More
    KreuLetërsiBibliotekë"Shakespeare & Company", tregim nga Ernest Hemingway

    “Shakespeare & Company”, tregim nga Ernest Hemingway

    Dikur, të holla për të blerë libra nuk kishte. Çdokush mund t’i huazonte ato nga biblioteka Shakespeare & Company, libraria-bibliotekë në rrugën Odeon, numër 12, që i përkiste Sylvia Beach-it. Në një rrugë ku të thante era e ftohtë, libraria-bibliotekë ishte një vend i dashur, i ngrohtë, i hareshëm dhe i pajisur me një sobë të madhe në dimër, tryeza dhe rafte me libra, botime të reja të nxjerra në vitrinë dhe fotografi të varura mbi mure të shkrimtarëve të gjallë dhe aktivë, si edhe të atyre që nuk ishin më në jetë. Të gjitha fotografitë dukeshin si fotot e çastit në të cilat, shkrimtarët që nuk jetonin më, dukeshin me të vërtetë se dikur kishin qenë të gjallë. Sylvia kishte një fytyrë të gëzueshme dhe shumë të prerë, me sy gështenjë si ato të një kafshe të vockël, por gjithashtu gazmorë e të përngjashëm me ato të një vajze të re. Flokët kafe të përdredhur kalonin të krehur mbi ballin e bukur, pastaj direkt pas kokës, për të përfunduar të prerë dendur nën veshë, në një vijë me jakën e xhaketës kafe prej kadife të cilën mbante veshur. Kishte këmbë të bukura, ishte e sjellshme, gëzimplotë, me shumë interesa në jetë dhe tip që i pëlqenin shumë shakatë dhe thashethemet. Për mua, ajo ishte njeriu më i sjellshëm dhe më dashamirës që kam njohur në jetë.

    Kur u futa për herë të parë në librarinë e Sylvia-s, unë isha akoma një tip shumë i turpshëm dhe, për fat të keq, atë ditë më ndodhi që të mos kisha me vete lekë të mjaftueshëm për t’u bërë anëtar i bibliotekës. Ajo më tha se lekët e anëtarësimit mund t’i paguaja kurdo që të kisha mundësi, dhe më pas, më përgatiti një kartë anëtarësie duke shtuar se mund t’i merrja me vete të gjithë librat që dëshiroja.

    Arsye që të më besonte nuk kishte. Ajo nuk më njihte fare dhe adresa që i kisha dhënë, rruga Cardinal Lemoine 74, nuk mund të kishte qenë më e varfër sesa ishte. Për çudi, ajo u tregua e këndshme, magjepsëse dhe shume miqësore. Prapa shpinës së saj, në lartësinë e murit, shtriheshin raftet e një biblioteke të pasur, e cila zgjatej deri në dhomën e pasme të godinës e më tej përfundonte në një oborr të brendshëm.

    E fillova me dy volumet Portretizime të një Sportisti të Turgenev-it dhe një libër të hershëm të D. H. Lawrence, që besoj se ishte Bij dhe të Dashur. Sylvia më tha se mund të merrja sipas dëshirës një numër të pacaktuar librash. Zgjodha Lufta dhe Paqja të botimit të Constance Garnett-it si edhe Kumarxhiu dhe Tregime të Tjera të Dostoyevski-t.

    ‘Nëse i lexoni të gjitha këto, përpara se të riktheheni këtu do të rrjedhë shumë kohë,’ tha Sylvia.

    ‘Do të kthehem për t’ju paguar,’ thashë unë. ‘Në apartamentin tim ruaj një shumë parash që e kam vënë mënjanë.’

    ‘Nuk e kisha fjalën aty,’ u hodh ajo. ‘Mund të paguani në çdo kohë që e gjykoni të përshtatshme.’

    Hemingway brenda librarisë
    Shakespeare & Company

    ‘Kur vjen Joyce zakonisht këndej?’ pyeta unë.

    ‘Nëse vjen, ndodh pasditeve vonë,’ tha ajo. ‘A e ke parë ndonjëherë?’

    ‘E kemi parë bashkë me familjen e tij në restorantin Michaud,’ thashë unë. ‘Mendoj se nuk është aspak e hijshme ta shikosh tjetrin duke ngrënë drekë, e aq më tepër, në një restorant të shtrenjtë siç është Michaud-i.’

    ‘Po ju, ku hani drekë, në shtëpi?’

    ‘Tani për tani, po’ thashë unë. ‘Kemi kuzhinier të mirë.’

    ‘Mesa di unë, në zonën ku banoni nuk ka restorante, apo jo?’

    ‘Jo, nuk ka. Po ju, nga e dini këtë?’

    ‘Larbaud-i banonte dikur aty,’ tha ajo. ‘I pëlqente gjithçka në atë zonë, me përjashtim të faktit se nuk kishte restorante.’

    ‘Vendi më i afërt ku mund të hash diçka të mirë e të lirë është pranë Panthéon-it.’

    ‘Atë zonë nuk e njoh fare. Ne, për veten tonë, hamë gjithmonë në shtëpi, por ju mund të na dilni ndonjëherë për vizitë bashkë me zonjën.’

    ‘Së pari, prisni deri sa t’ju kthejë paratë,’ thashë unë. ‘Megjithatë, shumë faleminderit.’

    ‘Mos lexoni shumë shpejt,’ më porositi ajo.

    U ktheva në shtëpi, një apartament me dy dhoma, pa ujë të nxehtë e pa pajisje për banjën e brendshme, përveç një ene portative me antiseptik, i cili nuk përbënte problem për askënd që ishte mësuar me një banjë të jashtme të tipit Michigan; ishte një apartament i këndshëm e gazmor, me një pamje të bukur, një dyshek të mirë dhe susta në dysheme, sigurisht të mbuluara me shije, në vend të një shtrati të rehatshëm, pa harruar fotografitë e varura në mur të cilat ne i pëlqenim shumë. I tregova tim shoqe për vendin e mrekullueshëm që kisha gjetur.

    ‘Tatie, pasdite duhet të kthehesh në bibliotekë për të paguar.’

    ‘Sigurisht që po,’ thashë unë. ‘Do të shkojmë të dy. Më pas, bëjmë një shëtitje poshtë lumit e përgjatë molit.’

    ‘Le të kalojmë fillimisht nga rue de Seine dhe, përpara se të shkojmë në bibliotekë, t’iu hedhim një sy galerive dhe vitrinave të dyqaneve.’

    ‘Natyrisht. Mund të shkojmë ku të duam, mund edhe të ndalemi në ndonjë lokal të ri, ku as na njohin dhe as njohim njeri, thjesht për të pirë diçka.’

    ‘Mund të marrim edhe nga dy pije për secilin.’

    ‘Atëherë, mund të hamë edhe jashtë.’

    ‘Jo. Mos harro se na duhet ta paguajmë bibliotekën.’

    ‘Më vonë, do të kthehemi në shtëpi dhe do të hamë një vakt të lezetshëm duke pirë Beaune nga kooperativa që duket përmes dritares sonë, ashtu siç duket dhe vetë çmimi i pijes Beaune në vitrinë. Pastaj do lexojmë dhe do shtrihemi në shtrat për të bërë dashuri.’

    ‘Por kurrë nuk do të dashurojmë të tjerë përveç njeri-tjetrit.’

    ‘Jo, kurrë.’

    ‘Ç’ farë pasdite, ç’ farë mbrëmje fantastike! Mendoj se erdhi ora për të ngrënë drekë.’

    ‘Kam shumë uri,’ thashë unë. ‘Sot, në kafene, u mora me përgatitjen e një café crème.’

    ‘Përfundimi, Tatie?’

    ‘Besoj se shkoi mirë. Të paktën kështu shpresoj. Çfarë kemi për drekë?’

    ‘Repa të vogla, një pjatë të shijshme foie de veau me pure dhe një sallatë me radhiqe. Plus, byrek me mollë.’

    ‘Së shpejti, do të grumbullojmë të gjithë librat e botës me synimin për t’i lexuar dhe sa herë që të shkojmë në udhëtim, do t’i marrim me vete.’

    ‘A do të ishte e ndershme kjo?’

    ‘Patjetër.’

    ‘Po librat e Henry James-it, i disponon ajo?’

    ‘Sigurisht.’

    ‘Çudi,’ tha ajo. Sa me fat jemi që gjete atë vend.’

    ‘Ne jemi gjithmonë me fat,’ thashë unë si budalla pa prekur asnjë send druri. Dhe sende druri për t’i prekur kishte me kuintalë në apartamentin tonë.’

    Përktheu nga anglishtja: Aristidh Shqevi

    Oslo, 21.08.2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË