More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSkënder Karriqi: Hyrje në Teogoninë e Hesiodit

    Skënder Karriqi: Hyrje në Teogoninë e Hesiodit

    1-Vargje të pazakonta.

    E fillojmë këngën tonë nga Muzat/ banore të të lartit Helikon…Këto janë vargjet e pazakonta për periudhën arkaike të letërsisë antike, me të cilat Hesiodi, autori i dytë pas Homerit, e nis veprën e vet Teogonia. Që në fillim, me anë të përcaktorit përemëror, tonë (këngën tonë) ai del qartë si autor i pavarur nga Muzat, që këngën e tij autoriale e fillon duke rrëfyer për ato, bijat e hyjnishme të Zeusit dhe Mnemozinës dhe jo duke iu lutur atyre të këndojnë këngën, që ky ta marrë dhe ta transmetojë. Është i qartë në këtë rast përdorimi stilistik i përemrit pronor tonë si mënyrë e përfshirjes së autorit në masën e dëgjuesve (lexuesve).  Pra ai s’ishte si paraardhësi i tij, Homeri: veshi dhe zëri i Muzave.

    Askush s’kishte guxuar ta bëjë më parë një gjë të tillë. Shija, por edhe bindja mbarëpopullore, dominoheshin absolutisht nga imazhi i aedit transmetues, veshit të zgjatur për kah Muzat dhe gojës besnikërisht transmetuese të këngës së tyre. Dhe është fjala këtu për një mit të atillë, si Homeri, projekti i përsosur i transmetimit. Kënga, poezia ishin atribut dhe privilegj vetëm i bijave të Zeusit dhe të Mnemozinës, të lindura në malin Pier. Njerëzit, këta soj harbutësh dhe të vrazhdë, siç quhen prej vetë Muzave, s’mund të prodhonin magji të tillë. (Ndaj ndërmarrja e Hesiodit duhej legjitimuar).

    Paralelisht me zhvillimin e projektit të rrëfimit (këndimit) mbi Muzat, që në fakt do të ishte një akt i distancimit të tyre, (nëpërmjet virtualizimit), Hesiodi duhet të këndonte edhe veten në lidhje me to. Duke i rrëfyer Muzat, ai do të kryente një akt distancimi në radhë të parë të vetes ndaj tyre, por, çka është jo pak e rëndësishme, edhe të tyre ndaj botës. Kështu me anë të rrëfimit ai do t’i mundëte ato, do t’i spostonte, në botën virtuale të rrëfimeve për të shkuarën, në botën epike me kohë të përfunduar. Ndryshe nga kënga e tij për bijat e Zeuzit dhe Mnemozinës, si një akt i distancimit të tyre në botën viurtuale, kënga e tij për veten si këngëtar i tyre, do të ishte një akt afirmimi. Produkti në këtë rast s’duhet të ishte tjetër, veçse miti i përzgjedhjes së tij prej Muzave.  Pikërisht në këtë mënyrë ai do të afirmonte veten, do të afirmonte të drejtën e autorit, profilin e tij autorial, në fund të fundit, do të legjitimonte të drejtën për rrëfim, duke qenë i pavarur nga ato, bijat e Zeusit dhe Mnemozimës

     2-Si ta lexojmë nervozizmin e Muzave.

    Si ta lexojmë nervozizmin e Muzave të shprehur nëpërmjet vargjeve: Barinj që flini nëpër fusha/ soj harbutësh dhe të vrazhdë/ ne dimë histori të gënjeshtërta që duken si të vërteta/ ne mundim gjithashtu/ kur na pëlqen/ të tregojmë edhe ato të vërtetat/? Gjithsesi, këto vargje dëshmojnë praninë e një konflikti ndërmjet Muzave dhe njerëzve, shija e të cilëve kërkonte horizante të reja brenda të tashmes së tyre reale, e kërkonte të vërtetën estetike dhe morale, jo thjesht në të shkuarën e largët, të konsumuar aq shumë nëpërmjet një sistemi të tërë variantesh dhe invariantesh mitologjike: tashmë ata kërkonin të vërtetën e tyre, të vërtetën estetike dhe morale në përditshmërinë e tyre. Por Muzat, duke patur në fokus kohën dhe hapësirën universale, e kanë të pamundur ta bëjnë një gjë të tillë. Në këto kushte, teksa artikulonin fjalët fyese për sojin harbut, (njerëzit), me tone kundërvënëse, ato pohojnë se veç gënjeshtrave që ngjajnë si vërtëta, ato mundin, kur u pelqen, të tregojnë edhe të vërteta. Dhe fill pas kësaj deklarate sjellë këtu në ligjëratë të zhdrejtë dhe  ku vibron nervozizmi shpërfillës hyjnor, ato kishin vënë në duart e Hesiodit, kur ky kulloste tufën rrëzë Helikonit, një skeptër të mrekullueshëm, një degë të gjelbër ulliri dhe i kishin fryjtëzuar atij një zë hyjnor për të rrëfyer atë që ishte dhe atë që duhet të ishte, e kishin shuguruar që t’i thurte lavdi sojit të të pavdekshmve, banorëve të shumëlumtur të qiellit, e mbi të gjitha, atyre,(Muzave) lavdia e të cilave duhej gjithmonë të hapte dhe të mbyllte këngët e tij.

    Po cila ishte e vërteta që ato, Muzat, bijat e Zeusit të Madh, nuk e kishin thënë deri atëhere?  Ishte përditshmëria, jeta e qytetit, njeriu i kohës, e cila në fakt ishte thënë nga Hesiodi në poemën e parë Punët dhe ditët. Në rrëfimin e këtij miti të ri ceremonial po bëhej legjitimimi i kësaj poeme, po bëhej legjitimimi i poetit që e tejkalonte aedin, transmetuesin e këngës së Muzave, sepse ky poet do të ishte vetë një lloj i ri krijuesi. Ai do të ishte vetë autori. Ai do të këndonte, do të rrëfente, do të thurte dhe nuk do të ishte si aedët parakë, që u luteshin Muzave (të këndojnë, të rrëfejnë, dhe rrjedhimisht të thurin) për të qenë thjesht transmetues të këngës së tyre.

    3-Një moment i mrekullueshëm.

    Jemi në një moment të mrekullueshëm këmbimi dhe zhvillimi. Me aktin e përzgjedhjes, të celebrimit dhe të shugurimit, Muzat po legjitimonin poetin me këngën e tij të re. Nuk kemi të bëjmë këtu thjesht me një ndarje të punës, e aq më tepër një ndarje që presupozon funksione paralele: përkundrazi, është një kalim i pastër i zotësisë dhe mjeshtërisë. Tash e mbrapa Muzat do të kenë gjithnjë e më tepër një rol simbolik: referenca ndaj tyre gjithnjë e më tepër do të jetë honorifike. Të modeluara për të treguar kohën e largët, kohën universale, e vetmja mënyrë e Muzave për të rrëfyer kohën e njeriut, përditshmërinë mbi të cilën ky njeri ndërtonte të ardhmen, do të ishte që ato ta përzgjidhnin vetë atë, njeriun, i cili gjithmonë e më tepër ishte i pakënaqur ngaqë e ndjente veten, në mos të përjashtuar, të distancuarar në subjektet e veprave mitike. Me këtë projekt autorial letërsia po ndihej e lehtësuar nga pesha e padurueshme e mitologjisë, duke bërë hapat e parë të sigurt për dalje nga periudha arkaike, drejt horizonteve autoriale, ku do të spikasnin gjenitë e Antikitetit, duke nisur kështu një histori…

    Në fillim ishte njeriu që i krijoi zotat dhe u besoi atyre jetën e tij: ai ishte i vdekshëm dhe nëpërmjet zotave krijoi idealin e pavdekësisë: ai ishte i dobët dhe nëpërmjet zotave krijoi idealin e forcës: ai ishte i verbër të parashihte të ardhmen dhe po nëpërmjet zotave krijoi idealin e qenies hyjnore që parashikonte të ardhmen e tyre. Nëpërmjet zotave, virtualisht njeriu kishte krijuar veten që i mungonte. Në momentin që këta zota nuk mund t’i shërbenin, ai i ktheu ata tek vetja për ta legjitimuar atë, veten, në të drejtën e tij krijuese . Ai tani po zgjidhej prej tyre, për të rrëfyer ata dhe sojin e të pavdekshmve, por  jo si më parë; ai do t’i rrëfente në këndvështrimin e së përditshmes, duke e aktualizuar historinë e tyre hyjnore në përputhje me nevojat për mësimin e së mirës dhe së keqes dhe, mbi të gjitha, për të krijuar e sendërtuar idealin e së drejtës. Krijimin dhe sendërtimin e këtij ideali të madh pra do ta bënte ai, autori i ri, i përzgjedhur, i celebruar dhe i shuguruar nga vetë Muzat hyjnore, bijat e Zeusit të Madh.

    4- Pse Muzat nuk mund ta rrëfenin veten.

    Në fakt shtjellimit të mëtejshëm të idesë sonë duhet t’i paraprijë përgjigjja e pyetjes se pse Muzat nuk mund ta rrëfejnë veten e tyre. Kjo paraprirje është e domosdoshme aq më tepër kur Hesiodi paraprakisht e rrëfen veten e tij. Në fakt Muzat Hyjnore mund ta rrëfenin veten e tyre, por gjithsesi, a nuk do të ishte kjo një përpjekje, mbase e fundit dhe dëshpëruese për të justifikuar pamundësinë e tyre të këndonin që nga koha dhe hapësira universale, veç vetes edhe pëditshmërinë e njerëzve? Retorika e tyre hyjnore mund ta kalonte këtë moment, por njerëzit, (ai soji harbut), përsëri do të ishin të pakënaqur me këngën e vjetër. Në fund të fundit retorika e dëshpëruar do të përpiqej të legjitimonte këngëtaret e vjetra, pa kohë dhe hapësirë reale. Duke mos i kënduar vetvetes ato ende vazhdonin formalisht të besoheshin prej njerëzve si qenie të së tashmes. Po t’i këndonin vetvetes do të distancoheshin prej së tashmes, do të vetëvendoseshin në zonat e largëta të epeve dhe rrëfenjave mitike, duke rrezikuar në këtë mënyrë të humbnin lidhjet me njerëzit dhe sidomos me aedët, që, duke i parë gati të ngurosura nëpër epe, gjithmonë e më pak do t’u besonin e do t’u drejtoheshin me formula tipike Këndo hyjni mëninë e Akil Pelidit. Kishte fort të ngjarë që, pas këtij largimi dhe kësaj ftohjeje, ata të këndonin këngën e tyre të pavarur. Të druajtur në fillim, do të shkruanin formula të ngjashme lutjesh që ato, Muzat, t’ua jepnin këngën, por këtë do ta bënin për të legjitimuar këngën e tyre, pra këngët që i kishin krijuar vetë ata, e me pas, kur të afirmoheshin, do ta bënin për modë. Të rrëfenin për vetveten, do të thoshte që ato të burgoseshin në mbretërinë e vëzhgueshmërisë, ku nuk ka mistere: do të thoshte të burgoseshin në tjetërbotë, ku përjetësisht do të vëzhgoheshin për hir të përjetueshmërisë së të tjerëve, do të thoshte, në fund të fundit, të mos ishin të njëmendëta. Njerëzit kërkonin këngën e re, të cilën do ta thurnin vetë ata: kishte ardhur koha e tyre, ndaj princeshave të Olimpit s’u mbetej veçse t’i legjitimonin ata në këngën e tyre të re.

    Nga ana tjetër rrëfimi dhe kënga e vetvetes për autorin e ri do të ishte një akt vetafirmimi. Ky autor i ri kishte nevojën e brendshme, autoriale, për ta thënë drejtpërdrejt, me urgjencë, për herë të parë në historinë e njeriut, unin e tij krijues. Ai nuk mund të ecte në udhën e tij të re pa bërë këtë pohim të madh, pa pohuar vetveten: nuk mund të ishte e qenë lindja e autorit pa pohimin e vetvetes, pohim i cili do të kishte edhe efektin e vet moral. Ai nuk do të ishte një pohim i thjeshtë: ai do të ishte në thelb një marrje përgjegjësie (një përgjegjësi e shumëfishtë). Ky është thelbi humanist i zanafillës historike të autorit si entitet i mëvetësishëm .

    Sipas rrëfimit në hyrje të Teogonisë, Muzat kanë vënë në duart e Hesiodit skeptrin dhe i kanë fryjtëzuar zërin për të rrëfyer atë që duhet të jetë dhe atë që ishte, e kanë shuguruar atë që t’u thurë lavde të pavdekshmve, të shumëlumturuarve banorë të qiellit, e sidomos atyre (Muzave), lavdia e të cilave duhej gjithmonë të hapte dhe të mbyllte këngët e tij.

    Që në zanafillë të lindjes, poeti, ky autor i ri i këngës së re pohon se kënga e tij do të jetë ndryshe. Ai do të këndojë atë që duhet të ishte dhe ajo që duhet të ishte për Hesiodin ka të bëjë me një temë të re. Kjo temë e re ka si përmasa një kohë reale, të sotme, të përditshme, të jetuar dhe të përjetuar nga vetë njeriu i qytetit dhe i periferisë. Kjo temë e re ka gjithashtu si përmasë tjetër hapesirën ku jetohet, rritet apo dhe dhunohet jeta njerëzore jo nga perënditë, si në temën e vjetër, por nga njerëzit, madje nga ata më të afërmit. Kjo hapësirë është e detajuar me shenjat reale, rrugët, fushat, institucionet, njerëzit konkretë. Kjo hapësirë është vendi real ku jetohet.

    5-Autori i ri do të këndojë edhe “atë që ishte”.

    Autori i ri, Hesiodi, siç thotë vetë, do të këndojë edhe atë që ishte, pra do të këndojë temën e së shkuarës. Por si do ta kendojë ai këtë temë? Mos ka ndërmend të bëhet një përsëritës i rëndomtë i asaj që është thënë deri tani në variante të panumërta mbi jetën e hyjnive dhe, na mbro o Zeus, mbi rrëfimet e luftërave në Trojë e gjetiu? Jo! Në asnjë mënyrë jo! Nga universi mitologjik ai do të kronologjizonte dhe hierarkizonte historinë e jetës së hyjnive, ku do të bënte kujdes të shenjonte të mirën dhe të keqen. Në këtë mënyrë ai historinë e jetës së perëndive do ta njesonte me kohën e vet, për të mos e lënë thjesht një histori zbavitëse. Universin mitologjik të jetës së Zotave ai do ta shndërronte në një histori mësimi për kohën e vet, dhe këtë do ta bënte duke krijuar imazhin përgjegjës të idealit të drejtësisë, Zeusin Olimpik, që ndëshkon të keqen e padrejtësinë dhe mbron të mirën e të drejtën. Gjithë atë univers mitologjik që njeriu e pati krijuar në reflektim të vetvetes Hesiodi do ta shndërronte në fe olimpike dhe alegorike, ku do të shndriste në kuptimin më parësor dhe të lavdishëm figura e Zeusit, e cila, për hir të së vërtetës, pas veprës së Hesiodit do të ishte pa dyshim një figurë me autoritet të plotë hyjnor olimpik, përkundër autoritetit të nëpërkëmbur në rrëfenjat për talljen që i kishte bërë atij Prometeu në darkën e Mekones, ku qe provuar të pajtoheshin njerëzit me perënditë. Kështu letërsia e së ardhmes do çlirohej nga gënjeshtrat mitologjike që dukeshin si të vërteta, duke e këmbyer bindjen mitologjike me bindjen realiste, konfirmuar nëpërmjet stilit letrar alegorik, drejt horizonteve të reja, duke patur në këtë mënyrë shumë kohë përpara (shekuj pa fund) për të lindur mjeshtra dhe për t’u përsosur në nivel mjeshtërie.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË