More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSali Bytyçi: Aty ku takohet Pika me Universin

    Sali Bytyçi: Aty ku takohet Pika me Universin

    Arif Bozaxhi “Ngjyrat e etjes”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2011

    Hyrje

    Arif Bozaxhiu, për dekada me radhë ka krijuar një poezi që është sa lirikë e dashurisë, aq edhe e mendimit subtil për vete dhe për botën. Ky poet, në poezinë e tij, e ripërtërin edhe një herë lidhjen në mes Unit dhe Kozmosit, në bazë të së cilës qëndron dashuria.

    Poezia e tij është poezi e kontrasteve të thella dhe të bukura. Ndërsa në vitet ’90 në poezinë e tij zotëronin kontrastet e jashtme, në atë të viteve 2000 zotërojnë kontrastet e brendshme, përmes të cilëve krijohet harmonia ndërmjet Unit poetik dhe Universit. Në vitet ’90, këto kontraste vinin si pasojë e realitetit të jashtëm, në të cilin zotëronte dhuna që shkaktohej nga pushteti policor serb ndaj popullit të Kosovës, në të cilën: Mes dy tankeve/ e dy ushtarëve/ fluturat qajnë.[1] Ndërkaq, pasi në vitet 2000 kanë pushuar së ekzistuari rrethanat politike që e frymëzonin poezinë e Bozaxhiut ato vite, frymëzimin e tij poeti e drejton drejt sferave të tjera, më të larta, atje ku pikëtakohet Pika me Universin.

    Ndërtimi i raporteve me poezinë, gruan dhe Universin.

    Për ndryshim nga poezia të cilin e krijoi në vitet ’90, në të cilën, siç theksuam më lart, subjekti lirik i poezisë të Arif Bozaxhiut kryesisht përballej me rrethanat nëpër të cilat kalonte Kosova në atë kohë, në vëllimin më të ri, “Ngjyrat e etjes”, subjekti lirik poezisë së tij është i zhytur thellë në vete dhe preokupohet me zbulimin dhe vënien e raporteve të tij me Botën. Pjesë e këtyre raporteve është edhe raporti i tij me poezinë, me gruan, me qenien dhe hiçin. Në zbulimin dhe ndërtimin e këtyre raporteve ndikim të veçantë ka botëkuptimi estetik-filozofik i poetit, në të cilin filozofikja dhe estetikja shkrihen në një, prandaj edhe dashuria, Zoti, Universi në këtë poezi janë një.

    Raporti me poezinë.

    Poezia meditative-filozofike e Arif Bozaxhiut, por edhe ajo intime, s’do mend që përkon me poezinë mistike islame: zogu i poezisë mistike islame, i cili simbolizon shpirtin, por edhe dashurinë, kthehet në simbol konstant të poezisë së tij. Pra, ky simbol është qendror në këtë poezi. Ai në një poezi të tij e tregon edhe më qartë përkatësinë e poezisë së tij Lindjes, në të cilën zogu është planetë “ku certifikata/ e Lindjes ka kuptim”.[2]

    Në vargjet e tij poeti e qartëson qëndrimin e tij ndaj poezisë, në të cilat edhe  tregon arsyen pse shkruan poezi.

    Ai shkrimin e poezisë e bën për dy qëllime: një, për të harruar vetminë dhe, dy, për të përqafuar hijen e Botës, që sipas tij është hija e Zotit (Përse shkruaj poezi).[3] Përmes poezisë uni i subjektit lirik bëhet një me Gjithësinë:

    Poezia m’i le

    çelësat e shpirtit

    para Portës së zemrës

    që më krijon hapësirën

    e Gjithësisë[4]

    Raporti me dashurinë.

    Arif Bozaxhiun lirisht mund ta emërtojmë poet të dashurisë.

    Magjinë e dashurisë e hasim në mjaft vargje të poezisë së këtij poeti, ku dashuria kthehet në një lajtmotiv të kësaj poezie. Ajo qëndron në thelbin e poezisë. Jo pak vargje ky poet ka shkruar për gruan, për bukurinë e saj, shpirtërore dhe fizike, si dhe për efektet që shkakton ajo në shpirtin e subjektit lirik (disa nga poezitë më përfaqësuese me këtë motiv në këtë vëllim janë “Ngjyrat e etjes”, “Libreti i trupit”, “Dy mollët e Nimfës”, Certifikata e syve tu”, “Gruaja dhe xhelozia” etj).

    Kuptimin që ka dashuria për poetin, Arif Bozaxhiu, më së miri na e jep përmes gjendjes kur nuk dashuron:

    Kur nuk dashuroj

    jam pa ajër

    më mungon rruga

    dhe dielli

    ORA e zemrës

    nuk punon

    (Kur nuk dashuroj)[5]

    Raporti me Universin.

    Subjekti lirik i poezive të Arif Bozaxhiut jeton në mes të të kundërtave, por në të njëjtën kohë është edhe pjesë e tyre. Ai jeton në mes të ëndrrave dhe realitetit, në mes pranverës dhe zogut të vjeshtës, në mes tokës e qiellit. Ai është në mes Pikës e Gjithësisë, si një pikë lidhëse ndërmjet tyre:

    Shpirti im

    është mëngjes

    në një zog

    e ADRESA

    në frymëmarrjen e qiellit[6]

    Të qenët e tij në të njëjtën kohë në Pikë dhe Gjithësi, në mikrokozmos (që herë shënjohet si një pikë, herë si një flutur) dhe makrokozmos (që shënjohet si oqean, det, frymëmarrje e qiellit, kufi i ajrit, mur i yjeve etj.), bën të mundur që të ndihet veprimi i tij në gjithësi, dhe anasjelltas:

    Në vetminë time

    edhe një pikë

    edhe një flutur

    bore

    mund t’i dridhin

    oqeanet[7]

    Në këtë poezi subjekti lirik është pjesë e Universit, prandaj edhe një flutur bore mund të dridh oqeanin; poetit vetëm edhe një varg i mungon për t’i marrë ngrykë kufijtë e ajrit; ai është hije në murin e yjeve; shkallët e dashurisë e ngrenë në yje; zogu është planetë; ka guacë në të cilën rritet deti;[8] dielli pi ujë në sytë e zogut;[9] çelësat e shpirtit krijojnë hapësirën e Gjithësisë;[10] në pikën e shiut dëgjohet ushtima e oqeaneve;[11] në brendi ka detin[12] etj.

    Këtu kalojmë në botën e ideve të Platonit, por edhe të filozofisë dhe poezisë mistike islame, të cilat janë të afërta. Subjekti lirik i poezisë së Arif Bozaxhiut e ndien se është pjesë e një tërësie, ndaj edhe jeton në harmoni me këtë tërësi, e cila, pa marrë parasysh emrat që i vihen, është e njëjta:

    Zemra ime

    jashtë meje

    nuk ekziston

    brenda orkestrës simfonike

    dirigjent është

    ZOTI[13]

    Përfundim

    Arif  Bozaxhi herët ka filluar të merret me krijimtari letrare, por deri më tani ka publikuar vetëm gjashtë vëllime me poezi (të kujtojmë se libri i tij i parë me poezi “Zogu i paqes”, u botua më 1975 në Prishtinë, pastaj “Pranverë e syrgjynosur” – 1982, “Hiri i lotit”, shqip e gjermanisht, “Toena”, Tiranë 1996, “Liria dhe pranvera e syrgjynosur” – 2004, “Flutura në grila” – 2006, dhe i fundit “Ngjyrat e etjes” – Prishtinë 2011), që del se për çdo dekadë ka botuar nga një vëllim poetik.

    Ky poet, që në poezitë e para që i botoi, dëshmoi se është krijues i veçantë, serioz, poet i cili ka se çfarë të thotë për botën, shoqërinë, njeriun, për të bukurën, për bukurinë dhe ekzistencës njerëzore etj. Të gjitha këto i thonë poetët, por secili në mënyrën e vet. Mënyra si i thotë  Arif Bozaxhi është e veçantë, e papërsëritshme në letrat shqipe. Vargu i tij na i kujton poetët e mëdhenj të Lindjes, si Xhelaleddin Rumi, Saadi Shirazi e shumë të tjerë.

    Arif Bozaxhi është lirik i hollë. Ai shkruan pak, por thotë shumë: poezitë e tij janë të shkurta, por me kuptim të madh. Ai e gdhend poezinë aq shumë sa ia heq të gjitha ato që i ka të tepërta, ndaj edhe poezitë më të gjata të tij rrallë kalojnë dhjetë vargjet, ndërsa shumica prej tyre nuk kanë më shumë se pesë-gjashtë vargje.

    Si përfundim, Arif Bozaxhiu deri në fund mbetet poet lirik, poet i ndjenjave më të holla dhe i mendimit të thellë. Ky poet gjithnjë është në kërkim dhe në takim të botës së tij, të cilën e gjakon dhe e ndesh pareshtur, dhe me të cilën çdo ditë takohet përmes poezisë, sepse arritja e së pakufishmes vetëm në poezi bëhet e mundur.


    [1]  Arif Bozaxhi, Hiri i lotit, Prishtinë 1997, f. 30.

    [2]  Arif Bozaxhi, “Ngjyrat e etjes”, shtëpia botuese “Faik Konica”, Prishtinë 2011, f. 15.

    [3]  Po aty, f. 16.

    [4]  Po aty, f. 35.

    [5]  Po aty, f. 41.

    [6]  Po aty, f. 7.

    [7]  Po aty, f. 8.

    [8]  Po aty, f. 26.

    [9]  Po aty, f. 32.

    [10]  Po aty, f. 35.

    [11]  Po aty, f. 51.

    [12]  Po aty, f. 48.

    [13]  Po aty, f. 47.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË