More
    KreuOpinionSkënder Karriqi: Legjitimimi i autorësisë së Hesiodit, si autori i parë në...

    Skënder Karriqi: Legjitimimi i autorësisë së Hesiodit, si autori i parë në historinë e letërsisë

    Hesiodi mendohet të ketë jetuar në shekullin VIII dhe VII p.e.s, ndërkohë që Homeri mendohet të ketë jetuar në Shek IX p.e.s, Por ka edhe një mendim tjetër që e sjell atë në shekullin VIII p.e.s. Ndërsa Herodoti, babai i historisë, nga një distancë katërshekullore, i vendos në të njëjtin shekull, (IX), kur thotë se Homeri dhe Hesiodi kanë jetuar 4 shekuj para tij[1].

    Ka edhe të tjerë që mendojnë se dy autorët e vjetër janë bashkëkohës. Ata mbështeten në një hartim të shkurtër të epokës së perandorit Adrian, ku thuhet se të dy ata, Homeri dhe Hesiodi, janë takuar në Halkidi, në ishullin Eube, në lojërat e organizuara për nder të mbretit Amfidamos.[2] Megjithëse në këtë rast kemi të bëjmë me një dokument shkrimor, për çudi, teza e distancës njëshekullore ndërmjet dy të vjetërve jo vetëm që është mbajtur, por edhe është forcuar.

     Me sa shihet më lart, distanca e mundshme kohore (njëshekullore), mes dy të vjetërve, dhe aq më tepër mendimi që i konsideron dy të vjetërit bashkëkohës, nuk e justifikojnë tezën e autoritetit të secilit, të ngritur mbi kriterin e vjetërsisë si burim i këtij autoriteti. Nga ana tjetër, në qoftë se problemin e autoritetit të secilit prej dy të vjetërve do ta përcaktonte distanca njëshekullore (në qoftë se ka ekzistuar kjo distancë) dhe ky autoritet i argumentuar në këtë mënyrë do të pranohej, nuk do të kishim ndërmarrje të mëvonshmë për ta sqaruar atë.

     Mund të ketë ndodhur që deri në një farë kohe, kriteri i vjetërsisë (hershmërisë) të ketë qenë funksional dhe të ketë imponuar autoritetin në bazë të rregullit hierarkik të parëlindjes, që do të thotë të ketë imponuar autoritetin e Homerit, por sa më shumë kalonin shekujt, aq më i pavleftshëm, madje dhe inekzistent, dukej kriteri i hershmërisë (vjetërsisë njëshekullore). Duke u larguar në kohë, shekulli si njësi e kohës mekanike duket më i vogël, dhe për rrjedhojë me më pak ose aspak peshë.

     Mbase me këtë perceptim zhvlerësues lidhen edhe përpjekjet pas 3,4,apo 5 shekujsh, për të rivlerësuar autoritetin e dy të vjetërve, nisur jo nga kritere aprioristike, por, në të kundërt, nisur nga kritere të cilësisë artistike, të stilit, të gjuhës, të synimeve, të tematikave dhe të individualitetit, në rrafshin teorik letrar.

     Përpjekja e parë ka qënë e Pausania-s, i cili, duke dashur të rrëzojë kriterin kohor (të hershmërisë), që, me sa duket, me gjithë pathemelësinë e tij, ende ishte referencë për fanatikët dhe dogmatikët, ndërmerr ristudimin e çështjes, gjë që na e bën me dije në një vetëdeklarim si më poshtë: Sa i përket çështjes së mëhershmërisë mes Isiodhit dhe Homerit (………), personalisht unë kam ndërmarrë hulumtime tejet të kujdesshme, por nuk më pëlqen të shkruaj rreth kësaj teme, pasi jam i vetëdijshëm për natyrën nevralgjike të kësaj çështjeje mes studiuesve të sotëm të epikës.[3]

     Mospëlqimi i Pausania-s për të shkruar rreth kësaj çështjeje, mund të lexohet edhe si arritje e tij në përfundime jo në favor të kriterit kohor të autoritetit të Homerit, përfundime të cilat ai nuk ka dashur t’i publikojë për të mos u futur në vorbullën e pakuptimtë të çështjes apo për t’iu shmangur ashpërsisë së saj, ngaqë ajo trajtohej në mënyrë dominante nga njerëz që s’e tejkalonin veten në bindjen e tyre mbi mëhershmërinë, si i vetmi kriter (sipas tyre) që përcakton drejt epërsinë autoritative mes dy të vjetërve.

     Vetë koha do ta zhvlerësonte, ashtu siç kishte bërë deri atëhere, absolutizimin e pakuptimtë të këtij kriteri: Sipas kësaj rrjedhe logjike të zhvlerësimit të kriterit kohor nga vetë koha, do të shohim më tej shfaqjen e një kriteri tjetër të dallimit të autoritetit në përballjen krahasuese të dy të vjetërve, kriter i cili lidhet me artin poetik. (Me sa duket, ka ardhur koha e gjykimit të çështjes bazuar në një kriter të mirëfilltë brendaletrar).

     Një këndvështrim të tillë e shohim për herë të parë në një vepër, titulluar Rreth Homerit, Hesiodit, prejardhjes së tyre dhe konkursit mes tyre[4], datuar rreth shekujve IV-II para erës sonë. Kjo vepër…e merr pikënisjen për konkursin poetik imagjinar mes dy poetëve nga një vatër tekstore e Isiodhit, çka mund të shpjegojë deri diku edhe arsyen përse autori e nxjerr fitues të konkursit, i cili është edhe i vetmi rast ku Isiodhit i jepet përparësi mbi Homerin në rrafshin poetik.[5] Duket sikur me këtë pohim kemi një fakt të rëndësishëm të kuotimit të Hesiodit në rivalitet me Homerin. Por studiuesi përsëri nuk gjen arsye për të pranuar dhe shenjuar përfundimisht si fitimtar Hesiodin. I dallueshmëruar nga Homeri sipas kriteteve të shkallës dhe cilësisë artistike, stilit, gjuhës, synimeve, tematikave të rrahura, dhe individualitetit përkatës në rrafshin letrar e poetik, Isiodhi ka dalë“i humbur”, çka ka ndikuar shpesh për lënien në hije të tij, më së tepërmi “në hijen e madhështisë së Homerit”[6]. Pra fitorja paska qenë thjesht një moment konkurrimi, për të mbetur më pas në hije (!).

    ***

    Në fakt këtu ka një moment, i cili ndonse në oqeanin e vlerave letrare nuk bie në sy, duke u legjendarizuar thjeshtë si çështjë konkurrimi apo dyluftimi, (mbase modelim sipas dyluftimeve heroike të personazheve epikë ), po të fokusohemi në çështjen e autorit (autorësisë) si çështje historike, ky është një moment ndarës, përtej të cilit letërsinë do ta kemi ndryshe.

     Qoftë edhe në fokusin e një analize të thjeshtë, s’kemi se si të mos pranojmë se kriteret e shkallës, të cilësisë artistike, stilit, gjuhës, synimeve, tematikave, janë elemente përbërës të individualutetit dhe se dallueshmëria ndërmjet dy të vjetërve qenka, në konsideratën e atyre që e letrarizuan historinë e konkursit, shenjë e individualitetit, e cila në vetvete është shenjë e autorësisë.

     Duke patur parasysh se Homeri nuk e kishte ndjenjën e autorësisë dhe se ai vetë nuk resht së kujtuari audiencën për natyrën jovetiake të poezisë së tij, se autori i rrëfimit nuk është ai po Muzat, na rezulton se konkursi ndërmjet dy të vjetërve paska patur në fokus dhe qënka motivuar nga çështja e autorësisë së veprës letrare, por në peshë kanë qënë autorësia absolute e Muzave në lidhje me të cilat Homeri s’kishte asnjë atribut, dhe autorësia e një lloji tjetër, ku, padyshim Muzat kishin rolin e tyre, por jo më pak rol kishte edhe autori johyjnor, pra thjesht tokësor. I motivuar në këtë mënyrë, konkursi ka qënë i parashkruar për t’u fituar nga Hesiodi: Homeri s’mund ta mundëte atë me ç’ka nuk kishte, idenë dhe ndjenjën e së cilës nuk e kishte dhe që për më tepër ua atribuonte Muzave; Homeri nuk mund ta mundtte Hesiodin me autorësinë, që nuk ia pranonte vetes…Duke fituar këtë konkurs Hesiodi fitonte në fakt mbi Muzat, duke e konfirmuar veten si autori i parë johyjnor…

     ***

     Me poemën Punët dhe ditët Hesiodi po u bënte grekëve të kohës së vet provokimin e madh, i cili konsistonte së pari në shqyrtimin e qëndrimit të tyre ndaj eposit homerik. Nga ai shihej një botë e largët, pa vite, që do të thotë pa kohë kalendarike (mekanike). Nga që ishte një kohë e përfunduar, absolute, ajo botë nuk kishte tabela, data, shënime kohore etj. Bëhej fjalë për një botë të mbyllur, ku as mund të hyej, as mund të dilej. Ishte një botë e kufizuar dhe e kushtëzuar nga kujtimi; e largët, në distancë epike. Ishte botë kohëmbrapa, e projektuar për t’u parë nga distanca, e ndjeshme, por absolutisht e paprekshme.

     Përkundër kësaj bote të tillë Hesiodi po i provokonte bashkëkohësit me një botë tjetër, me kohë tripërmasore; të shkuarën jo të largët, të tashmen dhe të ardhmen, me lidhje kronologjike ku kishte shkaqe dhe pasoja, kohë ritmike të përditësuar, një botë e përjetuar në të tashmen, në raporte të prekshme, lehtësisht të identifikueshme brenda përvojave individuale dhe të grupit, një botë e rrëfyer nga një bashkëkohës i prekshëm, i dallueshëm, i gjykueshëm, një botë që, gjithsesi, i mësonte ata për të tashmen dhe të ardhmen duke iu referuar shembullit të gjallë.

    Hesiodi është i pari poet i antikitetit që flet qartë për veten e tij. Ai na thotë se babai i tij Dizi, ishte nga Kuma, qytet në brigjet e Azisë së Vogël. Na thotë se më pas ai ishte shpërngulur dhe ishte vendosur në Askra, fshatin e vogël të Beotisë, rrëzë malit Helikon, në Greqinë Qendrore. Pas vdekjes ati u la bijve të vet, Hesiodit dhe Persit, një pasuri të mjaftueshme, vënë me shumë mundim përgjatë gjithë jetës së tij. Persi, duke korruptuar gjykatësit, arriti të rrembejë edhe pjesën që i takonte Hesiodit. Me punë ky i fundit arriti të vëjë përsëri njëfarë pasurie. Ndërsa Persi, pasi e harxhoi gjithë ç’trashëgoi dhe mbeti keq, iu drejtua për ndihmë Hesiodit. Dhe Hesiodi e ndihmoi; jo me të holla apo pasuri, por me këshilla të urta, thelbi i të cilave ishin Puna dhe Drejtësia, të cilat “bamirësi” i predikon mbështetur në figurën e Persit dhe gjyqtarit të korruptuar, siç mund të shihet në vargjet më poshtë:

    O Pers, o budalla i budallenjve,

    Merru me punë që vetë hyjnitë ua vunë

    gjithë njerëzve për detyrë, por në mos daç

    me zemër të brengosur bashkë me gruan

    e me fëmijë t’u lypësh bukë fqinjëve

    …………………………………………..

    Sepse gjyqtarët, njerëz të pangpur,

    Që arrijnë të nxjerrin dhe vendime të tilla,

    Me të holla ti i ke kthyer. Budallenjtë…[7]

    Vargjet e cituara mbartin në thelb arsyen e mjaftueshme për provokimin e madh. Personazhi që na sjellin këto vargje, Persi, jo vetëm që nuk është hero i ngjashëm me heronjtë e virtualizuar dhe sublimuar të eposit homerik, por, në të kundërt, është një njeri i rëndomtë, i shenjuar negativisht në përditshmërinë e sjelljes morale. Ai është njeriu i qytetit, të cilin e shohin të gjithë, flasin me të. Është qytetari me të drejta civile para gjykatës, është njeriu i kohës së tashme, i padistancuar, të cilit autori, vëllai i vet, duke e këshilluar, i flet në kohën e tashme. Këshillat e dhëna me këtë rast u ngjajnë bisedave të përditshme këshilluese. Ato s’kanë asgjë të veçantë jashtë përvojave të rendomta qytetare, për t’u përjetuar si thënie hyjnore. Po kështu, autori që flet niset nga përvoja personale, e cila, në rrethanat e një konflikti gjyqësor civil, është publikuar në mënyrën më të rëndomtë, duke u bërë mbase, edhe objekt bisedash në ambiente tregtimi apo ambiente të tjeta publike.

     Mund të merret me mend se sa e madhe duhet të ketë qënë habia e qytetarëve kur një ngjarje e rëndomtë civile, siç ishte konflikti i dy vëllezërve për pronën, të shihej e letrarizuar në formë poetike (!) Me siguri, në fillim duhet të ketë pasur refuzime të këtij lloji të panjohur poezie, sidomos nga shtresa aristokrate, që me eposin homerik shenjonte përkorjen e vet fisnike, shijen klasile, duke legjitimuar kështu klasin e saj. Ata duhet të jenë fyer nga kjo poemë e çuditshme, madje mund ta kenë denoncuar para gjykatave fetare të kohës si sakrilegj ndaj shenjtërisë së Muzave e mbase dhe shenjtërisë së Homerit e veprës së tij. Ku e gjente të drejtën ky farë Hesiodi të rrëfyeka, dhe aq më keq akoma, të predikuaka?! A nuk ishin këto ekskluzivitete të Muzave hyjnore që vetë e zgjidhnin zëdhënësin dhe transmetuesin e tyre?! Tjetër të tillë veç Homerit nuk ka pasur, e aq më pak mund të ketë. Bashkëkohësit e Homerit njihnin vetëm imazhin e rrëfimtarit (aedit) Homer. Për ta ai ishte autor aq sa mund të jete i tillë transmetuesi. Ai për ta ishte i idealizuar dhe i shenjtëruar, megjithëse mitologjia nuk u thoshte asgjë për ndonjë ceremoni shenjtërimi apo celebrimi të ndonjë aedi me emrin Homer. Gjithsesi, si guxonte ky njri i rëndomtë, ky fare Hesiodi, pa mit, brenda kohës dhe botës së tyre, të merrte përsipër rrëfimin?! Ata nuk e njihnin autorin real. Në këto rrethana refuzuese duhet ta ketë menduar Hesiodi projektin e mitit të celebrimit të vet prej Muzave, të cilin e publikon në mënyrë aq të detajuar në Teogonia.

    Menjëherë pas celebrimit dhe lëvdatave të rastit për Muzat, ai u drejtohet pikërisht atyre sipas formulës homerike: Këndo Hyjni…, siç duket në vargjet pëkatëse:

     Bija të Zeusit, ju thërras me lutje.

     Jepmëni këngët e denja për t’u pëlqyer.

    Në këtë mënyrë Hesiodi, pasi ia njohu vetes autorësinë dhe e përjetoi atë, e legjitimoi sipas rregullave të fesë olimpike, në përshtatje më arsyen mitologjike, për të qenë autori i parë në agun e agun e letërsisë evropiane. Nga ana tjetër, imazhi i një autori real ishte premisa e parë për realizmin në letërsi. Që nga ky moment vetënjohjeje, që për etikë olimpike duhet ta kishte mitin e celebrimit, letërsia do të ishte ndryshe.


    [1] Muzafer Xhaxhiu. Letërsia antike greke. Tiranë 2004.

    [2] P.S Kohan. Historia e letërsisë së vjetër greke. Përktheu nga serbokroatishtja Xhevat Gega, “Flaka e vëllazërimit”, Shkup, 1990.

    [3] Arben Haxhiymeri, Shpëtim Doda. Vep. e cit., fq 251.

    [4] Arben Haxhiymeri, Shpëtim Doda. Vep. e cit., fq 251.

    [5] Arben Haxhiymeri, Shpëtim Doda. Vep. e cit., fq 251

    [6] Arben Haxhiymeri, Shpëtim Doda. Vep. e cit., fq 252

    [7] Muzafer Xhaxhiu. Letërsia antike greke. Tiranë, 2004

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË