More
    KreuLetërsiBotime të rejaRidvan Dibra: Si bashkëjetova me Madalenën

    Ridvan Dibra: Si bashkëjetova me Madalenën

    Dashuritë e virgjëreshës Madalenë…me një titull mistik, që jo të gjithë mund ta lidhin me një realitet, me jetë shqiptare, e për me tepër me një autor që vendos vetveten në rrëfimin e parë, sikur të ishte “vajzë”. Si erdhi ky roman?
    Po, titulli josh e provokon. Edhe pse nuk ka qenë ky synimi im. Të paktën, jo në titull. Si të lexohet romani, do shihni se titulli i veprës nuk ka domethënie mistike a biblike. Thjesht është ruajtur titulli i “burimit” të këtij romani, domethënë i monodramës së quajtur “Dashuritë e virgjëreshës Madalenë”. Pra, siç e kam thënë edhe njëherë tjetër, ky roman është mbështetur mbi një monodramë timen të hershme, por me ndryshime thelbësore në strukturë e në përmbajtje. Për t’ju përgjigjur pyetjes suaj, do të thosha se ky roman erdhi si një nevojë e imja për ta “rishkruar”, përpunuar e plotësuar monodramën e dikurshme, duke mos qenë krejt i kënaqur me të. Ndjesi që e provoj me çdo vepër timen.

    Historia juaj lidhet, siç e thoni, me absurditetin e shoqërisë, sa e panjohur është një moshë aq delikate si adoleshenca. Pse e vutë vetveten, rrëfimin në vetën e parë, mendoj se nuk ka qenë aspak e lehtë për ju?. Rrallë shkrimtarë e bëjnë këtë të ndërtojnë “Lolitën”… A është sipas jush Madalena një Lolitë?
    Po, keni të drejtë, ka jo pak absurd në vepër. Siç ka, mendoj unë, edhe shumë realizëm. Ndër tri etapat e jetës së Madalenës të përshkruara në roman, ajo e adoleshencës paraqitet më problematikja. Problematike jo vetëm për Madalenën, por dhe për krijuesin e saj, domethënë për autorin, për mua. Sa ia kam dalë ta japë “realisht” një mister të tillë si adoleshenca? Nuk e di. Do ta gjykojnë të tjerët. Kurse rrëfimi në vetën e parë kushtëzohej pikërisht nga “burimi” i romanit, domethënë nga monodrama. Natyrisht që një formë e tillë rrëfimi, kur rrëfyesi duhej të “ndërronte gjini” paraqiste jo pak vështirësi e probleme… Uroj t’ia kem dalë. A është Madalena një Lolitë? Jo, jo, Madalena është diçka tjetër, mendoj unë. Bile, herë – herë më duket si antipod i saj. Edhe pse lexuesi mund të ndërtojë analogji mes këtyre dy karaktereve, unë mendoj se Madalena është thjesht një Madalenë.

    Çfarë ju ka shqetësuar më shumë në procesin e shkrimit të romanit, sa kohë ju ka marrë?
    Ajo që më ka shqetësuar gjithnjë te romanet e mi: puna me gjuhën, me fjalën e frazën. Por jo pak edhe me strukturën e veprës. Kurse koha, sidomos me këtë roman, vështirë të përcaktohet. Kam filluar të mendoj për këtë vepër që para 5-6 vitesh, kur ndihesha jo krejt i kënaqur me monodramën time. Domethënë, ka 5-6 vjet që bashkëjetoj me Madalenën. Kurse procesi i shkrimit të romanit ka zgjatur mbi një vit.

    Ju vendosni vetveten, shkrimtarin në sfond..si një i vëzhguar, me të cilin flirtohet..A ka ndikuar në këtë kontekst, edhe përvoja juaj si pedagog për ta diagnostikuar fenomenin?
    Pa dyshim! Them se pa këtë përvojë vështirë të finalizohej ky roman.

    Pesë vajza, në tre faza të jetës. Një dialog që tregon denatyrizimin e shoqërisë. Siç mund të mendojë edhe lexuesi, a është jeta, dhe fati i femrës shqiptare apo i femrës në përgjithësi?
    Siç mund ta keni vënë re gjatë leximit, në roman mungojnë referenca hapësinore (kombëtare, lokale) e kohore. Me një zgjedhje të tillë ndoshta kam dashur të them se problemet e trajtuara në vepër, domethënë ato të femrës, nuk janë thjesht tonat, porse dukuri, “sëmundje” globale tashmë. Ndoshta tepër ambicioz një synim i tillë. Porse pa ambicie nuk ka krijim.

    Në roman lexuesi do të ndeshet me momente provokuese, gjendje jo të zakonshme për çfarë mendojnë adoleshentet, e sidomos femra. Një fabul që duhet medoemos të shkelë nëpër shkolla si problemtikë, shqetësim dhe mendësi. Sa jeni përgatitur ta përballni librin tuaj me lexuesin, e sidomos atë adoleshent?
    Po, është vepra ime më provokuese. Në rrafshin e fabulës e kam fjalën. Edhe pse, sipas mënyrës sime, kam “provokuar” dhe në romanet e mi të mëparshëm. Por provokimi me një vepër letrare nuk ka qenë e nuk është synimi im kryesor. Ai, domethënë provokimi, vlen si tërheqje vëmendjeje, si “grackë” për lexuesin i cili, më pas, duhet të përballet me të gjitha problematikat e një teksti, që unë e gjykoj serioz. Kurse përballja e librit me lexuesin, qoftë ai edhe adoleshent, veçse do më gëzonte. Mjerim për një shkrimtar do të ishte indiferenca dhe shpërfillja nga lexuesi; për lexues seriozë e kam fjalën.

    Ju jeni në këto ditë të panairit, në Francë në një takim letrar, ku prezantohet në gjuhën frënge romani juaj, Legjenda e vetmisë…Pse merr rëndësi, për ju personalisht, kjo njohje?
    Në fakt, do të jem aty për një takim letrar së bashku me tre kolegë shqiptarë. Kurse prezantimi i “Legjendës së vetmisë” në gjuhën frënge u bë para pak kohësh në Paris dhe unë, domethënë autori, nuk isha i pranishëm. Natyrisht që një përkthim në gjuhë të huaj, aq më tepër në frëngjisht, është fakt i bukur dhe emocionues për një shkrimtar. Dhe unë me emocione e kam përjetuar. Por jo aq sa për t’i kaluar në rend të dytë lexuesit e mi shqiptarë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË