More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRudolf Marku: Dorëshkrimet nuk digjen kurrë!

    Rudolf Marku: Dorëshkrimet nuk digjen kurrë!

    Viti i botimit të plotë të romanit “Mjeshtri dhe Margarita”, për herë të parë, është viti 1973, Shtator, edhe pse i shkruar në vitin 1940…Në fakt, vejusha e shkrimtarit, Elena Shilovskaja, arriti ta botojë librin më herët, që në vitet 1966-1967, në formën e një seriali në revistën letrare Novij Mir, veçse në një formë të redaktuar e të censuruar keqas… Në Anglisht u botua në vitin 1967, po në formën e censuruar. Për herë të parë romani arriti të botohej në formën e pacensuruar plot 33 vite që kur u shkrua (1940), natyrisht duke qenë i refuzuar prej botuesve dhe mbetur në dorëshkrim, plot 33 vite pas vdekjes së autorit (Bulgakovi e përfundoi romanin veç disa muaj para vdekjes). Konsiderohet si një ndër romanet më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekulli XX, dhe një ndër librat më të mirë të letërsisë botërore.

    1.

    Për herë të parë emrin e Bulgakovit e kam ndeshur në faqet e fundit të një numri të revistës ‘Novij Mir, andej nga viti 1972. Isha student letërsie, dhe një mikja ime, që punonte në Bibliotekën Kombëtare, më jepte libra dhe revista të ndaluara, me kushtin që t’i ktheja fshehurazi ditën e nesërme… U çudita që ky shkrimtar kaq i madh, siç e thoshte revista, nuk qe përfshirë në listën e shkrimtarëve të leksioneve speciale ku shaheshin shkrimtarët më të mëdhenj të botës. Bulgakovi dukej si një emër i padenjë madje dhe për t’u sharë!

    Më vonë, në vitin 1978, më ra në dorë romani “Mjeshtri dhe Margarita”, në një botim amerikan. Vetëm pasi e lexova librin, e kuptova përse Bulgakovi ishte ndër shkrimtarët e vetëm të mëdhenj që nuk shahesh në leksionet e letërsisë. Saktësisht të njëjtën gjë kish bërë dhe Shteti Sovjetik me Bulgakovin gjatë gjithë jetës së tij. Kishte supozuar se qe një shkrimtar fantazmë. Gati-gati se nuk ekzistonte. Çuditërisht duke qenë më i vetëdijshëm se për çdo shkrimtar tjetër se është një gjeni. Por një gjeni i bezdisshëm, tmerrësisht i bezdisshëm!

    Mikhail Bulgakovi ka lindur në Kiev, në vitin 1891. Mjek, emërohet në krahinën e Smolenskut – mjek i zemvstvos – siç do thoshin Çehovi dhe Turgenjevi – apo mjek i zhubrosur katundesh – siç do preferonte të thoshte Kafka. Afërsisht në moshën 30 vjeçare e braktis profesionin, për të filluar, sipas një Kanuni të shkrimtarëve të asaj kohe (Gorki, Babeli) endjen nëpër Rusi. Në Tbilis njihet me Osip Mandelshtajmin, i cili qe i rrethuar nga varfëria dhe moskokëçarja e trillit poetik.

    Në vitin 1920 ndodhet në Moskë. Mbërrin një mbrëmje të ngrohtë pranvere, po ashtu si Volanti i romanit të tij. Është një shkrimtar mistifikator, me një aftësi të jashtëzakonshme për të trilluar dhe rrëfyer histori. Disa kohë para vdekjes, i ka treguar një shoku të vet se si ishte paraqitur për herë të parë në redaksinë e një gazete: Vura një monokël të çuditshme, flokët i fryva në mënyrën më ekstravagante, vesha zhile-në e gjyshit, ekspozova orën me zinxhir të varur – trashëgiminë e familjes – dhe trokita në derë. Kryeredaktori më pa i mahnitur. I frikësuar, më pyeti: 

    Kr/redaktori: I dërguar nga një gazetë franceze ?

    Bulgakov: Jo!

    Kr/redaktori: As nga ndonjë gazetë tjetër e huaj?

    Bulgakovi: Jo. Kam ardhur nga një gazetë ruse!

    Kr/redaktori (duart fillojnë t’i dridhen): Nga ndonjë gazetë e bardhë e Rigës?

    Bulgakovi: Thjesht jam korrespondent i ‘Mbrëmjes Moskovite’,

    Kr/redaktori sekretares): E megjithatë ky nuk është njëri nga tanët!

    Në të vertetë, Shteti Sovjetik asnjëherë nuk e ndjeu Bulgakovin si të vetin!

    Bulgakovi, megjithatë, iu drejtua Teatrit. Ndoshta sepse salla e errët gjatë shfaqjeve, soditja e kulisave, prapaskenat ku rrinin aktorët, spektatorët e mrekulluar, qenë për të simbolika më elokuente e jetës. I futet me energji të jashtëzakonshme skenës, punon si dramaturg, asistent regjizor, madje dhe si aktor (në dramatizmin e ‘Klubit Pikuik’, luan rolin e gjykatësit). Pas ca sprovave në prozën satirike (Vezët e mundimshme dhe Diavoliada) shkruan dhe vë në skenë dramën “Ditët e Turbinave” në Teatrin e Artit në Moskë. Shfaqja provokoi diskutime të forta. Kjo dramë do mbetet e njohur si drama e vetme e vënë në skenë apo e botuar në gjallje të autorit. Të gjithë veprat e tjera të mëvonshme do t’i refuzoheshin brutalisht, madje disa herë, duke u bërë objekt i kritikave të ashpra në gazetat më të mëdha. Të gjitha këto Bulgakovi i ka rrëfyer me një forcë tronditëse në romanin e vet. Kur Mjeshtri thërritet në atë farë Lidhje të Shkrimtarëve për të dëgjuar se si i gjykohet vepra e pabotuar, ai çuditet jo nga akuzat, por nga ton i lartë i kritikëve… Pyeta veten, thotë Mjeshtri, përse bërtisnin kur flisnin? Derisa e kuptova arsyen: Flisnin me zë të lart sepse thoshin gjëra që nuk u besonin ata vetë…

     2.

    Rrallë mund të gjesh në historinë e letërsisë botërore një roman si “Mjeshtri dhe Margarita”, që të jetë tallur me hipokrizinë e letërsisë zyrtare, me Lidhjen e Shkrimtarëve, me injorancën dhe prepotencën e intelektualëve shtetërorë, me qyqarllëkun e shkrimtarëve mediokër, me falsitetin e atyre që konsideroheshin kritikë letrarë, me vetëbesimin e tyre materialist, konjuktural dhe hipokrit.

    Vepra e dytë e Bulgakovit “Udha”, pasi kritikohet pa u vënë në skenë, do të shfaqet 17 vite pas vdekjes së autorit. Në vitin 1927 ka përfunduar dramën tjetër “Apartamenti i Zoikës”. U akuzua se e paraqet realitetin në mënyrë të njëanshme dhe monstruozisht. Më 1929 provon shansin me dramën tjetër “Tarafi i besimtarëve”, një dramë mbi ditët e fundit të Molierit. Vetë Stanislavksi e hedh poshtë.

    Nga mesi i vitete ’30, Bulgakovi gjendet i qarkuar nga komploti i madh i heshtjes. Asnjë artikull i botuar. Asnjë intervistë. Asnjë përmendje emri. Në këto vite dëshpërimi tragjik, i telefonon Stalinit, pas i ka shkruar, më parë, një letër. Tirani i Kremlinit i telefon disa ditë më vonë. E thërrasin në Teatrin e Moskës. Për herë të parë e lejon veten të gënjehet. Shkruan komeditë “Adami dhe Eva”, dhe “Zhurdeni budalla” (sipas Molierit), “Ditët e fundit” (kushtuar Pushkinit) dhe “Don Kishotin” (1938). Asnjëra prej tyre nuk pa dritën e skenës e as atë të botimit. Derisa në mbretërinë e vetmisë, brenda katër mureve të dhomës, filloi të shkruante një ndër romanet më të mëdhenj të letërsisë ruse të shekullit të XX, “Mjeshtri dhe Margarita”.

     Një ditë pranvere, në rrugët e Moskës shfaqet djalli… Kështu fillon pak a shumë libri i Bulgakovit, njëri ndër romanet më kapriçioz, më sarkastik, më tronditës, më të thellë e më erudit. Në prozën e Bulgakovit, ajo që është e largët dhe imagjinare, bëhet e pranishme dhe autentike, po aq sa dhe realja kthehet në një farsë tragjike dhe disi përrallore. Ky roman është krahasuar me prozën e Gogolit. Jo më kot Bulgakovi ka provuar dramatizmin e “Shpirtrave të Vdekur”, një dramatizim ky që, sipas rregullit bulgakovian, nuk u vu në skenë kurrë! 

    Bulgakovi është një shkrimtar më një fantazi të jashtëzakonshme. Çdo gjë tek Bulgakovi kthehet në hiperbolë dhe fantazmagori. Ndoshta mënyra më e mirë për t’iu afruar atij realiteti, që gjithmonë përpiqej t’i ikte larg shkrimtarit të vetmuar.

    “Mjeshtri dhe Margarita” është gjithashtu romani himn i dashurisë. Margarita është përsëritja e heroinës së Faustit, si për të na kujtuar se Mjeshtri është ndoshta vetë Fausti… Në një çast dëshpërimi, Mjeshtri merr dorëshkrimin e romanit të vet për ta hedhur në zjarr. Dhe Margarita i thotë: “Dorëshkrimet nuk digjen kurrë!”. Është pikërisht kjo frazë që u bë e famshme në gjuhën ruse të kohës së komunizmit, një zhargon zyrash, rrugësh dhe sallave të universiteteve, një frazë që u kujtonte njerëzve se e keqja, ligësia nuk mund të jenë të përhershme në këtë botë! 

    Për fatin tim të keq, këtë libër nuk e pata lexuar përpara se unë vetë, i frikësuar nga kritikat e Pleniumit të Katërt, të hidhja në zjarr vëllimin poetik të përgatitur për botim, në vitin 1974.

    Dorëshkrimet nuk digjen – janë fjalët që Bulgakovi ia thotë gjithë shkrimtarëve të botës, për t’jua kujtuar edhe njëherë se letërsia dhe – më gjerë – vetë shpirti njerëzor, jetojnë përtej strukturave të pashpirta të administratave shtetërore të Pons Pilatëve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË