me ariun, ndaj janë krijuar shumë variacione për ariun e shenjtë të perëndeshës dhe për metamorfozat e saj të ndryshme. Përsa i përket Arkadisë, a do të mund të supozojmë se emri kombëtar Arkadi, që ka lidhje me Arkadët e Ilirisë, lidhet me ariun…”. Në fjalorin e tij  mitologjik, shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë 1987, doc. Todi Dhama , ndër të tjera, thotë se kafshët e kultit të perëndeshës Artemis ishin kryesisht dreri dhe arusha. Ndërsa Barbara Colonna, në fjalorin e saj mitologjik, “Toena” 2005, thotë se Artemisa  ishte perëndi e gjuetisë, e kafshëve dhe e hënës dhe se kapërcente malet e Arkadisë e shoqëruar nga nimfat e saj, por se kafshët e shenjta për të ishin dreri, qeni dhe derri i egër.

    Viset ku është rrëfyer dhe ndoshta rrëfehet edhe sot përralla e Rostanisë, përkojnë me malësinë e Sopotit, Polisit, Stravanit, Farretit, Stranikut, deri poshtë Luginës së Shkumbinit, në Karkavec, Bërzeshtë, Qukës, Xhyrë, Dardhë  dhe janë pjesë e Nënprefekturës së Librazhdit. Banorët e lashtë të këtyre fshatrave dhe zonave kanë qenë kandavët ilirë, për të cilët arkeologët dhe historianët thonë se i besonin kultit të Dianës, pëndryshe Atremisës në mitologjinë greke, së cilës i kishin ngritur edhe një tempull ku i faleshin asaj.  Në vitin 1916 arkeologët austriakë Prashniker dhe Shober zbuluan në Babje të Librazhdit një pllakë me mbishkrimin: “Diana Augusta Candaviensis” (Diana Mbretëresha e Kandavëve), e cila mendohet se është pjesë e sanktuarit të tempullit të Dianës, përndyshe Artemisës në mitologjinë greke, që si kafshë të shenjta të saj, ndër të tjera, kishte edhe ariun.

    Nisur nga të dhënat e mësipërme mund të thuhet se hija totemike e baba Ariut ka rrënjë të vjetra, antike, që lidhen me kultin e Artemisës, perëndisë së gjuetisë, të kafshëve dhe të hënës tek ilirët kandavë të këtyre trevave  dhe që më vonë, gjatë pushtimit romak, del sipas mitologjisë romake, me emrin përgjegjës Diana. Përralla e Rostanies përkon me momentin e refuzimit të këtij totemi, ndër të tjera, edhe për shkak të nevojës së brendshme për diferencim në nivel statusi (njerëzor), në kushtet e një jetë pothuajse të shkrirë me natyrën, çka është arsyeja pse njeriut i duhej ta shquante veten. Në këtë kuptim, përralla për Rostaninë është një akt i lashtë  shquarje dhe diferencimi, fiksuar nga memoria njerëzore në një trajtë të tillë përralle, mu në ag të qytetërimit.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË