More
    KreuLetërsiShënime mbi libraRigel Rizaj: “Duhet të jetë dashuri” i Nurie Emrullait, romani fitues i...

    Rigel Rizaj: “Duhet të jetë dashuri” i Nurie Emrullait, romani fitues i Çmimit “Kadare” nga UET

    I zemëruar me ta për shkak të mëkatit që kanë kryer, Zoti dëbon prej Edenit në tokën e ashpër Adamin dhe Evën, të cilët gjithsesi kanë shpresë për t’u rikthyer dhe presin pa e kuptuar thellësisht fajin e kryer, e ndërkohë duke mbjellë një armiqësi midis njëri-tjetrit që do të rritet dhe formësohet e pashpjeguar sa më shumë kalojnë vitet, shekujt. Të shenjuar nga disa urdhëresa në trajtë ndëshkimi për jetët e tyre, çka gjithnjë do të sjell përpjasje midis dy gjinive, çifti i parë do t’ia bartë gjithë njerëzimit moskuptimin që i ndan dhe i lidh, nevojën e fortë për të qenë trup-e-shpirt bashkë, po aq sa edhe të kundërtën, arratisjen nga zotërimi që njëri ka mbi tjetrin.

    Mbi këtë arketip, shkrimtarja Nurie Emrullai ndërton ngrehinën rrëfimore të romanit të saj “Duhet të jetë dashuri”. Irisi, protagonistja e romanit, bie në dashuri me Blunë, një piktor bohem, i cili jeton në shtëpi me Mishën, një vajzë jetime të cilën e ka amanet ta mbajë e të kujdeset. Ashtu si gjithë dashuritë, nis një rrugëtim drithërimash e dertesh mes Irisit dhe Blusë, ndaj nevojës për të qenë bashkë, për t’u ndier të plotësuar në një botë që u bëhet se nuk u përket, se është e ndërtuar keq, një botë së cilës diçka nuk i shkon, ashtu siç qe bota jashtë Edenit.

    Por në Eden, përpara shfaqjes (krijimit) të Evës, ka ekzistuar një grua tjetër për Adamin: Lilithi rebele, gruaja që ka pavarësinë e dëshirave dhe mendimeve të saj, ndaj edhe u dëbua. Në këtë paralele shkrimtarja ka ndërtuar personazhin e Mishës, një vajzë ndryshe, në karakter e ndjenja, e cila bie në dashuri haptas me Irisin, po aq sa ka rënë prej kohësh fshehtas me Blunë.

    E vendosur në Ujhanë, një toponim i trilluar por që mund ta marrim me mend se flitet për një lokalitet të Maqedonisë së Veriut prej nga shkrimtarja është, na shpaloset mendësia e njerëzve, të cilët mendimin dhe mënyrën e jetesës së tyre të kthyer në zakone të cilat nuk mund të zhbëhen, nuk mund as të diskutohen dhe çdo rast për t’i ndryshuar ato përbën një akt çudie të mbrapshtë për këta banorë. Martesa, dashuria si një ndjenjë e ndaluar që s’mund të shfaqet haptas, guximi për të thyer normat shoqërore, dashuria midis së njëjtës gjini, bohemizmi dhe guximi për të ndryshur ndjenjat e fajit, janë temat që vihen përballë një shoqërie që e ka të vështirë ndryshimin. Shkrimtarja Emrullai, në saje të një rrëfimi të thjeshtë, poetik dhe meditues, ngre pyetje që janë aktuale në brezat e rinj, e po ashtu me një penel të hollë na shpalos një panoramë shoqërore ku e shumëngjyrshmja e ndjenjave dhe dëshirave të brendshme përballet me ngjyrat pothuaj të vdekura të shoqërisë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË