nga Behar Gjoka
Ribotimi i romanit Lulet e kripës (ndonëse dikur qe botuar me titullin Lulja e kripës), të shkrimtarit Jakov Xoxa, na jep mundësinë për të prekur magjinë e prozës, të marrë në kontekst me veprën letrare të autorit, por pandarazi të kontributit të dhënë në tipologjinë e romanit, në kuadër të letërsisë bashkëkohore shqipe. Mbijetesa e vlerave letrare, krahas formave të tjera, është e ndërvarur nga dy akte:
A – Ribotimi i teksteve letrare me vlera, që buron nga përkujdesja e politikës kulturore dhe botuese, ku përveçohet praktika e botimit të krijimtarisë së autorit prej shtëpisë botuese Enciklopedia.
B – Rileximi i veprave të autorëve të rëndësishëm, ku përfshihet kontributi i vyer i Jakov Xoxës, si prova domethënëse e vlefshmërisë së veprave letrare. Për modelet letrare në lëvrimin e romanit, duke mbetur nga mjeshtrat e tipologjisë romanore të problematikave të mprehta shoqërore dhe të sendërtuara përmes fakturës realiste.
Marrja në dorë e një vepre të ribotuar, duke përfshirë edhe materien e tekstit të hequr dikur, që përbën një objekt më vete për hulumtim, sepse na vendos në një situatë të ndërkomunikimit të konteksteve, të kohës shkrimore dhe të konteksteve të leximit, është edhe zbulimi i dritëhijeve, që shoqërojnë fatin e veprave të caktuara. Kjo rrethanë është dukshëm shpalohet në hapësirën e romanit për të cilin, Gjergj Llukash, në librin Teoria e Romanit, nënvizon: Vetëm në roman dhe në disa forma të tjera epike të afërta me të ndodh kujtimi krijues, i cili e qëllon dhe transformon lëndën. Rrethanat e shkrimit në kohën e monizmit, që në letërsi pati si model realizmin socialist, që e ktheu letërsinë në shërbesë, aq më tepër të një situate simbolike, që ky libër botohet pasi shkrimtari është ndarë nga jeta, fiton një dimension tjetër dhe një mbingarkesë komplekse për ta lexuar dhe rilexuar vëmendshëm. Natyra e ndërlikuar, me lexuesin në hapësirë dhe kohë, e bën të detyrueshme hedhjen e vështrimit në disa aspekte të shenjave artistike:
– Vlera e ribotimit të romanit Lulet e kripës.
– Vendosjes e romani në opusin të Jakov Xoxës, si mjeshtri i romanit.
– Tiparet e veçanta, krahasimisht me romanet e letërsisë bashkëkohore.
Romani Lulet e kripës, ribotimi i pestë, shoqëruar me plotësime të teksteve, shënon ngjarje për autorin dhe për letërsinë shqipe. Për këtë rrethanë, në hyrje shkruhet: Siç ndodhte rëndom edhe me autorët me të shquar gjatë periudhës socialiste, katër botimet e atëhershme të këitj romani nuk kanë qenë as të plota dhe as të pacënuara, qoftë edhe nga ana ideore, qoftë edhe nga ajo artistike. (2016: Për vetë autorin, mbetet thënia emblematike “ky roman ma hëngri kokën”, pra është përjetuar si vepra e jetës, tashmë vjen në duart e lexuesit në formën e plotësuar. Nga ana tjetër, rëndësia e këtij romani dhe gjithë krijimtarisë së shkrimtarit, me letrat shqipe bashkëkohore, lidhet me një akt që evidenton praninë e censurës, e cila duhet dëshmuar kudoqë ka ndodhur, për shkak të mospranisë së normave dogamtike të realizmit socialist. Ndalesa kryesore në këtë ligjëratë do të jetë në shqyrtimin e vlerës që bart ky roman, për shenjat artistike, të përplotësuara tashmë, që e vendosin librin në një stad tjetër, të botimit dhe leximit në rrethanat e lirisë njerëzore dhe letrare. Në mesin e shenjave që ma tërhoqën vëmendjen, edhe në kushtet e rileximit të romanit të përplotësuar, është struktura romanore, e konceptuar me ndarje dhe nëndarje, në vëllime dhe libra, në kapituj dhe emërtime të tjera, të cilat shoqërojnë ato, që vetiu krijojnë amtosferën e një tabloje të plotë të kohës në harkun e luftës së fundit botërore, të shpërfaqura me tiparet tipologjike të romanit modern. Madje, kundruar në brendësi të veprës, duke shpërfaqur përmasën e një romani epope, me 888 faqe tekst, nga moria e linjave dhe ngjarjeve, si dhe nga larmia e ngjyresave të konfliktit të madh më pushtuesin, të mikrokonflikteve shoqërore të vegjëlisë me të pasurit, që pasurojnë hapësirën romanore. Prania e paratekstit të legjendës për të varfërit, por edhe e disa legjendave të tjera, të ëndrrave që shihen me sytë hapur dhe mbyllur, e sidomos të mallkimeve të Gruas së Mallkimeve, pavarësisht mbizotërimit të toneve realiste të jetës konkrete, i japin tonin dhe ngjyrat e realizmit magjik, gjë që ka mundësuar që Nafora me kriporen të jetë një lloj makonde e shkrimtarit, e ngjashme me makondën e Markesit, që tanimë duhet hetuar në të gjithë elementët e pranishëm. Befasi në vete është “loja” magjike me lulet e kripës, të cilat sipas autorit, vijnë në këto dy forma: Lulja e kripës së butë, Lulja e kripës së egër. Po kaq befasi, përbën fakti, që ngjarjet e shtrira në kohë, me fillesë vitet ’40 të shekullit të kaluar, që përkojnë me Luftën e Dytë Botërore, me luftën Italo-greke, të kryer në tokën shqiptare, ngjet në një hapësirë tepër të ngushtë, të kripores, gjolit dhe Nafariotit, që këtu fiton peshën e një simboli të fatit të qenies njerëzore dhe shqiptare në kohën më të vështirë të atij shekulli. Në këtë atmosferë, në këtë zonë, që bart filozofinë e jetës, se kripa është jeta e njeriut, e sidomos e të varfërëve, ndjehet klima e pushtuesit fashist, e forcave greke, e përhapjes së ideve komuniste, duke e mbështjellur vetë kohën imnagjinare në një vello simbolike të pazakontë. Po ashtu, vlerë më vetë, shenjon skicimi dhe portretizimi i personazheve, ku të gjithë papërjashtim, të rritur apo fëmijë, mbeten në mendje si karaktere të spikatuara të gjithë tipet, personazhet kryesor, dytësorë apo episodik. Mbi të gjitha mjeshtëria e linjave dhe skicimit të kraktereve, të krijimit të një klime artistike, që përgjithësisht nuk ka të bëjë me modelin e realizmit socialsit, lidhet me narrativën, me pentagramin e endur mjeshtërisht në këtë roman, ashtu si gjithë prozën e tij, e në mënyrë të veçantë në realizmin e romaneve. Kjo rrethanë e ngjyresave të narrativës së pranishme në faqet e romanit Lulet e kripës, ndërkaq përkon me sugjerimin e Tzvetan Todorov kur nënvizon: Nganjëherë flitet për një rrëfim të thjeshtë, të lidhur mirë dhe të natyrshëm, për një rrëfim të hershëm, që nuk i kishte cenet e rrëfimit modern, një pohim i bërë në librin Poetika e prozës, duke krijuar kështu një situatë të re të komunikimit me lexusin dhe studimet letrare.
Përpjekja për ta vendosur ribotimin e romanit Lulet e kripës në marrëdhënie me veprën letrare, ku fillesat shpalosen me librin Novela, si dhe me ndonjë tekst dramatik, do të kërkonte një punë të gjatë, hulumtuese dhe interpretuese, për të prekur vatrat e ligjërimit letrar. Për shkak të rrethanës specifike, që kemi në analizë ribotimin e romanit Lulet e kripës, në rrafshet e përqasjes së ndërmjetme, të labrinthit të endur prej shkrimtarit në tipologjinë e romanit, vetëmsa mund të hedhim ndonjë piketë të nivelit të përfaqësimit në përqasje të brendshme të krijimtarisë së shkrimtarit. Jakov Xoxa, në thelbin e vetë përfaqësues, në letërsinë shqipe, ka hyrë dhe do të mbetet si prozator. Po kaq, emri i tij do të jetë i skalitur si lëvrues i romanit, që në hapësirën e vetë rrok disa përmasa, vendosjen në qendër të fatit të qenies shqiptare, në kohë dhe hapësirë, trajtimin e problemeve më të mprehta shoqërore, të sjella përmes kamerës realiste, që gjithnjë simbas studimeve letrare, në shumicën e vetë nuk ka lidhje organike me modelin e realizmit socialist, si tekst letrar. Megjithatë, në mes romaneve, Lumi i vdekur, nga lexuesi dhe studimet është përcaktuar si kryevepër, po ashtu për një pjesë të gjatë kohore ka qenë pjesë e programeve mësimore, ndërkaq që vetë autorit, për Lulet e kripës shprehet qartësisht se ma hëngri kokën. Në shijen e leximit, të esencës letrare që përçohet në prozën autorit, për praninë e vlerave gjuhësore të varianteve të shqipes, pak më e theksuar në tekstin Lumi i vdekur, por edhe prej faktit domethënës që personazhet e Jakov Xoxës lëvizin nga njëra vepër në tjetrën, ndërkaq janë dy vepra cilësore të një shkrimtari mjeshtër, ku në të dy tekstet spikatet aftësia rrëfimore dhe strukturore, duke bartuar fatet e personazheve, çka e bën veprën romanore pjesë të Sagës shqiptare të autorit, që janë pjesë e kurorës romanore që vënë në qendër shqiptarin, në kohë të ndryshme, të përbërë nga tre romane, të cilët ndërkohë anojnë edhe nga sendërtimi i romanit epope, duke gdhendur fytyrën e qenies shqiptare, në dritëhijet e veta. Pra, romani Lulet e kripës, tashmë i ribotuar, duke përfshirë materie teksti të ndaluar dikur, përfaqëson njërin nga romanet me vlerë të shkrimtarit, po kaq edhe një model të përveçëm të sendërtimit të tipologjisë romanore, që ka vënë në qendër kohën e luftës botërore, duke paraqitur një tablo të jetës së Naforës, si një simbol i trojeve të përfshira në shtjellën e Luftës së Dytë Botërore.
Vlerë të veçantë shënon fakti i vendosjes së romanit Lulet e Kripës, si dhe të krijimtarisë së autorit, të romaneve Lumi i vdekur dhe Juga e bardhë, në situatë krahsimore me letërsinë e kohës, me zhvillimin e romanit, me atë letërsi që në pjesën dërrmuese u përfshi në hullinë e realizmit socialist. Qysh në krye, varësisht teksteve, këto romane janë shkruar në atë atmosferë, por më tepër duken jashtë klimës së atij modeli. Megjithatë, hetimi i kësaj situate, do të kërkonte shqyrtime më të thelluara, më të plota në rrafshet e krahasimit ndërtekstor. Varësisht situates, që ngërthejnë të tre tekstet romanor të autorit, vihen re ndryshime të përfillshme. Në mesin e këtyre ndryshimeve, që dëshmohen në veprën letrare të Jakov Xoxës, në romanet e tij, do të veçonim:
Së pari: Rrokja e jetës në gjerësi, e jetës së shqiptarit, në kohë dhe hapësirë, duke vënë në epiqendër fatin e njeriut, si individ dhe shoqëri, duke skicuar pamjet më të thekura të mjerimit dhe varfërisë së skajshme.
Së dyti: Vizatimi i personazheve, si demensione karakteresh, ta gjalla dhe të plota, në ndryshim nga personazhet-hije, që mbizotërojnë në pjesën dërrmuese të romaneve që zbatuan në mënyrë të përpikshme normat e realizmit socialist.
Së treti: Pasuria gjuhësore e të tre romaneve, ku nuk përjashtohet asnjë ngjyresë e sistemit të shqipes, përbën një aspekt dhe vlerë unike të krijimtarisë së tij letrare.
Së katërti: Shenjat e realizmit, që pothuasje nuk kanë të bëjnë me kodet e realizmit socialist, përkundër asaj situate ku letërsia shqipe, poezia dhe proza, u përfshin në zbatimin e këtyre normave.
Vepra letrare e Jakov Xoxës, pamëdyshje edhe romani Lulet e kripës, përfaqëson një vlerë të letërsisë bashkëkohore shqipe, për shkak të mjeshtërisë në sendërtimin e tipologjisë së romanit, realist dhe shoqërore, ma kahje të qarta të romanit epope, të figurimit deri në gdhendje të karaktereve, ndërkohë që personazhet e modelit të realizmit socialist përkojnë me idetë dhe shpërfytyrimin e tyre, si dhe për magjinë e narravitës, që ngërthen në hapësirën e vetë, gjithë visaret e gjuhës shqipe, pa përjashtuar asnjë variant të saj. Megjithatë, për sendërtimin e ngjyrave modern, është e rëndësishme ajo që pohohet nga dija letrare, e cila me kërkimet dhe hulumtimet e kryera, sjellë një përfundim të pazakontë: Modernizmi buron si reaksion ndaj utilitarizmit pozitivist dhe si vazhdimësi e romanticizmit të vonuar. Pra, modernizmi në thelbin e vet, gjë që dëshmohet si materie edhe në letërsinë shqipe, të Jakov Xoxës, pra te Lulet e kripës, më tepër është një formë e shprehjes së lartë intelektuale me nuanca të përfillshme të elementeve të romanticizmit dhe natyralizmit, që bart në hapësirën e tekstit ëndrrën dhe zhgjëndrrën, por që përgjithësisht është në kërkim të risive, mbi të gjitha të imagjinatës, e cila ndërkaq mundëson sendërtimin e një bote moderne, në brendi dhe formë, e një letërsi të ndryshme nga pjesa tjetër, mbi të gjitha për sendërtimin e universit letrar si dëshmi realiste dhe moderne.