“Si mund t’i lija pa folë…”, vëllim me tregime e novelë nga Adem Istrefi
Ndihmesa e poetëve në begatimin e tregimit është dukuri e dobishme, sepse poetët, kur e shtrijnë vargun e shkruajnë prozë, duan s’duan, s’mund të dalin fare nga “lëkura” e tyre edhe pse mundohen që të njohin e zbatojnë ligjësitë e prozës. Kësisoj farat e poezisë sikur ia këndellin gjenetikën prozës dhe ia pasurojnë ngjyrat stofit të saj.
Etikë shqiptare në rrjedhën e kohës
Sa futesh në shtjellën e rrëfimeve të këtij libri, harron se je duke lexuar një përmbledhje tregimesh, po sikur po lexon një roman-mozaik. Autori të fut në botën e trevave veriore, të flet me gjuhën e gjallë të popullit, për dëshirat e për ndjenjat, për virtytet e mençurinë, për mendësinë e tij. Ato i përkasin një kohe që është e shkuar aq dhe e sotme ose më mire që është vazhdimësi e asaj që kemi përjetuar, po që mbresat e gjurmët e saj bashkëjetojnë ende me ne.
“Eh, sikur të vinte ajo ditë” është titulli i tregimit që hap librin, po njëherësh edhe njëpasthirrmë që mban gjallë besimin e patundur e shpresën shekullore. Një prozë e ndezur në afsh atdhedashurie e lirie. Fryma legjendare e këtij tregimi ka brenda elemente romantike e realiste, lirike e tragjike, metaforike e simbolike. Fitorja morale e shpirtëroree komitit Sadri Shala, e këtij kreshniku të ri historik, që endet prej vitesh me pushkë krahut dhe lufton kundër ushtarëve të kralit për nder e drejtësi, është triumfi i vetë popullit që, i vetëdijshëm për pavdekësinë e vet, nuk tutet përpara kurrkujt e kurrgjëje dhe nuk ngurron të japë dhe gjënë më të shtrenjtë: jetën. Atdhedashuria shfaqet në forma më të ndryshme, po te cilido shqiptar i vërtetë kjo kryendjenjë është e pandarë nga shpirti i tij liridashës, cili bulon e mugullon në çdo mal e fushë, fshat e qytet, në çdo sistem politik e organizim shoqëror. Prandaj monologu i Sadri Shalës tingëllon si kënga e vendosmërisë dhe e qëndresës tejkohore: “Ç’ka lypin ata (të huajt) në trojet e mia? Unë s’luaj prej këtuhit. Këmbën s’e luaj. Në sa luajnë këto bjeshkë prej këtij vendi, aq luaj edhe unë…”. Prandaj fjalët e kaçakut tjetër Bajrush Zeka (te novela “Njeriu që më vdiq para sysh”) sintetizojnë qëllimin e moton e luftëtarëve kryengritës: “… ne s’kishim dalë kaçakë për të fituar gjë për vete, po veç për një kafshatë bukë e dy kokrra kripë që t’i hanim në shtëpinë tonë, pa frikë e pa gjakatar mbi krye, për një rriskë diell”.
Temat që kanë në qendër problemet etiko-morale zënë një vend të gjerë në këtë libër. Besnikëria e tradhtia, trimëria e frika, bujaria dhe egoizmi, modestia e mendjemadhësia etj., janë gur prove, ku autori verifikon e mat shkallën e ndërgjegjes së personazheve kryesorë ose episodikë. Me anë të krijimit të çifteve antietike, vihen përballë karaktere, koncepte, sjellje e qëndrime. Ai ngre lart cilësitë e virtytet e disa personazheve dhe njëkohësisht hedh dritë për të demaskuar e satirizuar personazhet me vese ose të shiturit te armiku. Po kjo nuk bëhet me mjete moralistike, po nëpërmjet mishërimit artistik e përpunimit me mjeshtëri të materialit jetësor, qoftë ai dhe i karakterit anekdotik, qoftë legjendar.
Shpenda Bajraktari, te tregimi “Keqota”, i kishte të gjitha të mirat, po ja që dalka një i ri që ia hedh poshtë fjalën, që e gjuan gurin po aq sa ai. E dora që s’kafshohet puthet, po vetëm në dukje. Vërtet zunë miqësi të paparë Shpendi me Fakën, vërtet luftuan së bashku kundër pushtuesit të huaj, po sedra e bajraktarit kalbej përbrenda e plasi një ditë. Ai e vrau pabesisht Fakën. Trimëria e Bajrush Zekës, i cili “s’pati kohë të gëzohej për vete dhe gëzohej me “gëzimin e të tjerëve”, shumëfishohet në sytë e njerëzve nga cilësitë e tij të larta. Njëqindenjëzetegjashtë vijat e gdhendura në kondakun e pushkës së tij askush nuk i dinte që ishin po aq armiq të vrarë nga dora e tij. Po ai hesht. As është lëvduar ndonjëherë, as don ta lëvdojë kush. Edhe miku i zemrës së tij është trim, po ai gjithçka e bën për t’u dukur. Egoizmi i tejskajshëm e hodhi në krahët e armikut, duke e kthyer në zagar të tij. Shëmbëlltyra e Bajrushit mbetet nga personazhet më të realizuar të librit.
Mikpritja e shqiptarit kthehet në të kundërtën e saj, ashtu si besa me të pabesët, kur mysafiri i Dan Gjuetarit përgojon gjithë fshatin e vet. Bukur e me zgjuarsi ua punon edhe babai i Danit, duke u dhënë vetëm kockat dy mysafirëve hipokritë. Emri e vendi i njeriut në shoqëri nuk varet nga gjendja, po nga personaliteti që i krijon vetes njeriu me mendjen, sjelljen e qëllimet e tij. Këtë thekson tregimi “Petullat e popit” me Abazin, fshatarin më të këputur të fshatit.
Edhe pse në mjedise, kohë e rrethana të ndryshme, etika e shqiptarit në këto tregime parabola buron e pastër përmes kontradiktave të ashpra të jetës.
Origjinalitet brenda stilit të rrëfimit popullor
Duke shkërbyer natyrën e rrëfimit gojor popullor, Adem Istrefi është rrekur të mos mbetet në vragën e paraardhësve të njohur si Mitrush Kuteli, të cilët i ngritën veprat e tyre mbi themelet e gjuhës së gjallë e të tregimit të popullit tonë, po sjell pasuri gjuhësore e jetësore nga trevat verilindore të shqipes, me mjete figurative vetjake.
Me saktësi na jepet ligjërimi gojor. Kjo flet për prirjen, po dhe aftësinë e autorit për të rikrijuar artistikisht me brumin e përrallës e të legjendës, të bisedës e të anekdotës. Një vlerë tjetër është pasuria e larmia frazeologjike që ndihet dendur, por jo si qëllim në vete. Shprehjet metaforike e frazeologjike dhe sintaksa e veçantë shkrihen natyrshëm në strukturën e rrëfimit. Duke i dhënë përparësi më tepër gjykimit së kallëzimit të subjektit të tregtimit, vlerësimit të personazheve se shtjellimit të përimtë të ngjarjeve ose gjendjeve shpirtërore të personazheve, autori ndjek një pikësynim të caktuar, për të qenë sa më afër stilit bisedor. Gjatë leximit të ndodh që fraza për një çast të ndalet dhe kthehet në fjali që, nga forma, të kujtojnë vargjet e eposit të kreshnikëve ose vargjet lirike baritore, ku s’mungon, aty-këtu edhe rima e beftë. Funksionale në stilin e Adem Istrefit janë dhe përdorimet e shpeshta të fjalëve të urta, të mendimeve të shprehura në trajta proverbe që mund t’i quajmë edhe proverba kontekstuale.
Kur integrohet poezia me prozën
Kur flitet për prozën e një autori, që “domen” të vetin ka kryesisht poezinë, kërkohet të vlerësohet më tepër se e ç’niveli është proza në raport me poezinë e tij dhe, nganjëherë, nuk vërehet se ç’të re sjell ky poet në fushën e prozës.
Rrëfimi në prozën e Adem Istrefit është mbrujtur me gjuhën e poezisë në mënyrë autentike. Krahas përdorimit të një figuracioni të dendur e origjinal, autori krijon përftesa të pasura, madje edhe kompozita të përdorura vetëm prej tij me qëllim stilistikor. Prirja për të krijuar situata, gjendje e pamje poetike ka bërë që autori, gjatë rrëfimit, në përputhje me kontekstin, të sjellë edhe pasazhe të tëra lirike, të cilat sikur e freskojnëngulmimin e autorit për dramatizim.
Rrëfimtari i këtyre ndodhive, qoftë vetë shkrimtari ose një personazh rrëfimtar (shpesh është vështirë ta dallosh ligjërimin e njërit nga tjetri), nuk ngutet të na kallëzojë gjithçka ka ndër mend. Ai tjerr e tjerr mendime, gjykime, sikur harrohet në ndonjë kujtim, zhbiron kur e kur në përimtime psikologjike të goditura, përsëri del te ndonjë ndodhi si e rastësishme, të flet për ndonjë personazh që sikur të shfaqet papritur. Kur arrin fundin, e kupton se ai të ka tërhequr vëmendjen si me magji në “kurthet” e rrëfimit të tij, që s’janë gjë tjetër veç vetë elemente të tregimit, që kanë krijuar situatat, atmosferën, shkallët që të çojnë në pikësynimin e idenë boshtore. Po stërhollimet pa interes e jo funksionale, si p.sh. te novelat, e lodhin disi lexuesin dhe krijojnë vakume në trup të rrëfimit. Brenda këtij pohimi duhet thënë se ka mangësi në thurjen kompozicionale, si te “Hani Kaçanikut” ose kërkohej një harmonizim më mjeshtëror i narracionit me përshkrimin te “Keqota”.
Një karakteristikë e këtyre tregimeve është kalimi nga trajtimi realist në atë romantik e anasjelltas dhe brenda një tregimi. Duhet theksuar si një ndihmesë me vlerë në prozën tonë një përbërës i dukshëm i stilit të tij: fantastika e mbështetur në krijimtarinë tonë artistike popullore, zakonisht në masën e duhur e me funksion të caktuar ideoartistik.