More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Ra një mjegull e madhe

    Rexhep Ferri: Ra një mjegull e madhe

    1.

    Pak më andej, më andej, më afër.

    Deri te Iliri!

    Nganjëherë quheshim Albanë.

    Nganjëherë Shqiptarë!

    Në anën tjetër të detit dy romakë.

    Vëllezër binjakë.

    Të ushqyer me qumësht ulkonje.

    Kur u rritën u bënë trima të famshëm.

    Mendonin se në anën tonë kishte më shumë diell e hapësirë.

    Pas një loje damë me hënë plasi lufta.

    Nuk kishim rrugë tjetër!

    E kishim vetëm këtë mundësi!

    E kishim të vërtetën ta pranonim si të vërtetë.

    As pyetje e as përgjigje në gjuhën e nënës nuk kishim.

    Gorillat e patriotizmit mashtrues vrapuan pas hajnisë e pas plaçkitjeve. Mendja u rrinte vetëm aty.

    Në Shkodrën e mbretërve, mbretin tim e zunë rob.

    Mbretëresha nga pikëllimi bëri vetëvrasje.

    Lufta mori fytyrë të legjendës.

    Rreziku ishte fuqi.

    Lufta e fundit çka të do syri.

    Ne, ilirët, albanët, shqiptarët u mundëm keq.

    Në jug helenët nuk pritën sekondat.

    Çdo ditë nga një luftë.

    Çelësi i jetës ra në duart e armikut famëkeq.

    Muret e shumë kalave u rrënuan.

    Nuk ishte e lehtë për ta kuptuar, prandaj jam pak i egër.

    Është pak vonë për të qenë në Çamëri e në Kosovë.

    Ajo që është më e çuditshme, me teke personale shkon edhe më larg.

    Zoti nuk pa asgjë…

    Vetëm kaq di!

    Askush nuk na njeh mirë.

    Nëse nuk e kemi ditur më parë, e dijeni tani.

    2.

    Për hir të historisë që e lamë në gjumë, s’na besohet.

    Kurrë nuk na bëhet vonë.

    Vetëm kaq dimë.

    Edhe pse shumë gjëra mund të ndryshojnë e ardhmja nuk ofron mundësi.

    Ra një mjegull e madhe nga majat e Bjeshkëve të Nemuna deri poshtë te rrjedhat e lumenjve.

    Prandaj ende kemi shumë legjenda…

    Gjarpri i gdhendur në gur gjithmonë na pret te Dera e Madhe e hyrjes në kullë.

    Nuk kam ide tjetër për portën e kullës.

    As për ballin e portave të kullave, as për gjarprin e shtëpisë.

    Jeta është art.

    Kur nga deti na vjen haberi.

    Aty e kam takuar gjarprin e shtëpisë që shoqërohej me perënditë.

    Bashkë me perënditë e dy horizonteve.

    Me helme e kundërhelme.

    Si ujërat e lumenjve të detit të oqeanit.

    Me emrin e fshehtë të kohës.

    Të kohës që e ka edhe një emër tjetër të fshehtë.

    Një, dy, tre…

    Fluturimi në afërsi nuk është rrezik.

    Duhet të jemi më shumë se tre.

    Të përpiqemi të shpëtojmë.

    Kështu jetohet.

    Me forcën e zjarrit dhe thellësinë e detit.

    Të detit e të oqeanit.

    Zjarri në zjarr, hiri në hi.

    Nuk kisha ide tjetër.

    Shkrepa një fotografi për ta kuptuar më mirë vetveten.

    Me fuqinë e Zotit, jeta është detyrë e shenjtë.

    Rrahja e zemrës e kupton.

    3.

    Ku do të shkojmë?…

    Të kemi kujdes!

    Më mirë është të vazhdojmë të jetojmë.

    Nuk ka vlerë tjetër që mund t’i themi se e ka shkëlqimin e vlerës.

    Koha kur ndodh gjithçka seriozisht se prishet.

    Kur s’kanë asgjë për të thënë, t’i lëmë njerëzit t’i marrin përgjegjësitë e veta.

    Disa vite para historisë, në Egjiptin e Lashtë koha ndahej në tri stinë:

    “Në atë të përmbysjes, në atë të mbjellave, në atë korrave!”

    Hollësi tjera nuk ka.

    Diçka më thotë: Ky është momenti!

    Për të vazhduar del dikush e thotë: As që dua të di!

    Një dritare e pabesueshme qeshi.

    Çmimi është i lartë.

    Unë e pashë edhe fundin.

    Çdo gjë e ka kohën e vet.

    Prandaj e ndeza një qiri.

    Më pëlqen të besoj.

    Ëndrra ime shkon e prek qiellin.

    Më tepër se ç’duhet e kam humbur fillimin për kohën që ka ndryshuar…

    4.

    Jetës për ta ruajtur qetësinë i duhet rinjohja.

    Shkollë emocionale.

    Edhe pse ajo që shprehet në imagjinatë nuk ndodh në jetë.

    Për ta anashkaluar vetëshkatërrimin, truri i njeriut nuk e kupton dhe nuk e pranon psenë si betejë e humbur.

    Si gjendje konflikti, për të bërë jetë normale nuk ia vlen të presim.

    Shikoje punën tënde!

    Pakkush di se kush vjen sonte për darkë.

    Ajo që na bën njerëz është e lidhur ngusht me një frikë të madhe.

    Zemra e errësuar kthehet aty ku ishte.

    Nuk ka qenë e kuptueshme për të gjithë.

    Besoni ose jo, unë jam çka armiku im nuk ka qenë.

    Nata e ndezur është shumë e thjeshtë.

    Na vë në gjumë të gjithëve.

    Për një ëndërr të humbur…

    Gjithçka fillon diku.

    Në gjininë e artit është thirrje.

    Afrohu të lutem!

    Për fatin tonë të keq.

    As më shumë e as më pak.

    Gjueti shtrigash!

    Dhe xhungël e interesave personale të patriotëve politikë.

    Fundi i shekullit.

    Koha e së ardhmes.

    E tashmja ime.

    Çmenduri që frymëzon

    Me kënd.

    Me askënd.

    Kam humbur rrugën.

    E vështirë të përgjigjem.

    Më shumë se sa që duhet i mora vesh të gjitha.

    S’pres përgjigje.

    Propozoj kohë shtesë.

    Festa është festë.

    Dita ditë.

    Nata hënë.

    Mos kërkoni hollësira.

    Sot si dje.

    Nesër si nesër.

    Nga brezi në brez liria e çmuar sa jeta.

    E parakohshme për ta ruajtur.

    Duke kaluar rrugën e duke marrë me veti gurët kilometrik të rrugës e parakohshme për ta ruajtur.

    Dhe duke analizuar kohën, vjen një proces i krijimit të një rrethi katror.

    Gjërat tjera janë të një kohe tjetër.

    Duke afruar pamje nga historia e harruar.

    5.

    Pas luftës së prostitutave politike, shqiptarhanja nuk e pa sa e poshtëroi veten.

    Ndjenjë e pakuptueshme!

    E çuditshme!

    Më pak se diçka e besueshme.

    Me kërkime e verbëri.

    Ky peizazh ka lidhje me ëndrrat që kurrë nuk pikturohen ashtu siç i shohim.

    Tek unë as çmenduria kurrë nuk është e njëjtë.

    Miti i makinës kalon imagjinatën e njeriut.

    Nuk bëhet fjalë sa po rrezikojmë.

    Me fat të keq nga ana psikologjike edhe nga shëndeti mendor nuk po dimë se çka të bëjmë me vetveten.

    E vërteta dhe harresa po na mësojnë të shohim më lart.

    Çdo gjë nuk është e përjetshme.

    Në metafizikë, me shpresë, për fat të mirë të gjithë shohim ëndrra.

    Zbritja në hënë, në kohën e territ, është miti i territ…

    6.

    Qysh në barkun e nënës i kam dëgjuar topat e luftës.

    Në Kukësin e vendlindjes, në Prefekturën e Kosovës deri në ditët tona ajo kohë quhet Koha e Topave.

    Nga terri mbi një kodër, në këtë botë, për të bërë një jetë normale, në zemrën time zot kush fiton e kush humb.

    Për të vazhduar jetën në ecje në kohë, jemi njerëz.

    Vdesim nga mungesa e oksigjenit.

    Për të qeshur e për të qarë ende ka kohë…

    Zemër, vazhdo, vazhdo!

    Dua një përgjigje.

    Asgjë nuk është siç ka qenë.

    Libri nga një i vdekur ende krijon shqetësime gjumi.

    Profesor si e njohët djallin?                         

    Siç të njoha ty!

    Studetesha A, qeshi.

    Nuk e pranoj këtë histori.

    O zot i lumi zot…

    Pastroje jetën prej varfërisë shpirtërore.

    Populli e kupton dhe e njeh varfërinë.

    Do të mbijeton.

    U lodha duke pritur liria të jetë personazh real.

    Është shumë terr për ta parë se më buzëqesh liria e çmuar sa jeta

    7.

    Kush po flet për fytyrën!

    Sa ka mundësi e kemi harruar?

    Në eklips të hënës dikush ëndrrën e ka një zbavitje.

    Nuk po tallem.

    Sa mirë e thashë.

    E mposhta frikën, terrin.

    Ajo kohë, sa e tmerrshme ka qenë.

    E kam me gjithë mend.

    Jam njeri.

    Tani e kuptoj çka po bëj.

    Duhet ta them të vërtetën.

    Koha rrëzon mure.

    Rrënon ura.

    Varros njerëz.

    Aty e atëherë kur njeriu ëndërron lirinë.

    Po e pse?!

    Janë bërë shumë pyetje.

    Shikoni kush ka ardhur.

    Nuk ju lëndova.

    Nga terri jemi përtej kufijve, as në tokë e as në qiell.

    2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË