More
    KreuLigjëratëSintezë shkencore kushtuar kulturës tradicionale të arbëneshëve të Zarës

    Sintezë shkencore kushtuar kulturës tradicionale të arbëneshëve të Zarës

    Prof. Dr. Isak Shema

    Akademik Aleksandër Stipçeviq në vitin 2011 ka botuar veprën monumentale “Tradicijska kultura zadarskih Arbanasa”. Parathënien e këtij botimi e ka shkruar filologu i shquar kroat, akademik Radosllav Katiçiq. Ai, pasi paraqet në mënyrë brilante kontributin e autorit në fushën e ilirologjisë dhe të shkencave të tjera, humanitare, vlerëson lart veprën e dijetarit të madh, duke e radhitur ndër botimet më të rëndësishme. “Lexuesi duhet të jetë i vetëdijshëm se e ka marrë në dorë një libër krejtësisht të rrallë, shkruan ai…. Ndërkaq, tash, në moshë pleqërie, u është qasur shumë seriozisht rrënjëve të veta, fort vetjake, të familjes dhe të fisit…Së këndejmi, kuptohet se çfarë është rëndësia e këtij libri për zhvillimin e shkencave humanitare: etnolologjinë, gjuhësinë, folkloristikën, kroatologjinë, albanologjinë, aq e madhe dhe  se ajo ka rëndësi të madhe dhe vlerë të veçantë për zhvillimin e plotë dhe të harmonishëm të kulturës kroate për thellimin e të kuptuarit të karakterit të saj.”

    Isak Shema

    Libri është përkthyer në gjuhën shqipe nga Prof. Dr. Sadri Fetiu dhe është botuar në vitin 2012 nga Instituti Albanologjik i Prishtinës me titullin “Kultura tradicionale e Arbëneshëve të Zarës” . Ky botim ka zgjuar interesimin e madh të lexuesve dhe të studiuesve të shumë qendrave shkencore.

    Në HYRJE të librit “Mbi Arbëneshët e Zarës” në formë të sintetizuar enciklopedike edhe një herë, për herë të fundit të karrierës shkencore, për lexuesit shkruan për historinë e arbëneshëve që nga shpërngulja e parë dhe deri në ditët e sotme. Në këtë vështrim, me të cilin përkujtojmë edhe ditëlindjen e akademik Aleksandër Stipçeviqit, për të njohur mirë temat e mëdha të historisë ilire-shqiptare, çështjet e identiteti kombëtar gjuhësor dhe kulturor, me të cilat tema është marrë ai gjatë tërë jetës dhe të veprimtarisë së pandërprerë, për të kuptuar më mirë erudicionin, botëkuptimin jetësor të tij, moralin shembullor, shpirtin liridashës dhe iluminist dhe dashurinë e madhe ndaj arbëneshëve.

    Në ballë të studimit të vet Stipçeviq sipas kronologjisë dhe rëndësisë që kanë për historinë e Arbëneshit, përmbledh botimet më të rëndësishme, spikat veprimtarinë e shumë autorëve dhe të personaliteteve më të shquara të kësaj oaze shqiptare të Dalmacisë.

    Ai shpreh mirënjohjen për ata arbëneshë të hershëm e të sotëm, krijues, interpretues, njerëz të thjeshtë, bujq, amvise, nxënës, studentë, mësues, artistë, shkencëtarë, punonjës publikë etj., për të gjithë autorët e tjerë të cilët janë marrë me studime arbëneshe -shqiptare. Teksti është shkruar mjeshtërisht, është pajisur me ilustrime, portrete, dokumente, faksimile, fotografi, skulptura monumentale dhe me shënime bibliografike. Midis njerëzve të shquar, me ata që e kanë frymëzuar autorin, me të tjerët me të cilët ka bashkëpunuar, me njerëzit e dashur të Arbëneshit, të Shqipërisë dhe botës mbarë, për të paraqitur më mirë pikëpamjet e veta, dëshirat dhe idetë kuptimplota, idealin humanist, dashurinë ndaj atdheut të parë dhe ndaj vendlindjes, patriotizmin, idealet jetësore e shkencore, gjen vetveten dhe zë vendin e merituar në shkencën bashkëkohore.

    Personalitetet më të shquara, të cilat sipas një kronologjie kanë zënë vend në vështrimin enciklopedik të Stipçeviqit, janë: Vicko Zmajeviç (Kryepeshkop i Tivarit), Pavao Lluqi Rela, Don Mijo Çurkoviç, Kruno Kërstiq (filozof, filolog, leksikograf), Bonifacije Peroviq françeskan dhe filozof kishtar) Augustin Stipçeviq (shkrimtar), Ivo Perishiq, Josip Gjergja (diplomat), Shime Duka (klerik dhe shkrimtar fetar), Shime Deshpali (kompozitor dhe shkrimtar), Akademik Pavle Deshpali (dirigjent), Maja Deshpali, Valter Deshpali, Mario Kotllar (piktor dhe konservator), Ivan Prenxha (kryepeshkop i Zarës), Niko Stipçeviq, Josip Vlladoviq Rela, (shkrimtar, dramaturg), Pino Gjergja (basketbollist), Renata Petani (sportiste). Në këtë sintezë enciklopedike radhiten edhe shumë personalitete të tjera arbëneshe: shkencëtarë, artistë, figurativë, muzikantë etj. Për historinë e shpërngulje së arbëneshëve, për jetën, për gjuhën, kulturën tradicionale dhe atë bashkëkohore, për ruajtjen e identiteti kombëtar etj. ai botoi shumë punime dhe vepra shkencore. Midis tyre shquhet “Kulturno -povijesni spomenici u Arbanasima” (Monumentet kulturore historike në Arbënesh), i botuar me rastin e 250- vjetorit të ardhjes së arbëneshëve në Borgo Erizzo, siç është quajtur më parë vendbanimi i ri, i themeluar afër Zarës në vitin 1726. Studimet e këtij autori me famë botërore trajtojnë tema dhe probleme që lidhen me shumë epoka historike dhe me personalitete të botës shqiptare dhe të huaj. Shkrimtarët shqiptarë të traditës, sidomos ata të Rilindjes Kombëtare, nga të cilët shpeshherë është frymëzuar gjatë krijimtarisë, dhe ata bashkëkohës, mësuesit e gjuhës shqipe në Arbënesh etj., janë të përfshirë në mënyrë adekuate në tekstin shkencor, në bibliografinë sistematike ose në referenca të shumta.

    VNë veprën Kultura tradicionale e arbëneshëve të Zarës në kapitullin Mbi Arbëneshët e Zarës Aleksandër Stipçeviq shkruan: “Për një kohë të gjatë pas vendosjes, arbëneshët nuk kanë pasur kurrfarë lidhjesh me atdheun e vjetër. Vetëm kah fundi i shekullit XIX dhe fillimi i atij XX, arbëneshët e Zarës shfaqin interesim për ngjarjet në Shqipëri, por njëkohësisht disa personalitet të shquara publike dhe politike nga Shqipëria gjithnjë e më tepër u kthehen arbëneshëve dhe e theksojnë vendosjen e lidhjeve ndërmjet atdheut të vjetër dhe banorëve të Arbëneshit”. Të veçojmë me këtë rast tekstin për Faik Konicën dhe veprimtarinë e tij në Zarë dhe midis arbëneshëve.

    Veprimtaria patriotike dhe kulturore e arbëneshëve me shumë ngjarje është përfshirë në rrjedhat e Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Shtypi dhe periodiku i asaj kohe ka pasqyruar ngjarjet dhe ka trajtuar problemet aktuale shoqërore, politike dhe kulturore. Mendimi shoqëror dhe poli¬tik i Rilindjes ka depërtuar edhe në këtë pjesë të diasporës dhe ka nxi¬tur aktivitete kulturore dhe shoqërore me jehonë të theksuar patriotike. Mësimi i gjuhës shqipe, njohja e historisë dhe e kulturës shqiptare, ka forcuar rezistencën kombëtare dhe ka penguar, aq sa ka qenë e mund¬shme, përçarjen kombëtare, dominimin e rrymave të huaja politike dhe asimilimin. Përkthimi dhe botimi në vazhdime i veprës “La colonia albanese di Borgo Erizzo preso Zara”, 1883 (“Shcyp¬taret e Borgo-Erizzos”) të Tullio Erberit në revistën “Albania” të Faik Konicës, botimi i poezisë popullore dhe i materialeve të tjera folk¬lo¬rike nga Arbëneshi, vështrimet për gjuhën, historinë dhe për kulturën e shqiptarëve të Zarës, ia kanë bërë të njohur më mirë opinionit më të gjerë shumë aspekte të së kaluarës dhe të realitetit aktual të Arbë¬neshit. Në revistën “Albania” janë botuar shumë artikuj dhe ma¬te¬¬riale të tjera lidhur me arbëneshët. Po aty është hapur edhe tribuna e përhershme “Zani préje arbnéshvét”. Zara, si qendër e rëndë¬si¬shme kulturore me traditë shumë të pasur, ka pasur ndikim të gjith¬anshëm në emancipimin kulturor edhe te arbëneshët. Aty zhvillonin aktivitete të shumta grupet dilitante artistike, të cilat shfa¬qnin pjesë teatrore dhe programe të ndryshme artistike muzikore. Leximorja e Arbëneshit po ashtu tubonte të rinjtë për të organizuar aktivitete kulturore dhe letrare. Në seksionet e dramës bënin pjesë edhe shumë arbëneshë të moshuar dhe të rinj. Në këtë rrjedhë të jetës kulturore, me specifika edhe të jetës arbëneshe, janë afirmuar edhe shoqëritë kulturore dhe artistike. Me veprimtarinë e saj është shquar sidomos Shoqëria “Arbanasi” (“Arbëneshi”).

    Të veçojmë me këtë rast tekstin për Faik Konicën dhe veprimtarinë e tij në Zarë dhe midis arbëneshëve. Veprimtaria e tij në koloninë e arbëneshe më parë nuk është ndriçuar sa duhet. Posaçërisht i rëndësishëm është dorëshkrimi në gjuhën frënge “Parashtresë mbi lëvizjen Kombëtare Shqiptare”, i gjetur në Arkivin e Vjenës më 28 maj 1976. Teksti i shkruar në vitin 1899 në Bruksel, ka 84 faqe dhe i është dërguar Ministrisë së Jashtme të Austrisë. Shkrimi ndahet në pesë pjesë dhe përfshin periudhat historike të Lëvizjes Shqiptare: pjesa e parë deri në vitin 1877, ndërsa tri të tjerat deri në vitin 1899. Në pjesën e fundit përfshihen emrat e personaliteteve të shquara të Lëvizjes Kombëtare. Ai disa herë ka qëndruar në Zarë dhe në Arbënesh. Stipqeviq shkruan se Konica katër herë e ka vizituar Arbëneshin. „Në atë kohë arriti në Arbënesh një “filolog”- siç e quante policia e fshehtë austriake. Kjo polici sekrete e gjithëdijshme kishte marrë vesh se nga ai “filolog” kishte rrjedhur ideja që në Arbënesh të fillonte botimi i gazetës në gjuhën shqipe, e cila do t u shërbente si burim i informatave jo vetëm arbëneshëve të Zarës, por edhe të gjithë shqiptarëve në gjithë Shqipërinë, pastaj atyre në Itali dhe në vendet e tjera ku jetonin ata. Gazeta do të kishte titullin “Zani i Šćyptarit”, kurse nismëtart e kësaj ndërmarrjeje ishin: Mijo Çurkoviqi, Petar Marushiçi, Kërsto Stipçeviqi, dhe Luçi Pavao Rela.”

    Formimi i shoqërisë kombëtare në Kuvendin e mbajtur më 8 prill 1903 në Arbënesh ka qenë ngjarje e rëndësishme për shqiptarët e këtij lokaliteti. Në pikën e parë të dëshirave të shqiptarëve është përfshirë ky tekst:

    “I. Jemi é levdohémi ce jémi Shciptare nga ghaku é nga zemera. Si Shciptare, nohim per déture te shentmé te duhémi te ghithe sa jemi Shciptare, te jémi te bashkuem é te japim, mish é shpirt per te shellbuar ghakun t’on, – ghuhen t’one”.

    II. Ghuha shcipé eshte (hezinéja) jone, sé ghuha eshte më i pari shenim ci rrefen kombesine. Po zghedhim ñe keshill shtate krénesh, të tsileve Mbledhja u jép plot fuci te perpicén me sa u mundet ce Cévéria Austriané te kllase ne shkollat t’ona mésimin é ghuhes shqipe.

    III. Na deri tash nuk jenna marre vesht aspak se si me muejt me u nimue vllazneve t’ one n’ Shcypni. Jo me u nimue me pushk e me shpate, por me kulture. Per si kena ne me u nimue vllazneve me kulture, masi as na vete kulture nuk kemi? Ktu marr vesht kulturen shcype.Vllazen! Ka ardhe koha m’ u – chue preje ghumit.”

    Lidhur me zhvillimin e arsimit në Arbënesh, shkruan: “Do të duhej të krijohej një kolegj, qoftë në Zarë, qoftë në Sarajevë, qoftë në vetë Shqipërinë (në Orosh, për shembull) me qëllim të dyfishtë, për të dhënë mësim substancial për profesorët e ardhshëm shqiptarë, dhe të shkohet atje për t’u dhënë, -simbas kolegjeve shqiptare në Itali- një mësim komplet, të rinjve të familjeve pak a shumë me ndikim (4.XVII).”

    Pasqyrën më të plotë të studimeve për arbëneshët, dhe sidomos për gjuhën e arbëneshëve të Zarës, e gjejmë në studimin monografik “Zhvillimi historik i së folmes gege të arbëneshëve të Zarës”  të aka-demik Idriz Ajetit. Më 1987 është botuar “Fjalori i të folmes së arbë¬neshëve të Zarës”.  Autorë të tjerë kanë studiuar aspekte të ndryshme të historisë, të arsimit dhe të kulturës së kësaj bashkësie etnike shqiptare. Akademik Rexhep Qosja ka botuar studimin për krijimtarinë letrare të Josip Relës “Josip Vlladoviç-Rela (1895-1966)”.  Literatura jashtëzakonisht e pasur, e shfrytëzuar me akribi shkencore, metodologjia e punës kërkimore shkencore, veçoritë gjuhësore dhe stilistike, përdorimi i terminologjisë adekuate, hartimi i bibliografisë, pasqyrimi i burime arkivore dhe tekstore dhe sidomos dendësia e të shprehurit dhe ndërtimi kompozicional, mahnitin çdo studiues dhe e bindin se punimi shkencor i Stipçeviqit, siç është edhe kjo sintezë enciklopedike kushtuar arbëneshëve të Zarës, është pikë referuese në fushën e shkencave albanologjike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË