More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Klasikja në poetikën e Mjedës

    Skënder Karriqi: Klasikja në poetikën e Mjedës

    1- Mendime kritike

    Ajo që duket se ende nuk është zbardhur sa dhe si duhet mbi krijimtarinë poetike të Ndre Mjedës, ka të bëjë më klasiken në poetikën e tij. Të dhënat bibliografike, sipas Mark Gurakuqit në studimin e tij: Mbi veprën poetike të Mjedës , na bëjnë me dije se, që para Çlirimit, ndër të parët që e përmendin Mjedën si autor të veçantë është Justin Rrota, në librin: Letratyra shqipe për shkolla të mjesme, ku, ndër të tjera, ai bën fjalë edhe për ndërtim klasik të vjershës, hartue e lëmue me cenë të posaçme. Më pas Eqrem Çabej në librin: Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe, duke iu referuar Juvenilia-s dhe Lissus-it, flet për masën fisnike të poezive dhe përsosjen teknike të versit.

    Mbas Çlirimit është prof. Dhimitër Shuteriqi ai që në tekstin Letërsia Shqipe, Tiranë 1950, e cilëson poemthin Liria si një nga kryeveprat e letërsisë shqipe dhe, me këtë rast, Mjedën si një autor që nuk shkruan kurrë shkel e shko, por ngadalë, me limë në dorë. Ndër artikujt apo studimet e prof. Jup Kastratit, Mark Gurakuqi përmend atë me titull: Mbi disa forma klasike të Mjedës si dhe të dhëna bibliografike për të: (Buletin për shkëmbimin e eksperiencës, viti I, nr 8, Shkodër 1954). Duket nga titulli se ky artikull apo studim është i interesuar dreptpërdrejtë për klasiken dhe format e saj në poetikën e Mjedës. Por autori Mark Gurakuqi vetëm sa e përmend titullin e këtij artikulli apo studimi, pa bërë për të qoftë edhe një koment apo përshkrim të thjeshtë, me dy-tri fjali. Për më tej, çuditërisht, në referencat dhe bibliografinë e Gurakuqit për studimin e tij: Mbi veprën poetike të Mjedës, studimi në fjalë i prof. Jup Kastratit nuk shënohet as si i cituar, as si i lexuar.

    Rinush Idrizi në studimin monografik: Ndre Mjeda   shprehet; Kulturën, erudicionin e tij filozofiko-historik ai diti t’ia nënshtronte qëllimit fisnik patriotik, ashtu si vetë talenti i tij i thellë  zbriti nga Horaci, Virgjili e parnasianët, për t’u shqipëzuar plotësisht, duke dhënë një të vërtetë artistike shqiptare të thjeshtë. Siç shihet, Idrizi na orienton kështu që klasiken tek poetika e Mjedës ta shohim si ndikim nga Poetika e Horacit, vepra poetike e Virgjilit si dhe poetët parnasianë, por, gjithsesi, i përshtatur ky ndikim për komunikimin e së vërtetës së thjeshtë shqiptare. Më tej në studimin e vet monografik Rinush Idrizi shprehet se duke i pëlqyer poemat (e Mjedës), studiuesit kanë theksuar vështirësitë e të kuptuarit të tyre, ndërtimet e zhdrejta klasigjante, ftohtësinë e tyre. Madje, ndonjëherë, edhe krijimi i 1893 Lissus është quajtur më i ngrohtë. Poemat kuptohen vërtetë me vështirësi, mbasi në to shtrihet një lëndë e gjerë, një kulturë e njohje e thellë e gjithçkaje historike e mitologjike. Megjithatë kjo vështirësi nuk duhet të barazohet me ftohtësinë e me pohimin se këto poema rrjedhin më shumë prej mendimit se sa prej ndjenjës. Në fund të fundit, duke dashur “ta mbrojë” Mjedën nga  vërejtjet si më sipër, të cilat, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi, e rreshtonin atë ndër klasicistët, Rinush Idrizi citon Bjelinskin, sipas të cilit: Arsyeja është ndjenja që ka njohur vetveten, për ta përmbyllur mendimin si vijon: Kryesisht ai (Mjeda, shënimi im, S.K.) është një poet romantik dhe njëkohësisht klasik, por në poezinë e tij gjejmë edhe nota të thella realiste. (Me këtë përcaktim që i bën Idrizi Mjedës, na ndërmendet teza për një histori letrare, si rrethana kontaktesh kulturore të autorëve, leximeve të tyre, ndikimeve, përkundrejt një historie letërsie për të cilën pretendohet se funksionon në bazë të ligjeve dhe parimeve shkencore).

    Në tekstin: Historia e Letërsisë Shqiptare të Akademisë së Shkencave të R.P.S.SH. Tiranë 1983  poemthat në tingëllima: Lissus dhe Scodra, shënohen për formën e tyrë klasike, por edhe për njëfarë ftohtësie parnasiane. Ndërsa për poemthin Liria shkruhet se: Vepra nis me një përfytyrim të gjerë poetik: në një shikim të vetëm shqiponje përfshihet gjithë Shqipëria e robëruar që ka dhënë kushtrimin për liri. Në fakt, ky shikim i vetëm  shqiponje përkon me këndvështrimin epik olimpik dhe në këtë kuptim përbën një veçori klasike.

    Robert Elsje në Historia e Letërsisë Shqiptare  flet pa mëdyshje për poeti(n) klasik Ndre Mjeda dhe poezinë e tij, sidomos përmbledhjen Juvenilja, që shquhet për stilin klasik dhe pastërtinë e gjuhës.

    Prof. Rexhep Qosja në Historia e Letërsisë Shqiptare, Romantizmi III,  shprehet se Ndre Mjeda është poeti i parë i romantizmit në poezinë e të cilit shkrimi në vetë të tretë shquan si veçori dalluese e procedimit të tij krijues. Jo vetëm poemat “Vaji i bylbylit”, “Andrra e jetës”, “Lirija”, “Lissus”, “Scodra” dhe pjesërisht “I tretuni”, por edhe një numër të vjershave ai i shkruan në vetë të tretë. Veta e tretë në poezinë e Mjedës nuk mund të njëjtësohet me vetën e tretë të klasicizmit apo të realizmit.

    2-Një perceptim i gabuar

    Në të  gjitha rastet e autorëve dhe teksteve të tyre të referuara, përveçse mendimi mbi klasiken e Mjedës është i cunguar, ai është i pailustruar, i përgjithshëm, pa sens konkret. Ndërsa në rastin e prof. Rexhep Qoses na duket se kritika e tij mbi klasiken në poetikën e Mjedës ngrihet mbi referenca të perceptuara gabim. Poemthat Vaji i bylbylit, Lirija dhe Scodra nuk janë shkruar në vetë të tretë, sikundër shprehet prof. Qosja dhe siç ne e kemi cituar atë në paragrafin paraardhës. Po kështu, në poemthin Lissus, sonetet III, IV, VIII, X janë në vetë të dytë, prandaj për këtë poemth duhet të flitet për alternim të vetës së tretë me vetën e dytë. Poezia Iliria dhe Epiri ka për nëntitull (Kang’ për mot që vjen) Lissus.dhe është e shkruar në vetë të dytë.

    3-Vetat e shkrimit. Klasikja.

    Vetat e shkrimit janë: veta e parë ose shkrimi për veten/vetet; veta e dytë ose shkrimi për bashkëfolësin/bashkëfolësit; veta e tretë ose shkrimi për tjetrin/ të tjerët. Referuar eposit homerik si dhe eposeve të tjerë, të cilët, në një mënyrë apo në një tjetër, e kanë patur këtë epos si referencë modelore, na rezulton se veta e dytë e shkrimit fiton statusin e një vete klasike. Tek eposi homerik (Iliada, Odisea) kjo vetë është veta nistore e dialogut të aedit Homer me Hyjninë (Muzën) dhe i gjithë dialogu, nistor edhe ky, është çelësi që hap horizontin e poemave epike (Këndo Hyjni mërnë e Akil Pelidit/ Që shumë hidhërime e kobe akejve u solli…(Iliada).  Muzë, tregomë për burrin me mendje aq shumë pjellore…. (Odisea). Gjithçka që thuhet pas këtij dialogu çelës, është rrëfim i hyjnisë në përgjigje të lutjes së pranuar të aedit Homer. Përgjatë poemave epike në fjalë kjo vetë e dytë klasike përsëritet, si në rastin e katalogut të anijeve akejese, kur aedi Homer i lutet Muzës të rrëfejë për fiset pjesëmarrëse në Luftën e Trojës, të cilët kishin anijet me emblemat e tyre fisnore, apo si në fillim të episodeve aventurore tek Odisea. Kjo përsëritje lutëse e vetës së dytë bëhet me qëllim që Muza apo Muzat të vazhdojnë rrëfimin. Ato jetonin në malin e Helikonit dhe që andej i shihnin të gjitha dhe prandaj i dinin të gjitha (Rrëfemëni tani Muza që në Olimp banesën keni/Ju jeni Hyjnesha, jeni kudo, shihni gjithçka / Ne dëgjojmë thjesht zhurmë, s’dimë kurrgjë /Cilë ishin udhërrëfyesit e Danajve dhe cilët prijësit /). Prandaj ato kishin ekskluzivitetin e rrëfimit. Edhe Hesiodi që, një shekull më vonë, di shumë për veten si autor, nuk i shmanget vetës së dytë klasike si vetë çelës, për të hapur horizontet e poemës së vet. (Bija të Zeusit / ju thërras me lutje / Jepmëni këngët e denja për t’u pëlqyer / Thuajeni sojin hyjnor …) Si të tillë vetën e dytë e gjejmë edhe tek autorë shqiptarë. Arbëreshi Binard Bilota poemën epike Shpata e Skënderbeut në Dibrët poshtë  e hap me vetën e dytë nistore (Ju fuqi, më shpihi/ të sosni, të këndoni…). Me vetën e dytë nistore i hap dy poemat madhore Istori e Skënderbeut dhe Bagëti e Bujqësi edhe Naim Frashëri: (Këndo engjëll urtësinë….O malet e Shqipërisë…). Po kështu, Çajupi me këtë vetë klasike nistore e hap poezinë Baba Tomori: (Baba-Tomor kish’ e Shqipërisë / Mal i lartë, fron i perëndisë / Tek ti vinin njerëzit qëmoti / Për të mësuar se ç’urdhëron zoti…). Ndërsa Fishta i quajturi Homeri i shqiptarëve, e fillon poemën e tij klasike Lahuta e Malcis me vargun Nihmo, Zot si m’ke nihmue,,,!. Madje, figurën e një fuqie çliruese, që i hap rrugë dhe e mundëson frymëzimin e poetit sipas modës klasike të vetës dytë nistore, e gjejmë edhe tëk Agolli (Nënë Shqipëri…) etj. Mund të shihet pra, se si shembulli klasik (homerik, hesiodik) i vetës së dytë nistore si vetë që hap dyert e poemës, e verifikueshme kjo edhe në letërsinë evropiane, nga fakt i mendësive mitologjike, vjen dhe shndërrohet në veçori stilistike, përndryshe e stilizimit e vetës së dytë edhe si vetë klasike shkrimi.

    4-Veta e dytë klasike në poemthat tingëllima të Mjedës

    Është folur shumë për “poemat në tingëlima” të Ndre Mjedës, por ato asnjëherë nuk janë parë dhe analizuar në këndvështrimin vetor të shkrimit, një shenjë e rëndësishme kjo për veçoritë poetike të krijimtarisë së një poeti. Poemthi Liria, i përbërë nga 6 tingëllima, ndër të tjera, të tërheq vëmendjen edhe për vetën e dytë klasike si një vetë nistore e dialogut, në këtë rast jo me hyjninë, si në rastin antik, por me shqipen, shpendin, totem të shqiptarëve. Ngjashëm si në rastin antik homerik dhe antik hesiodik, ajo është vetë e drejtimit të lutjes nga poshtë lart (një marrëdhënie komunikuese ndër më të lashtat e njeriut) për hapjen e horizontit poetik të rrëfimit, përndryshe poemës, prej qenieve hyjnore, (Muzës apo Muzave në rastin antik homerik dhe hesiodik) apo të shenjtë, totemike, në rastin e tingëllimës së Mjedës, të cilat e tejkalojnë masën njerëzore në kohë dhe hapësirë dhe për këtë arsye, kanë ekskluzivitetin e rrëfimit.

    Në raport me të 6 tingëllimat e poemthit Liria, tingëllima e parë ngjason si strukturë me rastin homerik dhe hesiodik (Këndo Hyjni mërinë e Akil Pelidit / që shumë kobe dhe hidhërime akejve u solli… Iliada. Bija të Zeusit / jepmëni këngët e denja…Teogonia.. Ashtu si te Iliada, ku gjithçka që thuhet pas lutjes së aedit është rrëfim i Muzës, (përkatësisht po kështu edhe te Teogonia), edhe te tingëllima Liria e Mjedës, pas lutjes së poetit (aedit), gjithçka është rrëfim shqipes, shpendit totemik, të shenjtë, të shqiptarëve. Në këtë kuptim (klasik) ai përfytyrim i gjerë poetik, ku në një shikim të vetëm shqiponje përfshihet e gjithë Shqipëria e robëruar që ka dhënë kushtrimin për liri, është përftim i vetës së dytë kasike lart, sipër mbi (mbi majë, mbi bjeshkë t’thepisura e nd’ograjë, nëpër shkrepa…). Në lidhje me praninë e vetës së dytë në tingëllimat II-VI, duhet të vëmë në dukje se atje veta e dytë është me drejtim komunikimi jo nga poshtë-lart por nga lart-poshtë dhe përkon me rastin klasik, kur Muzat i drejtohen (nga lart-poshtë) poetit në emër të njerëzve, si në vargjet: Barinj që flini nëpër fusha / soj harbutësh dhe të vrazhdë / ne dimë histori të gënjeshtërta që duken si të vërteta / ne mundim gjithashtu / kur na do qefi / të tregojmë edhe të vërtetat. / Kështu thanë gojëtaret, bija të të madhit Zeus /.

    Edhe në poemthin Scodra vihet re e njëjta strukturë klasike, veçse apostrofat ku mishërohet veta e dytë e shkrimit përsëritën nëpër strofa tingëllimash, në mënyrë të zhvilluar me përgjigjen përkatëse të Taraboshit të shenjtë, tashmë si dije subjektive e autorit (aedit). (OTatabosh i mnertë…, strofa e parë, tingëllima e parë; O dishmitar i shekujve t’panjehun…, strofa e parë, tingëllima e dytë; Difto si motit prej hyjnis’ i ngehun…, strofa e dytë, tingëllima e dytë; Dishmo si grigjën nëpër shpat kur l’shote…, strofa e parë, tingëllima e tretë; E ti smirën difto që të përzemruemit…, strofa e parë, tingëllima e katërt…).

    Sa për poemthin Lissus, aty vokacioni klasik i Mjedës sendërtohet më së shumti me vargun  dhe figurën e frymës heroike me të cilën përshkruhet Lissus-i antik, me nanat, Agronin, Ushtrinë  etj. Por autori ka qenë i lëkundur në dy momentë: Kur ai shkroi në vitin 1893 poezinë Iliria dhe Epiri me nëntitull Lissus,që mund të ketë qenë kënga e parë e një projekti më të gjerë (Iliria dhe Epiri) dhe momentit tjetër, kur ai shkroi poemthin në tingëllima Lissus. Varianti i parë, poezia Iliria dhe Epiri-Lissus nuk është në tingëllimë Ai gjithashtu, është ndërtuar mbi vetën e dytë klasike të shkrimit, me drejtim komunikimi nga lart-poshtë. Që në strofën e parë shihet se kushti i rrëfimtarit të gjithdijshëm, që në këtë rast përkon me autorin (aedin), lidhet me topikën sipër, mbi (Prej majës s’maleve që mbulojn’ Shqypnin’/ me ar pështjellue, me gur t’paçmueshëm / t’vite përrethit tuj ndal’ furin’/ Drini i lumnueshëm /).

    Së fundi, duke u ndalur edhe te veta e dytë e poemës Vaji i bylbylit, mund ta kundërvemë atë si shembull i vetës së dytë joklasike dhe në këtë mënyrë, si argument  për sa shtjelluam në lidhje me vetën e dytë klasike në poetikën e Mjedës. Në poemën Vaji i bylbylit veta e dytë e shkrimit nuk  është as me drejtim komunikimi nga poshtë-lart dhe as nga lart-poshtë. Për rrjedhojë, nuk shohim aty topikën lart sipër mbi. Veta e dytë në këtë poemë është një vetë e komunikimit në afërsi, pa distancë, pra një vetë thjeshtë gramatikore.

    Natyrisht, Mjeda nuk mëtonte ta shkërbente vetën e dytë klasike në mënyrë pasive, siç e perceptonte atë tek Homeri dhe Hesiodi. Stili klasik i rrinte paksa i ngushtë dimensionit të tij autorial, prandaj brenda strofave dhe tingëllimave janë të dukshme elemente subjektive të shprehjes poetike (grishjes, të mburrjes krenare, të përkushtimit, të apoteozës pagane, të dhimbjes etj), tipike këto për revolucionin romantik të kohës kur ai u formua si poet, në kontakt të plotë me procesin letrar evropian, veçanërisht atë italian, por edhe shqiptar.

    Modeli i klasikes në poetikën e Mjedës është ai apollonian, që do të thotë figura e figurës së universit epik të antikitetit, në horizontet kulturore letrare të fundit të shekullit XIX dhe viteve ’30 të shekullit XX.


    Naim Frashëri, Tiranë 1980.

    Shtypshkronja e re, Tiranë 1980.

    Dukagjini, Tiranë-Pejë 1997

    Toena, Tiranë 2000.

    Universiteti Shtetëror i Tiranës, Instituti i Historisë dhe i Gjuhësisë, Tiranë 1967.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË