More
    KreuOpinionShqipëri-Kosovë, kalendarët e pamjaftueshëm kulturorë...

    Shqipëri-Kosovë, kalendarët e pamjaftueshëm kulturorë…

    Nga Violeta Murati

    Është viti i gjashtë që ministritë e kulturës mes Shqipërisë e Kosovës nënshkruajnë një kalendar të përbashkët kulturor. Me këtë, politika e dy vendeve ka parasysh ngjarjet e artit në të dyja shtetet: teatri shqip i Kosovës në teatrin shqip të Shqipërisë; piktorë të GKA-së në Shqipëri të këmbejnë, aq sa kanë, me punët e GKA-së në Kosovë; po kështu edhe qendrat kinematografike apo arkivi i filmit etj., duke mos harruar në fund edhe aktivitetet që mund të bëhen për librin dhe trashëgiminë. Deri këtu duket se preken të gjitha fushat e kulturës dhe artit, dhe zyrtarisht korrekt-letrat veç bashkojnë dy ministrat në një tryezë me disa kamera para. Por, çfarë ndodh realisht pas kësaj agjende politike mes dy vendeve? A është mjaftueshëm që dy ministra të bëjnë “exchange” projektesh, vetëm projekte, pasi kultura është një, gjuha është një. A është i mjaftueshëm komunikimi ynë kulturor, në një? Ndërsa arsyeja pse krijuesit bëjnë veprat e tyre është një, pra gjuha e kultura shqip, duket se kjo arsye nuk ka përputhje reale, konkrete. Jo pak herë, prej tri dekadash shkrimtarë e njerëz të kulturës e kanë të vështirë të identifikojnë punën e tyre si mbarëshqiptare, sepse komunikimi vazhdon të mbetet i izoluar. Përpjekjet e deritanishme për t’u njohur, siç është dëshmuar, kanë qenë më tepër individuale. Kur shkrimtarit e publicistit Kim Mehmeti iu akordua vjet në nëntor, në panairin e librit në Tiranë, çmimi i madh i botuesve, ai qe shprehur se pikërisht tani kur asgjë nuk e ndalon qarkullimin kulturor mes vendeve, ka nisur “të na pëlqejë jetesa e ndarë nëpër principatat tona politike, letrare e kulturore. Kemi filluar, pra, të ndihemi të vetëmjaftueshëm e të vetëkënaqur nëpër ‘mëhallët’ tona krijuese e kulturore”. Kim Mehmeti flet për muret që janë ngritur qysh në dekadat e socializmit, që e vulosën mendësinë tonë, që ishte muri i lartë ideologjik që ngritën Enveri dhe Titoja. Dhe ky shkrimtar nuk e ka të lehtë të mbërrijë në arsyen se kultura e një populli që është ndarë me dekada nuk mund të integrohet në atë europiane apo botërore po nuk pati integrimin brenda vetvetes. Krijimi i “familjes së madhe” kulturore që pretenduan dy ministrat të shprehnin në marrëveshjen e këtij viti duket se e tregon më ironike këtë hapësirë. Në këto përpjekje të sforcuara, së paku prej shkrimtarëve, pranohet realiteti se letërsia shqipe është një e tërë, e pamundur të ndahet në provinca letrare, duke besuar se libri dhe botimet janë të parët që e kanë integruar hapësirën tonë kulturore. Shkrimtari Mehmet Kraja, për shembull, është një prej tyre, kur thotë se “bëj letërsi shqipe dhe i referohem një lexuesi të supozuar të mbarë hapësirës shqiptare. Dhe, pikërisht, sa i përket gjuhës, ndihem i barabartë me çdo shkrimtar shqiptar që shkruan në Tiranë, ose kudo gjetkë”. Kraja thotë se tani, së paku, nga letërsia e Kosovës ka mbetur vazhdimësia e një përvoje letrare, e cila gradualisht po integrohet në letërsinë e gjithmbarshme shqipe. Por, edhe kjo dyshohet. Pas kësaj përpjekjeje individuale të Krajës, një tjetër akademik nga Kosova, Eqrem Basha, është shprehur se komunikimet tona, paradoksalisht ende janë të vështira e të pamjaftueshme, se autorë të Kosovës, të rëndësishëm, gati nuk njihen në Shqipëri dhe botimet që dalin andej me shumë vështirësi gjejnë rrugën për te lexuesi në Shqipëri. Në të dyja anët, pjesa e njerëzve jashtë politikës thonë se panairet e librit janë të vetmet mundësi për komunikime pak më të afërta, por që nuk mjaftojnë… Të tjerat janë shkëmbime projektesh, secila më vete pa lënë gjurmë apo kontekstualizuar hapësirën e përbashkët kulturore, aq të përfolur, siç qenë tekstet shkollore, historia apo edhe letërsia. Mungesa e këtij integriteti, ku me të drejtë është vërejtur se nuk gjen një gazetë tiranase në Prishtinë dhe një prishtinase në Tiranë, e bën pothuaj të pabesueshme edhe paraqitjen politike të dy ministrave që shfaqen herë pas here në agjenda projektesh, pa strategji të përbashkët. (V. M.)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË