More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRomani “PRAGU - Vdekja shkruan me dy duar”, Ardian-Christian Kyçykut--Një vepër...

    Romani “PRAGU – Vdekja shkruan me dy duar”, Ardian-Christian Kyçykut–Një vepër letrare që të jep siklet e kënaqësi, njëkohësisht!

    Nga Bajram Sefaj

    Me vete kisha marrë një Kofer (të ngjashëm me atë të Konicës!), me libra plot. Krye-specialitet, specialitet deserti, ëmbëlsira e gjithë asaj që bartja me vete në atë Kofër, pa fije dyshimi, ishte vepra e re letrare e shkrimtarit (tim) të preferuar, romani «PRAGU – Vdekja shkruan me dy duar» e pogradecarit (enkelanasit) Ardian-Christian Kyçyku, tash bukureshtar i natyralizuar, ku jeton, punon e krijon prej shumë vitesh. Sa herë lexoj vepër të re të këtij princi (a mbreti!), të këtij gjeniu të letrave shqipe, po aq herë, gënjej e them: kjo është kryevepra e tij dhe e letërsisë shqipe përgjithësisht dhe Pikë!

    Nuk vonon shumë e nga penë (pemë!) e tij e vyer, nga pena e mendja e ndritur e tij frutore, pikë e del në dritë, vjen në duar të lexuesit, libri tjetër, i ri edhe më i mirë së pararendësi i këtij autori të vyer e tejet të frytshëm. Sikur ishte rasti me «Pragu-n» e tij më të ri. Kësaj radhe nuk them se kjo është kryevepra e tij. Jo, meazallah! Sepse ky autor krejt i veçantë në letërsinë tonë (e pse jo edhe në atë ballkanike, evropiane e botërore, lirisht e pa drojë asfare, mund të pohohet!). Jo, kësaj radhe nuk përsëris gabimin tashmë të moçëm: kjo ishte kryevepra e këtij autori, ngase Ardian-Christian Kyçyku, para vetes ka edhe shumë e shumë Pragje për të kapërcyer e kjo, madje, bëhet e ditur dhe publike, si premtim i mirë, kur lexojmë në kopertinën mbyllëse të këtij Pragu: “Ky roman hap serinë me “shKujtime” të Ardian-Christian Kyçykut, që zhbirojnë nga një kënd i panjohur disa prej ngjarjeve thelbësore të botës shqiptare e letrare”.

    Pres(im), pra lajme të mira nga andej e nuk nxitoj(më)… Në vend që të paragjykoj e prognozoj çfarëdo qoftë, kësaj radhe them: si çdo vepër e re letrare, edhe kjo më reja, pra, “Pragu…” i Ardianit me sjell në siklet të dyfishtë! I pari është xhelozia dhe pyetja: pse edhe unë nuk di të shkruaj aq bukur si ai, dhe sikleti i dytë është: pse në dorë me ngrin lapsi i pa aktivizuar e deri në fund të librit. Kur nuk jam në gjendje të ngul askund e të veçoj e nënvizoj asgjë, hiç! Kur çdo gjë është e mirë dhe në vendin (filozofinë, artin) e vet. Tamam sikur kur hyjmë në një shitore këpucësh, e dalim pa e ble asnjë palë, nga se të gjitha janë të bukura (shik!), të gjitha na pëlqejnë njësoj. Eh sa lehtë do të ishte sikur midis atyre 172 faqeve, sa ka ky roman i mrekullueshëm, të ndeshje vetëm disa rreshta me fraza të mira, disa porosi, mençuri e porosi…, lehtë do të dilej matanë.

    “Ngjarjet që pasojnë janë folur me vete, më një lloj verbimi,-  për të cilin do të  shkruhet aq sa duhet , – dhe / ose janë shkruar me vete, në një lloj dëgjimi, për të cilin do të flitet aq sa duhet», thotë vetë autori dhe (ne) i shtojmë edhe këto fjali të hedhura në kapakët mbyllëse pa  pasur guxim të bëjmë as më të voglën ndërhyrje, por me qëllim të mirë që, sadopak, lexuesit t’ia ofrojmë përmbajtjen e këtij romani krejt të veçantë dhe të paparë (të pa lexuar!) deri me tash.

    Autori vazhdon se kallëzuari: “Në “rolet” kryesore: Zëri, Hija, Gjyshi magjistar, Gjyshi që muros dritare, hijet e dashura të gjysheve, kosa, Ajo, Rumuni, Shqiptari, Greku, Amerikani, Turku, uji, dëbora, tunele në akull, libra të djegur, Gjoli, Kinemaja; gurë të latuar kalldrëmi e themelesh, verbim(e), hiri, Kujtesa, uria e peshqve, drita, fluturimi, një dashuri e fshehur, sende nga luftërat botërore, qirinj, një kamion i vjetër, vegla të dukshme e të padukshme ndërtimi, por, edhe shkatërrimi, disa dogana, dinamiti, bojë shkrimi si gjak dhe gjak si bojë, zhgjëndrra, Varreza, fjalë e pasthirrma,  por sidomos heshtje, Metaforat nyjëtohen në bindjen se “Vdekja jo vetëm shkruan me dy duar, por edhe flet me dorashka…”.

    Ec e bjeri në fije, ec e hy në këtë mal labirinti dhe, akoma më vështirë, të gjesh shtegun e duhur e të dalësh nga ai!  Veç edhe një çikërrimë (detaj), i imtë fare, i hedhur në kapakun ballore (titullore) të këtij romani gjithandej bravuroz dhe atraktiv gjithandej, – shKujtime.

    Fjala, pra, është për shkronjën nistore sh që nxjerr në pah një fjalë (të re) të krijuar nga vetë autori. (Kjo është e tëra, nga ana ime, mbi këtë libër të lexuar mbi valët e Adriatikut kaltërosh, atje, në atë Velipojën tonë, lexuar jo pa mund e përqendrim të thelle përkushtimi, por edhe kënaqësie të jashtëzakonshme, megjithatë.

    Tash e tutje, them (definitivisht), me Ardianin le të merret dikush që di shumë, që e njeh mirë letërsinë, deri në palcë, ose vetë ekspertët e çmimit Nobel,  ata vetë, të Akademisë Mbretërore të Suedisë, në Stokholm. Shkrimtari shqiptar, relativisht i ri, Ardian-Christian Kyçyku, sipas mendimit tim subjektiv, me veprën e tij madhore letrare moti kohë ka kapërcyer PRAGUN e shkrimtarëve të rëndomtë dhe është ngritur atje lart në Elitë, ka hipur në Stratosferë. Është veshur me festë!;

    (Velipojë, shtator 2019)

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË