Që në vitin l982 në Maqedoni kishte nisur të përhapej një ide e çuditshme, sipas së cilës, shqiptarët duhej t’i përdornin toponimet maqedonisht. Domethënë, tash e mbrapa emri Shkup-i do të quhej Skopje, Dibra – Debar, Tetova – Tetovo, Kërçova – Kiçevo e kështu me radhë. Kalonin vite që gazetat, radioja e televizioni i Shkupit s’pushonin së shkruari e së foluri për këtë temë që, se vinte, bëhej më e nxehtë. Nuk duhej shumë kohë që kundërshtimi i shqiptarëve të quhej nacionalizëm.
(Kjo valë sulmi kundër shqiptarëve nuk ishte e rastit. Ajo vinte menjëherë pas demonstratave të Prishtinës në vitin l981. Dhe, si të ishte e thënë, kurdo që Serbia hapte ndonjë plagë në Kosovë, kurdo që ajo i trazonte marrëdhëniet aty, ky acarim do të fillonte edhe në Maqedoni me të qena e të paqena. As kësaj radhe nuk bëri përjashtim.) Idenë e marrë për ndryshimin e toponimeve shqipe e hodhi një njeri, të cilit nuk mund t’i thoshe budalla, por që e kishte një damar marrëzie – e kishte. Këtë s’e luante topi. T’i thoshe i paditur një njeriu me shkollë, për më tepër atij që pret të bëhet doktor shkencash, këtë s’e thoshe dot. Pastaj, ky njeri me dell marrëzie ishte njëfarë politikani në Maqedoni – ja deputet, ja zëvendësministër. Në këtë hierarki ndoshta kishte arritur duke u mbajtur një herë shqiptar, pastaj turk dhe më në fund maqedonas! Sidoqoftë, ky mistrec-skilipec, me shtatin në shtat (nuk po ia përmendim emrin jo vetëm sepse tanimë ai e ka mbështetur brinjën, por që të mos ua quajmë faj marrëzinë e tij fëmijëve), e pra ky mistrec-skilipec pothuaj s’kishte ditë që nuk futej në ndonjë mbledhje të organizatave politike e arsimore dhe, vend e pa vend, fliste kundër atyre që e kundërshtonin idenë e tij (ne nuk mund ta dimë nëse këtë ide ia kishte pjellë mendja, apo atë ia kishte futur aty politika). Në mos në mbledhje, ai do të fliste në konferenca shtypi.
Ideja nisi të realizohej dita-ditës. Në të vërtetë ajo s’kishte si të realizohej, sepse nuk kishte asnjë mundësi të sendërtohej, por filloi të pranohej, të çante përpara si urdhër. Të parët që e përqafuan ishin emisionet shqipe të RTM–së (të radios e të televizionit të Maqedonisë), ndonëse në kundërshtim me mendimin e gazetarëve të këtyre dy redaksive. Në televizion toponimet u ndryshuan pas ndërrimit të redaktorit përgjegjës të këtij emisioni, Menduh Ajdinit, që ishte një gazetar me përvojë të madhe dhe me dinjitet. Aty shumë i interesuar për ndërrimin e toponimeve ishte drejtori i përgjithshëm i RTM-së. Menjëherë pas largimit të Menduh Ajdinit, sakaq filluan të përdoreshin topomimet e mistrecit. Pastaj filluan në administratën republikane, aty ku ajo përkthente shqip tekste të ndryshme. Një nga një pasuan vendimet e këshillave komunale të Tetovës, Gostivarit, Dibrës, Strugës, Kërçovës etj., që të gjitha në kundërshtim të madh me mendimin e qytetarëve. Në asnjë letër zyrtare toponimet nuk shkruheshin më në trajtën shqipe. Sesi kishin arritur t’i ndërronin toponimet, këtë e dinin vetëm ata që i kishin ndryshuar, megjithëse edhe ata s’dinin gjë prej gjëje. Zbatimi i këtij urdhri u ndoq me masa përjashtimi nga puna të disa arsimtarëve.
Siç mund të merret me mend, urdhri për ndryshimin e toponimeve, po na sillej rrotull edhe neve në Redaksinë “Flaka e vëllazërimit”. Në shumë mjete të informimit – në radio, në televizion, madje edhe në dy gazetat e përditshme maqedonase të Shtëpisë së madhe gazetare-botuese “Nova Makedonija”, ku bënim pjesë edhe ne, na sulmonin që nuk i ndërronim toponimet. Në Redaksinë “Flaka e vëllazërimit” asokohe botohej gazeta me këtë emër, që dilte tri herë në javë (në pritje të bëhej e përditshme), pastaj revista për shkencë e kulturë “Jehona”, dy revista për nxënësit e tetëvjeçares – “Fatosi” dhe “Gëzimi” (me një tirazh dhjetëra mijë kopjesh) dhe zhvillohej një veprimtari botuese me rreth 15 libra në vit.
Drejtori, që qëndronte në krye të të gjitha botimeve të kësaj shtëpie, pra edhe në krye të redaksisë sonë, nuk na e kishte përmendur këtë punë. As ne nuk ia kishim zënë në gojë. Një ditë vendosa ta bisedoja me të çshtjen (atëherë isha në postin e kryeredaktorit). Lamë një takim, pasi ai u pajtua se biseda do të zgjaste disa orë. Një ditë u poqëm.
Drejtori porositi dy kafe dhe m’u drejtua
– Hë de, më trego.
E njoftova shkurtimisht.
– Le të themi disa çështje parimore para se ta zbërthejmë problemin. Së pari dua të të them se kjo nismë është shumë e dëmshme për marrëdhëniet ndërnacionale, por, për fat, është e pazbatueshme. Unë mendoj se s’ka njeri që di të thotë se si duhet të ndërrohen toponimet. Së dyti, këtë s’e lejon gjuha shqipe. Së treti, atë s’duan ta zbatojnë shqiptarët. Unë nuk kam dëgjuar që diku në botë është zbatuar një gjë e tillë. Këtë nuk e kanë bërë as regjimet totalitare. Sa e di, nuk e ka bërë as Shqipëria e Enver Hoxhës me maqedonasit e atjeshëm, pa marrë parasysh numrin e tyre të vogël. Pastaj, duhet të jetë e qartë se Maqedonia nuk mund të vendosë gjë për gjuhën shqipe. Në kompetencë të saj janë përmasat e përdorimit të shqipes në administratë, në shkolla, institucione etj. Por, në gjuhën shqipe ajo s’mund të vërë asnjë presje. Për gjuhën shqipe mund të vendosë vetëm shteti shqiptar. Këtë të drejtë, për më tepër, nuk e kemi as ne pjesëtarët e minoritetit shqiptar në Maqedoni. Ne mund të japim kontribute, propozime, por nuk mund të vendosim.
(Duke qenë se kjo e keqe një ditë do të trokiste në portën e redaksisë sonë, unë, që në fillim, iu vura leximit të literaturës përkatëse. Së pari lexova Gramatikën e Bllazhe Koneskit, babait të gjuhës letrare maqedonase, redaktorit të Fjalorit të parë të maqedonishtes. Lexova botime të ndryshme që kishin të bënin me këtë temë. Bisedova me shumë gjuhëtarë. Më në fund, m’u mbush mendja t’i drejtohesha vetë shqipes! Mbase ajo do të vetëmbrohej, mbase do të na mbronte edhe ne. Atëherë i shkova pas gurrës, natyrës së saj. Por, njëkohësisht, shkrova në kokë disa fjalë me të cilat do ta njoftoja drejtorin kur të vinte çasti i duhur: “Jam i detyruar të heq dorë mga posti i kryeredaktorit pas urdhrit për ndërrimin e toponimeve. Së pari – unë nuk mund ta bëj këtë gjë, së dyti – nuk di ta bëj dhe, së treti – nuk dua ta bëj. Ju falem nderit për bashkëpunimin dhe qëndrimin tuaj korrekt të derisotëm. Ngaherë do t’ju kujtoj si mjeshtër të vërtetë të profesionit tonë dhe si njerëz me dinjitet”).
-Nuk e di. vazhdova t’i flitja drejtorit, pse nuk bëjmë krahasime me maqedonishten. Ju vetë e quani Beogradin Bellgrad, Romën Rim, Selanikun (Thessaloniki) Solun… Përse nuk pi ujë ky krahasim. Mbase që të shkojë inati në vend, që toponimet shqipe të ndërrohen patjetër. E di se kush i prin kësaj prapësie? – i thashë duke ia përmendur emrin e intrigantit.
-Lëre atë, ai është budalla!- tha drejtori.
Fillova të qeshja.
-Ti tani, tani që ka ardhur në Shkup, e ke parë se është i cokatur. Unë kam pasur rastin ta njoh qëmoti.
E di që nuk është tamam. Ai është nga fshatrat e Dibrës dhe një kohë punonte aty.
Tërë qyteti e dinte se ishte pak i krisur. Këtë e dinin deri edhe fëmijët. Ndaj, kur dilte në rrugën kryesore të qytetit, ata e ngarronin, i bërtisnin dhe e sillnin vërdallë tutje-tëhu duke i fishkëllyer, ndërsa ai bërtiste si i çartur. Me gjasë, tani do ta shpalosë e ta nxjerrë mllefin e dikurshëm.
Ti thua është budalla. Unë pajtohem me ty, porse realiteti është ndryshe. Ai budalla ka qenë në disa funksione shoqërore, ka qenë deputet i Kuvendit të Maqedonisë, sot është zëvendësministër i arsimit. Ai po plas nga inati që nuk është në gjendje që edhe neve, ashtu si ua ka bërë shkollave shqipe, të na dërgojë një letër e të na urdhërojë t’i ndërrojmë toponimet. Letrën ne do t’ia hidhnim, sepse nuk ka të drejtë t’i drejtohet e ta urdhërojë një redaksi.
Drejtori herë-herë po qeshte.
-Tani, – vazhdova unë, le ta marrim punën nga ana praktike për të parë që kjo gjë s’mund të bëhet kurrsesi, përveçse në mendjen e atyre që e dëshirojnë. Le të marrim si shembuj emrat e disa qyteteve të Maqedonisë: Shkup, Tetovë, Dibër… Gjëja e parë në të cilën do të pengohen e do të thyejnë qafën këta sharlatanë është shquarja e emrave të përveçëm.
Drejtori hapi sytë. –Si? Si shquheshkan emrat e përveçëm?
-Po, në gjuhën shqipe shquhen të gjithë emrat, të përveçëm e të përgjithshëm. Tani dalim në pengesën e parë, që s’di njeri si t’ia bëjë. Maqedonishtja, sikurse serbishtja, nuk e njeh shquarjen e emrave të përveçëm. Në gjuhën shqipe, emri Shkup, si emër i përveçëm, është në trajtën e pashquar, ndërsa në të shquarën del Shkupi. Emrat e përveçëm në gjuhën shqipe përdoren më shumë në trajtën e shquar. Kjo është, si të themi maqedonisht, Skopja (!), sikurse emri i përgjithshëm gur (kamen) që në trajtën e shquar del guri (kamenot). Tani a mund të më thuash ti se si do të dalë emri Skopje në trajtën e shquar? Këtë nuk mund ta bësh ti, nuk mund ta bëj unë, nuk mund ta bëjë njeri. Do të detyroheshim të thoshim Skopja (trajtë qesharake jo vetëm për ne, por edhe për ju)!
Le ta marrim emrin Tetovo maqedonisht. Nëse ky emër duhet të mbetet në këtë trajtë, atëherë ai, në të shquarën, do të dalë Tetovoja.
Drejtori më ndiqte fare i heshtur dhe i habitur.
– Shpjegimi yt është shumë i qartë. – tha ai. Deshi të thoshte edhe diçka, por unë i ndërhyra:
– Kjo është pengesa e parë, por s’është as e vetmja, as më e madhja. Edhe përtej kësaj maqedonishtja ndryshon shumë nga shqipja, sepse ju e lakoni emrin me anë të parafjalëve, ndërsa në shqip emri lakohet me mbaresa rasore. Le të kalojmë tani te lakimi i emrit. Tetovo. Ai do të na dilte: Tetovo, i Tetovosë, Tetovosë, Tetovonë…
Ai i hapi sytë. Thua do ta zinte kokën me dorë.
-Tani, cila është më e afërt për ju maqedonasit – Tetovë, Tetova, i Tetovës, Tetovës, Tetovën, apo – Tetovo, Tetovo, i Tetovosë, Tetovosë, Tetovonë…
Më dukej se drejtori kishte nisur të thyhej moralisht.
– Nga ana tjetër, shumë fjalë kanë çerdhen e tyre. P.sh. nga emri Dibër (Debar), na del mbiemri dibran (debarçanec), na del edhe ndajfolja dibrançe (debarçanski, na debarski naçin, kako debarçanite). A mund të më tregoni si të themi dibrançe nga emri Debar?
-Si i thonë këta të radios, të televizionit?- m’u drejtua ai.
– Atë trajtë nuk e përdorin, sepse s’dinë si ta përdorin. Dibrançe nuk mund të thonë, e vetmja mënyrë është ta përshkruajnë – si në Debar, në mënyrën e debarçanëve, por kjo jo vetëm që nuk është aq e thukët, as aq e fuqishme, por është një gjë e çoroditur!
Drejtori dukej i lodhur. Me gjasë koka i ishte bërë finjë.
-Të lutem ki edhe fare pak durim, – e luta. – Nëse themi se shqiptarët në Maqedoni duhet t’i përdorin toponimet në gjuhën maqedonase, atëherë kjo do të thotë se të gjitha minoritetet, kudo që janë, duhet të veprojnë në të njëjtën mënyrë. Unë nuk di ndonjë shembull të tillë. Po, pastaj, a nuk do të thotë kjo se edhe maqedonasit në Shqipëri duhet t’i përdorin toponimet në gjuhën shqipe?
-Po, unë ashtu e kuptoj, – m’u përgjigj prerazi drejtori.
-Por, kjo është e pamundur! Edhe të duan – nuk do të mundin! Toponimia varet
edhe nga gjuha në të cilën përdoret. Si do të mund ta shkruanin e ta thoshin emrin e Shkodrës kur maqedonishtja nuk e njeh shkronjën “ë”? Si do të thoshin Durrës, kur nuk e kanë as ë-në, as rr-në? Si do t’u thoshin emrave me shkronjat “dh” dhe “y”? Si do të thoshin Qafa e Thanës, kur as i shkruajnë e as i shqiptojnë dot shkronjat “th, ë”? Qafën e Thanës ju e quani Qafasan, por ai është emër i burimit shqip (ia përktheva si do të dukej maqedonisht). Ju ka thënë kush pse e quani ashtu, përse e keni ndërruar emrin shqip?A nuk do të thotë kjo se toponimet varen shumë nga gjuha, nga të folurit e saj, nga shkrimi i saj?
Tanimë drejtori dukej fare i lodhur, madje, ca edhe i përhumbur.
-M’u bë mendja çorbë, – tha. – Me sa kuptova kjo punë na qenka shumë e ndërlikuar.
– Ke të drejtë. Vetëm sharlatani, që s’di gjë, mendon ndryshe…
-Them të ndalemi me kaq. Unë pajtohem me ato që the, nuk mund t’i kundërshtoj. Por, të të them se nuk do t’i ndërrojmë toponimet s’të them dot. Mund të mos më pyesin fare mua dhe çështjen ta zgjidhin në një mënyrë tjetër… Një herë për një herë ju vazhdoni si mendoni vetë.
Këtu u ndamë. Fjalët e tij sikur ma lehtësuan pak barrën. As ai, as dy drejtorët që do të vinin, nuk do të na imponoheshin me këtë marrëzi. Vërtet, ata ishin drejtorë, njerëz të parë të të gjithë shtëpisë, por ne dikur i kishim pasur kolegë me të cilët ndonjëherë shkonim nëpër Maqedoni duke ndjekur si gazetarë ndodhi të ndryshme. Asnjëri prej tyre nuk i kishte harruar raportet e viteve të shkuara.
Ne vazhdonim me toponimet shqipe. Sulmet s’kishin të pushuar. Nga mbledhja në mbledhje na kritikonin që nuk e kemi bërë ndryshimin. Ndër këto zëra dëgjohej aty-këtu edhe ndonjë funksionar. U ngritën të flasin edhe drejtuesit e emisioneve shqipe në radio e televizion. Në një mbledhje të gazetarëve të Maqedonisë, që u mbajt në Ohër, një redaktor ishte ngritur e na kishte sharë. Për fat, aty kishte qenë i pranishëm edhe drejtori ynë, me të cilin kisha biseduar disa ditë më parë. Ky e kishte marrë fjalën dhe e kishte bërë qepaze redaktorin e emisioneve shqipe të televizionit. Më në fund i kishte thënë: “Ti rri aty e mos u ngatërro në punët e “Flakës”. Ajo di ç’bën. “Flaka” e ka kryeredaktorin e vet”. Këtë rast ma treguan disa kolegë që kishin qenë të pranishëm. Por, drejtori nuk ma zuri në gojë kurrë që na kishte dalë në mbrojtje vendosmërisht.
Ata të parët që duhej të ngrinin zërin për këtë çështje – Instituti i gjuhës maqedonase, Akademia e Shkencave dhe Arteve e Maqedonisë, shoqata e shkrimtarëve, gjuhëtarë e intelektualë të njohur nuk e hapën gojën (për çudi nuk e bënë edhe të kundërtën, që ta përkrahin këtë ide të marrë). Të gjitha ia kishin lënë mistrecit. Ky sikur nuk kishte punë tjetër në ministri veçse t’i sulmonte, t’i shante e t’i ndiqte shkollat shqipe, arsimtarët shqiptarë dhe nxënësit e këtyre shkollave.Vite me radhë për çështjen nuk kishte thënë asnjë fjalë, as të mirë e as të keqe, ndonjë funksionar shqiptar. Ata i qëndronin larg çështjes. Po bëheshin disa vjet që asnjëri prej tyre, ndryshe nga më parë, nuk e kishte shkelur pragun redaksisë sonë. Ç’është e vërteta, edhe ata, pas demonstratave të Prishtinës, ishin në pozitë shumë të vështirë, sepse ua kishin qepur arnën e u nxirrnin kleçka. Një funksionar shqiptar fliste nëpër mbledhje të ndryshme për nevojën e ndërrimit të toponimeve. Herë-herë ai shkruante ndonjë artikull dhe ndonjëherë botonte ndonjë libër te ne. Një ditë erdhi në redaksi. Unë e ftova për një kafe.
– Pa më thuaj ç’mendon ti për çështjen e toponimeve? – e pyeta.
Ai filloi të shtypej, sikur i vinte zor.
Unë i ndërhyva:
– Më fal, që nuk ta thashë një herë mendimin tim. Unë them se kjo punë është e mbrapshtë është një punë që s’bëhet dhe s’duhet të bëhet!
– Edhe unë mendoj kështu, – më tha. M’u duk se i erdhi zemra në vend.
– Po, veçse ti flet andej e këtej se toponimet duhet të ndërrohen. Në vend që t’i mbrosh, ti flet për ndryshimin e tyre…
Më erdhi keq sepse ra ngushtë.
Pas shumë kohësh që merreshim me toponimet më tha mendja se do të bëja mirë të shkoja edhe te kryetari i Republikës (i Kryesisë së Republikës). Kryetarin e njihja nga qarqet e gazetarisë, sepse dikur ishte marrë me të. Më pranoi. Ia tregova hallin për të cilin kisha ardhur të qahesha. Kërkova të na ndihmonte, sepse punët nuk kishin marrë të mbarën. Kjo që po bëhet këtu nuk është parë dhe nuk është dëgjuar të bëhet ndokund. Më në fund i thashë se unë ende kam shpresë se Maqedonia nuk do të shkelë në dërrasë të kalbur. Përderisa këtë gabim nuk e ka bërë redaksia jonë, them se nuk e ka bërë Maqedonia. Nuk është vonë të korrigjohet gabimi, sepse dëmi do të jetë akoma më i madh. Më në fund i shpreha bindjen time që ma thoshte intuita: Maqedonia nuk do ta bëjë këtë gabim…
Kryetari më dëgjoi me vëmendje, por vetë nuk më dha ndonjë mendim a vlerësim për çështjen. Më bindi se atë do ta shtronte në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë.
Në këtë kohë, sektori ynë i librave duhej të botonte një vepër për Kryengritjen e Dervish Carës. Unë nuk e kisha lexuar dorëshkrimin, por më kujtohet që Lutfi Rusi, përkthyesi, kur na e dorëzoi tekstin e përkthyer, më tha: Ki parasysh se kjo vepër do të zgjojë reagimin e maqedonasve, sidomos të maqedonasve tetovarë. Këto fjalë ai m’i tha duke u nisur nga brendia e veprës, por edhe nga situata shumë e nderë politike. Kur erdhi koha e botimit, unë dyzova. E thërrita autorin, z. Aleksandar Matkovski. Ai erdhi dhe më pa buzëqeshur. Duke qenë njeri që dinte t’i vlerësonte rrethanat në të cilat rronim, ai e mori fjalën e tha: – Hë, si do t’ia bëni me Historinë e Dervish Carës?
-Vepra është e rëndësishme, me sa dimë për Kryengritjen e tij nuk është shkruar gjë as në Shqipëri. Pra, që do ta botojmë është e sigurt, por mbase do të jetë mirë ta shtymë nja dy vjet…
U çudita shumë që ai tha:
– Pajtohem plotësisht me mendimin tuaj. Madje, unë vetë desha të vija e t’jua propozoja këtë gjë. Jam i vetëdijshëm se kjo kohë nuk është e përshtatshme as për shqiptarët, as për vllehtë…
Më habiti që tok me shqiparët i zuri në gojë dhe vllehtë.
Kur erdhi koha dhe vepra e Matkoskit doli në dritë, ai ia behu në redaksi dhe na tregoi se ato ditë në Stamboll ishte mbajtur ndonjë takim i historianëve. Kishte qenë edhe ai. Me këtë rast, kish takuar edhe disa historianë të Shqipërisë dhe ua kishte dhënë librin “Kryengritja e Dervish Carës”. Na tha se ata e kishin përshëndetur me entuziazëm këtë studim.
Në këtë kohë ne do ta botonim edhe Historinë e popullit maqedonas, vepër e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Maqedonisë, redaktor i së cilës ishte kryetar i kësaj akademie, Mihaillo Apostollski. Historia ishte në shtypshkronjë dhe mendonim se duhej ta njoftonim z. Mihaillo se toponimi do të ishte “Shkup”. Kryetari na pranoi një mbrëmje në shtëpinë e tij në lagjen Vodno. Bashkë me mua ishte edhe redaktori teknik. Kur i treguam pse kishim ardhur, ai ia priti: Skopje. I kërkova të falur dhe i thashë se ne i shkruajmë në gjuhën shqipe toponimet. Skopje është Skopje – tha ai. Historia, – i thashë unë – do të lexohet në Maqedoni, por do të lexohet edhe në Shqipëri, edhe në Kosovë, në botën e jashtme ku rrojnë shqiptarë. Ata as që e njohin emrin Skopje, ata e dinë Shkupin! Atëherë ai tha – le të jetë në të dyja gjuhët: Skopje (Shkup). Ky propozim është më i mirë, i thashë, por më duket se pak më mirë do të ishte Shkup (Skopje). Mirë, tha ai, pa e zgjatur (për çudi vepra është botuar me rendin Skopje (Shkup). Se kush e bëri këtë ndryshim në shtypshkronjë nuk e morëm vesh).
Redaksia jonë vazhdonte vite me radhë, si gjithmonë, me toponimet në gjuhën shqipe. Po një ditë na u duk se do të bënim mirë të lëshonim pak pe; fare pak. Menduam se s’do të prishnim punë po të futnim në përdorim të kufizuar emrin e Manastirit (maqedonisht Bitolla, ndryshe nga serbishtja Bitolj). Morëm vendim dhe filluam ta praktikojmë: në tërë artikullin do të shkruhej Manastir (në mbititull, në titull, në nëntitull, në mestitujt e artikullit dhe në tërë tekstin), Por, vetëm një herë, në rastin e parë (në tekst) kur përmendet emri Manastir të shkruhet në kllapa (Bitolla) dhe asgjë më. Ky qe i vetmi ndryshim që bëmë. Të nesërmen e këtij ndryshimi, redaktori i revistës “Fatosi”, poeti Mehmedali Hoxha, më takoi në korridorin e redaksisë, m’u afrua dhe më pëshpëriti në vesh: Dje e dëgjova Radio Tiranën të thoshte manastiri i Bitolit. Qesha dhe iu falënderova. Unë kam në shtëpi një atlas gjeografik të Shqipërisë, të botuar në Tiranë në vitin l970, që e ka këtë toponim: Bitoli (Manastiri), – i thashë.
Tani, disa vjet që toponimet kishin nisur të ndryshonin dhe mbetën vetëmbotimet e “Flakës” pa e bërë këtë, ashiqare ideja e batakçiut, e mistrecit-skilipec (që tanimë ishte bërë doktor shkencash) nuk mund të zbatohej ndryshe përveçse me nxjerrjen e një ligji të posaçëm për këtë gjë. Sakaq, nisma u mor. Si e do radha, puna duhej të fillonte në komisionet e Kuvendit Republikan, konkretisht në Komisionin për marrëdhënie ndërnacionale. U caktua mbledhja dhe u ftuam edhe ne. Tri-katër ditë para mbledhjes unë e shkrova diskutimin dhe vajta t’ia jepja drejtorit se mos vallë kishte ndonjë vërejtje. Ia thashë këtë dhe e luta që të vinte edhe ai në mbledhje.
Ai nuk donte ta merrte diskutimin tim. Për më tepër, më tha:
– Unë nuk do të vij në mbledhje, por as ti s’do të shkosh.
– Unë do të shkoj patjetër, jo se dua, por ngaqë e kam për detyrë, – i thashë. – Për kë bëhet fjalë këtu? Përse do të nxirret ligji? Për ne të “Flakës”. Por, unë të lus që të vish edhe ti. Si më thua të mos shkoj? Si t’u tregoj përse ne nuk i ndërrojmë toponimet dhe përse ato nuk duhet të preken?
Nuk iu hidhërova që më tha të mos shkoja. E dija se të vetmin qëllim e kishte që të mos luaja me zjarrin. Pas pak, seç iu kujtua dhe m’u drejtua:
– Unë kam një shok të klasës, që sot është gjuhëtar i njohur. Nuk di nëse e kanë ftuar. Prit ta marr në telefon.
– Për kë e ke fjalën?
– Për Trajko Stamatoskin.
Vërtet, ai ishte një gjuhëtar i njohur, shumë vjet drejtor i Institutit të gjuhës maqedonase, një nga tre autorët e fjalorit të parë të maqedonishtes. Drejtori e mori në telefon dhe Trajkoja i tha se nuk e kishin ftuar. “Po të të ftonin, do të shkoje?” e pyeti. “E pse jo”, iu përgjigj ai ”unë jam autor i disa studimeve nga toponomastika”. “Mirë, i tha drejtori, do të marrësh ftesë”. Sakaq, drejtori e mori në telefon kryetarin e Kuvendit. “Edhe këtë e kam shok klase”, më tha. Bisedoi me kryetarin dhe puna mbaroi.
Ditën që mbahej mbledhja në Kuvend, me të hyrë në një sallë të vogël, më ra në sy z. Stamatovski i ulur. E përshëndeta buzagaz. Mbledhjen e hapi kryetari, edhe ky “pishtar e prijatar” i flaktë i ndërrimit të toponimeve në gjuhën shqipe. Ndër të tjera ai i quajti nacionaliste temdencat e mospranimit të ndryshimit dhe nacionalizëm përdorimin e toponimeve në gjuhën shqipe. Erdhi radha e diskutimit. Në fillim njëri i binte gozhdës, tjetri potkoit. Unë sqarova disa çështje dhe, ndër të tjera thashë se nacionalizmi s’ka të bëjë me toponimet, sepse nacionalizmi si dukuri shfaqet vonë, në epokën e borgjezisë, ndërsa toponimet, pikërisht në këto trajta që kanë sot, përdoren prej shumë e shumë kohësh. Ndër të tjerë, në diskutim mori pjesë prof. dr. Remzi Nesimi, prof. dr. Xhevat Gega, profesorë të katedrës së gjuhës shqipe të Fakultetit filologjik, të cilët mbrojtën toponimet shqipe. Dikur e mori fjalën z. Stamatoski. Ai që në fillim theksoi se nuk shikon ndonjë problem që toponimet e Maqedonisë përdoren edhe në gjuhën shqipe, që qyteti Kiçevo quhet Kërçovë, që Tetovo quhet Tetovë, që Debar quhet Dibër, që Kumanovo quhet Kumanovë. Në vazhdim ai foli për mikrotoponiminë. Ishte e qartë se fjala e tij i kishte dhënë fund tërë kësaj marrëzie. Fytyra e kryetarit të Komisionit dukej një çehre e prishur. Ai e dinte se pëpjekjet e tij të derisotme kishin marrë fund. “Ah, thashë me vete, të kisha mundësi t’i shikoja edhe një herë fëmijët e Dibrës duke e sjellë vërdallë mistrecin”.
Duke dalë nga mbledhja, iu afrova gjuhëtarit Stamatoski. Ai m’u drejtua: -Unë ju mbrojta më shumë ju shqiptarët, – tha ai.
– Ju falemi nderit, profesor. Sot shkenca e bëri të vetën: i vuri jastëk fjalës.
Pavarësisht se ky ishte mendim vetëm i një maqedonasi, i një pensionisti, ai ishte mendimi i njeriut më kompetent në Maqedoni, që i vuri pikë çështjes.
Çështja e toponimeve u mbyll një ditë dhe nuk u dëgjua më. Ky ishte, ashiqare, rezultat i qëndresës që i bëri me shumë durim, maturi dhe urtësi kolektivi i Redaksisë “Flaka e vëllazërimit” (me rreth pesëdhjetë e ca të punësuar). Së dyti, rezultat i qëndrimit profesional, korrekt dhe njerëzor i të tre drejtorëve të Shtëpisë gazetare-butuese “Nova Makedonija” : Pançe Mihajlov, Radosllav Ognjanovski dhe Pande Kolemishevski (në periudhën 1982-1991), që nuk dhanë një urdhër të gabuar, të dëmshëm e fyes. Por, grushtin e vërtetë kësaj së keqeje ia dha vetëmbrojtja e gjuhës shqipe.
*
Ditëve që po mbyllej çështja e toponimeve, Forumi “25 Maji” (i të rinjve) organizoi në Shkup një takim që iu kushtua marrëdhënieve ndërnacionale. Ishin të ftuar disa intelektualë dhe politikanë nga Maqedonia dhe nga Kosova. E mbaj mend që ishte i pranishëm edhe filozofi kosovar Shkëlzen Maliqi. Për çudi, në bisedë e sipër u cek edhe emri “shiptar”, me të cilin serbët dhe maqedonasit i quanin me nënçmim shqiptarët. Më vinte çudi se po kalonin rreth 15 vjet që ky emër fyes ishte lënë në harresë (me vendimet e komiteteve qendrore të partisë (në Maqedoni në mledhjen e KQ të LKM-së, me fjalën e kryetarit të tij Kërste Cërvenkovski – pa asnjë diskutim) dhe, me të drejtë, në vend të tij përdorej emri “albanac (serbisht), albanec (maqedonisht)”. Çuditërisht, këtë çështje e shtroi Vllado Popovski, profesor i Fakultetit Juridik në Shkup. Madje ai e ngriti çështjen e këtij emri me nostalgji. Ja, tha ai, nuk e di pse e lamë dhe e harruam emrin e bukur e melodik “shiptar”. Për më tepër shqiptarët maqedonasit i kanë thirrur gjithnjë me këtë emër.
Unë e kisha fare pranë. Ia qepa sytë i çuditur fare që këtë çështje e parashtronte në mënyrë të mbrapshtë pas kaq vjetësh një profesor universitar, po edhe një njeri që merrej
herë pas here me çështje konkrete teorike politike. Ja, mendova, na dolën toponime të reja! Me të mbaruar ai, unë e kërkova fjalën.
– Është për tu habitur rihapja e këtij problemi të harruar, – thashë. – Është fare e qartë se ky emër s’ka pasur qëllim tjetër veçse t’i nënçmojë shqiparët. Së dyti, edhe atëherë ai përdorej në kundërshtim me tekstin dhe frymën e Kushtetutës së Jugosllavisë dhe të Maqedonisë (Popovski m’i kishte ngulur sytë dhe, seç më dukej , priste të thosha ndonjë marrëzi. Por, shumë shpejt, fët, ai ndërroi çehren). Siç dihet – vazhdova fjalën – me të dyja kushtetuat e lartpërmendura shqiptarët në Jugosllavi kanë pozitën e minoritetit, paçka se e gëzojnë emrin “kombësi”. E tani le ta shtrojmë pyetjen: kush është pjesëtar i një minoriteti? Pjesëtar i një minoriteti në Jugosllavi është njeriu që i përket një populli i cili e ka formuar shtetin e vet kombëtar jashtë kufijve të Jugosllavisë (sakaq i hodha një vështrim Popovskit; dukej se ishte ngushtë). Prandaj, ashtu si quhet populli përkatës, ashtu do të quhet edhe minoriteti i atij populli, çdo pjesëtar i tij. Pra, albanac (albanec).
E dyta, nuk është e vërtetë se maqedonasit e kanë traditë të na quajnë shiptari (z. Popovski sërish zhgapërreu sytë). Ky emër ka nisur të përdoret rreth viteve ’60, nën ndikimin e Serbisë. Unë e kam marrë letërnjoftimin e parë në vitin 1957 në Shkup. E dini ç’më shkruante në të: albanec! Emri shiptar në Maqedoni, nën ndikimin që përmenda, është përdorur nja dhjetë, e shumta pesëmbëdhjetë vjet. Maqedonasit na kanë quajtur gjithmonë albanci. Po, në të kaluarën na kanë quajtur me emër tjetër: arnauti (huazuar nga turqishtja).
Sapo mbarova unë këtë ndërhyrje të shkurtër, fjalën e mori menjëherë Shkëlzen Maliqi. Ai e përkrahu qëndrimin tim dhe e zgjeroi duke folur gjerë e gjatë. Askush nuk tha gjë për këto që kishim përmendur. As vetë z. Popovski.
Fushata kundër shqiptarëve në Maqedoni, kundër kulturës gjuhës, historisë ë letërsisë ,identitrzit shqiptar në çeriudha të ndryshme merrte hov varëdisht nga ngtitja kokë r dhovenzimit racirmit denomafh dhe maqedomadh. E pëkojmë kohën kur në fshatrat fshiptare të Maqedonisë sbeshin muret gardhiçet,avllitë e oborreve nga policia maqefonase që paraqiteste një presion, represalje të veçantë kundër shqiptarëve. Shtëpi e shqiptarit pa murin eboborrit ka kuptomin e shtëpisë lakuriq. Shovenët maqefonë peknin në çështjetë të ndeshme të dhqiptarëve më dinjitetin,në pronën fhe në krenarinë e tyre, i deformonin enrat dhe mbiemrat e tyre. Këso tendencadh ka edhe sot !