More
    KreuHistoriShqipja e shkruar – “terra incognita” në fillimshekullin XIX

    Shqipja e shkruar – “terra incognita” në fillimshekullin XIX

    Nga Dr. Jorina Kryeziu (Shkreta)

    Në librin e albanologut dr. David Hosaflook, Lëvizja Protestante te shqiptarët: 1816–1908, trajtohen çështje të shumta e me larushi, duke filluar nga konteksti teologjik, historik dhe shoqëror i Lëvizjes Protestante te shqiptarët, Dhiata e Re për herë të parë në gjuhën shqipe, veprimtaria ungjillore përkrah veprimtarisë arsimore, arsimimi i femrës shqiptare, përpjekjet e njëkohshme të Lëvizjes Protestante dhe Rilindjes Kombëtare Shqiptare e deri te botimet e ndryshme në gjuhën shqipe dhe përhapja e tyre anembanë trevave shqipfolëse, për të cilat, D. Hosaflook ndalet gjatë në studimin e tij. Por, ajo çka më impresionoi më së pari, si redaktore e këtij botimi, ishte sidomos interesimi i Shoqërisë Biblike Britanike dhe për Vendet e Huaja (BFBS, British anda Foreing Bible Society), për lëvrimin e gjuhës shqipe, si dhe gjeneza e shpërndarjes masive të botimeve shqipe, përmes strategjisë së librashitësve shëtitës. Duke qenë se shqipja në fillimshekullin XIX ishte një gjuhë e palëvruar, ata erdhën jo vetëm me shkrimet e shenjta në shqip, por edhe në të dyja dialektet, fillimisht në toskërisht e më pas në gegërisht. Edhe pse pikësynimi fillestar dhe ai përfundimtar i Shoqërisë Biblike ishte pa dyshim ungjillëzimi – përmes përkthimit të shkrimeve në gjuhën amë (si përmbushje e parimit Sola Scritura) dhe shpërndarja masive të tyre, ata ndikuan edhe në lëvrimin e shqipes së shkruar. Misionarët protestantë erdhën në trojet shqiptare kur ende nuk ishte shfaqur ndonjë lëvizje arsimore apo të kishte ndonjë rrjet shkollash në gjuhën shqipe. Kështu, sot na duhet t’i shprehim mirënjohjet më të thella misionarit protestant Robert Pinkerton – i cili qe i pari që i bëri shqiptarët objekt të BFBS-së – dhe gjuhëtarit Jernej Kopitar – i cili hodhi idenë e përkthimit të Biblës edhe në gjuhën shqipe.

    Libri Lëvizja Protestante te shqiptarët: 1816–1908 dritëson disa prej të dhënave kryesore mbi botimet në gjuhën shqipe dhe përpjekjet e misionarëve të huaj: William Jowett, H. G. O Dwight, William Schaufler, Jonas King, Rufus Anderson etj., dhe më pas atyre shqiptarë: Gjerasim, Qiriazi, Gjon Ciko, Gjergj Qiriazi etj., për kombin tonë dhe ndriçimin e tij shpirtëror e arsimor njëherazi. Populli shqiptar do të ishte gjithnjë e në interes për të shpërndarë Shkrimet e Shenjta, të cilat do të ndiqeshin prej proceseve që do të ndihmonin arsimin në gjuhën amë, madje Nathalie Clayer në librin e saj Në fillimet e nacionalizmit shqiptar, shprehet se: “…përpara se të vinin protestantët, asnjë grup tjetër nuk kishte bërë përpjekje kaq serioze për botimin dhe përhapjen e gjuhës shqipe”. Misionarët protestantë kishin pikëpamje tepër të përparuara për kohën, madje shpesh u ndeshën edhe me kundërshtime të autoriteteve fetare ose atyre shtetërore, të vendeve ku ushtronin veprimtarinë e tyre. Përveç shpërndarjes së Shkrimeve të Shenjta në gjuhën amtare, ata në mënyrë të tërthortë ndikuan edhe në çështjet kombëtare, përmes shpërndarjes së abetareve dhe gramatikave, arsimimit të të dyja gjinive, si dhe barazisë arsimore dhe shpirtërore te njerëzit e thjeshtë. Sipas D. Hosaflook “shoqëritë misionare protestante hynë në territoret shqiptare me qëllim për të botuar dhe për të shpërndarë Shkrimet e Shenjta në shqip, për të nisur shërbimet ungjillore në gjuhën shqipe, si edhe për të hapur shkolla në gjuhën shqipe. Me këto veprimtari, ata konsideroheshin se po ndihmonin shqiptarët për t’u shqiptarizuar”. Përparimi social, zhvillimi i arsimit në gjuhën amtare dhe ndriçimi letrar ishte pjesë e qenësishme dhe e pandërprerë e besimit fetar që ata përfaqësonin. Prof. Ferit Duka, në parafjalën e librit, shprehet se: “Protestantizmi për shqiptarët nuk ka qenë thjesht besim, por edhe një nxitës i fuqishëm i zgjimit kulturor dhe i përpjekjeve për arsim në gjuhën amtare, një urë e fortë komunikimi e shqiptarëve me qytetërimin perëndimor. Misionarët e këtij besimi në Shqipëri kudo që shkuan, mbollën jo vetëm dashurinë për Zotin, por edhe dashurinë për gjuhën shqipe dhe respektin për vlerat e kombit shqiptar.”.

    Deri më sot është folur gjerësisht për fillesat e shqipes së shkruar po dhe për botimet e para në gjuhën shqipe, por, për gjenezën e shpërndarjes masive të botimeve, strategjitë e përdorura, përpjekjet e njëkohshme për Shkrimin e Shenjtë dhe shqipen e shkruar, nuk është folur kaq gjerësisht përmes faktesh e dëshmish të shumta, duke plotësuar atë mozaik që nisi të zërë fill me zbulimet e prof. Xhevat Lloshit në Arkivat e Londrës, me punën e Xhon Kunarudit e të studiuesve të tjerë. Por, natyrshëm lind pyetja, se cili qe shkaku kryesor që i çoi këta përfaqësues në ndërmarrje kaq të mëdha, të cilat ndihmuan edhe në proceset e bashkimit kombëtar dhe të arsimimit në gjuhën amë dhe, në veçanti, të arsimimit të femrës shqiptare dhe të emancipimit të saj. Ajo çka i shtyu misionarët drejt trojeve të largëta gjeografike e kulturore, ishte pikërisht shpërndarja e Biblës në mbarë botën. Arritjet letrare të protestantëve në trojet shqiptare gjatë shek. XIX dhe XX qenë mbresëlënëse në disa aspekte, pavarësisht sfidave dhe kundërshtimet me të cilat iu desh të përballeshin ata nuk reshtën së përmbushuri misionin e tyre. Vala e botimeve që erdhi gjatë shek. XIX, nga shoqëri të tilla si Shoqëria e Broshurave Fetare (RTS, Religious Tract Society), parapriu zhvillimet e shpejta dhe shpikjet në fushën e botimit anembanë botës, si: shtypja, libërlidhja dhe shpërndarja (Woodbery, në: American Political Review, 2012). Në Shqipëri, shprehet D. Hosaflook, “kjo valë botimesh pati rrjedhoja kombëtare”. Figura të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare u shprehën në periodikët e kohës për rëndësinë e pamatë të botimeve të BFBS-së dhe të RTS-së, të cilat dhanë ndihmesë domethënëse sidomos për çështjen e Pavarësisë. Vërtet para përpjekjeve të misionarëve të Shoqërisë Biblike pati botime në shqip, vepra të cilat sot njihen gjerësisht, por në fillimshekullin XIX, këto ose ishin në kopje të rralla, ose nuk njiheshin. (Dimë se disa prej këtyre libra u zbuluan vonë, krahasuar me vitbotimet që mbanin.) Në periudhën në fjalë, libri shqip nuk qarkullonte rregullisht dhe shpërndarja e tij ende nuk ishte prioritet i ndonjë botuesi. Kujtojmë se më 1824, botimi dygjuhësh greqisht–shqip i Ungjillit sipas Mateut nga BFBS-ja, i përkthyer nga Vangjel Meksi dhe i redaktuar nga Grigor Gjirokastriti), hapi një udhë të re për shqipen e shkruar, edhe për faktin se do të shpërndahej kudo ku flitej shqip, duke e bërë atë “një gjuhë të gjallë dhe të përdorur” (M. Frashëri, Diturija, 1 janar 1909), ndërsa Dhiata e Re dygjuhëshe greqisht–shqip, më 1827, po nga dyshja V. Meksi dhe G. Gjirokastriti, do të cilësohej pas 100 vjetësh si “udhëheqëse për shkrimin e shqipes” (M. Frashëri, Diturija, nr. 7, 1927).

    Përpjekjet e njëkohshme e të pandashme, si dy anët e një medaljeje, të Shoqërisë Biblike për Shkrimin e Shenjtë dhe për shqipen e shkruar, parashtrohen në këtë libër tepër gjerësisht përmes faktesh e dëshmish, shumësyresh të pahulumtuara më parë në historiografinë shqiptare. Suksesi i misionarëve protestantë qe edhe se hapën pika/depo magazinimi – fillimisht në Shkodër e në Janinë – që të shërbenin në trojet veriore edhe ato jugore. Arsyeja e këtyre nismave të mëdha edhe për kombet e vogla qe tepër e thjeshtë e praktike, si dhe e lidhur ngushtësisht me objektivin e tyre kryesor: lexueshmëria e shkrimit të shenjtë. Nëse tashmë Fjala e Zotit mund të lexohej tashmë edhe nga shqiptarët, si do të mund ta lexonin ata, kur shkalla e analfabetizmit qe tepër e lartë dhe shqipja ishte ende një gjuhë e palëvruar; kjo do të përbënte edhe arsyen pse ata u interesuan edhe për çështjet arsimore të shqiptarëve. Papërgatitja për leximin e botimeve do t’i çonte përfaqësuesit e Shoqërisë Biblike në zgjidhje të vështira e komplekse, siç ishin: zgjidhja e një sistemi sa më të thjeshtë drejtshkrimi (ai i Lepsiusit për shqipen), në mënyrë që të përdorej sa më lehtë nga një komb analfabet; zgjedhja e një alternative për alfabetin, duke qenë se shqipja kishte edhe tinguj të veçantë, kështu, me disa ndryshime për tingujt e veçantë ata përzgjodhën germat greke për botimet në toskërisht dhe germat latine për botimet në gegërisht; kultura editoriale dhe kujdesi në proceset e botimit; pasqyrimi i alfabetit të përdorur, si ndihmesë për shqiptimin e tingujve; reklamimet në pasballinë – kur teksti botohej në toskërisht reklamonte edhe tekstin gjegjës në gegërisht dhe e anasjella, çka mund të ndihmonte në unitetin kombëtar dhe leximin për çdo shqiptar, pa dallime krahinore. Kontribut të jashtëzakonshëm për shqipen e shkruar dha dyshja Alexandre Thomson dhe Konstandin Kristoforidhi. Për Alexander Thomson, shqipja e shkruar në fillim të shek. XIX qe një tokë e panjohur (terra incognita), e për të, puna e BFBS-së pa mësuesit e alfabetit do të ishte bërë përgjysmë, prandaj ai e pa të udhës që bashkë me shkrimet e shenjta të botoheshin e të shpërndaheshin njëkohësisht dhe masivisht edhe abetaret e K. Kristoforidhit (1866, gegërisht dhe 1867, toskërisht). Për këtë, D. Hosaflook sjell në vëmendje të hulumtimit të tij veprimtarinë e pashlyeshme në historinë e zhvillimit të librit shqip të këtyre dy figurave, të cilët përmes angazhimit dhe projekteve të tyre nxitën ndër shqiptarë ndjenjat kombëtare, letrare, kulturore, fetare dhe arsimore, jo vetëm në qytetet kryesore të Shqipërisë, por edhe në zonat më të thella të saj, pavarësisht vështirësive infrastrukturore po dhe sulmeve të kaçakëve, me të cilat u ndeshën plot misionarë. Sipas prof. Xhevat Lloshit, Konstandin Kristoforidhi e kishte përdorur Shoqërinë Biblike si një shtëpi botuese për qëllimet e tij kombëtare, sepse për të qe një zgjidhje e përshtatshme për depërtimin e librave shqip. Filozofia e misionarëve, e cila përshkruhet gjerësisht në raportet vjetore të Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet në Vendet e Huaja (American Board of Commissioners for Foreign Missions, ABCFM), konsistonte në dy qëllime kryesore: ungjillëzimin dhe arsimimin. Prof. Xh. Lloshi thekson në parathënie, se: “…synimet dhe veprimtaritë konkrete të Lëvizjes Protestante janë përputhur me synimet kryesore dhe me veprimtarinë e Rilindjes Kombëtare Shqiptare, duke e bërë këtë libër edhe një shpalosje të re të një ane të rëndësishme të Rilindjes Shqiptare”. Po ashtu, të angazhuar prej Shoqërisë Biblike qenë edhe anëtarët e familjes Qiriazi, të cilët nuk ishin vetëm veprimtarë aktivë në shërbim të çështjet kombëtare dhe të shkollave shqipe, por, e mbi të gjitha, ata ishin përgatitur për “të përhapurit’ e Ungjillit edhe të shkronjavet shqipe ndë Shqipëri, me ç’do farë mënyre të drejtë” (Kanonizma e Vëllazërisë Ungjillorëvet ndë Korçë). Përpos çështjes kombëtare, që gëlonte në periudhën kur jetuan dhe vepruan Qiriazët, ata paralelisht e pandërprerë i shërbyen ndriçimit arsimor dhe ndriçimit shpirtëror të kombit tonë.

    Në librin Lëvizja Protestante te shqiptarët, ndër të tjera, flitet edhe për bashkëpunimin dhe bashkërendimin e punës së Shoqërisë Biblike, për të botuar Shkrimin e Shenjtë në gjuhën shqipe dhe për angazhimin në këtë punë të shqiptarëve të aftë e të arsimuar jashtë vendit. Ata e panë të nevojshme të harmonizonin disa procese zinxhirore, si: botimet në gjuhën shqipe, shpërndarjen masive të tyre, hartimin e abetareve, gramatikave e fjalorëve, themelimin e shkollave në gjuhën amë dhe emancipimin e femrës shqiptare – të gjitha këto, për të arritur në iniciativën fillestare, që ishte përhapja e Fjalës së Perëndisë në gjuhën të cilën populli e kuptonte – e kjo ishte gjuha amtare. Me këto përpjekje të vijueshme e me intensitet të lartë nga viti në vit, libri shqip po përhapej me shpejtësi në mbarë trevat shqipfolëse, duke krijuar kështu një këndvështrim bindës mbi vetë shqiptarët, çka shërbeu dhe i ndihmoi ata edhe në përforcimin e ndjenjës kombëtare. Botimet në gjuhën shqipe të Shoqërisë Biblike u shtypën në tirazh të madh dhe u shpërndanë, përmes rrjetit të librashitësve shëtitës, deri në skajet më të largëta të trojeve shqiptare, duke bërë që të rezultonte në strategjinë më të frytshme të kohës.

    Edhe pse libri i D. Hosaflook fokusohet më së tepërmi në trajtimin e lëvizjes protestante te shqiptarët dhe te çështja e shkrimit të shenjtë në gjuhën shqipe, këto nuk mbeten trajtesat e vetme, përkundrazi, në të shqyrtohen gjerësisht e deri në shterim shumë çështje lidhur me Shqipërinë e shek. XIX dhe fillimshek. XX, duke rrokur në tërësi mjaft faktorë. Përtej vlerave profesionale në hartimin e librave të tillë, do të vlerësoja më së pari vlerat gjuhësore të autorit, në njohjen e në zotërimin e shqipes standarde – vlera të cilat janë tepër të lakmuara për vetë ne shqiptarët, kur bëhet fjalë edhe për përdorime të veçanta të trajtave të shqipes.

    Përgëzime ISSHP-së (Institutit për Studime Shqiptare dhe Protestante) për këto botime të vyera që po shtohen radhazi në letrat shqipe; rëndësia e të cilave vërehet përmes pasqyrimit shkencor dhe dritësimit të një sërë të dhënash të historisë sonë, por edhe për vendin që zënë në historiografinë shqiptare.


    Të dhëna mbi autorin

    David Hosaflook u lind më 1970, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Menjëherë sapo kreu studimet universitare në vitin 1992, për teologji, ai erdhi Shqipërinë për një mision humanitar në ndihmë të jetimëve. Plani i tij ishte për të qëndruar në Shqipëri vetëm dy muaj dhe të vazhdonte studime pasuniversitare, por, si shumë të huaj, u rrëmbye nga dashuria për popullin shqiptar. Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri ka punuar në disa qytete: Tiranë, Shkodër, Tropojë, dhe sot vijon në vitin e tij të 28-të në Ballkan.

    Hosaflook-u është njohës i shkëlqyer i gjuhës shqipe dhe më 2012-n, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë botoi për herë të parë në anglisht Rrethimi i Shkodrës, i autorit shqiptar Marin Barleti, duke bashkëpunuar me historianë të huaj për ta pajisur librin me shënime historike.

    Më 2017, D. Hosaflook përfundoi studimet e doktoraturës në Histori, pranë Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë, të Universitetit të Tiranës. Pikërisht libri Protestante te shqiptarët: 1816–1908 është varianti i botuar, me ndryshime të vogla, i disertacionit të tij, i cili u botua më 2019 në Shkup, nga Instituti i Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve, me mbështetjen e Ministrisë për Sistem Politik dhe Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive të Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe në Prishtinë, nga shtëpia botuese “Tenda”. Gjatë kohës së hulumtimeve për Lëvizjen Protestante, Hosaflook-u themeloi në Tiranë, më 2016, Institutin për Studime Shqiptare dhe Protestante. Aktualisht Dr. Hosaflook është drejtori ekzekutiv i tij, dhe ka ndërtuar një bibliotekë dhe arkiva burimesh me mijëra dokumente me interes për historinë e shqiptarëve po dhe të popujve të rajonit, duke ndriçuar e duke theksuar në veçanti shembujt e bashkëjetesës dhe harmonisë mes popujve të Ballkanit.

    Disa nga titujt e botuar prej David Hosaflook mund të veçonim: Lëvizja Protestante te shqiptarët, 1816–1908 (2019), albumin Libri shqip dhe veprimtaria protestante: 200 vjet rrugëtim kulturor/ The Albanian Book and Protestant enterprise: a 200-year cultural journey (2017), Albania and the Albanians in the Annual Reports of the British and Foreign Bible Society (2017), Albania and the Albanians in the Annual Reports of the American Board of Commissioners for Foreign Missions/ Shqipëria dhe shqiptarët në raportet vjetore të Bordit Amerikan të Komisionerëve për Misionet në Vendet e Huaja (2017) etj.

    Dr. Hosaflook ka organizuar disa konferenca shkencore me karakter rajonal ballkanik, përfshirë edhe Konferencën Ballkanike me rastin e 500 vjetorit të Reformacionit Protestant në Shkup. Ai është anëtar i disa institucioneve kulturore e shkencore në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut e Amerikë; organizues i ekspozitave në bashkëpunim me biblioteka kombëtare; kumtues dhe pjesëmarrës i përplot konferencave shkencore e kulturore; pjesëmarrës nëpër disa debate e prezantime publike në të gjitha hapësirat mediatike shqiptare në Ballkan, merret me përkthime librash, dhe në cilësinë e editorit dhe deri më tani ka përgatitur për botim mbi njëzet tituj veprash.

    Më së fundmi, ai është nderuar me çmimin “Unsung hero in enabling integration of the Albanian community in the UK” (2020), në Londër, nga Shpresa Programme dhe me çmimin shtetëror të Maqedonisë së Veriut “22 Nëntori – Kongresi i Manastirit, Dita e Alfabetit”, për kontributin e dhënë në hulumtimin dhe studimin e Kongresit të Manastirit, e në veçanti për zbardhjen e fatit të familjes Qiriazi.

    David Hosaflook është lektor për historinë e krishterimit e të qytetërimit europian dhe për filozofinë e religjionit. Ai vazhdon veprimtarinë e tij të predikimit të Ungjillit në bashkësi ungjillore dhe ftohet shpesh nëpër konferenca ndërkombëtare, që të jetë i pranishëm me kumtesat e tij.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË