More
    KreuOpinionRobert Pinski: Mitet e studios

    Robert Pinski: Mitet e studios

    E brendashkruara qetësi e ndërprerë nga thirrjet e zogjve, ose zhurma e qenit që hidhet nga qilimi në qilim, kryq e tërthor dyshemesë së drunjtë ngjyrë të pjekur. Kabinë malore apo barakë kodrinore, ndoshta edhe lëçitje e thellë në librari, frëngji qele për soditjen e turmës së njerëzve të bërë mullar. Privatësi, qetësi, e lartësuara meshë e zgjatuar e mëngjesit të hapur tej e tej për punë, pa telefon, radio apo televizor. Imagjinata e çlirët nga devijimi: Çerdhja e Shkrimtarëve.

    Për mua, një Ferr i mprehtë. Në këtë podium pritjeje, mundet të çmendem nga përgjërimi i ziles telefonike, nga kërkesat e fëmijëve, nga çdo qoshk shmangie i ardhur të më çlirojë nga vuajtjet paditëse të kohës së lirë.

    – Kur shkruani?

    – Kurdoherë që është e papërshtatshme.

    Vetmia më e mirë realizohet: nuk pajiset nga mitet e ngucura të barakës në pyll, por kapet me forcë vetë-dëshironjëse në fushën e nderit, në aeroport në sallën e hallavitjes, ose në të qenin vetëm për vetëm në makinë, në vetminë e ngrirë të një klase të mërzitshme, apo në arratinë e leximit me zhdërvjelltësi, përmes provokimit të brendshëm të ëndërrimit.

    Më mirë përmes pemëve (ose në rrugë) se sa në kabinë, sepse e ecura mund të gjallërojë trupin dhe arsyet, në një rrugë që të drejton drejt endjeve alarmuese të poezisë, duke lëvizur drejt gjërave, duke parë për rreth – sistemin pa qëllim.

    Wallace Stevens dhe William Wordsworth kanë kompozuar ndërsa ecnin. Kam dëgjuar se rrugica e Parkut Hartford ku Stivensi kalonte për të shkuar në kompaninë e tij të sigurimeve, përmban pjesën më natyrale të imazheve të punës së tij, përfshi guguftutë dhe pallonjtë. Emily Dickinson qëndronte në shtëpi, por Elizabeth Bishop e ndërtonte “Drerin brilopatë” në një autobus urban, edhe poemat e William Carlos William si për shembull “Në rrugën për tek spitali infektues” zbulon nëpërmjet poezisë kopshtin e soditur nga një automobil në lëvizje.

    Ndoshta një makinë apo një aeroport, një rrugë ose një vagon, mund të sjellë fotografinë e vërtetë të vendit tim të punës në raport me aktualitetin tim të tanishëm, të kësaj dhome në një shtëpi të stilit të vjetër: kthina që dashuroj, e veshur me fotografitë e mia dhe objektet tabu, dhuratat. Dhe këto qindra libra, një minoritet të vogël prej të cilave e dua me të vërtetë. Veçanërisht nuk jam i rregullt; mesatarisht, çrregullime zhuli të pashquar mbulojnë sipërfaqen e këtij vendi që përngjan me dhomat që kam parë në dhjetëra shtëpi të tjera shkrimtarësh.

    Rrëmuja ndihmon për ta mbajtur vendin nga degjenerimi i pastërtisë së bardhë, formë kjo nga e cila do të ndihesha komplet jashtë, një nënshkrim i nënkuptuar nga e urryera Ministri e Krijimit, nga Departamenti i Poezisë Lirike – një agjensi që kam nevojë ta imagjinoj për ta kundërshtuar. Poezia, të gjitha veprat serioze, vringëllijnë për mua në kohën e vjedhur, iluzioni i “të luajturit hookey mbi akull”: një arsye për shkeljen e detyrës që ishte pak e vjetruar edhe përgjatë djalërisë time. Frazat e vjetra kanë disa gojëzime magjike: lehtësia e “të luajturit” ndjek dhëmbëzën e përkuljes nën “grremç”, pseudonimi i “hokejit” ndoshta me një pasqyrim të njeriut-bishtnues krenar në lojën mbi akull.

    Këtu në dhomën time të lezetshme, kam krijuar rezervat e pjesës më kryesore të shkrimeve, kam trashëguar nga rinia e hershme, të keqen e paaftësisë studentore për të kryer çfarë është supozuar për t’u bërë. Në thellësinë e pas radhës, kodi ynë na dëfton: lëri të tjerët të mbartin çmimin e tyre skllavërues të vijës së drejtë, kurse braktisja e shkollimit tonë zinte vend ndërsa kënaqeshim pa masë. Jo me të vërtetë ngaqë vërtet kënaqeshim, por ngaqë ishim të kënaqur që njihnim për fakt faktin që ndërmjet bashkëbisedimeve tona – kur ndodheshim mbi terrenin tonë, tjetërkund – ka qenë shumë më jetësore dhe krijuese se sa gjithçka tjetër që duhej dëgjuar në klasën e dhomëzave shkollore.

    Begenisja e shtirur e Asistentit Kryesor: A keni një vend të qetë për të punuar? A keni një skrivani dhe llambë të mirë ndriçimi?

    – Për dreq jo, jetojmë në frigorifer dhe lexojmë nën një llambë me vajguri.

    Në fakt, miku i vjetër, shërbëtori im ndez zjarrin në dhomën e librave dhe i gatit llambat për lëçitje, çdo mbrëmje. Mjafton kjo që të ndihem si i palluar nga pas, e shihni edhe vetë.

    Mundësia e ftesës të shkruaj për dhomën time, duke më kujtuar ato ditë të mërzitshme të shkollës së mesme, më ka lejuar sinqerisht të shqetësohem nëse poezia vjen së paku nga ndjenjat në harmoni me natyrën, Zotin, arkitekturën e hapësirës, apo me çdo ndjeshmëri të mbarëfatëzuar.

    Poemat e mëdha i japin atmosferë festive shtëpive, “Te Penshurst”-at nga Ben Jonson dhe “Mbi shtëpinë e Apleton”-it nga Andrew Marvell, gjejmë në shtëpitë e të tjerëve, forca mikpritëse që janë bujare ndaj poetëve në shekullin e hierarkive. Huazimi, pajisja me rehati, në poezitë e Mervilit mbulohet me dhunë. Alexander Pope, që është quajtur si poeti i parë profesionist i gjuhës angleze, ndërmori disa mitizime prej Shpellës së Shkrimtarëve ku e shumë dashuruara “strofull e katakombeve”, e shtruar nga dyshemeja në tavan me copa pasqyrash, xhama me ngjyra, guacka, gjarpërinj guri, “kokrriza diamantesh”. Imazh që gjithashtu propozon sfidë: shformuesi i vogël poet mbrojtës fshikullon rrugën tonë të njerëzve të thjeshtë; Popi i fjetur në xixëllimin e vocërr të gjithësisë.

    Këto cifla qelqi dhe guacka nën flakërimin e ndriçimit mund të shpërthejnë me emocione të vrullshme. Jo të baraspeshuara por energjikisht lëvizëse, jo harmonishëm por kërcëllueshëm mashtruese. Duke shkruar këto fjalë ndërsa trupat amerikane janë ende në Irak, përshkoj dhomën time të punës të vëzhgoj për fjalën “luftë” në thesarin tim të Oxford English Dictionary, që më habit gjithmonë e më tepër me botimet e veta:

    Format: uuerre, werre, wyrre, weorre, worre, werre (werren), werr, guerre, gwerre, wer, were, vere, weer, veyr, veir, weire, weyr(e), weir, wair, wiar, weare, veare, ware, wear, waar, warr(e), war, wyrre, werre, guerre, guerra, gerra, werra,çrregullim, mosmarrëveshje, grindje, shpënie në ngatërrim, ngasje në mospërputhje mendimesh, turbullim, shastisje, (të gjitha verbalisht të mbijetuara nga verworren).

    Është kurioz fakti që asnjë komb gjermanik në kohën e historisë së hershme përgjatë përdorimit të përditshëm gjuhësor nuk e ka përdorur saktësisht në kuptimin më të drejt për drejtë fjalën “luftë”, qëllim i disa fjalëve që nënkuptojnë mbijetesën poetike, në fraza proverbiale, edhe në fjalë përbërjen e emrave të përvetshëm. Popujt e të folmes romanike, që ishin të detyruar të shmangnin nga latinishtja fjalën bellum në llogari të rastësisë formale me bello – i bukur, themeluan jo ekuivalent të përafërt në Teutonikishte nga werra. Në gjuhën Oekumenikale përkthimi i zakonshëm i bellum ishte ģewin, që do të thotë luftë, grindje. Gjuha Teutonike kontinentale më vonë zbuloi fjalë të veçanta për domethënien e fjalës “luftë”: gjermanikët krieg, ndërsa suedezët dhe danezët thjesht krig, islandikët ófriðr, që do të thotë “pa-paqe”.

    “Guerre” dhe “la guerra” tashmë janë të prejardhura në mendjen time nga “awry” (“shtrembërim”): lopët e trembura të Françesko Gojas, pluskojnë me të vërtetë në një rënie të lirë, portretizime të shpërthimeve që shkaktojnë mosmarrëveshje, orendi dhe trupa njerëzorë që fluturojnë të copëtuar veç e veç, gravitet që ngatërrohet në vetvete nëpër hapësirën e bërë weird, worrying, wary, wrecked, (çuditshëm, shqetësueshëm, syçelët, të mbytur). Dëshmia e Gojas është e para gjetie kaq e mprehtë e prodhimit shkatërrimtar të Evropës, dhe ka funksionuar si i pari përshkrim në fushën e artit përpara Luftërave Botërore. Gjëja më e keqe që mund të vijë në mendje.

    Këto imazhe dhe ky përfundim më paralajmëron drejtimin që të paragjykoj dhe të ndruhem përpara se të guxoj njëfarësoj lehtësisht të shkruaj, gjë që më bën dyshues nëse shkrimi im vjen më pak ose më shumë prej paqes apo konfliktit. Në këtë mënyrë e shkëlqyera dhe e pabesa Botë fillon të hyjë në shpellën time: jo vetëm nëpërmjet gazetave e faqeve të internetit apo telefonit, por nëpërmjet gjuhës time dhe konspektit (përmbledhjes). Familja ime, qyteti im, vendi im, gjuha ime: këto ndijohen si forma të lëvizjes për mua, forma po aq të dhunshme. I dua njësoj sa edhe ua kam frikën: për lëvizjet që kryejnë, për nxënësinë që të jenë të ndryshme për së mbari po aq sa të njëllojta sa herë që i shoh.

    A nuk është hero i Artit kujdestari, aspak aristokrati i zymtë Akil, aq më pak i luajalisti i qëndrueshëm Beowulf, por Odiseja “i pambërrishmi aventurier” i Ualas Stivensit “i cili vjen gjithmonë kaq afër”: i etur dhe i shqetësuar aq sa tregtar? (Ose grabitës.) Oportunist i kopshtit të shtëpisë, përjetësisht emigrant ose imigrues. Dhe kur Odiseja mbërrin në shtëpi, konflikti është madhështor, fillon e bëhet i tmerrshëm. Udhërrëfyesja e tij Athinaja është luftëtare e mençur, e armatosur dhe e mbrojtur. Kundërshtari i tij Posedoni krijon furtuna dhe tërmete për të. Këtu në raftet e mia me libra ngjitur me versione përkthimesh të vargjeve të ndryshme, ndodhet proza ngashënjyese “Odiseja” e E.V. Rieu, fajtori i kthimit të poemës në një novelë, por fshehtësisht një krijim i dashur për mua pikërisht për vrullin e lëvizjeve të tij.

    Në drejtim të kundërt, ja se si e mohoj thirrjen e të dy klisheve opozitare: dhoma e punës së shkrimtarit e papërlyer, si rregullsi e dlirë Japoneze; dhoma e punës së shkrimtarit të pasur, rehati e ç’rregullsisë shkatarraqe anglofile. “Ja dhe planimetria: këmbalecë dru-kedri qendërzuar përpara drejtkëndëshit të ekranit prej letre,” do të desha të them. “Këtu puna ime kërkon ekonominë e Kabuki-t.” Një kallamar me bojë shkrimi, një prefëse lapsash, një penë. “Atje ndodhen marifetet artizanale që im gjysh ka sjellë nga Kreta, këtu është një hartë e skicuar me dorë që tutori im ma ka sjellë nga vendi i majave të skifterëve Skocia, aty ndodhen variantet e vëllimeve të “Komedisë Hyjnore” dhe “Eneida”-s të xhaxhait tim, shumica e të cilave të ngjeshura me nënvizime, këndej keni disa akuarele që gjyshja ka sjellë nga Venecia, ja edhe lëmshi i kujtimeve të ditëve të mia në kolegjin Etoni …”

    Kur shikoj rreth e qark dhomës time, vështroj gjurmët e atyre duajve me drithëra ideale, të rrethuara me revizionimin antik të mishmashit amerikan në një hapësirë Amerikane. Version i mobilimit të brendshëm të “bubërrimit të dy brigjeve dhe mashtrimit të përkryer.” Këtu në një hapësirë që orvatet të gjejë kompromis midis këtyre dy faltoreve të njohura polare, ftoj hyjnitë nevrike të Ndërprerjes Shushatjes dhe Improvizimit.

    Ndoshta Muza nuk është vetëm një trillim seksual, por mishërim mitik i atyre principeve të tjera kaq shumë në opozitë me zellin e krijimtarisë shtëpiake. Një eksitim i detyruar. Muza vjen rrotull kryeneçe, pikërisht kur supozohet të studiosh për një provim, apo kur përgatitesh për ndonjë takim të planifikuar. Në çastin e pa përshtatshëm, një trokitje në derë, një fëshfërimë dhe: “Po qe se me të vërtetë më dashuron, provoje dhe merrmë tashti ndër krahë.”

    Në rrugë e sipër, kureshtar Asistenti Kryesor nuhat drojën time: nazeli, një vegël e kulturës kjo ndjenjë, parafytyroj hapësirën e shtëpive të lagjeve të varfra periferike. I bindur me idenë kulturore e të fort dëshiruarit të një dhome të ndarë më vete nga fëmijët e tjerë, u rrita duke ndarë të njëjtën dhomë me motrën time si fillim, më tej me vëllanë tim, në apartamentin tonë dy e një kuzhinë, në katin e parë të një karakatine dykatëshe. Ndoshta e vetmja gjë që më përafron me jetën e Virginia Woolf  është fakti se nuk kam pasur asnjëherë Dhomën Time gjersa u bëra një djalë i rritur. E tillë është mëdyshja ime, ndjenjë e kompromentuar për të gjithë këtë gjatësi – dhome të mbushur me dritare – “libër i nënvizuar” – në një shtëpi të stilit Viktorian. Pianoja dhe saksofoni janë rrugë gjigante që shtrihen jashtë ndërsa aty ndodhem i mbyllur. Gjithashtu, faksi, CD-ja, telefoni, linja e internetit, të tilla janë. Por më afër dëshirave të mia se të gjitha këto së bashku, është ai: Odiseja. Ky vend është dhe nuk është i imi. Jam dhe s’jam në të. Është i ngopshëm dhe i pamjaftueshëm për mua; i bërë kapicë me sendet e mia, që më zbardhëllon nga të gjitha orenditë, vend që bëhet një gjetje teatrale ndërkohë që luhatet midis qelës meditonjëse të një murgu Zen Budist e dhomës hetimore të inspektorit të njohur Sherlock Holmes.

    Madje edhe nga trofetë e mia ndihet paksa mbështetje. “Ja ku është kutia e shahut që e latoj mbi kapak, këtu babi im me ekipin e tij të basketbollit: “The Jewish Aces, City Champs, 1938”. Aty një kartolinë nga koha e vjeljes së rrushit në Long Branche, New Jersey, tregon barin e gjyshit tim, Broadway Tavern. Një top bejsbolli të nënshkruar: karemi-kafshues, që një sportist i njohur ma dhuroi si rezultat i përmendjes së emrit të tij në një nga poezitë e mia. Një medalje e Dantes e blerë në një dyqan vjetërsirash antike dhuratë nga një poet irlandez. Ora ime me figurinën e personazhit të filmave vizatimorë Bart Simpson. Fotografitë. Tastiera ime. Por këto gërmadha jete dhe objekte adhurimi dhe pothuajse drogëra shëruese lundrimi përbëjnë një model jo të rregullt, jo një kostelacion të akorduar nga shekujt. Familjariteti i kaosit të tyre bie erë Posedon, kundërshtari i vjetër dhe frymëzuesi, Perëndia Oqean që bllokon rrugën për në shtëpi dhe shkund mbarë botën. Ai tundet, dhe jam i frikësuar, dhe kacafytem me diçka pa formë, pa lidhje, të shkrifëruar, dhe po qe se jam me fat, mëdyshja mund të më lerë të tundem e shkundem, i pafrymë, kureshtar i ndezur tek disa brigje që asnjëherë nuk kam mundur t’i shoh më parë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË