Drin Morina, i diplomuar para katër vjetëve në letërsi shqipe, kishte vendosur ta bënte një shëtitje të gjatë nëpër të gjitha rrugët kryesore të Prishtinës. Pa asnjë cak e pa asnjë qëllim për t’u ndalur diku a për ta takuar dikë. Ashtu i vetëm, pa e çarë kokën për askënd, i urdhëroi këmbët që me hapa të ngadalshëm ta shkelnin qytetin cep me cep, jo që kishte mall t’i sodiste bukuritë e pakta e shëmtitë e shumta të tij, por sikur kishte një nevojë shpirtërore që të ecte e vetëm të ecte.
Gjatë këtij rrugëtimi disaorësh, atij iu sollën nëpër kokë lloj-lloj mendimesh, herë tmerrësisht vdekjendjellëse e herë mendime miradashëse e jetëdhënëse, megjithëse të parat ishin ato që mbizotëronin. Njashtu, gjatë këtij hapërimi nëpër trotuaret e ngushta të rrugëve të pluhurosura të qytetit, i ishin shfaqur para syve, deri në detaje, pamjet e katër vjetëve të jetës së tij studentore, gjatë të cilave më shumë kishte vuajtur se sa që ishte argëtuar, duke qenë vazhdimisht i injoruar nga femrat që i kishin pëlqyer, duke qenë i papërfillur në ndejat shoqërore, që i organizonin kolegët e tij, e ku shpeshherë edhe nuk ftohej fare. Madje, jo rrallëherë, ishte ofenduar nga profesorët dhe asistentët, sidomos nga këta të dytët, që dinin të bëheshin më snobë sesa eprorët e tyre, me të cilët asnjëherë nuk kishte arritur të sillej ashtu siç duhej apo ashtu siç ata dëshironin, e kjo nënkuptonte shtrirje qafe dhe përulësi ndaj tyre deri në bezdi. Këto rregulla të mirësjelljes, të shpikura nga të mëdhenjtë e letrave, ia kishin neveritur studimet dhe shumë nga kolegët e tij, që bindeshin kurdoherë dhe ishin përherë të gatshëm për gojëmarrje.
I kujtonte me mllef edhe organizatat studentore, ato klube të zuzarëve. Ata e kishin shfrytëzuar vazhdimisht për t’ua shkruar fjalimet dhe motot e ngjashme me ato të partive, e më të cilat i gënjenin studentët. Ndihej keq, i poshtëruar sa më s’ka, sepse kishte marrë pjesë në një gënjeshtër të pakripë që pat krijuar një iluzion, që i kishin besuar shumë kolegë të tij. I urrente këta qerthuj idiotësh që mashtronin studentët e veçanërisht studentet e reja.
Gjatë hapërimit nëpër lagjen e Bregut të Diellit, iu kujtua Arjeta, vajza që ende banonte në këtë pjesë të qytetit, e cila i ishte fiksuar qysh nga semestri i parë, kur ende ndihej si i huaj në atë vend. Ajo ishte syzeza lozonjare e gjeneratës, së cilës çdo ditë e më shumë i shkëlqente nuri i një fytyre engjëllore dhe buzëqeshja e saj, që çdo mashkulli mund t’ia dridhte telat e zemrës. Ajo e kishte refuzuar për të satën herë Drinin, meqë ishte dashuruar marrëzisht në asistentin trupgjatë të letërsisë së vjetër, flirtin me të cilin e kishin marrë vesh pothuajse të gjithë. Kjo gjë e kishte vrarë të riun student, i cili atëkohë me ditë të tëra nuk kishte futur gjumë në sy. Po ashtu, duke zbritur poshtë rrugës që të dërgonte kah konviktet e studentëve, iu kujtua sykaltra Majlindë, pas së cilës kishte vrapuar me vite të tëra, dhe në momentin që u patën afruar goxha shumë, në jetën e saj qe shfaqur një burrë flokërënë, rreth të tridhjetave, që e kishte nën pronësi të tij njërën nga kafenetë më të bukura të qytetit. Kjo gjë e kishte molisur të tërin, ia kishte shkapërderdhur mendjen dhe ia kishte humbur përqendrimin. E kishte bërë ta ndiente veten aq të parëndësishëm, aq të pavullnetshëm, duke ia krijuar një bindje që nuk mund të bënte asgjë e kurrë nuk do të mund ta arrinte atë që dëshironte. E kishte bërë ta ndiente vetën si një qenie të pavlerë, që i bënte kot hije tokës.
Drin Morinës i kujtoheshin edhe ato momente të pakta kur kolegët e tij tregonin për të mirësjellje të shpifur, sidomos gjatë kohës së provimeve apo, më saktë, një ditë para tyre apo edhe vetëm në ditën e tyre, ngaqë ai ishte më i zgjuari dhe shumica prej tyre nuk i shqiteshin dot, tamam si rriqrat në pikun e verës. Ishin këto çastet kur ai ishte më i dashuri i gjeneratës, më i përkëdheluri e më i kontaktuari. Ai e ndiente veten zot në këto orë dhe sillej ndaj tyre si një padron i rastit, sikur donte t’u hakmerrej për muajt e javët e tjera, kur ata hezitonin edhe ta përshëndesnin. E dinte mirëfilli se ata, në këto minuta frike nga ngeljet, rrejshëm i thurnin lavde dhe nuk kursenin për të asnjë fjalë miradije. Megjithatë, ndihej mirë me e në këtë iluzion, që e gjallëronte dhe e bënte më të fortë në mesin e atyre injorantëve, që as skriptet pesëfaqëshe nuk i lexonin dot.
Ai, për fatin e tij të keq, e kishte edhe një të metë të pambulueshme, të shkaktuar gjatë fëmijërisë së tij të hershme. Derisa nëna e tij, gjatë një të diele të zakonshme, gatuante në furrën që piqte me drunj, në një moment pakujdesie e kishte lënë djalin trevjeçar të afrohej dhe ky, duke luajtur, kishte rënë në prushin plot gaca të nxehta. Atij i ishte djegur tmerrësisht faqja e majtë e fytyrës së butë fëmijërore, duke ia dëmtuar lëkurën deri në nivelin e saj më të thellë. Që nga ajo ditë, i pat mbetur një vragë e tejdukshme në këtë faqe. Prindërit qenë të varfër dhe nuk patën mundësi dhe as nuk u ndihmuan nga askush që t’ia bënin djalit operimet e duhura, të cilit, pa fajin e tij, i mbeti njolla e shëmtuar në fytyrë. Shpeshherë i shkonte mendja, edhe pse asnjëherë nuk ia kishte thënë kush, se ndoshta shkaku i kësaj vrage, e kishte përjetuar refuzimin nga vajzat dhe shpërfilljen nga kolegët, që nuk e qasnin në bisedat e tyre të lira, pos në ato që kishin të bënin me ligjëratat dhe shënimet që atyre u duheshin. Kjo shenjë që ia kishte deformuar gjysmën e fytyrës dhe ia kishte bërë t’i dukej si e një shtatëdhjetëvjeçari, i dukej se e pengonte në shoqërimet, sidomos me gjininë e bukur, por asnjëherë nuk i ishte bërë pengesë që të kishte sukses në provime, që i kishte përfunduar të gjithat në afat të rregullt. Leximi ishte i vetmi ngushëllim për të. I ishte bërë si terapi kundrejt përballjeve me ngërçet e përditshmërisë.
Në vazhdën e mospasjeve qenë edhe ato të përdreqtat para, aq të nevojshme për moshën e një të riu, i cili duhej t’i përjetonte të rejat dhe të panjohurat e dëshiruara, që për të ishin të kushtueshme jashtëmase, gjë që e bënte atë edhe më të ndrydhur në përditësimin e dëshirave. Probleme pak a shumë të tilla kishin edhe shumë nga kolegë të tij, por i tiji ishte më i veçanti dhe më i përvuajturi, meqë ai çdo cent e kishte të numëruar. Babai i tij, që dikur kishte qenë një ndërtimtar i zoti, nga më të mirët në fshatin e tij dhe fshatrat përreth, jo që nuk donte, por më nuk mund të punonte asnjë punë fizike. Qe katër vjet kishte mbetur i paralizuar, ngaqë aksidentalisht ishte rrëzuar keqas nga kulmi i një shtëpie. Nëna e tij ishte një grua fshati dhe nuk ishte në gjendje ta bënte ndonjë punë, ndërsa vëllezërit i kishte ende të mitur. Para i jepte vetëm gjyshi, duke e ndarë një pjesë të pensionit të tij të vogël për të, nganjëherë edhe mixha i tij, që punonte si polic rrugor. Gjyshi i tij, Halit Morina, ishte jashtëzakonisht i lidhur me më të madhin nip dhe donte që ai, me çdo kusht, ta përfundonte fakultetin, pa marrë parasysh mangësitë materiale të familjes. Atij ia këpuste shpirtin i biri që i kishte mbetur në atë gjendje; nuk mund të kujdesej dhe t’i rriste vetë zogjtë e tij, siç shprehej plaku, por i jepte vullnet për jetë nipi, të cilin e shihte vazhdimisht duke lexuar. I bindur se ai e donte shkollën, xha Haliti çdoherë i linte pa i blerë gjysmën e barnave që ia caktonte mjeku, meqë vuante nga prostata dhe çrregullimi i frymëmarrjes. Këtë e bënte vetëm e vetëm që t’ia ruante Drinit paratë për të udhëtuar nga fshati për në kryeqytet, ku, megjithatë, nuk mund të shkonte për çdo ditë. Mu për këtë arsye shumë ligjërata nuk kishte pasur mundësi t’i ndiqte.
Në një mëngjes gushti, ende pa u zbardhur, gjyshi kishte marrë rrugën e pakthimit, duke i lënë lamtumirën përfundimtare frymimit mes të gjallëve. Pa bërë lëngatë shtrati me javë, muaj e vite të tëra, siç bënin shumë pleq të tjerë, ai qetësisht kishte vdekur, ashtu edhe siç kishte jetuar gjatë shtatëdhjetë e tetë vjetëve të tij, gjithnjë i qetë dhe i njerëzishëm. Vdekja e gjyshit e kishte tronditur shpirtërisht, sa që nuk kishte mundur t’i ndalte lotët për asnjë çast të vetëm gjatë varrimit të tij, duke mos besuar se më ai nuk do të ishte gjallë dhe nuk do ta priste si çdo ditë para derës së shtëpisë, sa herë që ky do të kthehej nga Prishtina. Nuk bindej se ai më nuk do t’i drejtohej asnjëherë me pyetjet e tij të përçdoditshme se ç’po ndodhte në kryeqendër, “çka ka risht n’sheher’, siç e kishte zakon të thoshte i ndjeri, dhe se a e kishte bërë apo ende jo “me shenjë” ndonjë vajzë për nuse të ardhshme.
Drinit, studentit më shembullor të gjeneratës së tij, për t’i vazhduar studimet, shpeshherë i ishte dashur të punonte si roje nate në ndonjë ndërmarrje private a në ndonjë shtëpi pasaniku, ngase ai, në ato vite, luftonte me mish e me shpirt t’ua siguronte mbijetesën më të dashurve të tij. Duke u punësuar, ai mendonte se e kishte bërë zgjidhjen e duhur, ngase me pagën që merrte, edhe pse marrëzisht të vogël, e mbante familjen e tij pesëanëtarëshe, ndërsa me paratë e bursës së përçdovjetshme e paguante shkollimin e tij. I riu, Drin Morina, herë punonte përkohësisht si rojtar e herë me muaj të tërë, varësisht nga marrëveshjet që bënte me punëdhënësit e tij, dhe gjatë këtyre muajve ai i përgatiste provimet, duke lexuar pothuajse gjatë tërë natës, sa që jorrallëherë mu për këtë gjë, eprorët e tij e kishin larguar nga puna, duke menduar se ai përhumbej në libra dhe nuk i kushtonte rëndësi pronës së tyre.
Kishte ardhur çasti i shumëpritur dhe ai ishte bërë me diplomë fakulteti dhe tashmë i shndriste nuri, lumturohej si një fëmijë, që u gëzohet sheqerkave që ia jepnin më të rriturit. Tamam ashtu ndihej i sapodiplomuari Drin, duke menduar se me këtë i ishte hapur një derë, përmes së cilës mund të hynte në atë botën e madhe, e cila do t’i sillte një punë të denjë, ashtu siç edhe e meritonte. Kjo gjë për prindërit e tij përbënte padyshim lajmin më të bukur, që kishin marrë në dhjetë vjetët e fundit të jetës së tyre, të mbushur me hidhërime e vuajtje dhe të thatë për nga ndodhitë dhe përjetimet që mund t’i bënin ata të lumtur. Të shkretët prindër, në jetën e tyre kishte aq pak ngjarje, për të cilat ata flisnin me theksin e ndjesisë së mirë, sa që e gjithë jeta e tyre bashkëshortore tridhjetëvjeçare mund të përmblidhej vetëm në dy pika, martesa dhe lindja e djemve.
Drin Morina kishte filluar të kërkonte punë. Aplikoi në konkursin e parë, që e kishte lexuar në gazetë, duke i dorëzuar gëzueshëm dokumentet e palosura dhe të mbështjella për bukuri. Ishte ekzaltuar i tëri, kur e kishin ftuar në intervistën e parë, meqë e kishte imagjinuar veten tashmë të punësuar. Por, nuk kishte ngjarë një gjë e tillë dhe me muaj të tërë ai vetëm intervistohej, i thoshin se ishte në listën e ngushtë, e herë-herë në të ngushtën e së ngushtës fare. Asgjë më shumë. Në muajt e parë nuk e kishte brengosur një gjë e tillë, derisa ishte bërë një vit i plotë që nga diplomimi. Atij, padashje, iu desh, për hir të familjes, që të rikthehej në detyrën që e bënte gjatë kohës sa ishte student.
I kishin thënë miqtë e tij, që të bëhej pjesë e partisë së të fortëve, që e kishte dhe thuhej se do ta kishte pushtetin edhe në njëzetë vjetët e ardhshme, si mundësi e vetme që ta kapte një punë që ia vlente. Djaloshi nevojtar i kishte dëgjuar këshillat e tyre, megjithatë nuk kishte mundur të qëndronte pranë të fortëve të shtetit as gjashtë muaj të plotë. I ishte bërë i bezdisshëm fakti që për çdo javë të lume duhej t’ia qëndiste nga një shkrim kryetarit të degës, i cili e paguante fare pak, ani pse me to, në muajt e fundit, ishte shndërruar në njërin nga publicistët më të respektueshëm në vend. Presionin e shkrimit të përjavshëm edhe mund ta përballonte disi, por nuk mund t’ia falte kryetarit rrenën aq të ligë dhe mashtrimin aq të pështirë. Ai i kishte premtuar Drinit, për afër katër muaj rresht, se ishte duke bërë përpjekje të vazhdueshme që ky dhe asistentja e tij të lidheshin sa më shumë, meqë ajo ishte një vajzë e zgjuar dhe i përgjigjej atij. Dhe një ditë prej ditësh, krejt rastësisht, i kishte zënë me “pelë për dore”; që nga ajo ditë nuk kishte pranuar të rrinte as afër partisë së të fortëve e as afër asaj, që nga jashtë dukej e butë si pambuku.
Nuk kishte çka të bënte tjetër, pos t’u kthehej sërish konkurseve dhe aplikimeve. Sërish njëjtë, duke i lëne prapa të gjerët, por duke mos më qenë kurrë më i ngushti. Sot, në këtë ditë rrugëtimi kuturu, bëhen dy vjet e pesë muaj e shtatëmbëdhjetë ditë që ia thoshin si refren të njëjtat gjëra, pa ndryshuar asnjë fjalë e asnjë presje nga to. Ndihej tmerrësisht i dëshpëruar, llahtarisht i zhgënjyer, sidomos në rastet kur në vend të tij i merrnin ish-kolegët e tij, të cilëve ua kishte kaluar provimet. Tmerri i botës qe për të kur e pranuan Astritin në vend të tij, të cilit jo vetëm që i kishte ndihmuar ta kryente fakultetin, por edhe formularin e aplikimit ia kishte mbushur, ndërsa këtij i ishte dashur ta vazhdonte punën herë si rojtar, herë si shitës vetëshërbimesh e herë si kopshtar parqesh.
I shkuan nëpër mend një nga një të gjitha gjërat e përjetuara, gjatë hapërimit të tij në sheshin me pllaka mermeri të kryeqytetit, që nga femrat, shpërfillja, injorimi i diturakëve, që nuk dinte t’u servilohej, mungesa e parave, vdekja e gjyshit e shumë ndodhi të tjera, që në këtë ditë e bënin të ndihej tepër keq. Ndihej fajtor për vdekjen e gjyshit, pasi që e kishte marrë vesh se ai për të nuk i blinte barnat e veta, që ndoshta edhe do t’ia zgjasnin jetën. Ah, sikur të kishte mundësi t’ia thoshte në gojë se nuk ia kishte vlejtur ta bënte gjithë atë sakrifikim për një diplomë që nuk i vlente asgjë.
Ai sot e kishte ndier veten aq shumë të dëshpëruar, deri në atë shkallën sa nuk ka ku shkon më tutje! Me dëshpërimin kishte bashkëjetuar qe tetë vjet të plota, por sot i ishte shndërruar në një ankth të thellë e të llahtarshëm, si asnjëherë e asnjë ditë më parë. Në këtë ditë të sikletshme, mendimet e tilla e kishin mposhtur plotësisht, duke e çuar deri në kahun më ekstrem të dilemës “të jesh a të mos jesh?”, në këtë botë e në këtë vend, ku prapështia ishte parim i ecjes së gjërave, ndërsa ndershmëria shihej si diçka primitive dhe e rrezikshme, të cilën duhej luftuar.
Drin Morina u ndal para një ndërtese të lartë, shikoi nga hyrja dhe u ngjit me sy deri lart, në katin më të sipërm; vendosi të hipte atje, ashtu i ngufatur nga mendimet e tmerrshme. Donte t’u jepte fund! Kokën e mbajti duke shikuar lart dhe e qiti hapin e parë; pas pak të dytin dhe pa e shkel të tretin, pa një njollë që kërceu nga maja e ndërtesës, fluturoi në ajër dhe duke u zmadhuar me shpejtësi, ra para këmbëve të tij. Ishte një djalë i ri, koka e të cilit u ça kur u përplas në trotuarin e fortë.