More
    KreuLetërsiShënime mbi libraSadik Bejko: Një vepër që u mungonte studimeve mbi Anton Santorin

    Sadik Bejko: Një vepër që u mungonte studimeve mbi Anton Santorin

    Mbi monografinë “SANTORI- POET DHE DRAMATURG”
    të prof. Klara Kodra, botim i Qendrës së Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët (QSPA)

    Monografia “SANTORI- POET DHE DRAMATURG” e studiueses Klara Kodra merr në shqyrtim poezinë dhe dramaturgjinë e Anton Santorit, autor i traditës romantike të letërsisë arbëreshe.

    Synimi i punimit, sipas autores, është ky: “Kjo monografi, përveç dhënies së informacionit mbi krijimet e panjohura apo të pastudiuara të Santorit, ka si synim vlerësimin estetik të krijimtarisë poetike dhe dramaturgjisë së shkrimtarit, zgjidhjen e disa çështjeve të diskutueshme që lidhen me këtë krijimtari dhe vendosjen e krijimtarisë në fjalë në kuadrin e gjerë të letërsisë arbëreshe dhe shqiptare të Rilindjes”.

    Romanet e A. Santorit mbeten jashtë vëmendjes së kësaj monografie sepse, sipas autores, meritojnë një studim më vete.

    Që nga strukturimi dhe synimi i punimit për ata që janë ndjekës të studimeve dhe të rrjedhave njohëse të letërsisë arbëreshe, krijohet kurioziteti shkencor për çfarë sjell ky punim. Kurioziteti shkencor nxitet prej asaj që prof. Klara Kodra me monografitë e saj mbi De Radën, Seremben etj., me një varg studimesh mbi këtë fushë të shkencës, studime dhe monografi të vlerësuara fort në mjedisin shkencor/akademik, është një njohëse dhe studiuese me themel e kësaj letërsie, e letërsisë arbëreshe të traditës romantike. Kurioziteti nxitet dhe se Santori mbetet një autor i suprizave më të mëdha nga gjithë shkrimtarët e traditës romantike arbëreshe dhe të traditës së gjithë letrave shqiptare në tërësi. Ai me kalimin e viteve, në vend që të harrohej si shkrimtar minor, ashtu siç u paraqit me botimet e njohura në gjallje të tij, erdhi në ngritje, erdhi duke u rritur në cilësi dhe në sasi botimesh. U zbuluan veprave të humbura, të panjohura, të mbetura në dorëshkrim, u vërejt një larimi gjinish letrare të trajtuara prej tij. Kështu njohja u pasurua me një vepër voluminoze, me një prodhimtari të begatë në shumëllojshmërinë e saj, por fatkeqësisht të mbetur nën pluhurin e harruar të arkivave. Me kohë dorëshkrimet e trashëguara edhe u botuan, por ka të tjera që presin të botohen.

    Kjo shpalosje veprash në rrjedhë të kohëve e tronditi njohjen shkencore dhe patjetër do të kërkonte ridimensionimin e vlerësimeve mbi talentin/talentet e tij, mbi begatinë e prurjeve të tij.

    Pikërisht në këtë varg problemesh mbi një autor si Santori ndërhyn me studimin e saj prof. Klara Kodra. Duke qenë njëherësh poete dhe studiuese e lindur, e kultivuar, në punimin e saj mbi një poet hyn dhe pasioni, dhe analiza e ftohtë e shkencëtarit me përvojë të gjatë krijuese, dhe kurioziteti për të pathënat e supozimet mbi personalitetin e atij murgut arbëresh, të Anton Santorit, një poet, dramaturg, komediograf dhe romancier i begatë, por përgjysmë nën hije.

    Shqisa e mprehtë e intuitës shkencore të Klara Kodrës, parapërgatitja me njohjen e hollësishme të objektit në shqyrtim, e kanë orientuar drejt në atë mori studimesh mbi Santorin, studime shpesh kundërthënëse nga njohja e cunguar e një autori që përherë fshihej e rishfaqej me të papritura nga pluhuri i dorëshkrimeve të humbura e të rigjetura. Vetë autorja e studimit rrëfen shfletimet e materialit mbetur në arkiva, arkiva të shumta me të cilat ajo është konsultuar, rrëfen mbi botimet në Itali të veprave të panjohura të Santorit dhe përcjelljen studimore prej kolegëve të saj shkencorë, por edhe për transkriptime të bëra prej saj.

    Siç shihet, kjo është një punë që ka kërkuar njohje, pasion shkencor dhe mundim murgu të një prej studiueseve tona të përkushtuara si Klara Kodra.

    Në shqyrtimin e poezive lirike autorja vëren se prirja lirike është një përbërës kyç i gjithë krijimtarisë së Santorit, prirje që nxjerr krye te poemat, te drama, te melodramat etj.

    Do të ndalesha në veçanti në analizën e fabulave të Santorit. Studiuesja e vë këtë krijimtari në plan krahasimtar me Ezopin, La Fontenin, por dhe me përkthyesit shqiptarë të fabulave, me Naimin dhe Çajupin. Santori te fabulat më shumë se përkthyes, është përshtatës dhe rikrijues.

    Me satirat që u zbuluan nga K. Kandreva, Santori “çau toka të virgjëra në letërsinë tonë” dhe mbetet një pararendës origjinal. Pas analizës, autorja mendon se individualiteti i tij shprehet më qartë përmes patosit satirik dhe humoristik. Ai solli një notë të re, një vulë të veçantë dhe të theksuar në tërë letërsinë tonë të Rilindjes.

    Vjershat fetare janë një shartim i himnit, baladës dhe i novelës, poezi që u paraprijnë romancetave.

    Në veçanti dhe me frymëzim autorja është ndalur të dramaturgjia e Santorit që zë një vend kryesor në krijimtarinë e tij, si tragjediani i parë, me tragjedinë “Neomenia”, si dramaturgu i parë, me dramën “Emira”, si komediograf dhe autor melodramash. Sipas saj, “karakterin vullkanik të talentit dhe të frymëzimit” Santori e shfaq në dramaturgji. Ai është nismëtar i suksesshëm i shumë gjinive dhe llojeve në letërsinë tonë. Në këto vepra ndërthuren dramatikja komikja me aspektin lirik, si prirje e qëndrueshme e Santorit. Nga tetë melodramat veçohet për vlerat estetike të shënuara melodrama “Aleks Dukagjini”.

    Me komeditë “Vejusha Koprace” dhe “Polikarpi” Santori mbetet themeluesi i komedisë në letrat shqipe dhe një komediograf i talentuar. Santori me autoironi e shfaq veten si krijues të pavlerë, por edhe si “cjap” nga që si klerik që ishte, ai u vardisej vajzave të bukura. Ky cilësim i Santorit si “cjap” ishte dhe opinioni i fshatarëve për priftin e tyre.

    Melodramat dhe komeditë përkojnë me vokacionin e tij prej dramaturgu.

    Problematika e shumtë e dramës “Emira” vjen nga botimet e saj jo të plota. Analiza e dramës “Emira” është nga realizimet më të arritura të kësaj monografie. Duke ju referuar autorëve shkencorë të shumtë që kanë shkruar mbi dramën “Ermira” dhe botimeve të herëpashershme të kësaj drame, Klara Kodra sjell argumente me vlerë mbi karakterin e dramës, mbi personazhet e saj, mbi problemin e realizmit si një tipar i krijimtarisë së Santorit.

    Mjedisi letrar i kohës dhe i vendit ku jetoi dhe shkroi ky autor, ka sjellë dhe ndikimet tek ai. Klara Kodra si njohëse e mirë e letërsisë italiane, sjell përkime të krijimtarisë së Santorit me autorë madhorë italianë si Manxoni, Karduci, por edhe përkime me poetin Vincenco Padula, një autor minor kalabrez. Santori ka përfituar nga ky mjedis krijues duke ruajtur individualitetin e tij. Po ashtu është vërejtur se krahas ndikimit të romantizmit të rrëmbyer kalabrez, te realizmi i Santorit ka ndikime nga verizmi italian, verizmi si një shartim i natyralizmit me realizmin.

    Klara Kodra në mbyllje të monografisë arrin në këtë përfundim: “Santori është një shkrimtar që, në rrugën e vet krijuese, spostohet gradualisht nga periferia drejt qendrës për shkak të rolit të tij prej nismëtari, themelues të gjinive dhe llojeve të reja në lëvrimin e të cilave ka veçanësinë e vet dhe gjithashtu për shkak të teknikave të reja me të cilat e pasuroi letërsinë arbëreshe si edhe për evolucionin e tij drejt realizmit”.

    Duke përdorur një metaforë të Dantes, autorja jep vlerësimin e vet se Santorin nga poet minor, siç e ka trajtuar deri më tani mendimi shkencor “do të mund ta vendosnim në ‘qiellin më të ulët’ të parajsës së poetëve. Vetëm një metaforë e tillë e guximshme do të mund ta përkufizonte këtë autor tepër interesant dhe të ndërlikuar”.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË