Bisedoi: Andreas Dushi
Një bisedë me Rita Petron për poezitë e shkruara para dy dekadash kushtuar
të dashurit të saj, Latifit tanimë të ndjerë
ARDHJA E TIJ
Askush nuk beson më
Te rikthimi i Krishtit të Parë,
Sidomos ata të vetëquajturit shenjtorë,
Njerëzit kanë dy mijë vjet
Që e përdhosin Krishtin
Dhe festojnë madhërisht
Datëlindjen dhe Datëvdekjen e tij,
Po unë që jam femër
Po aq shenjtore sa “virgjëresha” Mari,
E ndiej Frymën e Shenjtë
Që ma gërryen përbrenda trupin
Dhe ma përgatit mitrën
Për riprodhimin e ri.
E nëse askush nuk beson më
Në virgjëri,
Fara e Tij me siguri
Një ditë do të zërë
Nga seksi i një myslimani
Me një të krishterë.
1. Ti ke deklaruar se ciklin “Kryqëzimi i frymës”, ku figurë qendrore është Krishti, e ke shkruar në vitin 2000, në ndërrim të shekujve dhe ia ke kushtuar të dashurit tënd Latifit, i cili ka shumë pak kohë që është ndarë nga jeta. Si ke mundur të gjesh pikëtakime? Le të ndalemi te poezia “Ardhja e Tij”. Si ta kuptojmë rebelimin apo mosbesimin tënd në lidhje me ringjalljen?
Poezia, në ndryshim nga proza, nuk i duron dot fare faktet biografike. Ajo lind nga ndjesitë dhe eksperiencat personale, ku evokimet e figurave simbolike apo përqasjet e situatave të ngjashme përbëjnë atë çka i jep poezisë origjinalitetin.
Poezinë “Ardhja e Tij” e kam shkruar tamam natën e vigjiljes së shekullit të ri. Është fat i madh të jetosh ndërrimin e shekujve që ndodh një herë në jetë, sepse ka plot që nuk arrijnë ta provojnë fare. Dhe është akoma më fat të jesh i dashuruar dhe të besosh në ardhjen e Atij. Njeriu i dashuruar ka prirjen ta përjetësojë ndjenjën e tij përmes trashëgimisë.
Mosbesimi i shfaqur ndaj ringjalljes lidhet me kontekstin e së përditshmes, me dukurinë e hipokrizisë e të falsitetit njerëzor, e jo me simbolin e përjetshëm të Krishtit, i cili është aq frymëzues për idealin e dashurisë njerëzore. Dhe, a nuk ka ardhur koha vërtet për një martesë mes feve të ndryshme, prej së cilës të lindë Ai, që do t’i sjellë njerëzimit paqen?! Se aq shumë po i vuajmë sot aktet terroriste në emër të fesë.
Unë si femër (në atë kohë fort e dashuruar me një burrë mysliman) u besoja më shumë instinkteve të mia dhe, si poete, rebelizmit ndaj çdo tabuje, sado e shenjtë të ishte ajo. Secila prej ne femrave ka të drejtë të mendojë se është një Shën Mëri që do të lindë Njeriun, i cili do të ndryshojë botën. Dhe sipas rrëfimeve biblike, Zoti zgjodhi Marinë, e cila vetë çuditej me zgjedhjen e tij, pasi e mendonte veten një vajzë të thjeshtë nga Nazareti. Fryma e Shenjtë nuk mund të jetë gjë tjetër, përveçse një orgazmë e lartë, ardhur prej një dashurie qiellore, sepse nuk mund të lindet një Krisht nga një lidhje e rëndomtë njerëzore.
DASHNORI KRISHT
E pashë
Si t’u hollua
Dhe t’u anua qafa
Mbi supin e majtë
Një njollë e madhe
E kuqërremtë
Mbeti atje
Prej dhëmbëve të mi
Ngulur si ushunjëza
Ta thitha tërë gjakun
Përzier me lëngun e bardhë
Të gjëndrave të tua
E ndjeva
Si t’u përpëlit
Shpirti
Rënkimi
T’u fundos nëpër frymë
M’u kryqëzove në prehër
Krahëlëshuar
Syperënduar
2. Si imazh, Krishti lidhet me dashurinë e pakushtëzuar, dhënë duke mos pritur për të marrë, Agape, sikurse e përdorin grekët… Ai kryqëzohet mes një vuajtjeje të thekshme. Ti e ke shfrytëzuar këtë fakt, duke e paraqitur në këtë poezi përmes erosit. Përmes cilave etapa arrihet te dorëzimi?
Përkushtimi-dhënia-dorëzimi. Gjithçka nis me përkushtimin ndaj tjetrit, vazhdon me dhënien apo kur ti i jepesh me trup e shpirt atij që e do fort, dhe, në fund vjen dorëzimi. Nuk e di, por përherë kam menduar se ka diçka të përbashkët mes grahmave të njeriut që i dorëzohet vdekjes dhe njeriut që i dorëzohet erosit. Sepse dorëzimi është dhënie dhe dhimbje bashkë. A nuk është madhështore figura e Krishtit me qafën e anuar e sytë perënduar, teksa i është dorëzuar vdekjes, pasi gjithë energjinë e dashurisë e ka derdhur te njerëzit? Dhe, e dimë që është një grua plot mëkate, Maria Magdalena ajo që pastron trupin e tij gjithë plagë nga vuajtjet e kryqëzimit. Po a nuk është po kaq madhështore pamja e një burri në sytë e një gruaje teksa i dorëzohet asaj, pas çlirimit të atij akti madhështor seksual, që siguron vazhdimësinë e jetës mbi tokë? Jemi mësuar të flasim shpesh për dorëzim të femrave ndaj meshkujve, por nuk ka të dytë akti vetëflijues i këtij burri, qoftë ky edhe simbolik.
Të gjitha gjërat simbolike mund t’i gjejmë në veprimet tona të përditshme, mjafton që të kesh sy poeti për t’i parë dhe imagjinatë për t’i bërë bashkë.
Krishti vdes nga dashuria për njerëzimin. Dhe përkushtimi im i këtij cikli është: “Për atë burrë që di të vdesë për një grua/Për atë burrë që di të rrojë për një grua”. Te poezia “Dashnori Krisht”, fjala Krisht del më shumë si cilësim, si vlerë që i shtohet të qenit i dashuruar. Se një poete femër nënvetëdijshëm kërkon dhe gjen simbole mashkullore, pavarësisht se akti i vetëflijimit nuk ka gjini.
LIGJI I POHIMIT DHE I MOHIMIT NË KRYQËZIMIN E TRUPAVE
POHIM
Maja e gozhdës
Ngulur në shpinën time
Pranë shtyllës vertebrore
Arrin deri në shpinën tënde
Pa e dëmtuar palcën,
Kjo është dashuri
Në moshën madhore.
MOHIM
A e keni parë
Apo e keni ndier
Si kryqëzohet mishi me mishin
Pa ndihmën e sendeve
Të hekurta apo të drunjta?!
Një elektrizim natyral
I përshkon trupat e mishtë,
Kur në brendësi të tyre
Derdhen trupat e lëngët,
Dhe si në djegien e dy qirinjve
Që qëndrojnë pranë e pranë
Prej zjarrit të brendshëm shkrihen
E lëshohen te njëri-tjetri
Duke humbur me dashje
Formën e tyre.
3. Në titull “Ligji” ngjan si ndonjë rregull themelor i fizikës, por, në fakt, vëmë re se ai trajton/shpjegon metafizikën e fizikës. Si ndodhi takimi në poezi i këtyre dy realiteteve kaq të largëta?
Ndodhi përmes kryqëzimit. Ligji i Pohimit lidhet me atë çka të gjithë e dimë se kemi të bëjmë me një bashkim fizik – dy trupa, ndonëse të bashkuar mbeten përsëri dy trupa: Krishti dhe Kryqi, Gruaja dhe Burri, secili me individualitetin e vet.
Ndërsa te Ligji i Mohimit kemi një proces kimik, shkrirjen e trupave nga nxehtësia, nga ndjesia e mrekullueshme e dashurisë dhe shndërrimin e tyre në Një. Individualitetet humbasin me dëshirë formën e tyre. Dhe kjo është forma më e lartë e të qenit të dashuruar verbërisht.
Natën
E shoh veten në ëndërr
Të gozhduar në trupin tënd,
Në mëngjes arsyeja,
Djalli më i keq që krijoi Zoti,
Më thotë: “Respekto lirinë tënde!”
“Respekto lirinë e tjetrit!”
Në djall liria jote!
Në djall liria ime!
Rroftë robëria e shpirtit!
4. Ngjan sikur besimi lind nga mosbesimi dhe shpëtimi nga bashkimi i dy të ndryshmëve. A ishte kështu edhe marrëdhënia jote me të dashurin? A filloi nga mosbesimi përballë tij e mandej, shpëtimi ju erdhi të dyve, kur u bëtë një?
Dashuria si ndjenja më e lartë njerëzore njëkohësisht na çliron, na hap horizonte të reja ndjesish e na e përgatit mendjen për veprime inteligjente e të larta, por, nga ana tjetër, na prangos ose më mirë vetëburgosemi. Dhe kjo ndodh me dëshirën tonë të plotë. Ndaj rebelizmi ynë për paradoks drejtohet kundër gjithë botës që do të na shkëputë prej njëri-tjetrit.
KURORA
Kurora me gjemba
Mbet përjetësisht
Mbi kryet e Krishtit.
Kurora e lavdisë
Shëtit kokë pas koke
Te mëkatarët
5. Kurora si dëshmi e padrejtësisë. Po dëshmia e drejtësisë ku qëndron?
Jetojmë në një realitet, ku ai që vendos drejtësinë, është i pari që shkel ligjin; ai që merr rolin e liderit, sillet me arrogancën e dhunuesit; ai që duhet të na mbrojë, na e rrezikon më keq jetën; ai që duhet të na e ngrejë lart moralin, na heq edhe atë pak shpresë që kemi; ai që duhet të na frymëzojë, mendon veç për veten e tij. Ndaj, kurora me gjemba është njëkohësisht dhe dëshmi e të drejtit, e mbrojtësit tonë, e udhëheqësit shpirtëror, e frymëzuesit mendjelartë.
6. Le të kthehemi te faktet biografike me të cilat e nisëm intervistën. Si i priti dhe si u ndie Latifi, kur lexoi këto poezi kushtuar atij? Po ti si je ndier, kur lexove dorëshkrimin e romanit të tij, “Kufiri”?
Latifi kish një humor të mrekullueshëm dhe ironi aq fine, sa edhe kur ndihesha keq, ia bëja hallall. Më thoshte duke qeshur se poetët i idealizojnë gjërat dhe ai nuk kishte lidhje me Krishtin e poezisë sime. Mendoj se atë nuk e kanë bërë të lumtur poezitë e mia, por ajo çka bënim përditë për njëri-tjetrin. Por, sigurisht që ndihej i përkëdhelur në sedër nga përkushtimi i librit tim Ndërsa në rastin tim si personazh do të tregoj diçka për të qeshur. Kur isha e re dhe lexoja ato romanet e famshme me histori grash të mrekullueshme, ëndërroja të bëhesha dhe unë ndonjëherë personazh i ndonjë libri, prej ndonjë autori të madh, si për shembull Kadareja. Në fakt u bëra personazh, por nga një autor që shkruante libër për herë të parë. Këtë ia thosha Latifit dhe qeshnim me lot. Sot ndihem aq e lumtur që jam personazh kryesor te romani “Kufiri”, që përjetëson një dashuri që kapërcen çdo lloj kufiri e që frymëzon secilin që e lexon.
Unë e kam provuar njëherë te kasollja në mal
Sapo kishte shkrirë dëbora dhe pemët i kishin zënë ethet e pranverës
Vdekja kishte shije eksituese, të athët si fruti i papjekur
Apo më mirë t’i lëmë krahasimet romantike
Si seksi yt.
7. Ti ke shkruar një poezi, në të cilën ëndërron të vdesësh bashkë me të dashurin tënd në pranverë. Si të lindi kjo ide në kulmin e dashurisë?
Sepse e kam provuar ndjesinë e bukur të vdekjes, ndaj e kam shkruar.
8. Cila është poezia që akoma nuk ia ke shkruar?
Poezia e mungesës. Sepse nuk më ka munguar asnjëherë në 20 vitet që përjetuam bashkë.
Nëse elzoston,, ZENITI” atëherë poezitë e Rita Petros jetojnë aty dhe nga aty poezia e saj, fjalët e arta,domethënse, t’vlerësuara- kulmore shpërndahen rreze DIELLI – fortë të ndriquara ku do mbi cep Toke , horizantit të paskajshëm për t’u ndalur tek secili njëri- lexues- adhurues i poezisë. Rita është ,, trimereshë”e fjalës, e guximshme , shpërthyese e mendimeve,kuptimit të qenjës me dashuri të jashtzakonshëm gjithnjë e zjarrt. Rita tash më ECË nëpër udhëtimin yllor prej krijuese- poete ndjekur lakmisë . Qamil Foniqi, Rotterdam – Holandë