Duke lexuar romanin Kronikat e mjegullës, të autorit Bashkim Hoxha
1-Asosacion me romanin: “Neveria” të Sartrit.
Kur lexon romanin Kronikat e mjegullës të autorit Bashkim Hoxha, provon në qenien tënde kritike, si një kujtesë, asosacionin e tij me romanin Neveria të filozofit dhe shkrimtarit të mirënjohur, ekzistencialistit francez, Jean-Paul Sartre. Antuan Rokanteni, i cili prej vitesh punonte për të shkruar biografinë e vrasësit të Pavlit I të Rusisë, Markezit de Rolbon, në punë e sipër, haset me frikën se gjithçka që ai e kishte skeduar si të vërtetë gjatë hulumtimeve, do t’i rrëshqiste nëpër gishta. Me gjithë punën rraskapitëse nëpër arkiva, biblioteka dhe vende ku kishte punuar e jetuar Markezi de Rolbon, ai dikur heq dorë përfundimisht nga shkrimi i biografisë së tij. Nga ora në orë, nga dita në ditë, javëve e muajve: kohës që kalonte, figura e Markezit i dukej gjithherë, ndryshe, e pakapshme në një profil përfundimtar biografik. Faktet rreth tij, edhe pse shkrimore, në njësi kohe të punës hulumtuese, nuk prodhonin të njëjtën figurë, të njëjtin karakter. Shumë autorë për të njëjtin fakt kishin interpretime të ndryshme dhe shpeshherë të kundërta.
E vërteta e këtij asosacionit ndërmjet dy romaneve nuk ka të bëjë me detaje stilistike, subjektore, apo periudhash historike. Në fakt, ajo ka të bëjë me idenë e thelbit të pakapshëm të historisë si një qëndrim apo interpretim i atij që e shkruan apo thjeshtë e rrëfen atë. Objektivja ka kuptim si një ngjarje apo fakt në vetvete. Në momentin që ajo shkurhet apo rrëfehet në emër të një autori (subjekti), nuk është më ngjarje apo fakt në vetvete, por ngjarje apo fakt sipas autorit. Dhe, ngaqë autori (subjekti), si do që të jetë, mund t’i qaset ngjarjes apo faktit vetëm subjektivisht, ngjarja apo fakti në vetvete mbeten në thelb të panjohur, të huaj. Kjo është teza e Sartrit, këtij filozofi që pëlqeu mënyrën letrare për popullarizimin e filozofisë së vet ekzistencialiste. Një ide e tillë shtjellohet në mënyrë krejt origjinale edhe në romanin Kronikat e mjegullës të autorit Bashkim Hoxha.
2-Një sfidë autoriale.
Në këtë romanautori Bashkim Hoxha i qaset historisë së Shqipërisë, që nga shpallja e Pavarësisë e deri në ditët tona, me një stil kronik, në kundërvënie të plotë me rrethanat dhe praktikat e manipulimit të së vërtetës historike si e tillë, në vetvete. Në këtë kuptim, diskursi i tij kronik perceptohet edhe si një sfidë e shkrimtarit dhe veprës së tij kronike, përkundrejt frymës ahistorike, folklorizante dhe manipuluese ndaj së vërtetës historike (si e tillë në, vetvete). Kjo sfidë sendërtohrt hap pas hapi, plotësisht e perceptueshme, përgjatë zhvillimit të subjektit kronik, në momentin kur lexuesi (kritik), takohet me Miston, historianin lokal, pa ndonjë zë të veçantë në fushën e vet, i cili, në mëdyshjen për të rrëfyer objektivisht historinë apo sipas interesave të porositësit, zgjedh rrugën e dytë, atë të kompromisit. Në zhvillim e sipër, kjo linjë sfidante e subjektit dhe brenda logjikës kundërvënëse, plotësohet në mënyrë koherente, me dukjen në rrjedhën subjektore të djalit të Azis Beut, Ferdinantit, studentit të historisë në Vjernë, të edukuar me parime të shëndosha shkencore, epistemiologjike dhe ontologjike mbi historinë si shkencë e faktit, e së vërtetës në vetvete dhe jo e historisë së interpretuar, aq më këq, sipas interest të porositësit. Ashtu si Rokanteni i Jean Paul Sartr-it në romanin Neveria, edhe Ferdinanti heq dorë nga bashkëpunimi me Miston për shkrimin e historisë, jo thjeshtë për shkak të mjegullës, që do të thotë të pamundësisë ontologjike të historisë në vetvete, por edhe të praktikave banale të falsifikimit të historisë. Nga ana tjetër, autori apo sfidanti Bashkim Hoxha, nëpërmjet stilit pastërsisht kronik, shkruan tragjedinë dhe komedinë e historisë me porosi.
A mund të shkruhet historia në vetvete? Për sfidantin Bashkim Hoxha kjo është e mundur aq sa mund ta lejojë Mjegulla dhe bëhet krejtësisht e pamundur kur Mjegulla shihet si një rrethanë e përshtatshme që, jo vetëm nuk duhet përndarë dhe ndriçuar, por duhet shfrytëzuar si fatlume për variantin e historisë së interpretuar me porosi. Romani Kronukat e mjegullës, në fund të fundit, është figura kronike e fenomenologjisë së historisë në vetvete, shumë larg dhe në kundërvënie të plotë parimore me fenomenologjinë e historisë së manipuluar sipas interesave të porositësit, që do të thotë historisë me porosi. Nuk është fjala për relativizmin e historisë në këndvështrimin ontologjik të kufizimeve të vetë konceptit histori. Si në asnjë roman tjetër të letërsisë shqipe, lexuesi kritik percepton raportin e gënjeshtërt, ironik dhe tragjik të vetes dhe të gjithë shoqërisë, me atë që shkruhet, promovohet, lexohet dhe konsiderohet si histori.
3-Stili kronik (historik).
Në përshtatje me sfidën për një histori në vetvete, romani Kronikat e mjegullës është shkruar me stili kronik (historik) ku, edhe pse grotesku, ironia dhe sarkazma i mbivihen, si të tilla (të mbivëna) ato nuk mund ta cënojnë kurrsesi në thelb këtë stil. Diskursi (kronik historik) sendërtohet me fjali të shkurtra dhe shumë të shkurtra, në mungesë pothuajse të plotë të frazës, duke diktuar ritmin kronik konstant. Kjo konstante ritmike (kronike), e shpejtë për shkak të fjalive të shkurtra dhe shumë të shkurtra, i sugjeron lexuesit kritik rrëfimin kronik si të automatizuar nëpërmjet gjuhës si mjet rrëfimi. Kjo është figura e impersonalizimit dhe distancimit të rrëfyesit kronikan ndaj faktit, për të arritur tek figura e historisë në vetvete, në gjendje të pezullt, objektive, si materie indiferente në një hapësië ku lëviz mjegulla, e kuptuar kjo e fundit si një fakt ontologjik, që do të thotë brenda konceptit të historisë në vetvete.
Këtë stil kronik (historik), të përpiktë, automatik, të mjaftueshëm vetëm me arsyen e mesazhit,të së vërtetës objektive autori e motivon artistikisht edhe me figurën e brendshme (interiere) të Masarit, shurdhmemecit, i cili. në kundërvënie me shpërdoruesit e gjuhës në rastin kriminal të historisë me porosi, me klithmat dhe xhestet e gjuhës së vet natyrore, si ajo e fluturave, milingonave dhe botës shtazore në përgjithësi, kumtonte automatikisht se shpirti i botës po plaste…Klithmat dhe xhestet e tij ishin shumë më të rëndësishme se fjalët me të cilat njerëzit kishin koklavitur dhe banalizuar botën e madhe. Bisedat e tij me veten, pa fjalë (me klithma dhe xheste) është e natyrshme të merren me gjëra të rëndësishme, siç është akti i ndodhur, por i parrëfyer: virgjin, thjeshtë i pezullt në vetvete. Në fund të fundit stili kronik (historik) është projektuar përgjatë subjektit të romanit në funksion kundërvënës ndaj shpërdoruesve të gjuhës. Në këtë kuptim, figura e Masarit shurdhmemec, e çliruar prej gjuhës humane, është figura groteske in ekstremis me anë të së cilës stigmatizohen shpërdoruesit. Sipas dikotomisë kundërvënëse, autori Bashkim Hoxha e ve lexuesin kritik në komunikim të drejtpërdrejtë, joparafrazik, me personazhet, duke i vënë mendimet e tyre në thonjëza, sipas praktikës referuese, veçori stilistike kjo e kronikës historike. Sipas kësaj praktike, rasti i Ferdinantin, me gjasë epigonit të vetë autorit, është figura e kronikës së historisë në vetvete, sipas një formulimi të reduktuar (litotik) të kronikës së ngritjes së flamurit ne qytetin e fundit (moçalor) të Shqipërisë: “Ishte qyteti i fundit prej nga ikën turqit. Në shtëpinë e Azis Beut u ngrit flamuri kuq e zi, pas 500 vjetësh. Si në shumë raste të tjera referenciale dhe, sodomos në rastin e mësipërm referencial të Ferdinantit, studentit të historisë në Vjenë, lexuesi kritik përjeton ndjesinë e çlirimit nga retorika, folklorizmi, fantazia dhe, në fund të fundit, manipulimi i historisë me porosi apo me direktivë, përjeton ndjesinë e poetikës së të lehtës, si një raport të vetes me historinë në vetvete që, gjithsesi, në hapësirën e pezullt ku qëndron krejt indiferente, Mjegulla, shoqëruesja e saj e përjetshme, edhe pse i jep arsyen për të qënë mistike, kurrsesi nuk i jep arsyen për të qenë e manipuluar.
4-Një roman isopolifonik.
Kronikat e mjegullës mund të perceptohet edhe si një roman i ndërtuar (kompozuar) sipas praktikave isopolifonike të tingëllimit dhe komunikimit. Sipas këtyre praktikave komunikimi ndodh ndërmjet marrësit të mesazhit, pritësit të mesazhit dhe hedhësit të mesazhit, në hapësirën tingëllore të isos, elemenit mbështetës dhe aprovues të asaj çka transmetohet (mesazhit). Mekanizmi më i vjetër i komunikimit isopolifonik është dyzërëshi i modeliar në mënyrë orale sipas arketipit homerik, mishëruar në formula të tipit Këndo Hyjneshë mërinë e Akil Pelidit, pas së cilës vjen rrëfimi (hyjnor) i Muzës që, për shkak të aftësive mbinjerëzore (hyjnorësisë), di gjithçka përtej kohës dhe hapësirës prej të cilave kufizohet aq shumë njeriu si qenie e zakonshme. Në praktikën isopolifonike marrësi, pritësi dhe hedhësi lidhen në sistem, ku marrësi është ai që merr mesazhin (këngën) nga burimi emetues (Muza), pritësi është ai që e pret mesazhin (këngën) dhe hedhësi është ai që e hedh, e shpërndan mesazhin (këngën). Ky i fundit hedhjen (shpërndarjen) e bën nëpërmjet rimarrjes së fjalëve apo fjalisë së fundit të njësisë së komunikimit (vargut, strofës, pjesës paraardhëse etj). Studiuesit e isopolifonisë shqiptare kanë vënë në dukje faktin se, në shumë raste të praktikave isopolifonike mesazhi vjen në formë të ndërmjetme, si një recitim i këngëzuar, veçori kjo që i bën ato të ngjashme me praktikat e bisedave, pra me format e mirëfillta bisedore apo deklamuese të komunikimit të mesazhit.
Në romanin Kronikat e mjegullës të gjitha njësitë rrëfimtare të titulluar me emrat e personazheve për të cilat rrëfehet si; Azis beu, Masari, Cubi, Nesti, Mjegulla, Mistua, Qyteti i fundit, Ferdinandi etj, përveç njësisë së parë (nistore) të titulluar Hëna (emri i personazhit bërthamë), fillojnë me rimarrjen e fjalisë së fundit të njësisë rrëfimtarë paraardhëse. Kjo praktikë ndërtimore (kompozicionale) nuk motivohet si një përsëritje e thjeshtë. Përkundrazi, ajo ka lidhje përmbajtësore me njësinë rrëfimtare pasardhëse. Madje, pothuajse në të gjitha rastet, emir titull i kësaj njësie rrëfimtare përmbahet në fjalinë e rimarrë. (Azus beu e dëgjoi deklaratën e bërë nga Hëna me sytë e zgurdulluar-fjalia e fundit e njësisë së parë (nistore), Azis beu-titull i njësisë rrëfimtare pasardhsëse, Azis beu e dëgjoi deklaratën e bërë nga Hëna me sytë e zgurdulluar- si fjali e rimarrë në njësinë pasardhëse. Parë si përsëritje kjo praktikë ndërtimore (kompozicionale) evokon praktikat rrëfimtare epike, ku pikërisht përsëritja ka rol të dukshëm në orgazizimin e këtij lloji rrëfimi. Risia ndërtimore (kompozicionale) sendërtohet në evokimin e praktikave të komunikimit isopolifonik, ku rimarrja nga hedhësi s’është gjë tjetër, veçse shpërndarja e mesazhit sipas praktikave tingullore (orale) muzikore të mesazhit. Pikërisht rimarrjen siç u motivua më sipër, lexuesi kritik e ndijon dhe e percepton si jehonë me vlera të pasfumuara semantike, shpërndarë në mënyrë vibrante, për ta çuar mesazhin zanor sa më larg. Falë kësaj praktike ndërtimore (kompozicionale), e njohur nga studiuesit si faktor i organizimit ritmik, mesazhi në romanin Kronikat e mjegullës perceptohet si i vetrrëfyer, muzikal, nëpërmjet një sistemi komunikimi indifferent, të painteresuar, të përjetshëm dhe të gjithbotshëm.
Nëse në përftimin e praktikave të tilla ndërtimore (kompozicionale) sa orrigjinale, aq edhe me rrënjë në traditën arkaike, kemi të bëjmë me rasrtin e shqisës intuitive të shkrimtarit Bashkim Hoxha, rasti i kundërt, i arsyeshmi, i përftimit të tyre ka të bëjë me integritetin e shkrimtarit brenda sistemit të krijimit të vlerave, ku praktikat rimerren në mënyrë ndikuese dhe mbi baza të shëndosha njohjeje.