More
    KreuLetërsiShënime mbi libraShazim Mehmeti: Struktura narrative dylinjëshe në një metaforë qëndrese

    Shazim Mehmeti: Struktura narrative dylinjëshe në një metaforë qëndrese

    Romani “Kështjella”, Ismail Kadare

    Shkrimtari Ismail Kadare, më shumë se çdo shkrimtar tjetër shqiptar, në strukturat e veta letrare e ka bërë qendërsimin e ngrehinës, madje duke bërë dendur një lloj mbishpirtëzimi të saj. Ky mbishpirtëzim i ngrehinave, në prozën e tij vjen i gjallëruar, funksional, sa brenda veprës së tij të njëjtat gjallërojnë parësisht si ngrehina kulti.

    Romani “Kështjella” është një nga veprat e Kadaresë ku preket artistikisht tema historike. Për dallim nga autorë të tjerë që e kanë realizuar këtë lloj teme, Kadareja përdor një tjetër qasje realizuese. Struktura narrative te ky roman i Kadaresë zhvillohet e vendosur mbi dy linja paralele. Linja e parë rrjedh duke e zbërthyer qëndresën brenda kështjellës, përmes rrëfimit ndjesor të njërit nga mbrojtësit e brendshëm të kështjellës. Linja tjetër rrjedh duke e zbërthyer luftën për pushtimin e kështjellës, me gjithë dinamikën, dhe me gjithë ngulmimin e pushtuesit nga jashtëkështjella.

    Kështjella, në këtë strukturë narrative funksionon si një paralele e “mesit” që lëviz e shtrihet mes dy paraleleve të dinamizuara, por që e fiton qendërsimin në ligjëratën letrare. E njëjta bëhet qendra e gjithë rrëfimit, dhe e fiton epitetin e ngrehinës ku varet besimi. E shtruar në narracion, përgjatë gjithë strukturës narrative kështjella funksionon si kult, si besim.

    Në këtë roman të Kadaresë bie fort në sy tendenca e shkrimtarit për sendërtimin e atmosferës narrative. Në thellësi të romanit, ndeshemi shpesh me përshkrime shumë bindëse të atmosferës në kamp, ku reflektojnë atributshëm përshkrime brendësore të personazheve, dhe përshkrime jashtësore, por që janë të ndërtuara me një teknikë narrative shumë të admirueshme.

    Kadareja, në gjithë strukturën e romanit “Kështjella” operon me fenomenin e shtrirjes së vazhdueshme të antipodeve. Struktura narrative dinamizohet pikërisht mbi këtë shtrirje të vazhduar, mbi këtë megamekanizëm letrar, që në fakt është një përbërje e fituar me kombinimin dhe me vënien në lojë të shumësisë së mjeteve letrare si krahasimet, paralelizmat, analogjitë, simbolet, hiperbolat, parabolat, litotat, konvencionet, epitetet, metaforat, etj. Brenda këtij megamekanizmi letrar, këto mekanizma individualë gjallërojnë sipas ligjshmërive të ligjërimit për të cilat është parapërcaktuar autori.

    Për pyetjen, përse Kadareja në shumë nga strukturat e veta narrative, ka vendosur në qendërsime ngrehinat, ka një përgjigje, dhe përgjigja është shumëdimensionale, por parësisht ka të bëjë me një arsye qenësore. Kjo arsye lidhet me faktorët që kanë ndikuar në formimin e Kadaresë si individ dhe si shkrimtar, dhe në faktorët që ai synon t’i vë në përdorim si mekanizma konkretë në letërsinë e tij. Këtu kanë hisen e vet ndikesa e përbrumësisë historike në formësimin e tij, lënda ndëgjegjësore kolektive e shqiptarëve për rëndësinë dhe për besimin që kanë ata për ngrehinën si objekt mbijetese apo shpëtimi gjatë shekujve, si dhe informacioni i thelluar i shkrimtarit mbi këtë fakt. Këtu ka hisen e vet edhe afiniteti i shkrimtarit për krijimin e sistemeve dhe strukturave narrative me vertikalitet qëndrues, ku domosdo praktikohet me:  boshtin qendërsues rreth të cilit sillet gjithçka, sipas një ligjësie centrifugale të zhvillimit të narracionit; skeletimin si konstrukcionin bazë mbi të cilin mbështetet me gjithë masën e vetë struktura narative, dhe; masën brumësore apo mishin strukturor në dukje, me gjithë format, detajimet, tenet,  ngjyrimet artistike, prurjet brumësore estetike,  metafizikën, etj.

    “Kështjella” rezulton si roman i atmosferës, ku gjallërojnë vektorët e përkushtimit të personazheve në vijë të pushtimit të saj. Pothuajse në gjithë shtrirjen e rrëfimit në roman, mbizotëron simbioza e formimit të karaktereve të personazheve dhe vendosjes së atmosferës. Shikuar nga ky kënd, del në pah fakti se, atmosferës në rrëfim i ka ndihmuar fort skalitja e karaktereve të personazheve. Janë pikërisht ato karaktere që flasin e bëjnë lëvizje të tilla, duke lënë pas vetes një përmbushje të vërtetë të atmosferës.

    Në këtë strukturë ligjërimore bie në sy edhe dukuria specifike e emërtimit të personazheve. Pothuajse të gjithë kryekomandantët te ky roman, në emërtimet e tyre kanë diçka nga metalet, nga bishat e egra, nga pluhuri i marshimeve, nga vetëtimat dhe nga gjërat tjera goditëse. Autori, me këtë specifikë emërtimi, me lehtësi arrin të përcjellë tek lexuesi  nga diçka prej karakterit të personazheve, duke e bërë kështu më të lehtë komunikimin e lexuesit me brendinë e narracionit.

    E një rëndësie të veçantë në strukturën e këtij romani është gjuha që autori vë në gojët e personazheve. Kjo gjuhë është e ndërtuar mbi përvojën mendësore, ndjesore e narrative të autorit, dhe konsolidimi i kësaj gjuhe ndodh mbi bazën e karaktereve të personazheve. Ashtu si janë të projektuar personazhet, ashtu ndodh platformimi i karaktereve, e për rrjedhojë edhe gjuha e tyre.

    Brenda kësaj strukture narrative, gjithçka është në vijë të të paraprojektuarës, pavarësisht faktit se ky roman është një strukturë e ndërlikuar, me dinamikë shumëplanëshe e me personazhe delikate. Mbi të gjitha, si shumë e konsoliduar del gjuha e kështjellarit që referon në parakapitujt e romanit nga fillimi e deri në fund të romanit. Gjuha e tij është gjuha e një atdhetari të përkushtuar, ndjesor e me mprehtësi mendimi.

    Detajizimi i rrëfimit në këtë roman, është sipas një determinimi pothuajse matematikor. Matrica e rrëfimit është polivalente, me gamë shumë të gjërë shprehimore. Elementët e kësaj matrice letrare janë shumë përmbajtësorë, të dinamizuar, dhe lëvizin brenda saj me logjikën e ndjesores së përsosur.

    Në këtë roman, në zemrat, në mendjesinë e në sytë e kështjellarëve shqiptarë, kështjella konfiguron si objekt mbijetese. Ata gjithë besimin dhe gjithë shpresën për shpëtim e kanë mbështetur mbi kështjellën e shpëtimit. Për ta, kështjella domosdo është kult.

    Figura e Skënderbeut në këtë strukturë narrative të Kadaresë, nuk është e vënë në syrin e dritës. Pothuajse në gjithë srtukturën ajo është e lënë në hijen e nënkuptimit. Ai në narracion është personazhi i veshur me petkun e mistikes.

    Strukturën narrative në romanin “Kështjella”, Kadareja e udhëheq sipas ligjshmërisë së sipërpërmendur edhe kur bëhet fjalë për brendakështjellën si objekt. Gjithë çka ligjërohet për brendinë e kështjellës dhe veprimet brenda saj, është sipas ligjshmërisë narrative me të cilën operohet rreth figurës së Skënderbeut, por me një rreze paksa më të zgjëruar të ligjëratës narrative.

    Në këtë roman të Kadaresë, siç mund të vërehet, ka një “bashkëjetesë” kultesh. Kulti i ngrehinës brenda strukturës narrative bashkëfrymon me kultin e jetës, kultin e bukës, kultin e vdekjes, kultin e luftëtarit, kultin e ujit të pijes, kultin e gruas, kultin e besës, kultin e udhëheqësit, kultin e lirisë, etj.

    Kadareja dëshmon, edhe përmes kësaj strukture narrative, se është një njohës i spikatur i poliedrit shumëplanësh të jetës shqiptare në faza të ndryshme kohore, dhe kjo është përparësia e tij, arma e tij shkrimtareske. Ai, në masë të madhe shërbehet artistikisht me lëndën historike.

    Karakteristikë dominante në strukturën narrative të romanit “Kështjella” janë diagramet pozicionale të përballimit të blloqeve të përfshira në luftë. Përderisa diagrami pasqyrues i gjendjes së kështjellës dhe mbrojtësve të saj, gjatë tërë strukturës mban pozicionin e një horizontaleje gjatë tërë zhvillimit, diagrami i pasqyrimit në kampin turk i ngjan funksionit linear të drejtëzës që bie.

    Personazhet, në varësi të karaktereve të projektuara, reflektojnë shumë kompetetivisht, dhe ky reflektim ka bazë shumë të qëndrueshme sociale e psikologjike. Spikat sidomos personazhi i kryeveqilharxhit, një ushtaraku që vepron në vijat përmbajtëse të sulmit (në taborin për furnizim me paisje dhe ushqime). Pothuajse në vijë të njëjtë kualitative e kompetitive, vazhdon të reflektojë edhe personazhi i kronikanit, por me një refleksion jo aq intensiv sa kryeveqilharxhi. Të vënë bashkërisht në lëvizje e në dialog, ky dysh personazhesh, në njëfarë mënyre bëhet baza më reflektuese e përjetimit të sulmit, dhe të humbjeve në sulm, në kampin rrethues turk. Tragjizmin e këtyre personazheve, në më të shumtën e rasteve, Kadareja e nxjerr në pah sidomos përmes dialogjeve mes tyre.

    Kadareja, në romanin “Kështjella”, ka bërë detyrën e misionarit në vijë të përjetësimit të luftërave të lavdishme, që populli shqiptar i ka zhvilluar kundër pushtuesve turq, me Skënderbeun në krye. Letërsia artistike, e sidomos narrativa letrare, duke qenë një fushë e volitshme për mbishpirtëzimin dhe mbipërjetësimin e jetës historike të një populli, shkrimtarit i shërben si një vegël farkëtuese për plotësimin e këtij misioni. Narrativa letrare, misione të këtilla ka kryer në vazhdimësi pothuajse në të gjitha këndet e botës, në periudha kohore nga më të ndryshmet, që nga antikiteti e deri në kohën e sotme.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË