More
    KreuLetërsiBibliotekë"Salemi", tregim nga Viktor Gjikolaj

    “Salemi”, tregim nga Viktor Gjikolaj

    Herët e mësova këtë fjalë. Si at’kohë më duket se dëgjoj zërin e grave të Kurbneshit që ishin nga ana e nënës sime.

    – Paj t’u baftë hisja bjeshkë, oj Prenë Bardhokja!

    – Të lumtë ajo gojë, vijonte tjetra…

    Pas një grimëherë pyesja veten, po ç’mrekulli ka ba nëna ime që e urojnë me kaq solemnitet?!… Nëpër kuvendimet e tyre, mora vesh se ime më, kishte marrë një vendim kurajoz e bërë një gjest bujarie e njerëzie.

    Në fshat kishte ndodhur një fatkeqësi e madhe; djegia e shtëpisë me gjithçka, rroba, orendi, bagëti. Çdo gjë qe ba shkrumb. Ishte fund dimri. Kohë varfërie. Nëna u kishte thanë burrave të shtëpisë:

    – Selemin ( 20 kokë dele) që kam në Kumbull të Selitës, do i’a fal shpisë

    Po, përse e çmonin shumë atë që kishte bërë nëna ime? Nuk më qe hequr nga mendja ky akt i saj, por as fjala Selem. Shikoja nëpër libra, më vonë edhe në fjalorë e nuk e gjeja dot. Ishte do kohë, që fjala kanun tingëllonte si fjala armik. Shtypi, radio, mbledhje pafund në lagje, në fshatra, në shkolla, institucione, forume grash sidomos, propaganda e kohës ulurinte kundër traditës, që qe pagëzuar me togfjalëshin zakone prapanike ( jo se nuk kishte të tilla).

    Bash ato kohë e pata pyet nënën prapë për Selemin. Ajo më qe gjegjur shkurt:

    – Je shumë i ri ,or bir, por nuk janë gjanat krejt si po thonë sot. Këto gjana i kanë vendue heret, pleqtë e Dheut. Po ti mos u baj marak, thonë se nji prift i ka mbledh nëpër popull e lanë të shkrueme, e ti ke zell me mësue e do t’i knosh në libra.

    – Or, djalë i mbarë, m’u kthye një herë tjetër, – ta kam thanë se nuk ka qanë si po thonë sot. Kohët ashtu kanë qenë. A din ti se Selemi ishte vetëm i grues e s’kishte zot shpie me e prek pa thanë gruja. Po paja? Nusja sillte rroba edhe për dasma e festa e me dalë te kisha, por edhe për punë që mund të shkonin mbi 20 vjet.

    – Po dhandrrit sa palë rroba i baheshin kur martohej?

    – Qeshi fort e m’u drejtua: Ndodhte, që tirqit a xhamadanin e kuq ja merrte ndonji shoqi sa për ditën e dasmës.

    Qesha dhe unë ,por vrikthi më erdhi shumë i habitshëm fakti se dhëndërrit, familja nuk i bënte për martesë sa nuses, bile ndodhte që ai t’ia merrte dikujt vetëm për ditën e dasmës. Kaq pak dhëndrri?! Këtu s’ka barazi ,s’ka. Ndahej shpia e robit ,por Selemi, arka e nuses nuk prekej me pajë e dhunti( dhurata), parallikë (stoli,bizhuteri).

    Sa herë vinin shoqet e saj për vizitë më vinin ndërmend fjalët e tyre për Selemin. Qeshja me vete. Një burrë i vjetër, që kishte kryer Konviktin e Oroshit, më grish në kafe e më thotë:

    – Nuk besoj t’a kesh këndue Kanunin e Lek Dukagjinit.

    – Jo, i thashë. Nuk kam mundur as t’ia kërkoj askujt, bibliotekat nuk e kanë.

    – Kur të kalosh nga katuni ynë, ndalu ke kulla ime. Ty ia vlen me ta thane, por pas pak ditësh qe ndarë këso bote krejt papritur.

    Aty nga fundi i viteve ’80 të qindvjetëshit të fundit e hasa këtë fjalë edhe në botimin e Akademisë së Shkencave, “E Drejta Dokësore Shqiptare”. Te kanuni i Skenderbeut, më vonë. Tashmë në bibliotekën time ishte Kanuni i Lek Dukagjinit, Kanuni i Skenderbeut, E drejta Dokësore Shqiptare, studime te prof. Ismet Elezit, Mark Tirtës, Ndue Dedajt, Xhemal Meçit,Tonin Çobanit. Mora përsipër me korrektu ato që më pat dhënë nëna para shumë vitesh . Dhe ja, ajo ma kishte thënë si të ishte bashkë me priftin që e mblodhi dhe e kodifikoi Kanunin ‘‘Paja e grues nuk hin në pleqni të të damit. Dhantitë (edhe Selemi V.Gj) qi i mblidhen nuses në ditë të martesës si te prindja, si te burri, kanuja e të damit nuk i përfshin. (E Drejta Dokesore Shqiptare, neni 331, fq 259) Te tagri i grues( po aty,neni 45 fq. 76), thuhet: “Gruja ka tagër me lypë prej burrit veshën e mbathën”. Selemi na paskësh qenë një pronë, kryesisht gjë e gjallë, që familja i jep dhuratë vajzës kur martohet. Por, kishte edhe një kusht. Ajo pronë ishte vetëm e nuses. Edhe po të shtohej bagëtia e të bëhej tufë, ajo ishte vetëm e Asaj. Në asnjë rrethanë nuk mund të futej në llogari të familjes. Të drejtën e “prokurimit” e kishte vetëm gruaja.

    Dhe gruaja – nëna ime e ndjerë paskesh berë një gjest bujar e gjithëçka me vullnet të lirë e në respekt të traditës. Selemin ja fali shtëpisë në një ditë shumë të vështirë pa ia kërkuar njeri. Selemi. Sa herë më vjen ndërmend apo e lexoj diku, më kujtohet nëna dhe ato të mirat gra të fshatit tim që e uronin:

    -T’u baftë hisja bjeshkë, oj Prenë Bardhokja!

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË