More
    KreuIntervistaSebastien Gricourt: Njohja ime me gjuhën shqipe nga mosnjohja me Shqipërinë

    Sebastien Gricourt: Njohja ime me gjuhën shqipe nga mosnjohja me Shqipërinë

    Bisedoi Andreas Dushi

    Në takimin tonë, z. Gricourt, më befasoi theksi thuajse i përkryer i gjuhës shqipe. Cila është historia juaj e njohjes dhe mësimit të shqipes? Ka ardhur nga njohja me Shqipërinë, apo jo? Përballjen e parë me gjuhën shqipe, në një vend ku flitej shqipja, si e kujtoni?

    Faleminderit për komplimentin por në fund së fundit, meqë u hasa me gjuhën shqipe për herën e parë gjatë korrikut të vitit 1990 dhe mu në Kosovë (saktësisht në Fushë Kosovë duke ardhur përmes trenit prej Francës me dy shokë te tjerë), dhe meqë ky qëndrim i shkurtër dhe shumë prekës për djalin 20 vjeçar që isha e përcaktoi vullnetin tim ta mësoja gjuhën shqipe, besoj se nuk ka për t’u befasuar që ta flas. Sikur një mërgimtar që shkon në Francë, bie fjala, dhe që pas tre dekadave ende nuk flet frëngjisht… kjo për mua do të ishte më shumë e çuditshme. Ndërsa mendoj që kam edhe shumë për të mësuar, dhe nuk jam i sigurt që një jetë e tërë do të më mjaftojë, por me gjasë përkthimi letrar më jep mundësinë të përparoj.

    Sa për pyetjet tuaja, do të thoja që njohja ime me gjuhën shqipe erdhi në të kundërtën nga mosnjohja me Shqipërinë, nga padijenia ime (dhe të shokëve me të cilët erdha) për këtë vend atëherë ende i mbyllur kur Blloku i Lindjes u shemb duke i hapur ashtu një pjesë e madhe e Europës kureshtjes së brezit tim. Por përballja ime me gjuhën shqipe – si një aktivist i thjeshtë në qytetin tim të atëhershëm (Angers) në Komitetin për të Drejtat e Njeriut apo edhe në Amnesty International – ndodhi me përballimin tim me shtypjen e një populli të tërë prej regjimit të Serbisë. Çka pashë dhe dëgjova gjatë këtyre pesë ditëve (policia na përzuri pasi u afruam me kufirin e Shqipërisë ku plani ynë fillestar dhe naiv ishte që të hyjmë në çfarëdo mënyre në këtë vend të mistershëm…), pra çka kuptova për padrejtësitë që ndodhin në Kosovë më mjaftoi për të marrë një vendim i cili përcaktoi shumë zgjidhje të mëtutjeshme të jetës sime.

    Vitet që vijuan i kalova aq sa në Paris (për të mësuar gjuhën në INALCO) sa në Shqipëri ku jetova prej vjeshtës 1992 në një banesë të bllokut në Tiranë bashkë me një familje, dhe ashtu çdo vit nga një, tre, gjashtë a më shumë muaj sipas kursimeve të mia të nxjerra prej punëve të ndryshme që bëra në Francë (për shembull, fjalorin shqip e mësova vitin e parë duke punuar natën në një stacion benzine të periferisë së Parisit). Kariera ime e vertetë filloi në pranverë 1997 kur erdha si përkthyes në Komitetin ndërkombëtar të Kryqit të Kuq, organizatë me te cilën mbeta deri në vitin 2002 (dhe disa muaj shtesë më 2004).

    Jeta juaj është ndërmjet disa vendeve me kultura nga më të ndryshmet. Nga njëri cep i botës, Afrika, në tjetrin, praktikisht keni përqafuar të katër pikat e horizontit. Prej pikëpamjes së dikujt që si përkthyes, ndërton ura për komunikimin mes kulturave, si mund ta rrëfeni përjetimin e një jete kaq intensive?

    Mbas së pari, mendoj që jam larg të kem përqafuar kaq shumë pika të horizontit, por besoj që këto i kam parë mjaft për të kuptuar që në fund të rrugës s’ka më mirë se shtëpia e vet apo vendi i vet, dhe besoj që ky mësim vlen për çdo mërgimtar shqiptar. Çështja ime qëndroi se për një kohë shumë të gjatë nuk e pata të qartë ku (mund të) ishte shtëpia ime, por kjo është jashtë bisedës sonë dhe sot shoh më qartë paradoksalisht falë një martese të largët para 16 vjetëve…

    Tash, për të kthyer pyetjes suaj do të thoja që sa më larg rrethanat profesionale dhe private më çuan (gjatë dhjetëveçarit 2010 veçanërisht), sa më mirë kuptova që nuk mund të shkëputja prej dy dekadave jete që kalova më herët në rajonin e Balkanit, dhe në veçanti nëpër treva shqiptare. Largimin e përjetova jo si një mungesë – sepse me gjithë propozimet profesionale që pata me qëllim u largova për të sfiduar veten – por e përjetova duke u bërë prapë një i paditur në vendin ku gjendesha (atëherë më 2010/11 ishte fjala për Afganistanin)… Edhe nëse nuk mungonin format e komunikimit, kryesisht përmes gjuhës angkeze, e vërteta është që komunikimi dhe marrëdhënie njerëzore tingëllonin artificiale sa për të mbuluar boshllëkun e një mundësie për një perjetim të mirëfilltë të njohjes së tjetrit, dhe boshllëkun e njohjes apo te kuptimit të kulturës së njëri-tjetrit.

    Pra kjo përvojë si do të tjerë që vijuan më afruan me kalimin e viteve me bindjen që koha po vinte kur më duhej të merrja pjesë në përpjekjet e ndërtimit të urave të komunikimit. Dhe rrjedhimisht, për të vepruar me më shumë efektueshmëri e kisha vetëm gjuhën shqipe…       

    Walter Benjamin, nëse nuk gaboj, tek flet për kompleksitetin e gjuhës, e quan edhe si një mjet politik. Jeta juaj mes  filologjisë dhe politikës, si e sheh këtë çështje?

    Me sa duket, së vonshmi, përkthimi i fjalëve të Kryetarit të vendit tim në Tiranë treguan që ndërlikueshmëria e gjuhës mund të bëhet edhe pa dashje një mjet politik…

    Por me gjithë mend, përvoja ime e paktë në mjediset politike – këtu le të theksojmë që punova dhjetë vjet në selinë e Partisë socialiste në Francë – më treguan përfundimisht që nuk ka drejtues ose drejtuese politike dhe qeveritare të vërtetë pa njohuri të thella letrare, historike dhe filozofike. Në këtë kuptim, vendi i gjuhës është qëndror për shembull për të nxjerrë mësimet e historisë dhe për të shtjelluar një vizion të kuptueshëm nga të gjithë mbi të ardhmen, për të shpjeguar dhe arsyetuar veprimet dhe drejtimet, për të paraqitur jashtë qëillimet dhe përparësitë e vendit tënd, etj.

    Le të marrim një shembull të kuptueshëm prej të gjithëve në Kosovë për lidhjen mes filologjisë dhe politikës. Kur para një dekade u pranua të futej në fjalorin shqip fjalën “asociacion” (pa i shkruar bile “asosiasion” siç do të duhej sipas rregullave fonetike, ndërsa që nuk pati ndonjë këmbëngulje për të zëvendësuar këtë fjalë me “shoqatën” për shembull), pra pa i dhënë paraprakisht në mënyrë të bindshme ndonjë kuptim dhe përmbajtje të qartë për të caktuar synimin dhe kufizimet e kësaj, atëherë nuk është për t’u habitur që çështja u zvarrit dhe u trashëgua për t’u zgjidhur nga ata vetë që kishin paralajmëruar prej fillimit për përmbajtjen e mangët… Kërkoj falje se më duket që këtu dola nga korniza e natyrës së intervistës, apo jo?           

    Ju jetoni përsëri në Kosovë që dy vjet ku tanimë jeni dhe këshilltar për çështjet europjane në Zyrën e Kryeministrit, saktësisht pranë Zëvendës Kryeministrit. Ndërkohë, i përkushtoheni jo pak përkthimit të letërsisë shqipe në gjuhën frënge. Si e ndani kohën…? Më mirë, si mund ta përshkruani një ditë tuajën?

    Me të vërtetë, në krahasim me vitet e përparshme që kalova në Shqipëri si në Kosovë dhe kudoqoftë tjetër në rajon, këtë qëndrim tashmë dy vjeçarë në Prishtinë e përjetoj shumë ndryshe. Ndoshta kjo vjen nga mosha më e pjekur dhe nga përvojat që s’kanë nevojë të përsëriten… kështu që më parapëlqen sot më shumë një jetë të qetë dhe të balancuar ku dita ndahet mirë mes kohës së punës dhe asaj private, edhe nëse shpesh e para e kap të dytën meqë politika dhe punët shtetërore rrallë lejojnë dallimin. Megjithatë, synoj t’i përkushtoj përkthimin dhe shkrimin sa më shumë mbrëmjeve dhe një pjesë të fundjavëve, dhe kjo e bëj sipas dëshirës sime të momentit dhe një rradhitje që varet kryesisht nga afatet e mundshme që dalin prej premtimeve për botim.   

    Në një farë mënyre, ky përkushtim ka një lidhje me atë që thamë më lartë me domosdoshmëritë për urat e komunikimit… Veç se aty do të shtoja që ndiej brenda vetvetes një nevojë të veçantë për të kapur një farë vonese të grumbullar gjatë atyre viteve të mëparshme kur, për shkak të dinamikave të ndryshme lidhur me rrethanat dhe jetën të atyre koherave, nuk e dhashë vëmendjen e mjaftueshme veprimtarisë letrare dhe kulturore në përgjithësi, siç pata bërë gjatë pjesës së parë të viteve 90 (përfshirë përkthimit të tre romaneve në një lloj ushtrimi që ia imponova vetes dhe pa synuar ndonjë botim).

    Nga ana tjetër, gjej në përkthim një kënaqësi të veçantë në shumëllojshmërinë e teksteve, me të cilat merrem sipas dëshirës së çastit dhe shkallës së urgjencave për të përfunduar punën. Pra, e kuptuat që përkthimin nuk e bëj as për para as nën ndonjë trysni të padëshiruar, por për qejf dhe vetëm në bazë të vetëdëshirës, të miqësisë që mund të kem me ndonjë shkrimtar a shkrimtare apo të natyrës së përmbajtjes së veprave në fjalë.

    Kjo qasje ka të bëjë me lirinë e së vepruarit të cilën mendoj që më përkufizon më së shumti prej kohës së adoleshencës. Sigurisht se kjo vlen prej kohës kur vendosa ta mësoja shqipen pa asnjë plan tjetër përveç atij të kërkesës që çdo njeri ka të drejtë të përcaktojë jetën e vet si individ. Sipas meje, emancipimi i çdo njeriu dhe prej fëmijërisë do të duhej të ishte një qëllim thelbësor i çdo shoqërie të shëndoshë pa imponimin e ndonjë kornize të ngushtë dhe të pushtueshme shoqërore (si patriakarlizmi për shembull), autoritare  dhe fetare.     

    Pasi mbaron një përkthim, cilat janë sfidat me të cilat përballeni? Sa e lehtë apo e vështirë është gjetja e një botuesi, reklamimi etj., i një shkrimtari shqiptar në Francë?

    Kur mbaroj nje përkthim, pason një çlodhje të shkurtër por e kënaqshme… sepse e di mirë që nuk morri fund puna meqë, pikërisht, dhe përveç rileximit që bëj vetë para një bisede shtesë për tekstin me autorin, mbeten përgatitja e një paraqitjeje të veprës dhe hulumtimi disa muajsh të një shtëpie botuese. Edhe nëse sot shumë prej këtyre i pranojnë dërgimet përmes internetit ka edhe shumë të tjera që kërkojnë ende dërgimin me postë. Pastaj ato kanë zakonisht tre muaj për të përgjigjur, ndërsa rrallë prej atyre përgjigjen, gjë që barazohet me një përgjigje negative gjithsesi.

    Sa më takon mua, pasi i botova përmes tre shtëpive botuese që nga 2018 (përveç një tregim gjatë viteve 90 të mikut Bajram Sefaj) tre romane dhe një përmbledhje tekstesh teatroje (por edhe më herët një libër për Kosovën të botuar edhe shqip te Koha), kam filluar të fitoj një emër si përkthyes (edhe dy çmime me tragji-komeditë e mikut tjetër Jeton Neziraj), por as këto as cilësia e tekstit të paraqitur mjaftojnë për të depërtuar nëpër shtëpi botuese me rrezatim më të gjerë. Mjedisi i botimit letrar, në veçanti shtëpitë më të famshme, i ka veçoritë e saja tregtare të cilat e zvogëlojnë rrezikun e botimit të një autori të panjohur… Për të arritur më lehtë te sigurimi i botimit, më duket se, në vend që të lihen nismat shtëpive ose autorëve të ndryshëm, do të duhej një veprim politik më të theksuar për promovimin dhe vlerësimin e librit nga ana e Qeverive, brenda si jashtë vendit (me një përkushtim të veçantë për panairat e librave ku krijohen lidhjet mes botuesve). Me sa kuptova nga një takim të vonshëm, dhe më vjen mirë, Qeveria e Kosovës është duke rritur vëmendjen ndaj kësaj çështjeje.   

    Me Kadarenë, natyrshëm, mund të fillonte një marrëdhënie e qendrueshme mes letërsisë shqipe dhe kulturës franceze, por kjo nuk ndodhi. Fenomeni Kadare në Francë mbeti i veçuar, pa të dytë, paçka se pas ’90 të tjerë shkrimtarë si Mira Meksi, Besnik Mustafaj e ndonjë tjetër u përkthyen dhe botuan në atë gjuhë… Gjithsesi, pse mendoni se ndodhi kjo? Pse interesi i francezëve për Kadarenë nuk u pasua me një interes më të përgjithshëm për letërsinë shqipe në gjithë dimensionet e saj?

    Pa dyshim që dukuria Kadare e ka ngritur emrin e Shqipërisë në altarin më të lartë të letersisë botërore, dhe si rrjedojë, kërkohet një cilësi aq e lartë, dhe kjo ngjason me kërkesën e pa thënë por që nënkupton pyetjen: “Kush do ta zëvendësojë Kadarenë?”… Mendoj që është një gabim i madh dhe që kjo ndikohet më shumë nga qëllime tregtare. Megjithatë, përveç emrave që përmendët, besoj se autoret si Fatos Kongolli për disa vjet rresht si edhe sot Ylljet Aliçka në vazhdimin e sipër depërtuan mjaft gjithashtu, ndërsa më kujtohet gjatë viteve 90 romanin e madh të Rexhep Qosjes (Vdekja më vjen prej syve të tillë), por ka edhe shumë të tjerë (dhe mes atyre më vjen mirë që më 2018 i dhashë mikut Eqrem Bashës një mundësi për një botim të dytë të një vepre të tij pas njëzet vjetëve).

    Por ndoshta një element shpjegon kushtet për një interes më të përgjithshëm. Kur lexuesi (i cili bile rrallësohet nëpër botë) lexon autorin e ndonjë vendi, shpesh e bën sepse ka një kureshtje të veçantë për këtë vend për hir të ndonjë lidhjeje a përvoje vetore. Pra, ai ose ajo dëshiron të lexojë një përmbajtje që shpjegon diçka prej së kaluarës dhe më shumë për kohën bashkohore. Ndonjë tregim me përmbajtjen universale që do të shkëputej prej kontekstit vendor për shembull do të ishte pa interes për lexuesin mesatar, edhe nëse kjo letërsi mund të cilësohet me përmasë botërore.

    Gjithsesi, mbetem optimist që me rritjen e vizitave turistike dhe të shkëmbimeve kulturore dhe ekonomike me Shqipërinë dhe me Kosovën, interesi po rritet për rajonin shqipfolës në përgjithsesi. Prandaj po ritheksoj aty nevojën e politikave të librave nga ana e qeverive për të anticipuar dhe për të përcjellë këtë rritje vëmendjeje. Ato mund të mbështesin më shumë pas mekanizmave të ndryshme europjanë që promovojnë shumëllojshmërinë gjuhësore, bile frankofonia është gjithashtu një mekanizëm institucional tjetër që e ka këtë qëllim.

    Ju ishit në Kosovë edhe para lufte, edhe gjatë saj, edhe tani, pasi ajo ka mbaruar. Nuk e di sa mundësi keni pasur në dy rastet e para të merreni, lexoni apo studioni letërsinë e shkruar atje, por nëse po, sikur ta krahasoni me atë që shkruhet sot, çfarë ndryshimesh vini re?

    Pyetje me vend dhe vështirë të përgjigjem shkurt për një arsye të thjeshtë: sikur i kam jetuar disa periudha mjaft të ndryshme gjatë të cilave leximi i letërsisë shqipe pati disa shkallë dendushmërie, prej lartë deri poshtë… Sa për studimin e letërsisë le te them troç, nuk ndihem fare si një studjues i tillë, sikur ju për shembull, dhe besoj që kjo kuptohet qartë nëpër përgjigje të mia.

    Gjatë pjesës së parë të viteve 90, lexova shumë dhe sa më shumë, prej më së mirës te më e keqja, gjithmonë për hir të kureshtjes edhe të mjeshtrimit të gjuhës. Prej vitit 1997, për shkak të ngjarjeve tragjike dhe të konflikteve që përfshihën trevat shqiptare deri në 2001, nuk pata kohë për të lexuar letërsinë. Më ka dashur viti 2002 kur u vendosa privatisht në Tiranë për t’u kthyer ngadalë asaj. Mbas andej përsëri isha shumë i zënë me detyrat e ndryshme lidhur me proceset që prekën Kosovën dhe rajonin. Por për t’u kthyer te nevoja e mbushjes së vonesave që përmenda më lartë, mund të them që tek unë u rrit dukshëm leximi shqip këto dhjetë vjet e fundit. Por mos mendoni që e kisha lënë krejt leximin vitet e mëhershme, përkundrazi, e kam një dobësi të vjetër për letërsinë në frëngjisht të autorëve të Amerikës latine…

    Sa për ndryshimet mes fillimit të viteve 90 me ato të sotme, mund të them vetëm që, natyrshëm, përmbajtja pasqyron kohën sa u takon tematikave. Megjithatë, vë re një vazhdimësi kur ende sot në Shqipëri shkruhet për kohën e diktaturës komuniste, ndërsa të mos harrojmë që edhe gjatë asaj kohe fshehurazi shkrimtarët patën qasje klasikave dhe letërsisë moderne prej të cilave u frymëzuan sipas talenteve të tyre. Në atë kohë të viteve 90 shumë më pak lexova letërsinë shqip të Kosovës, por sa më përket mua më duket e dobishme që të sillen publikut në frëngjisht tekste të mëdhaja që pasqyrojnë dhjetëvjeçarët e fundit të shekullit të kaluar, sepse ashtu mund të kuptohet më mirë pse Kosova s’kishte rrugë tjetër përveç pavarësimit të vet… Pra, e kuptoni këtu që njëra e nxitjeve të mia që më shtyjnë në përkthim është gjithashtu natyra e mesazheve politike që mund të ngarkosh në këtë urë komunikimi të sipërmendur…        

    Po letërsinë shqipe në përgjithësi, sot, si e shihni, në raport me vetveten dhe me atë ndërkombëtaren?

    Mendoj se mënyra siç e shpreha nëpër përgjigjet e mia letërsia shqipe nuk ka asnjë arsye që të ketë ndonjë kompleks në krahasim me letersinë ndërkombëtare. Siç e lashë të kuptoja, depërtimi dhe suksesi i saj varen edhe shumë nga faktorët e tjerë jashtë cilësisë së letërsisë në fjalë. Si e tillë, shkrimtarë dhe shkrime të mëdhenj mund të mbesim përgjithmonë vetëm në një gjuhë, sikur ka edhe shkrime më pak cilësore që megjithatë gjetën një rrugë jashtë…

    Me një fjalë, nuk jam aq i prekur nga raporti i letërsisë shqipe me vetveten apo me atë ndërkombëtare sa jam tejet i shqetësuar nga ulja botërore e lexuesve dhe nga rritja e përdorimit të inteligjencës artificiale e cila tash pretendon të merret me krijimtarinë letrare… Prej asaj do të duhet të ruhemi dhe të kemi, si shkrimtarë si përkthyes por edhe si çdo aktor tjetër të arteve krijuese… sepse nëse vazhdohet ashtu nuk di më çfarë domethënie do të ketë në të ardhme kërkesa e emancipimit të njeriut, pra çfarë kuptim do të ketë thjeshtë ideali i lirisë…     

    Dhe në fund, si përherë, një pyetje jo shumë e këndshme, bezdisëse zakonisht dhe tepër e zakonshme, por e pashmangshme: Planet tuaja afatmesme dhe afatgjata në lidhje me përkthimin, cilat janë? Po punoni me diçka? Keni dërguar ndonjë përkthim për botim?

    Planet janë të shumta, dhe ndoshta mund të them në radhë përparësish se : 1) këto ditë jam duke u marrë me rileximin e librit të Enver Dugollit për masakrën në burgun e Dubravës “Qark i (pa) mbyllur burgjesh” në bazë të redaktimit të botuesit, sepse shpresojmë ta botojmë pas një muaji para panairit të librave të Balkanit në Paris më dhjetor, 2) menjëherë pas atij rilexim merrem me “Një fije shprese, një fije shkrepëse” para se të takohem këtë muaj me shkrimtarin Ag Apoloni, 3) e mbaroj gjithashtu para fundit të vitit përkthimin e “Bisedë përmes hekurash” të shkëmbimeve letrash mes Ismail Kadares dhe Ukshin Hotit (sepse botuesi i njëjtë për librin e Enver Dugollit ma siguroi vitin e ardhshëm botimin e këtij libri të dytë para 25 vjetorit të zhdukjes së këtij personaliteti të madh), 4) vazhdoj përkthimin e një romani të dytë, “Justina”, të shkrimtarit dhe studjuesit Luan Rama meqë kemi edhe një botim të premtuar, 5) vazhdoj gjithashtu përkthimin e romanit “Liria ime” të Mehmet Krajës për të cilin ia nisa, me një të tretë të përkthyer por pa sukses deri tani, hulumtimin për një botues, 6) kam edhe dy romane të tjerë që do të nisem prej janarit sepse edhe për këto ka premtime për botim pra edhe afate, por këtu i mbaj ende të fshehur veprat në fjalë, por mund të them që miku im i vjetër Zija Çela është përsëri mes atyre pas botimit në frëngjisht të “Djalli komik”, 7) mu më 24 mars, si një rastësi kohore e qëlluar bukur, do të dalë vëllimin e dy veprave të Jeton Nezirajt “Handke Project” dhe “Kthimi i Karl Majit”, dhe kushedi ndoshta do të merremi vesh për tekstin “Negotiating peace” i cili sigurisht më prek gjithashtu si temë, 8) është paraparë edhe një botim në Kosovë dhe në dy gjuhë të tregimeve të shkurtra të Nerimane Kamberit, 9)… mjaft ide të tjera… dhe besoj se tash për tash mjafton.

    Faleminderit shumë për rastin që më dhatë pas bisedës së këndshme që patëm para disa javësh në Tiranë, ndërsa ju uroj juve edhe vazhdimësi, mbarësi dhe sukses në krijimtarinë tuaj letrare.   

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË