More
    KreuLetërsiBibliotekëRudolf Marku: Dhjetë këngët e sibilave në kujtim të Pjetër Bogdanit

    Rudolf Marku: Dhjetë këngët e sibilave në kujtim të Pjetër Bogdanit

    Në librin e vet Cuneus Prophetarum (1685), Pjetër Bogdani boton dhe 10 poezitë e tij  kushtuar dhjetë Sibilave, një cikël  poetik  që  kurr nuk e ka patur vëmendjen e merituar të studjuesve a të njerëzve  tanë të letrave.
    TS Elioti vë në krye të “Waste Land” – poema më ndikuese e poezisë botërore të shekullit të XX- një shënim për Sibilën e Cumaene-s, ndersa Mikelangjelo, shekuj para TS Eliotit,  pikturon ne Kapelen e Sistinës Pesë nga dhjetë Sibilat- ato të Cumaenen, Delfiken, Eritrean, Persianen dhe  të Libisë.  Ndërkohë ka me dhjetëra piktorë të Rilindjes europiane të cilët kanë dhënë variantët e veta të këtyre figurave misterioze.
    Interesi im për Sibilat lindi vite më pare, prej  leximit të poezive të Bogdanit tonë kushtuar  Sibilave, këtyre pasardhëseve të Kasandrës dhe Orakulllit të Delfit. Siç dihet, Sibilat janë gra-vajza Profete të Greqisë së Lashtë, të cilat profetizonin në një vënd të ngujuar ( shpellë a yrt i shkretë), fillimisht në Delfi dhe Pesino, dhe të cilave u ishte dhënë nga Apollo jetëgjatësia e përjetshme, por jo rinia e përjetshme. Në shekujt e mëvonshëm, shkrimtarë të ndryshëm dëshmojnë për Sibilat në Itali ( Cumaene është një vendndodhje afër Napolit të sotëm),  dhe në Azinë e Vogël ( Turqia e Sotme). 
    Pjetër Bogdani mbetet një figurë pak e vlerësuar tek ne- çka ndodh shpesh herë me figurat e shquara të kulturës e të historisë tonë. Edhe pse te poezia e Bogdanit mund të vesh re pika takimi me poezinë e Shën Françeskut të Assisit Laudes Creaturarum dhe me poetë të tjerë të Rilindjes europiane.
    Ky cikël poetik është shkruar si një replica bashkëkohore e poezisë së Bogdanit, a si një përkujdesje kujtese e krijimtarisë së tij të hershme poetike, e krijimtarisë së njërit prej figurave më të shquara të kombit shqiptar.

    SIBILA CUMAENE

    ‘’ Sepse Sibilën e kam pa me sytë e mi në Cumaene të varuru në një qelqurinë, e kur fëmijët e pyesnin: Sibila, çka don? Ajo gjegjej : Dua me dekë!,, – Tokë e Shkretë, T.S. Eliot
     
                                                                                                                             
    Koha ka mbajtë mirë, të korrat kanë qënë të bollshme,
    Asnjëherë tjetër Pema e marrëzisë nuk ka dhënë fruta aq shumë sa këtë vit,
    Varur në degët e reve, sipër rrëpirave të maleve, buzë honesh.
    Tani, kur Klima e zemëruar
    Arriti ta gjejë  ekuilibrin prapë ,
    Ujqërit kanë zbritë mes njerëzish, duke folë për paqen dhe mirësinë,
    Ndersa vetë  ligësitë  kanë  komplotuar në   çertifikatat tuaja të  lindjes.
     
    O Bir i Njeriut, veshur më lëkurën e fishkur të vetvetes,
    Engjëjt të kanë braktisë prej shekujsh,
    Të thanë se Shtëpinë e ke në Bankat me shkëlqim, brenda kasafortave të hekurta,
    Dhe ti  nuk dite as me qa;
    E dashura jote ka  shkuar në konstelacione të largëta,
    Dhe ti vazhdon t’i shkruash letra dashurie,
    Dhe vetë  fëmijët e tu  kanë kohë që as emërin nuk ta dijnë,
    Nuk lozin me dhitë e egëra, majë shkëmbinjëve
    Dhe  u pëlqen elektronika edhe kur qielli asht mbush me yje,
    Dhe  librat e tu kurr nuk i lexojnë.
    E prapë ti pret që mrekullia të ndodh.
     
    Lavdi marrëzisë së bollshme të këtij viti,
    Se dhëmbja këtë  rradhë   nuk do shoqërohet
                                                    as me rënkime e as  me lotë !
     


    SIBILA E DELFIT

    Njerëzit vdektarë duan ta shpëtojnë botën nga vdekja,
    Të ndrymë në një shishe qelqi duan të luftojnë kundër stuhive,
    Dhe të arrijnë pavdkesinë.
     
    Biri i Njeriut dhe Cjapi dhe Dragoi
    Do shfaqen në majën e malit duke qarë së bashku me dënesë.
     
    O kohë që je e vetmja gjë e  përjetshme,
    Si mund t’u flasësh ti vetë vdektarëve
    Për  murtajën, kovidin dhe tërmetet shkatërruese?
     
    E përzunë Birin e njeriut që mbërriti mes tyre,
                                                e gjuajtën me gurë rrënojash
    Sepse nuk u premtoi sekretet e pasurisë e të pavdekësive,
     
    Atyne që më parë vdesin se arrijnë të festojnë ditën e lindjes së vet,
    Dhe që pasurinë e vetme e kanë rregjistruar,
    Në  Bankën kurr  të munguar të Nekrologjive.


    SIBILA E SHKODRËS

    Mjegulla që fsheh kafshimet e moteve,
    Dhe Liqeni  që u sjell ujë  plagëve për lehtësim;
    Emni jem asht Rozafë, a Teutë, a vetë Zoja që e fyeme ka ik
    Ose vetë Trishtimi  që pikon  si qumështi i Rozafës
     
    Pikë -pikë, pikë-pikë!
     
    Këtu Kalvari  asht si vetë lindja
    Me dy lumenjt që kryqëzohen  si dy heshta përballë
    Dhe Golgota një shëtitore poshtë mureve të Kalasë
    Me një kujtesë dardane të ardhun si mall.
     
    Në Kalanë tande ka më shumë Porta se Mure,
    Ma shumë dhëmbshuri se urrejtje që vjen nga larg,
    Ma shumë fëmijë që lozin në pluhun se pleq të moçëm
    Ma shumë dritë që i bishton  si metaforë  errsinës në  natë.
     
    Dhe  trishtimi që  rrjedh çdo ditë si ritual.
    Kujtesa këtu  dhëmb përherë e më shumë çdo ditë,
    Edhe pse ushtarët e  dikurshëm  ngjiten malit drejt Kalasë,
    Dhe zbresin në muzg  asnjëherë pa  arritë.


    SIBILA E TIBURTINES

    Veshur me Diell, mathur me hanë
    Shfaqet Biri i Njeriut në rrugën e madhe.
    Demodè, natyrisht. Jashtë katalogëve të modës
    Veç një grusht fëmijësh të palamë i shkojnë mrapa
    Kanalet televizive e kanë lajmëruar prej kohësh
    Trendin e fundit të veshjeve të  Botës.
     
    Biri i Njeriut ka humbë, mes Ekuinokseve
    E kush mundet ta kuptojë marrëzinë globale
    Të paprekur nga stuhitë deri vone?
     
    Klimat e zemëruara nuk do arrijnë ta kërcënojnë
    Fatin e marrëzisë tonë!

    SIBILA E TIRANËS

    Ja tek vjen Biri i Njeriut!
    Nga maja  e  rrokaqiejve të Tiranës zbret në muzg
    Por qyteti është pa hije pemësh, pa prrenj dhe lumenj,
    Pa një hije të vetme ku të ndalësh të kujtosh se kush je.
    Zbret me shkallë resh në trafikun e zhurmshëm,
    Mes pluhurit që varet mbi kaosin modern.
    Askush nuk e njeh; tek tuk policët  shohin me  dyshim,
    Kujtohen befas se Romakët e  Ponc Pilatit kishin uniformë tjetër.
     
    Bir Njeriu- Juda Iskariot pret të  të puth treqind herë
    Pastaj do shkojë në Bankën Kombëtare të thyej çekun!
     
    Në lagjen e  Bllokut thonë  se rubinetët kullojnë gjak
    Nga qëngjat e  therrur.
     
    Dhe Engjëllin që lajmëronte ardhjen tënde
    E morën në pyetje  në një Këshillë Pleqsh.
     
    Vetë Pons Pilati do shfaqet ditën e djelë
    Për t’i predikuar një populli ateist Biblën e vetëvrasjeve.


    SIBILA E PRIZRENIT

    Biri i Njeriut u shfaq në malin e Pashtrikut,
    Një rrethnajë yjesh  mbulon qiellin e natës,
    Me të njejtin shabllon të përpikt  gjeometrie,  si gjëmbat në  kunorën e ardhshme.

     Vera është Stinë e Thatë.
    Në ditët e fundit të Gushtit do mendojmë të shlyejmë borxhet,
    Pa pasë kohë që të lutemi për shiun.
    Shumë nga ditët e mira do të jenë të njajta,
    Me një diell të pluhurt si një penel piktori
    Që bën dhe ribën peisazhet  e shkreta të Anadollit.
      
    Të gjithë e harruan Birin e Njeriun
    Në majën e malit të  gjelbërt të Pashtrikut,
    Veç lulës së terfilit me pesë fletë,
    Që lind njëherë në pesëqind vjet,
    Edhe atëherë për t’u shkelë nën kambën e këmbësorit  të verbër.
     

    Një erë e nxehtë ka për të fry prej viseve të largëta
    Do të djegë më kot pemët dhe gurt,
     
    Lakrimorja e fundit që u gjet në Kalanë e Prizrenit
    Është si një sy prej qelqi që nuk mbajti  lotë kurr.


    SIBILA E LIDHJES SË SHKRIMTARËVE

    Nuk e pamë Birin e Njeriut, ishim të zënë më shkrimet tona.
    Lajmësit  e dhanë më vonë  ardhjen e tij,
    Por ne ishim të ftuar  në gostinë e Pons Pilatit.
     
    Çdo vit na kërkon të hapim një tunel tjetër,
    Në intrigën e subjektit që shkruajmë,
    Në Labirinthet e ngatërruara të jetës tonë.
     
    Më kot përpiqemi të shtojmë  
    Një kapitull tjetër në fundin e librit
    I cili kurr nuk do t’i mbyll fletët.
     
    Bibiotekës së Alekasandrisë iu vu zjarri,
    Nga lexuesit e zemëruar që  kërkojnë një Fund të Lumtur
    Si ajo puthja e Judës që kujtohet  në shekuj.


    SIBILA E PARLAMENTIT

    Terrori ka fytyrë të pafajshme,
    Flet me elegancën e ajërt e plot dritë;
    Është e kotë përpjekja për të dëshifruar koded e vrasjeve,
    Shkruar me alfabetin primordial të Kainit.

    I ngritën prapë Tempujt me gjakun e të  pafajshmëve,
    Stallat e Augeas-it nuk ka kush t’i pastrojë,
    Ferri është një destinacion turistik,
    duhesh të paguash që të hysh në të.
     
     
    Në një botë të rrafshët
    Dhëmbja për të jetuar sanksionohet me ligje.
     
     
    O njerëz të fuqishëm, çfarë arritën der më tash,
    Veç shtizave, iluzioneve, xhelozisë dhe zilive?
    Erdh koha të derdhni lotë për veten tuaj!
     
     
    Hosanna- për Kainin dhe filistinët e Tempujve
    O Bir i Njeriut
    Kryqëzimin tënd kërkojnë pa gjetur  prehje kurr.


    SIBILA E DASHNISË 

    Kam qënë trëndafili i Sharonit, zambakui i luginave të Jeruzalemit,
    Dhe lulebora e kopshteve të fshehura të Shkodrës.
     
    Zemrat janë vende të rreme si mirazhet,
    Në një botë të rrafshët ku askush  nuk arrin.
     
    Në cilat shtylla prej hejesh të akullt
    Varen lajmërimet e vdekjeve të dashnive?
    Cila muzikë  alegre do luhet në vdekjen e saj?
     
    O qytetnim pa dashni,
    Dhe dije pa rrahje zemrash,
    Si një aeroplan me dy  krahë të destinuara të thyhen
    Në lartësi marramendëse pa shpresë shpëtimi.
     
    Në një shfaqie bamirësie, në Amfiteatrin e Veronës
    Rolin e Xhuljetsë  e luan  një transgjender e bukur  vjeneze,
    Me flokët e verdha Aryane, dhe me sytë në ngjyrë blu.
     
    Nuk mund të gjesh  krime me prova të mjaftueshme për flakët e përjetshme!


    KËNGA E SIBILËS QË NUK ËSHTË LINDUR

    Mëshira është mrrolë  në trajtën e skeletit  të  çvarrosun
    Në  elegancën gjithë përkujdesje të rrathëve të sintaksës
    Tek vallëzon  mes ngjyrave të  ikonografive të modës më të fundit.
     
    Zotat më të fuqishëm predikojnë Biblat e veta,
    Profetët e rinj  shkrujanë me variantet më të  reja të teknologjisë.
     
    Rrethuar me flakët e Ferrit që ngrihen der’ në qiej,
    E kanë më të lehtë të flasin për Ngrohjen Globale,
    Për shkrirjen e ajsbergëve të Antraktitës,  dëborën e Himalajit,
    Dhe të predikojnë se së shpejti vetë Arinjt polarë
    Do japin shfaqje me arixhinjt e Ballkanit.
     
    Në Ngrohjen Globale, rrethuar nga Flakët
    Që ngrihen me një familjaritet sistematik deri natën vonë,
    Bir i Njeriut, ja  ku shfaqesh mes  posterve të  mëdha:
    The most wanted fugitive in the World !
     
     

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË