More
    KreuArte pamoreSi u hoqën muralet e Kilicës dhe Jukniut nga Teatri i Operës...

    Si u hoqën muralet e Kilicës dhe Jukniut nga Teatri i Operës dhe Biblioteka

    Nga Ylli Drishti

    Më 7 korrik 2019 mbushen tre vjet nga ndarja nga jeta e drejtorit të parë të Institutit të Arteve Shqiptare, piktorit Vilson Kilica. Kilica do të nderohet nga brezat dhe do të jetë pjesë në historinë e artit pamor shqiptar si një mjeshtër i madh i pikturës shqiptare të shekullit XX, një artist i talentuar, një pedagog i ditur që përgatiti breza të tërë artistësh të rinj.

    Në fundin e viteve ’60 të shekullit XX, në Shqipëri u formua një brez piktorësh të talentuar që mbaruan Akademitë Lindore të Arteve në ish-BRSS, Poloni, Çekosllovaki, Rumani, Bullgari, ndërmjet të cilëve ishin piktorët Jakup Keraj, Guri Madhi, Vilson Kilica, Danish Jukniu, Lumturije Dhrami, Muntaz Dhrami, Kristaq Rama, Thamas Papa, Ksenofon Dilo, Sali Shijaku, Niko Progri, Dhimo Gogollari, Agim Zajmi, Pandi Mele, Kujtim Buza, Fatbardha Shkupi etj.

    Vislon Kilica, Autoportret, 1956

    Kthimi i artistëve të parë që kryen studimet e larta në vendet e ish-kampit socialist (dhe atyre studentëve që i ndërprenë studimet në vitin 1961 dhe u diplomuan në Institutin e Arteve në Tiranë), krijoi brezin e artistëve shqiptarë që ishin edhe krijuesit kryesorë të talentuar të veprave të artit të realizmit socialist. Në artet pamore shqiptare të pasviteve 1960, ashtu si dhe në letërsi, muzikë, kinematografi, teatër e fusha të tjera të kulturës, largimi nga rregullat strikte të metodës së realizmit socialist ishte e pamundur dhe në disa raste, kush guxoi t’i shkelte (në vitet 1970-1973), përfundoi me masa të rrepta represive deri në burgosje, si artistët Ali Oseku, Maks Velo, Edison Gjergo etj. Ndër artistët e rinj të porsakthyer nga studimet akademike në Shën Petersburg (ish-BRSS) ishte edhe piktori Vilson Kilica (1932-2016), i vlerësuar si një student i shkëlqyer dhe me të ardhme në pikturën shqiptare. Në vijim të punës së përfundimit të punimeve te Pallati i Madh i Kulturës në sheshin Skënderbej, piktorëve Vilson Kilica dhe Danish Jukniu iu kërkua nga Ministria e Kulturës dhe LSHASH të dekoronin me pikturë murale dy ambiente të katit të dytë (hyrja te salla e leximit te Biblioteka Kombëtare dhe hyrja tek Teatri i Operës dhe Baletit).

    I mbushur me ëndrra dhe me kërkesa drejt një pikture moderne dekorative & figurative, kompozimi i Kilicës ishte zgjedhur nëpërmjet një gjuhe simbolike, duke pikturuar personazhe tipike të fushës së prodhimit industrial, bujqësor dhe kulturor. Tabloja murale përfshinte si personazhe kryesore: një fonditor, në pjesën tjetër një vajzë të vogël që mbillte një pemë, si dhe një figurë tjetër me libër për të përfshirë edhe kulturën dhe artin. Në anën tjetër, piktori Danish Jukniu (i diplomuar në Poloni) kishte realizuar një vepër murale kushtuar baletit shqiptar.

    Ishte viti 1965 dhe pak para përurimit të Pallatit të Kulturës, një vizitë e papritur e kryeministrit të kohës, Mehmet Shehut, bëri që të dy pikturat murale të mos pranoheshin, edhe pse ishin miratuar si bocete paraprake nga komisioni e kohës, dhe të mbuloheshin me bojë. Ky ishte edhe sinjali më domethënës se çfarë rruge do të merrte arti shqiptar pas viteve ’60 të shekullit XX në Shqipëri për artistët pamorë shqiptarë. Të dy artistët guxuan të sillnin nga akademitë ku studiuan eksperiencat më moderne për kohën e, mbi të gjitha, ata po tentonin të hapnin një faqe të re në artet figurative të kohës. Vilsoni 30-vjeçar, i prirur dhe admirues i veprave të mjeshtërve botërorë të impresionizmit, ekspresionizmit, kubizmit, fovizmit etj., para të cilave rrinte me orë të tëra në sallat e një prej muzeve më të pasur në botë, “Ermitazhit”, ku ndodheshin të ekspozuara kryeveprat botërore të autorëve të ndryshëm, duke filluar nga Caravaggio, Antonio Canova, Francesco Casanova, Paul Cézanne, Giambattista Pittoni,  Leonardo da Vinci, Jacques-Louis David, Edgar Degas, Paul Gauguin, Fra Filippo Lippi, Henri Matisse, Claude Monet, Pablo Picasso, Pierre-Auguste Renoir, Rembrandt, Vincenzo Petrocelli, Pieter Paul Rubens, Tiziano Vecellio, Vincent van Gogh, Jacob van Ruisdael, Diego Velázquez, Paolo Pagani etj., ëndërronte të realizonte veprën e parë murale me prirje mjaft moderne për kohën.

    Guximi i Kilicës dhe i kolegut Jukniu dështoi edhe në ato dy murale – të parat e artit modern shqiptar ndodhen akoma aty të mbuluara nga boja duke pritur që restauratorët e artit t’i zbulojnë para publikut si dëshmitë e veçanta të pikturave murale të atyre dy artistëve që guxuan të parët të realizonin vepra monumentale në pikturën shqiptare.

    Ndoshta shumë shpejt me nismën e Ministrisë së Kulturës publiku do mund të admirojë veprat e krijuara 55 vjet më parë. Me përurimin e rikonstruksionit të ambienteve të Operës Kombëtare, restaurimi (pastrimi nga mbivëniet me bojë) nga një grup restauratorësh profesionistë do të sillte përsëri në jetë dy veprat e para moderne shqiptare që nuk arritën t’i “mbijetonin” censurës së shteti komunist të atyre viteve. Artistët e atyre viteve – si ata të kthyer nga vendet lindore, por edhe studentët e porsadiplomuar në Akademinë Shqiptare në Tiranë – ishin në udhëkryqin e fateve të jetës dhe të krijimtarisë që sapo po nisnin. Ata duhet të zgjidhnin disa nga alternativat që u shtroheshin përpara: a. të realizonin veprat e tyre sipas rregullave akademike strikte të vendeve ku kishin studiuar – pjesë e artit militant dhe propagandistik; b. të mundoheshin të krijonin vepra me tematikë socialiste, por me një penelatë më të lirshme – sipas ndikimeve impresioniste dhe ekspresioniste (që mund të pranohej nga censura e kohës); c. të krijonin individualitetin vetjak duke iu shmangur me kujdes rregullave strikte të realizmit socialist nëpërmjet një rruge – asaj të trajtimit të temave që kërkoheshin nga porositë e shtetit monist dhe d. të krijonin vepra arti sipas lirisë krijuese pa ndikime ideologjike & propagandistike (disidente) që në ato vite ishte e pamundur ose, më mirë, vetëvrasëse. Piktori Vilson Kilica zgjodhi pikën “c”, duke synuar të hapte shtigje të reja më moderne (sesa kolegët e atyre viteve) në konceptimin e kompozimeve historike dhe atyre aktuale me një kolorit dhe stil individual që u konsolidua në vite, që prirej drejt një tabloje shumëfigurëshe me kolorit të fuqishëm, dekorativ dhe me raporte shpesh grafike. Ky tipar i dallueshëm i artistit  vërehet edhe sot në koleksionin e disa veprave në Galerinë Kombëtare të Arteve, por edhe në atë të studios së piktorit, veçanërisht në peizazhet dhe natyrat e qeta, ku ai ishte brenda artistikisht më i çliruar. Kilica ishte një piktor që jetoi dhe krijoi në një periudhë të vështirë për shoqërinë shqiptare dhe për artistët në veçanti – diktaturën komuniste shqiptare. Ai kaloi mjaft vështirësi dhe pengesa si artist, edhe pse fillimisht u caktua dhe drejtoi shkollën e parë të lartë të arteve në Tiranë (Institutin e Arteve/ Institutin e Lartë të Arteve), duke hartuar programet e para akademike. Më vonë ai ishte Sekretar i Përgjithshëm i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve. Prirja dhe mbështetja e tij drejt një lirie në krijimtarinë artistike të piktorëve dhe skulptorëve në fillimin e viteve ’70 (shek. XX) nuk kaloi pa pasoja dhe ai u largua pas Plenumit IV të KQPPSH nga Tirana si një drejtues me prirje liberale dhe oportuniste, duke shkelur direktivat e Partisë. Në krijimtarinë e artistit Kilica mund të dallojmë dy faza apo, më mirë, dy elemente themelore të saj: a) artin zyrtar ku ai u përshtat për të mbijetuar dhe b) artin e “studios”, nëse mund ta emërtojmë kështu, ku shfaqen edhe më mirë cilësitë artistike të piktorit që prirej drejt rolit dhe fuqisë së ngjyrës, dekorativitetit dhe kontrasteve piktorike.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË