Nga Fatlum Meholli
Anton Pashku i takon brezit të ri, gjegjësisht atij modern-bashkëkohor. Lexoi shumë nga letërsia botërore, përkatësisht nga autorë të mirënjohur modernë, si: Beketi, Xhojsi, Sartri, Oruelli, e të tjerë. Kjo gjë bëri që në krijimet e tij të ndikohet, dhe kështu të sjellë një botëkuptim e stil të ri në shkrimet letrare shqipe. Tekstet e ndërlikuara dolën edhe si pasojë e përsiatjeve të shumta gjatë qëndrimit në vetmi.
Shkrimtari ynë bashkëkohor, Pashku, la pas vetes disa krijime të jashtëzakonshme letrare, ndër të cilat edhe dramën Sinkopa, e cila u botua më 1969 nga shtëpia botuese “Rilindja” në Prishtinë.
Qysh në fillim të dramës, Pashku na jep disa fjalë hyrëse (prezantuese), me anë të të cilave njoftohemi më shumë rreth ngjarjes që do të zhvillohet në dramë. Bëhet e ditur se e gjithë drama do të fillojë dhe të mbarojë vetëm në një dhomë, përkatësisht në dhomën e personazhit kryesor, Xhexheut. Drama ndahet në dy pjesë, në Mbarimin e fillimit të Sinkopës dhe në Fillimin e mbarimit të Sinkopës.
Në pjesën e parë përshkruhet vendi (dhoma), në të cilin do të zhvillohet e gjithë ngjarja. Gjithashtu, jepen detaje të tjera, ndër të cilat edhe drita e kaltër dhe drita e kuqe, që e kaplonin dhomën e Xhexheut herë pas here. Ato mund të merren si shprehje metonimike për makinat e autoriteteve (policore) që kishin rrethuar banesën e Xhexheut për arsye te rrëmujës që kishte shkaktuar. Nga frika e madhe se po e zënin autoritetet, Xhexheu bie në gjendje gati të pavetëdijshme. Kështu që drama karakterizohet me dialogje që në esencë janë monologje, për shkak se Xhexheut i shfaqen halucinacione, gjegjësisht ato personazhe me të cilat zhvillon bisedën (dialogun). Këtu kemi të bëjmë edhe me thyerjen e dialogut tradicional që ishim mësuar ta shohim më parë.
Në Sinkopën e Pashkut gjithçka sillet rreth dhe për subjektin, Xhexhun, edhe pse jepen disa emra të tjerë, që na shfaqen sikur personazhe, të tillë si: Lumnia, Lumtunia dhe Shpresa. Gabojmë nëse këta emra i marrim si personazhe njerëz. Në fakt të gjithë këta emra janë shprehje të ndërtuara mbi bazën e personifikimit. Si fillim kemi të bëjmë me Lumninë, që personifikon konceptin e, le të themi, mentalitetit të stagnuar, sistemit të instaluar, që zhvilloheshin gjatë gjithë kohës, deri te momenti i shpërthimit të subjektit (Xhexheut), që lindi si pasojë e pikërisht kësaj jete të përditshme, të ngjashme, rutinore. Ky shpërthim ndodh me qëllim të ndryshimit të kësaj dukurie.
Synimi për një ndryshim të tillë do të realizohej vetëm me anë të ndihmës së Shpresës, që po ashtu personifikon konceptim e optimizmit për një të ardhme të synuar. Shpresa në dramë na jepet si motra e Xhexheut, por që në fakt ajo ishte vetëm pjesë e imagjinatës dhe intencës së subjektit, i cili sa herë dëshironte ta thyente monotoninë e jetës, ritualin e përditshëm, ai ndeshej me Lumninë, përkatësisht me sistemin e instaluar dhe mentalitetin e ulët, që nuk lejonte një gjë të tillë.
Qëllimi që synonte subjekti (Xhexheu) lidhet pikërisht me Lumtuninë. Këtë të fundit, Xhexheu e kërkonte përmes dialogjeve që realizon me Shpresën, gjegjësisht me vetveten, optimizmin e tij. Edhe Lumtunia ndërtohet mbi figurën e personifikimit, ku personifikohet koncepti i jetës së ardhme, jetës moderne, e cila do të realizohej vetëm nëse do të thyhej Lumnia, gjegjësisht sistemi i instaluar dhe mentaliteti i stagnuar.
Femna, Mashkulli e Kitaristi, jepen si personazhe dytësore që realisht ndodheshin përballë banesës (në një ambient tjetër) dhe ngjarja e tyre zhvillohej paralel me atë të Xhexheut, por që përshkruanin ngjarjen që zhvillohej në pjesën kryesore, gjegjësisht në dhomën e Xhexheut. Në njëfarë mënyre, këto personazhe me veprimet e tyre vetëm fuqizojnë atë se çka ndodh në ambientin kryesor. Ajo çka ndodh atje, ndodh këtu, ajo çka ndodh këtu, ndodh atje në mënyrë të ndryshme, por të përafërt.
Gjatë dramës Sinkopa janë dhënë edhe disa emra të tjerë, që autori i përshkruan si role, të tillë si: Telefoni dhe Thika. Te këto dy role hetojmë shprehjen simbolike, ku Telefoni, si mjet komunikues, simbolizon përgojimin, përgjimin, tradhtinë. Ndërsa, Thika, si mjet i ftohtë, nuk simbolizon gjë tjetër përveç dhunës, vrasjes.
Akti kryesor, shpërthimi i subjektit, shfaqet te pjesa Rruga Trimat e Kozmosit, përkatësisht në kafenenë e quajtur “Kozmodromi”, në tërësinë e tekstit të së cilës hasim në shprehje ironike. Aty e shohim se, në njëfarë mënyre, përqeshen dhe kritikohen të gjithë ata që mblidheshin në kafene dhe bisedonin për gjëra të ndryshme. Por çfarë gjërash? Gjëra krejt të kota që nuk ndryshonin asgjë, nuk e ndërronin sistemin, ritualin e përditshëm. Ironia e subjektit shndërrohet në neveri. Atij i kujtohen bisedat e kota mes shefit të tij dhe praktikantit, i kujtohet këshilla që ia jepte Lumnia: që ta këqyrte punën e vet e të mos ndërmerrte asgjë kundër. Përkundër kësaj, Xhexheu me anë të thyerjes së tri dritareve, pak më shumë të dritares së tretë, dritares së inxhinierit, mundohet që sado pak të arrijë që ta prishë sistemin. Duke pasur parasysh që inxhinieri kishte një rëndësi të madhe për vendin ose për zhvillimin e këtij sistemi në përgjithësi.
E gjitha kjo zhvillohet në pjesën e dytë, përkatësisht në Fillimin e mbarimit të Sinkopës. Kjo pjesë veç tjerash karakterizohet edhe me personazhin tjetër, Gjegjeun. Ndoshta edhe ky personazh personifikon ndërgjegjen e subjektit që nuk e lë të qetë për veprën që kishte bërë. Ky personazh, realisht, shfaqet si bashkëbisedues, i cili arrin që t’ia nxjerrë në pah të bëmat që i kishte bërë Xhexheu e pastaj të spiunojë te autoritetet. Mirëpo, nëse Gjegjeu është një personazh jo i pranishëm, si do të arrihej kjo? Këtu mund ta paramendojmë Telefonin si simbol i përgjimit, tradhtisë (që gjendej në dhomën e Xhexheut) dhe me anë të të cilit mund të ishte përgjuar e gjithë ajo bisedë që sipas saj bëhej i ditur shkaku i rrëmujës katër orëshe që Xhexheu ia kishte shkaktuar vendit.
Në fund të dramës, hyn në pah edhe Thika, që simbolizon vrasjen, dhe kështu na bënë të kuptojmë që fundi i dramës është tragjik. Por, te Sinkopa kemi të bëjmë me tragjedi moderne, që thyen rregullat strikte të tragjedisë klasike. Lumtuninë që Xhexheu ia besoi Shpresës që t’ia gjente, nuk e gjeti asnjëherë, ose më mirë të themi e gjeti, por ku ishte? Ajo gjendej në një vend të imagjinuar, në Atlantidë, i cili ishte përtej reales dhe drejt së cilës niset Xhexheu bashkë me Shpresën e tij, që na lë të kuptojmë se me të vërtetë drama përfundon me tragjedi, duke bërë kështu që të shuhen të gjitha ato ndjenja për të ndryshuar atë ritëm të përditshëm të jetës dhe atë sistem të mbyllur. Pra, edhe pse gjatë dramës hetuam optimizmin (Shpresën) dhe tendencën për ta konkretizuar atë, në fund dominon pesimizmi, sepse tek e fundit individi nuk ka kompetencë që ta ndryshojë sistemin e instaluar.