More
    KreuLetërsiBibliotekë"Si ftohen stinët", poezi nga Ndue Ukaj

    “Si ftohen stinët”, poezi nga Ndue Ukaj

    Stina e dashurisë

    Ta themelojmë një stinë të re,
    lë të quhet stinë e dashurisë,
    pak pranverë, verë sa për t’i pjekë frutat,
    vjeshtë sa për t’i rregulluar ngjyrat
    dhe dimër sa për t’i zbardhë ëndrrat.

    Ta themelojmë stinën tonë,
    një gramatikë të re fjalësh.

    Tingujt të mos jenë stinë, të jenë diçka në mes,
    dhe foljet të mos jenë të parregullta.

    Dhe pastaj ta themelojnë mbretërinë tonë,
    me lumenj dëshirash që nuk ndalen kurrë,
    me lumenj dëshirash që kthehen
    në secilën stinë – e gurgullojnë –
    e gurgullojnë, dhe ne e thyejmë rregullin e moçëm,
    dhe lahemi dy herë në të njëjtin ujë.

    Yje, lule, buzëqeshje dhe së të gëzuar
    dhe piktura dashurie, dhe askund pemë të ndaluara,
    as gjarpër, as Kain.

    Lë ta themelojmë stinën tonë,
    e malet të mos duken të larta,
    e luginat të mos jenë të thella,
    e ne të ulemi mbi maja malesh,
    e të themi fjalë lartësish për ujdhesat,
    fushat dhe luginat e fatit.

    Lë ta themelojmë stinën tonë, në një djep plot ëndrra
    dhe t’i përkundim duke kënduar ninulla dashurie,
    për veten dhe për të tjerët.

    Dhe në fund, lë të shkundim pluhurin
    dhe historitë që janë ngjitë nëpër thembrat tona
    e të hyjmë triumfalisht në këtë stinë,
    të mbështjellë me të gjitha stinët nga pak.


    Poeti

    Sytë e poetit janë kombinim i të gjitha ngjyrave.
    Shohin në errësirë e ia ngulin sytë diellit.
    Zemra e tyre nuk matet në peshore.
    Ka formë të papërcaktuar.
    Poeti i ndien që larg therjet në gjoksin e njeriut,
    në mes therash nuhat kopshtet me lule.
    Fluturon me zogj. Nuk i përfill kufijtë
    dhe fjala e tij shkakton tërmete të bukura.
    Ty më pyet:
    Poeti, si i përshkon shtigjet e dhimbjeve?
    A ngjitet në pemë të ndaluara?
    A dalldiset kur kalon nëpër kopshtet e dashurisë?
    Sa peshon pikëlllimi i tij kur e sheh këtë tokë të shkretuar?
    Si e gjen udhën të hyjë në zemrat e njerëzve
    dhe të nxjerr kristale magjepse thellësish?
    Shpesh më pyesin: çka bën poeti?
    Ata që nuk i ndiejnë dhimbjet,
    ata që nuk nuhasin bukuritë e natyrës,
    që kalojnë pranë një peme të bukur dhe nuk e kthejnë kryet,
    që nuk tmerrohen kur shohin sykëqij,
    që nuk digjen flakë kur bien në dashuri.
    Shpesh më pyesin: çka bën poeti
    e çka sheh ai?
    Më pyesin ata që nuk kërkojnë anijet e fundosura,
    ata që nuk zhyten thellë në errësirë,
    ata që nuk magjepsen me dritën e hënës,
    ata që nuk lexojnë shenjat e motit të ligë,
    ata që nuk bien në dashuri me një libër.

    Poeti jeton në magjinë e tingujve,
    i përcjell shenjat e motit të ligë
    dhe me valë të trazuara zemrash
    krijon simfoni për ditë të ëmbla dashurie
    dhe dhimbje fonebre.
    Po, poeti bëhet zog, fluturon me retë e lumturisë,
    përmes zemrave të trazuara,
    ec edhe nëpër prush,
    e kapet nëpër flatra lartësie, ngjashëm si Ikari,
    fluturon lart, por kurrë nuk shkrihet,
    kurrë nuk bëhet hije
    e as harta ku të tjerët vizatojnë kufij.


    Përqafim

    Për herë të parë,
    jam pikëlluar pafund kur e kam kuptuar
    se përqafoj është një folje kalimtare,
    vjen dhe ik, si të gjitha gjërat e mira.
    Sa mirë do të ishte,
    kjo folje të ishte e rregullt, jokalimtare,
    një gjendje njerëzore
    dhe unë të zgjohesha i përqafuar,
    ashtu siç bie në gjumë.
    Përqafohet dita me natën,
    afrohet një breg me një tjetër,
    përmes një ure. Përqafohen stinët,
    kur i lëshojnë vendin njëra-tjetrës.
    Kurse unë ndiej nevojë të përqafoj,
    si të ishe ti universi dhe unë një terr i zi
    që të fut thellë në gji.


    Pritja

    Pritja është stacion, po stacion ngujimi,
    një strehë si qielli, ku përshkojnë re të bardha e të zeza
    e prej ku godasin stuhi errësire e dielli.

    Pritja është stacion, po, stacion ku nuk matet koha,
    e ku hapësira është e paformë, pa kalendar,
    ku hyjnë e dalin trena të stërmbushur me dëshira
    dhe ku njerëzit presin të ndodhë diçka e re.

    Mund të jetë prirje njerëzore, e ngjashme me shpresën.
    Kur jemi në dimër, zgurdullojmë sytë
    dhe presim ardhjen e pranverës.
    Kur jemi të mërzitur, mbajmë veshët hapur,
    që të dëgjojmë kur troket lumturia.

    Dhe vonë e kuptojnë se lumturia kurrë nuk troket, ajo është një botë, një botë që nuk vjen natyrshëm si pranvera, si dimri, si mërzia.
    Ajo shfaqet ku nuk kërkohet, udhëve të parrahura,
    në lëvizjen e reve, larg stacionit të pritjes.

    Ne gjakojmë të rritemi e tek vonë e kuptojmë
    se foshnjëria është gjendje e përhershme,
    e pritja, stacioni i vërtetë i ekzistencës sonë.

    Ne presim të mësojmë gjëra të reja,
    të rritemi e të bëhemi nxënës,
    pastaj bëhemi udhëtarë kohësh,
    përshkojmë udhëve të rrahura,
    si nëpër tregime të cilave ua dimë fundin.

    Dikur vonë ecim në ato udhë që çelim vetë.
    Ecim nëpër mëkatet që trashëgojmë,
    pastaj nëpër ato që bëjmë vetë.

    Ne presim përherë,
    presim një punë më të mirë, më shumë dashuri.
    Presim të vjen dimri, të kënaqemi në bardhësi,
    të gjuajmë retë me topa bore.
    E kur na ngrihen fjalët,
    kërkojmë pranverën, livadhet e gjelbra,
    pemët plot lule
    dhe duam të shndërrohemi në pranverë.

    Kur jemi të rraskapitur, të tradhtuar,
    presim të vjen pushimi i verës,
    të nisemi drejt plazheve të shpirtit,
    diku larg në ishulthin e fshehur të lumturisë.

    Por zor mësohemi të dalim nga stacioni i pritjes,
    të dalim prej kësaj strehe fatale,
    të mbyllim një derë,
    si një histori që duam ta harrojmë
    dhe çelësin ta asgjësojmë.


    Jemi rrethuar me pemë të ndaluara

    Kopshti i jetës sonë është përplot pemë.
    Ullinj, trëndafila, lule tërfili, thera,
    por ne më së shumti i shohim pemët e ndalura.
    Joshemi, tundohemi dhe rrëshqasim nëpër fjalë,
    rrëshqasim bashkë me fjalët.
    Përherë rrëshqasim,
    përplasemi nëpër korridoret e lumturisë
    apo të trishtimit.
    Më shumë rrëshqasim nëpër kohë,
    nëpër detin e tërbuar të ndjenjave
    në atë det që kurrë nuk qetësohet,
    nëpër ato dallgë dëshirash.
    Dëshirat në jetë njohin vetëm rritjen.

    Përplasemi përherë në sytë e kohës,
    në sytë e zi, në sytë e gjelbër,
    në sytë blu si deti o si qielli,
    o në sytë e pafund të dashurisë,
    në ata ë me ngjyra pa emër,
    por më së shumti përplasemi me pamundësinë,
    nëpër rrënojat e Babelit,
    të pashtjelluara nëpër këmbët tona.

    Pastaj shtrihemi në kopshtin e madhe të jetës,
    si në atë fustanin e gjelbër,
    që të dëfton pemën e ndaluar
    e sytë tundues të gjarprit.

    Në jetë jemi të rrethuar me pemë të ndaluara.
    Mbrëmje, muzg. Terr i pa formë.
    Dallgë dëshirash që rriten e ku duhet të lundrojmë.

    E drita e zemrës sime ndizet si reflektorë,
    mund të jenë paqe,
    me shkëndija që formojnë yje në qiell,
    yje që shndrisin qiellit tim.
    Dhe unë kaloj nëpër dyert e kohës,
    diku mbylli shtigje,
    por më shumë hapi dritare,
    që të pushoj në kopshtin madhështor,
    ku harlisem përherë,
    sa herë shoh ë të bukur,
    si paqja ndanë detit,
    si qielli i kthjellët dhe zhytëm i tëri në ta.

    Ti e di se udhët e kohës janë plot të papritura,
    të dhemb zemra dhe të duhet dora e mjekut
    ose e atij mjekut që nuk ka mantel të bardhë,
    por shkruan fjalë të bardha.


    Terr

    Natë! Shikoj diçka që nuk përkon me terrin
    dhe ky mospërkim më hap horizonte.
    Është terr, si në fillimet e kohëve.
    veshët i kam hapë që të dëgjoj
    buçimën e një zëri,
    një zëri që vjen nga misteret e kohëve
    dhe flet me një gjuhë që e kuptojnë të gjithë:
    “le të bëhet drita.”

    Dhe drita le të bëhet,
    e njerëzit të kundrojnë sa i bukur është një çast drite,
    kur jeta zhvishet nga terri dhe shfaqen livadhet plot lule,
    e qielli bëhet fushë e pafund,
    spektakël për zogjtë dhe retë e lumturisë.

    Por diçka të rëndësishme mund të mësohesh edhe në terr:
    se zhurma e paqartësisë mund të shndërrojë në terr,
    në një tokë të djegur,
    prej së cilës nuk sheh lulishtet fatit të gatuara për ty.

    Në terr nuk ndien hovet e gëzimit,
    që të çlirojnë trupin nga pushtet i natës.
    Në terr nuk dallon asgjë, e as hijen tënde,
    as sytë e butë që mund të jenë diku afër
    duke kërkuar, duke pritë,
    duke vuajtë për sytë e tu plot dritë.

    Megjithatë, në terr e mëson se
    të shpëtosh prej pushtetit të tij,
    asgjë nuk të duhet më shumë se drita,
    ajo dritë e vogël që bie në zemër të errësirës,
    si kandili që e mbajnë duart e forta
    brenda një dhomë të zhytur në terr dhe trishtim.


    Si ftohen stinët

    Ndodh shpesh e ëndrrat formojnë akullnajë,
    e në to të rrëshqasin njerëzit,
    e pastaj zhyten në mjegull e shndërrohen në mjegull.

    Ndodh shpesh të shkrihen ëndrrat,
    të bëhen lumenj,
    liqene mjellmash
    dete dashurish,
    oqeane pafundësish
    dhe njerëzit të lahen në ujëra lumturish.

    Ndodh ndonjëherë ëndrrat të bien si gjethe vjeshte,
    gjethe shumëngjyrëshe dhe të treten në dheun e zi,
    që pastaj të kthehen në piktura apo poezi.

    Ndodh që ëndrrat të duken yje, nën dritën e hënës,
    pastaj të bien në gjumë si një trup i rraskapitur,
    e të mbulohen me batanije frike.

    Po, ndodh, që një mëngjes të ketë kuptimin krejt mëngjes,
    mëngjes i ri-
    si një puthje sipari që nis një udhëtim të ri.

    Po, ndodh që një ditë,
    dhimbjet të formojnë armë shkatërrimi,
    për të cilat askush nuk kujtohet.


    Humbës të mëdhenj

    Humbim orët e paçmuara
    duke shikuar horizonte të largëta,
    dhe nuk ndiejmë aromën e luleve përreth nesh.

    Dalim nga errësira, por nuk e braktisim terrin.
    Dalim nga trishtimi, por na rëndon mendjen e djeshmja.

    Jemi humbës, e dashur.
    Kohët i ndrydhim në një thes arnash,
    formuar prej ditëve të këqija,
    dëshpërimit, atyre orëve të hutuara të pritjes.

    Dhe harrojmë çastet e bukura,
    fragmentet e lumturisë,
    lundrimin nëpër qetësinë e natës
    nën vështrimin e yjeve,
    kur drita përqafohet me errësirën dhe bëhen një.

    Ne jemi humbës.
    Na pëlqen të ecim skajeve të rrezikut
    e të mos prekim asnjë çast dyert e tij.

    Por kur zhytemi në të,
    shndërrohemi,
    sepse jemi humbës e dashur.

    Lundrojmë nëpër ditët shkuara
    ose në ato që duhet të vijnë,
    si anije e dëbuar nga brigjet
    që e godasin valët
    apo si një jetë e lënë në një varkë,
    të cilën dikush dikur e lëshoi në një lumë,
    në një lumë që rrjedh pandërprerë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË