More
    KreuLetërsiBibliotekë"Shpirt i panjohur", tregim nga Qazim Shehu

    “Shpirt i panjohur”, tregim nga Qazim Shehu

    Arseni po rrinte me dy shokë në cepin e një rruge dhe po bisedonin për punët e tyre, kur befas tyre u shfaq një grua e bukur dhe qëndroi e ngrirë si qiri. Shtati i saj i drejtë, hunda nazike dhe flokët korb të zeza e impononin hijeshinë e saj menjëherë. Në heshtjen e saj kishte një rrëzëllimë të brendshme që shprehte pengesë. As e njihnin, as e kishin parë ndonjëherë dhe ajo kishte ardhur aty enkas sikur po i ndiqte. Goni bëri një hap drejt saj por shpejt u tërhoq duke gjykuar se nuk e gjente fjalën e përshtatshme për t’i folur dhe se ajo grua që u afrua aty, duhej të fliste vetë e para, por mos kishte gabuar, si mund të fliste para tre burrave? Goni sa herë mend kishte rënë në grackë të gjahtareve të tilla bukuroshe, të cilat të afronin trupin e tyre për një shumë të caktuar, por s’dinte pse ishte tërhequr, se nuk ia kishte mbajtur duke sjell ndërmend provokimet, filmimet, videot që qarkullonin nëpër internet e gjobat që viheshin në garanci të mosreklamimit të atyre videove. Por jo, një femër të tillë nuk e kishte hasur, kaq të bukur dhe me një heshtje që tregonte sikur ajo zbriste në një pus.

    Arseni në çast deshi të fliste edhe ai, po ndërsa u mat të nxirrte zërin, gruaja e ndërpreu duke iu dridhur buza;

    – Zotërinj a më falni diçka se kam djalin të sëmurë e ka nevojë për kurim.

    Pas këtyre fjalëve Gaqos iu kujtua mashtrimi që bënin këto femra që hiqeshin si lypsare. Jo, kjo grua s’duhej të ishte lypsare. Bluza e saj nuk e tregonte këtë, as fustani elegant dhe këpucët e shndritshme, flokët e krehura me kujdes, por me siguri dikush e kishte nxjerrë aty si provokim, mos vallë burri, ndonjë pinjanec ordiner ose mbase kishte harxhuar paratë me të dashurin dhe tani s’kishte sesi t’i justifikonte para burrit.

    Një grua e tillë dhe të jetë pa para, mendoi Goni. Nuk ka mundësi ose ajo ka një ves që nuk i shqitet. Sa herë kishte ndeshur lypësa të veshur shik, burra, por gra të veshura bukur që lypnin ishte hera e parë që shikonte. Ndërsa Arseni nuk po mendonte gjë, vetëm se nxori portofolin dhe shkëputi prej tij një pesëdhjetë mijë lekëshe dhe ia zgjati gruas.

    -Merri, – i tha, – dhe zoti ta shpëtoftë djalin!

    Në çastin që gruaja i mori lekët me përtesë por duke mos e bërë veten që të tregonte ngutje, ajo vijëzoi në buzët e saj një ngazëllim të lehtë, që i erdh nga brendësia e qenies e sakaq iu tërhoq po në brendësi të zemrës së saj.

    -Faleminderit, – tha, – dhe zoti ta ktheftë këtë mirësi!

    Gaqo me Gonin panë njëri-tjetrin dhe nuk e vunë re sesi gruaja ishte zhdukur sakaq. Bukuria e saj që zgjati pak minuta i drodhi, si nuk e rrëmuan atë grua ta pyesnin se nga ishte, ku punonte, çfarë sëmundje kishte djali i saj? Po fundja çfarë u duhej, se mos ajo do t’u tregonte të drejtën. Nganjëherë bukuria e jashtme nuk e justifikon atë të brendshmen, që është e mistertë. Ndërkaq s’kish sesi të mos pendohej Gaqo që u iku një zogëz e tillë nga dora, një mënjollë qafëgjatë me bel të këputur dhe këmbëdrejtë, e freskët dhe e palodhur sikur të mos kishte lindur fëmijë. E pra, Gaqo e kishte portofolin plot dhe mund ta merrte atë grua ta qeraste, ta çonte diku me dyfishin apo më shumë të parave të Arsenit… Sa i ngathët ishte treguar dhe këtë nuk do t’ia falte vetes edhe pse duke harruar se gjithnjë me femrat kishte qenë një belbak dhe fjalët i vinin kur nuk i duheshin më… Mbetën për disa sekonda të ngrirë, por Goni foli.

    – Po ty Arsen, nuk t’u dhimbsën ato para?

    – Patjetër që m’u dhimbsën por ajo tha se kishte hall…

    – Dhe nuk i dhe pak por pesëdhjetë mijë lekë të vjetra, aq sa të duhen dy ditë punë, – foli Gaqo… – Me ato para mund ta hanim një drekë…

    -Mos flisni broçkulla se paratë e mia i dhashë dhe fundja s’ka gjë-foli Arseni…

    – Sido që të vijë e ngado që të shkojë fjala, – foli Gaqo, – burrat janë naivë gjithmonë, jo të gjithë, kuptohet, dhe bëhen të dobët para bukurive të tilla…

    – As nuk e vërejta me neps, – foli Arseni, – ajo grua mund të kishte të drejtë… Një grua me një pamje të tillë të bukur dhe fisnike, nuk mund të lypë…

    – E, – bëri Gaqo, – hajde merr vesh njeriun sot… E merr për engjëll e të del djall. Unë për vete nuk i besoj as xhaketës që kam në trup…

    – Jo, nuk ka marrë fund njeriu, – tha Arseni.

    -Pasanik ti Arsen dorxhiar, -foli Goni…

    -Mos kujtoni ju se unë fal përditë, por sot sesi m’u shkrep. Mos kujtoni se ngaqë nuk i dhatë gjë, kjo më bën mua më të mirë se ju.

    Ata u ndanë. Arseni mori rrugën drejt një pallati në ndërtim ku shtronte pllaka dhe bënte suva…Pasdite vonë kur shkoi te shtëpia, e shoqja i tha se kishte blerë një tapet të bukur…Ajo gjithmonë blinte gjëra pa lejen e tij dhe Arseni nuk ia prishte. Ajo i tha se i duheshin disa lekë, por Arseni ende nuk e kishte marrë rrogën dhe megjithatë i dha disa para që kishte në kuletë.

    – Po të shtoje edhe pesëdhjetë mijë lekë, do të plotësohej fiks shuma e duhur, – i tha ajo…

    – Për tre-katër ditë, – foli si në faj Arseni, – sa të marr rrogën…

    – Para kemi po nuk dua t’i prek ato, – foli gruaja e tij…

    – Preki, – e nxiti Arseni, – se t’i zëvendësoj unë dyfish…

    Arsenin nuk e zuri gjumi dhe u përpëlit një copë herë në shtrat edhe pse ishte i lodhur…I dhembnin gjunjët nga të ndenjurit galiç në shtrimin e pllakave…I rrinte mendja tek ajo grua dhe kur dremiti me qepallat e rënduara iu shfaq në ëndërr ajo zonjë që rendte para një turme të madhe me burra duke zgjatur dorën e saj ndërsa ata e largonin…Furia e saj vinte në formën e rrezeve të diellit që vinin përmes një rrebeshi…Dhe ata e refuzonin…I doli gjumi dhe pa se donte edhe një orë natë dhe vinte mëngjesi. Doli në ballkon, zjeu në xhezve kafenë dhe piu një cigare…Rruga ndriçohej e shkretë ndërsa pak më tutje vinte Unaza e Madhe e qytetit ku ndiheshin herë pas herë ca gërvima të gomave të makinave, që lëviznin të rralla e me kalimin e kohës vinin duke u shpeshtuar…

    E shoqja flinte e qetë dhe sapo erdhi ora e caktuar ai mori çantën me disa vegla pune dhe doli në rrugë…Po binte një vesë shi dhe u kujtua për çadrën, por nuk u kthye…Ndërsa po kapërcente rrugën, kaloi një betonierë e madhe me zhurmë tërsëlluese, gomat e së cilës ngritën disa cërka që i spërkatën atij pantallonat…Një vesë shi dhe të ishte krijuar një pellg i tillë, e çuditshme, mendoi ai dhe u afrua për të parë, po ndërkaq në sipërfaqen e pellgut që ishte krijuar nga një gropë e hapur nga puna e mirë në rrugën e para dy muajve shtruar, vuri re një kartmonedhë. U përkul dhe e mori. Ishte një pesëdhjetë mijë lekëshe e laguar dhe e zhubrosur nga zhytja që i kishin bërë gomat e makinës…Kartmonedhën e lagur e mbështolli me një letër dhe e futi në portofol, që të mos njolloste e lagte lekët e tjerë…

    Në klub nuk ishte as Gaqo, as Goni. Ata vinin më vonë dhe ai nuk do t’i priste. Madje atë ditë nuk donte të takonte asnjë të njohur, sepse nuk mund të rrinte pa ua treguar se çfarë i ndodhi…Ata do ta merrnin si tallje, si një përpjekje e tij për t’u vetëshenjtëruar si dallim për mburravecëri në këtë botë të zhytur në ves e në zhvatje…Dhe ai nuk donte të mburrej sido që të ishte përpjekja e të tjerëve për ta kuptuar dhe për të besuar në sinqeritetin e tij…Këtë do t’i thoshte në darkë vetëm gruas së tij duke ia treguar historinë të plotë, por edhe asaj pse duhej t’ia thoshte. A nuk do të dyshonte ajo se ai, duke i falur kaq para një gruaje të bukur, jepte në mënyrë të panevojshme një provë sinqeriteti dhe besnikërie…Sidoqoftë, ai i tregoi se gjeti një kartëmonedhë dhe ajo i tha se me ato para plotësoheshin lekët për të paguar tapetin…Por ai i tha se ishte e lagur…

    Paraja edhe të jetë zhytur në të pëgëra, të zgjidh punë… Ajo është sendi më i pafytyrë dhe të gjithë e duan pse ka fytyrë të shëmtuar, mendoi Arseni ndërsa gruaja po i thoshte t’ia jepte…Ai nuk ia dha, asaj do t’ia jepte, por më parë do ta thante…

    E shoqja shkoi në dhomën tjetër ndërsa Arseni nxori nga sirtari një qiri, e ndezi dhe po rrotullonte rreth flakëve kartëmonedhën e lagur…Një avull i lehtë dilte nga ajo dhe ai po mendonte për frymën e saj gruaje që përpëlitej në dhimbje shpirtërore…Kur mendoi se u tha, ai vuri dorën mbi të, por kartëmonedha ishte e lagur…Ku nuk i shkonin mendimet. Mos vallë kartëmonedha vuante për vaktin e ndonjë fukarai që ishte pa bukë dhe ajo tradhtisht kishte dalë nga xhepi i tij duke u bërë pre e një rasti tjetër për të plotësuar një mëkat apo nevojë më pak të ngutshme? Kushedi. Po shkonte vonë dhe ra të flejë. Për disa ditë do ta thante atë kartëmonedhë, se nuk kishte sesi, letër ishte… Ditën tjetër e ditët më pas kartëmonedha erdh duke u tharë ngadalë dhe ai po brengosej se në këtë ngadalësim mos vallë ai po zgjaste vuajtjet e atij shpirti të panjohur të asaj gruaje të mjerë?

    I dukej se gruaja ngadalë po dilte nga qerthulli i dhimbjes dhe erdhi koha që kartëmonedha u tha… Po tani ç’do të bënte me të? Pasi u mendua pak, vendosi të mos ia jepte gruas edhe pse ajo nuk po ia kërkonte më. Do t’ia falte lypësit të parë që do t’ia kërkonte…Sa shpirtra të panjohur ka dhe a futesh dot brenda tyre, mendoi. Gjithsesi!. . .

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË