Nga Harold Bloom
Për Servantesin si njeri dimë shumë më tepër sesa për Shekspirin, por, me sa duket, kemi ende për të mësuar, sepse jeta e tij ishte e rrëmbyer, e mundimshme dhe heroike. Si dramaturg, Shekspiri përjetoi një sukses të stërmadh financiar dhe vdiq i kamur, me ambicie shoqërore (sikundër qenë) të përmbushura. Me gjithë popullaritetin e Don Kishotit, Servantesi nuk gëzoi frytet e së drejtës së autorit dhe s’pati fat me pajtorët. Kishte disa ambicie realiste, përmbushja e të cilave zor se mund t’i siguronte mëngojën. Si dramaturg qe një dështak. Nuk ishte i darovitur me dhuntinë poetike; Don Kishtoti po, ishte dhuntia e tij. Bashkëkohës i Shekspirit (vdiqën, sikundër thuhet, në një ditë), ai ka të përbashkët me Shekspirin universalitetin e gjenisë së tij dhe në Kanonin Perëndimor është i vetmi që mund të përqaset me të dhe Danten.
Ka nga ata që e shprishin këtë radhë dhe që mëtojnë se këtë treshe e përbëjnë Servantesi, Shekspiri e Montenji, meqenëse që të tre janë shkrimtarë të urtë; nuk ka një të katërt kaq me mend, kaq të mirë, pos Molierit që, në njëfarë kuptimi, është Montenji i rilindur, por në një zhanër tjetër. Sipas mendimit të ndoca të tjerëve, vetëm Servantesi dhe Shekspiri qëndrojnë në majën më të epërme; ata nuk mund t’i kalosh, sepse janë gjithmonë përpara.
I gjendur përballë fuqisë së Don Kishotit, lexuesi në asnjë rast nuk picërrohet, ai vetëm sa madhohet. Kjo nuk ndodh gjithmonë me leximin e Dantes, Miltonit apo të Xhonatan Suiftit, Përralla e fuçisë e të cilit më ka prekur gjithnjë si proza më e mirë në anglisht, pas prozës së Shekspirit. Nuk ndodh as me leximin e Kafkës, shkrimtarit qendror të kaosit tonë. Shekspiri është sërish i ngjashmi më i afërt i tij; këtë pohim e mbështesim në kapacitetin e pafundmë të dramaturgut për çinteresimin. Ndonëse Servantesi nuk lë gjë pa bërë për t’u dukur katolik i devotshëm, ne, megjithatë, nuk e lexojmë Don Kishotin si një vepër të përshpirtshme. Me gjasë, Servantesi ishte një i Krishterë i Vjetër dhe jo një i konvertuar rishtazi a, sikundër quheshin, një i Krishterë i Ri, ndonëse nuk mund të jemi krejt të sigurt për origjinën e tij, ashtu siç nuk mund të marrim saktësisht me mend qëndrimet e tij. Të përshkruash ironitë e Servantesit është një gjë fare e pamundur; të mos i vëresh ato, gjithaq e pamundur.
Ndonëse kishte luftuar heroikisht (ai humbi përgjithnjë aftësinë e përdorimit të dorës së majtë në betejën e madhe detare të Lepantos kundër turqve), Servantesi duhet të bënte sytë katër e të ruhej si nga Kundërreformacioni, ashtu edhe nga Inkuizicioni. Trajtat e ndryshme që merr marrëzia e Kishotit i siguruan, si personazhit ashtu dhe Servantesit vetë, një lloj patente marrëzie, pak a shumë si Lolos te Mbreti Lir, vepër kjo që u vu në skenë në po atë kohë kur u botua edhe pjesa e parë e Don Kishotit.
S’ka dyshim që Servantesi ishte dishepull i Erazmit, humanistit holandez, shkrimet mbi brendësinë e krishterë të të cilit grishën gjerësisht të konvertuarit, të ngecur midis një judaizmi të cilin patën qenë të shtrënguar ta braktisnin dhe një sistemi të krishterë që i katandiste në qytetarë të dorës së dytë. Familja stërgjyshore e Servantesit ishte e mbushur me mjekë, profesion ky mjaft popullor në mesin e hebrenjve të Spanjës, përpara dëbimeve e konvertimeve të detyrueshme të 1492-it. Duket se edhe një shekull më vonë Servantesi u druhet ende përndjekjeve finoke të atij viti të tmerrshëm që u shkaktoi aq shumë andralla hebrenjve e maorëve, si dhe mbrothësisë ekonomike të Spanjës.
Duket sikur nuk ekzistojnë dy njerëz që të lexojnë të njëjtin Don Kishot dhe kritikët më të shquar nuk kanë mundur të pajtohen për shumicën e tipareve thelbësore të librit. Erih Auerbahu mendonte se libri ishte i pashoq për sa i përket pasqyrimit të realitetit të përditshëm si një gëzim i vazhdueshëm. Megjithatë, as tani që sapo kam përfunduar së rilexuari Don Kishotin, nuk jam në gjendje të kuptoj atë që Auerbahu e quan “një gëzim universal, kaq kritik e joproblematik”.
Termat “simbolikë e tragjikë”, edhe kur përdoren për të kategorizuar marrëzinë e heroit, Auerbahut i dukeshin të pasaktë. Kundër këtij mëtimi vë më të mprehtin e më kishotianin ndër kritikë, njeriun bask të letrave, Migel de Unamuno, “ndijimi tragjik i jetës” së të cilit mbështetej në marrëdhënien e tij të ngushtë me kryeveprën e Servantesit, që të zëvendësonte Biblën si një Shkronjë autentike spanjolle. “Ynzot Don Kishoti” e quante Unamunoja, një kafkian përpara Kafkës, ngaqë marrëzia e tij rrjedh nga besimi në atë që Kafka do ta kishte quajtur “pashkatërrueshmëri”. Kalorësi i Fytyrës së Vrerosur i Unamunos është një kërkues i shëlbimit, marrëzia e vetme e të cilit është kryqëzata kundër vdekjes: “E madhe qe marrëzia e Don Kishotit, ishte e madhe, sepse e tillë qe edhe rrënja që e ushqeu: dëshira e pashuar për të mbijetuar, burimi i shumicës së marrëzive më të mëdha, si dhe i pjesës dërrmuese të akteve heroike.”
Nga ky këndvështrim, marrëzia e Donit është refuzim i atij që Frojdi quante “testim i realitetit”, apo parim i realitetit. Kur Don Kishoti bën miq me domosdoshmërinë e vdekjes, ai vdes edhe vetë, duke iu kundërvënë kësisoj një krishterimi të konceptuar si kult i vdekjes – dhe jo vetëm nga Unamunoja midis vizionarëve spanjollë. Për Unamunon, gëzimi i librit i përket vetëm Sanço Pançës, që e shfajëson daimon-in e tij, Don Kishotin, dhe e ndjek me ëndje nëpër çdo mynxyrë. Ky lloj leximi bën fqinjëri me shëmbëlltyrën e jashtëzakonshme të Kafkës, “E vërteta mbi Sanço Pançën”, ku Sançoja përvetëson të gjitha romancat kalorësiake, ndërsa demoni i tij imagjinar, Doni, niset në kuturitë e veta si prijëtar i tij. Me sa duket, Kafka po e katandiste Don Kishotin në një shaka të stërzgjatur e, doemos, të vrerët çifute, dhe ky lexim është më bindës sesa leximi i Auerbahut si një gëzim i kulluar.
Ka të ngjarë që vetëm Hamleti të cytë interpretime aq të ndryshme sa Don Kishoti. Asnjëri prej nesh nuk mund ta dëlirë Hamletin prej interpretuesve të tij romantikë dhe Don Kishoti e ka frymëzuar shkollën romantike të kritikës, po aq sa edhe librat e esetë që i kundërvihen një idealizimi të tillë të protagonistit të Servantesit. Romantikët (ndër ta edhe unë) e kundrojnë Kishotin si hero, jo si të marrë, dhe nuk pranojnë ta lexojnë librin, para së gjithash, si satirë, madje shquajnë në vepër një qëndrim metafizik a vizionar, duke bërë kësisoj që ndikimi sevantinian mbi Mobi Dikun të duket fare i natyrshëm. Nga filozofi dhe kritiku gjerman Sheling, më 1802, e deri te komedia muzikore e Brodueit “Burri i la Mançës”, më 1966 ka vijuar ekzaltimi i pamundësisë së përmbushjes së ëndrrës. Ithtarët kryesorë të kësaj apoteoze të Don Kishotit janë romancierët: ndër admiruesit e tij të shumtë, do të zëmë ngoje Fildingun, Smoletin e Sternin në Angli, Gëten e Tomas Manin në Gjermani, Stendalin e Floberin në Francë, Melvilin e Mark Tuenin në Shtetet e Bashkuara dhe pothuajse të gjithë shkrimtarët hispano-amerikanë. Dostojevski, që mund të na duket si shkrimtari më pak servantian i mundshëm, ngulte këmbë se princi Mishkin tek Idioti ishte mbrujtur sipas shëmbëlltyrës së Don Kishotit. Meqenëse eksperimenti i jashtëzakonshëm i Servantesit është në zanafillë të romanit, që i kundërvihet rrëfimit pikaresk, përshpirtëria e kaq shumë romancierëve të mëvonshëm është fare e kuptueshme; por pasionet vigane që zgjon libri, veçanërisht te Stendali e Floberi, janë homazhe të jashtëzakonshme për arritjen e tij.
Unë vetë, kur lexoj Don Kishotin, prirem nga Unamunoja, sepse për mua thelbi i librit është zbulesa dhe kremtimi që ai i bën individualitetit heroik të Donit e të Sanços.
Unamunos, – me të padrejtë, – i pëlqente më shumë Doni sesa Servantesi, por në këtë pikë unë refuzoj t’i vete pas, sepse asnjë shkrimtar tjetër, veç Servantesit, nuk ka arritur të ndërtojë marrëdhënie më të ngushta me protagonistin e tij. Do të kishim dashur të dinim se ç’mendonte Shekspiri për Hamletin; dimë thuajse për së tepërmi se sa shumë Don Kishoti e prekte Servantesin, ndonëse, shpesh, të dhënat tona janë të tërthorta.
Servantesi shpiku rrugë të pafundme për të thyer rrëfimin, në mënyrë që historinë ta rrëfejë vetë lexuesi dhe jo autori i kujdesshëm. Magjistarët finokë e dashakëqij, që, me sa duket, punojnë pareshtur për të thyer madhërisht të paepurin Don Kishot, kanë marrë përsipër, po ashtu, të na shndërrojnë në lexues të pazakontë aktiv.
Doni lë të kuptohet se shtriganët ekzistojnë vërtet, ndërsa Servantesi i realizon ata konkretisht si përbërës vendimtarë të gjuhës së tij. Gjithçka shndërrohet me anë të magjisë: kjo është ankesa e përhershme kishotiane, veçse shtrigani i prapë është vetë Servantesi.
Personazhet e tij i kanë lexuar të gjitha historitë për shoqi-shoqin dhe shumica e pjesës së dytë të romanit merret me reagimin e tyre pasi kanë lexuar pjesën e parë. Lexuesi është mësuar me reagime më të stërholluara, edhe kur Don Kishoti refuzon, me kryeneçësi, të zërë mend, ndonëse refuzimi ka të bëjë më shumë me “marrëzinë” e tij, sesa me statusin imagjinar të romancave kalorësiake që e kanë marrosur. Doni dhe Servantesi evoluojnë së bashku drejt një lloji të ri të dialektikës letrare që shpall fuqinë dhe njëherësh, kotësinë e rrëfimit, në varësi të marrëdhënieve me ngjarjet reale. Ashtu siç i kupton Doni në pjesën e parë kufizimet e trillimit, kështu edhe Servantesi nis të krenohet për autorësinë, sidomos të lumturohet që ka trilluar Donin e Sançon.
Marrëdhënia e përzemërt, ndonëse shpesh zemërake, midis Kishotit e Sanços, përbën edhe madhështinë e librit, madje më tepër sesa shija me të cilën janë paraqitur realitetet natyrore e shoqërore. Ajo që e lidh Donin me shqytarin e tij, është pjesëmarrja e ndërsjellë në atë që quhet “rregulli i lojës”, ndërsa ndërsjelltësia e tyre është një dashuri noprane për shoqi-shoqin.
Nuk di të ketë në letërsinë perëndimore një tjetër miqësi që të mund të përqaset me të, me një fjalë, që të mbështetet kaq hijshëm si kjo në një kuvendim zbavitës. Angus Fleçeri te Ngjyrat e mendjes arrin të rrokë atmosferën e tyre: “Kishoti dhe Sançoja pikëtakohen në një lloj të caktuar frymëzimi, në harlisjen e kuvendimeve të tyre. Duke biseduar dhe shpesh, duke rrahur mendime me zjarr, ata zgjerojnë fushën e mendimeve të njëri-tjetrit. Nuk ka mendim që t’i shpëtojë kritikës së tjetrit. Falë mosmarrëveshjeve, përgjithësisht të njerëzishme, akoma e më të njerëzishme kur konflikti është edhe më i mprehtë, ata duarduarshëm shestojnë një shesh të lirë loje, ku mendimet mund të peshohen prej ne lexuesve.”
Nga kuvendimet e pafundme Kishot-Sanço, ai që më pëlqen më tepër gjendet në pjesën e dytë, kapitulli 28, ku kalorësi rivalizon me Sër Xhon Flastafin për dobinë e maturisë, si pjesa më e vyer e trimërisë. Për fat të keq, vendimi i tij nënkupton braktisjen e Sanços së shushatur në një fshat idhnakësh. Pas ndeshtrashës, i gjori Sanço ankohet se i dhemb i tërë trupi, por në këmbim merr nga kalorësi vetëm një palo ngushëllim:
“- Arsyeja e dhembjes, – tha Don Kishoti, – duhet kërkuar pa fjalë në hurin i cili, duke qenë i gjerë dhe i drejtë, ta përfshiu mirë tërë kurrizin ku ndodhen të vendosura tërë ato pjesë që të dhembin dhe sikur më e madhe të kish qenë përfshirja, më e madhe do kish qenë, të jesh i sigurt, edhe dhembja.
– Zotëria juaj më shpëtoi, për besë, nga një dyshim i madh dhe sa bukur e shkoqur m’i shpjegoi të gjitha, – tha Sançoja. – I mjeri unë, i mjeri, po kaq thellë e fshehur dhe mbuluar paskësh qenë ky shkaku i të dhemburave të mia, sa të ish nevoja të më thoni që më shemb atje ku më arrin huri e jo gjetkë?”
Përkthyer nga Petro Zheji
Prapa këtij kuvendimi fshihet e gjithë marrëdhënia e tyre që, nën sipërfaqe, gëzon familjaritetin e barazisë. Ne mund të pyesim se cila është figura më origjinale, veçse nuk duhet të harrojmë se figura që ata mbrujnë së bashku është shumë më origjinale se secila prej tyre e marrë veç e veç. Si një çift i dhembshur e gërnjar që janë, Sançon dhe Donin i lidh më shumë dashuria e ndërsjellë dhe respekti i vërtetë për njëri-tjetrin. Në më të mirën e tyre, ata janë shokë, në rregullin e lojës, një sferë kjo me rregullat dhe vizionin e saj të realitetit: Unamunoja është sërish kritiku i vyer servantinian, por teoricieni është Johan Huizinga me librin e tij të mprehtë Homo Ludens (1944), që vetëm sa e cek përkitazi Servantesin. Huizinga pohon se subjekti i tij, loja, duhet të ndahet, si nga komedia, ashtu edhe nga marrëzia: “Kategoria e komikes lidhet me marrëzinë në kuptimin më të epërm dhe më të ulët të fjalës. Sidoqoftë, loja nuk është aspak marrëzi. Ajo qëndron përtej antitezës së urtësisë dhe marrëzisë.”
Don Kishoti nuk është as i çmendur, as i marrë, por një njeri që luan rolin e një kalorësi të arratisur. Për ndryshim nga çmenduria dhe marrëzia, loja është një veprimtari e vullnetshme.
Loja, sipas Huizingës, ka katër tipare kryesore: lirinë, çinteresimin, përjashtimin a kufizimin dhe rregullin. Të gjitha këto cilësi mund t’i sprovoni mbi kalorësinë arratiake të Donit, por jo gjithnjë dhe mbi shërbimin besnik të Sanços, si shqytar, sepse Sançoja mëson t’i jepet lojës tërësisht. Doni e ngre veten në vendin dhe në kohën ideale dhe i qëndron besnik lirisë, çinteresimit, veçimit dhe caqeve të tij, gjersa, më në fund, epet, braktis lojën, i kthehet “urtësisë” së krishterë dhe, ndaj, vdes. Unamunoja thotë se Kishoti u vu në kërkim të atdheut të tij të njëmendtë, të cilin e gjeti në syrgjyn. Si gjithnjë, Unamunoja e kuptoi sërish se cili ishte thelbi i librit të madh. Doni, ashtu si hebrenjtë dhe maorët, është në mërgim, por në një mërgim të brendshëm, njëlloj si conversot e moriscot. Don Kishoti lë fshatin për të kërkuar në mërgim shtëpinë e tij të frymës, sepse vetëm në mërgim ai mund të jetë i lirë.
Përktheu Azem Qazimi
Fragment nga libërthi “Servantesi: Loja e botës”, Botimet Zenit.