More
    KreuIn memoriamRudolf Marku: In memoriam, Frederik Reshpja

    Rudolf Marku: In memoriam, Frederik Reshpja

    Më datën 19 Korrik, nëse do të kishte patur një rrjedhje normale të kohës dhe për poetët e mëdhenj, Frederik Reshpjes do t’ia kishim uruar 82 vjetorin e lindjes. Por, siç shkruan ai në një poezi të veten, “Frederik Reshpja ka lindur i mallkuar me Art!.’’

    Të përshëndes në atë botën e përjetshme, Frederik Reshpja, poeti i trishtimit të madh, atje ku ligësitë, mediokritetet, vogëlsitë, grafomanët, të liqtë, ziliqarët, aktorët e shtirur të skenave të provincave të përbaltura të shpirtrave të zinj, nuk të arrijnë!

    Të vegjlit duan lavditë, të dëshmuar përmes ca fletushkave presidenciale me tituj bombastikë, përmes posteve të përkohshme që ndoten po aq shpejt sa dhe jakat e këmishave, përmes vetëpërkëdheljeve narcistike, përmes dinakërisë së viktimizimeve vetë-poshtëruese, përmes ambicieve makbethiane të ushqyer nga keqkuptimi grotesk i mungesës te talentit, teksa ti i thur himn Humbjes, kësaj Perëndeshe që u përket veç të mëdhenjve!

    Dhe përherë largohesh, në shoqërinë e një hëne të përthyer e të trishtë, në shoqërinë e një Nëne të përjetshme – Ajkunë a Rozafë -, në shoqërinë e përjetshme të drerëve të plagosur, të zogjve që nuk janë as dimër e as aerodrome, më shfaqesh mes reve si një Perëndi egjiptiane, nën enigmën e avionëve të Poezisë!

    Tungjatë jeta, mik i përjetshëm!


    Tre poezi te Frederik Reshpjes
     

    TESTAMENT

    Që fëmijë e kam kuptuar se kisha lindur
    i mallkuar me art.
    Gjërat i shihja ndryshe:
    Nëpër shirat e vdekur peshqit fluturonin drejt
    Çerdheve, te yjet. Në vend të borës binin zogj
    në çdo dru.
    Era si ketër brente degët.
    Qante mbi mua nëna, shënmëria ime. Ave nëna ime!
    Mos e pastë njeri këtë fat!
    Kam dashuruar një Afërditë në Olimpin
    e trëndafilave.
    Pastaj erdhe ti tërë ikje.
    Më vonë vije vetëm nëpër ëndrra, si perënditë ilire.
    Kështu iku edhe rinia, filigrami i djalërisë,
    i mallkuar me art.
    Mos e pastë njeri këtë fat!
    Tani që po vdes ëndërroj vetëm një kryq te koka
    dhe të harrohem se nuk dua që edhe pas vdekjes
    të më ndjekë mallkimi i artit.
    Mos e pastë njeri këtë fat!
    Po kur të vdes portreti im ka për t‘u shfaqur nëpër gjethe,
    se unë kam patur miqësi me çdo dru.
    Në stinën kur bien gjethet
    do të bien edhe sytë e mi.
    Tani e tutje shirat do jenë lotët e mi.
    Mos e pastë njeri këtë fat!


    FAT

    Unë për fatin tim pikëllohem vetë
    S’dua të pikëllohet kush për fatin tim
    Më ndjek pas Perëndia e Humbjes
    Me mermerin e thyer në luftëra pa kuptim.
    Mirëpo unë jam pagan i vjetër
    Pa këtë fat të keq nuk ndjehem mirë
    Çdo njeri e ka një fjalë ku vë kryet
    Kam dhe unë për prehje dhembjen time.
    E ç’do të preferoja tjetër përveç luftës
    I ndjekur pas nga ky fat budalla?
    Vërtetë që kam fituar shumë pak në këtë jetë
    Por humbjet i kam pasur të mëdha.
    S’dua të trishtohet kush për fatin tim
    Se për fatin tim trishtohem vetë
    Mermeri i thyer i Perëndisë së Humbjes
    Tërë lavdia ime kjo ka për të qenë.


    SIDOQOFTË

    Sidoqoftë ky mëngjes do të më vdesë ndër duar.
    Sidoqoftë, njerëzit do ta shpikin disi një mëngjes,
    ashtu siç kanë shpikur detet, yjet, shiun
    dhe shumë gjëra që nuk ekzistojnë.
    Nata është hija jote
    që ti nuk arrite dot ta mbledhësh ende.
    Sidoqoftë, unë mund të shkruaj lirika moderne,
    po tani është tepër vonë të shpik gjëra që nuk ekzistojnë,
    si përshembull lumturia.
    Apo fëmijë të bukur, shira lulesh e gjëra të tilla,
    për të cilat Zanafilla fajëson perëndinë.

    NJË KOMENT

    1. Flm Rudolf M. Për kët prezentim kijtimi për Fedrin e s njohem më dashnisht , është mëkati ynë i brisht , kuse Fedrit i takon lumturia edhe në ,,paqe” . R.M sigurisht se nga njohja, miqsia n kujtesë për Fedrin do kemi edhe ndonjë prezentim tij në Exlibris – shpresoj …

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË