More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Maska e Zotit

    Rexhep Ferri: Maska e Zotit

    1.

    Tregoje fytyrën!
    Ku ta gjej?!
    Askujt nuk i mungon fytyra.
    As që kërkon që ta kuptojë pse i kemi dy fytyra.
    Ëndrra nuk është ëndërr.
    Nga gazi lotsjellës nuk po ankohemi.
    Mësova shumë.
    Njerëzit e natës na e sollën historinë e tradhtisë, dhe lojën e qorrfermanit.
    Te kufijtë e provokimit.
    Kur jemi ata që jemi.
    Një histori që nuk ka as drejtësi e as ligje.
    Prapavija pikë e zezë.
    Jo unë!
    Jo ti!
    Krime dha lavdi.
    Çka harrohet harrohet.
    Për historinë nuk kemi të dhëna të sakta.
    Ndikimet janë të shumë interesave.
    Në stilin e thjeshtë të kërkushave.

    2.

    Kur flasim nuk shikojmë.
    Duam vetëm të flasim.
    Qyteti i zi e ka Muzeun e zi.
    Flamuri në gjysmështizë është fjalë publike.
    Vendlindja ime është një qytezë e humbur thellë në provincë.
    Shkon nga veriu në veri.
    Kthehet nga jugu në jug.
    Dhe prapë shkon atje ku ishte.
    Arratisje.
    Vëllavrasje.
    Përsëri mashtrime çdo ditë e çdo ditë.
    Shqiptari nuk vdes nga helmi i gjarprit, por nga fjala e vet dhe urrejtja.
    Thuaj diçka të lutem.
    Dua të më besosh.
    Jam libër i hapur.
    Kthehem më shpejt se shpejt.
    Kam të drejtë ta jetoj jetën time.
    Deri në atë pikë kur Ajo fillon të tallet me mua.
    Kujt i kemi premtuar?
    Nga lakmia e kemi harruar besimin në Zot.
    Absurdi lehtë e zbulon anën e errët të njeriut.
    Për ata që nuk e dinë se çka është frika, ndarja e botës nuk është më shumë se unë e më pak se ti.
    Viktimat dhe xhelatët kanë mbetur pa varre.
    Konfliktet e mëdha çdo ditë po rriten.
    Papritë e pa kujtuar po na imponohet diçka e pakuptueshme.
    Kur fama tejkalon vetveten, pas çdo feste fillon rrumpalla.
    Kurrkush nuk e njeh kurrkënd.

    3.

    Një vajzë trupeshk, ta hajë dreqi!
    Shumë e gjallë e shumë e mirë dhe shumë e bukur vonë erdhi dhe shkoi shpejt.

    Vetja po më duket si e humbur. – tha dhe vazhdoi udhëtimin për të bërë një fotografi.
    Nuk ka më biseda normale.
    Provojeni çmendurinë.
    Patriotët e pabesë janë me armikun.
    Konfliktin e madh e kishin me vëllavrasjen.
    Nga Lufta e Dytë Botërore e pas Luftës së Dytë Botërore ka triumfuar bashkim-vëllazërimi me duart e lyera me gjak.
    Ku po shkojmë do ta shohim!
    Nuk e di a kemi ëndrra për të ardhmen.
    Na duhet pak të rrezikojmë.
    Budallenjtë po argëtohen.
    Ne pse po qeshemi?
    Deri në fund e di se është marrëzi.

    4.

    Para e pas takimit kemi jetuar ndarazi.
    Jemi rritur ndarazi.
    Jemi plakur ndarazi.
    Është e pamundur të bëhet vlerësimi.
    S’kemi aftësi që ta fisnikërojmë mendjen.
    Bisedat intime e kanë humbur kuptimin.
    Natyralizmi ka shkuar deri te asimilimi.
    Legjenda thotë: Shikoje veten, korrigjoje mendjen!…
    Duke e ruajtur ekuilibrin më mirë kuptohet thesari.
    Zoti edhe pse nuk shihet është afër.
    Larg syve tanë, syri frontal, në profil qeshet.
    Si dhuratë për pagëzim kur njeriu nuk di ta sheh as veten.
    Ka sy për detaje.
    Kujt i beson nuk ia thotë as vetes.
    Pse ndodh kështu, çdo pyetje ka një histori.
    Në këtë botë nuk ka drejtësi.
    Çdo gjë e ka një çmim.
    Ku të gjendet fajtori.
    Tokën e kemi vrarë.
    Një ditë njeriu, ish-njeriu u bë edhe ujk, edhe dhelpër.
    Do të mbesin vetëm varret.

    5.

    Këtë marrëzi nuk do ta kuptojmë kurrë.
    Kurrë nuk më ka shkuar ndërmend se njeriu mund të jetë edhe kaq kërkushi.
    Njeriu dhe djalli filluan ta quajnë njëri-tjetrin mik.
    Zoti pa dhe qeshi.
    Me rojet e urave që e vranë shekullin, besimi shkoi drejt detit.
    Kur shohim më larg kujt t’i besojmë?!
    “E urrej krenarinë time”.
    Mos harroni, koha meriton më shumë.
    Të bëhemi pak më realistë.
    Kemi tre minuta kohë shtesë për të menduar.
    Një buzëqeshje e hollë dhe e pastër si loti e ka përgjigjen pse jetojmë.
    Pse kemi lindur.
    Dashuria nuk është diçka krejt e dukshme si futbolli. Ajo në anën e vet ka diçka të gjallë e të lëvizshme.
    Deri te e papritura e ka përgjigjen pse jetojmë.
    Ky kalim kufiri shkon derisa kohës t’i kalojë koha.

    6.

    Jo për një shekull!
    Jemi vonuar më shumë se për një shekull.
    Pse ndodhi kështu nuk e di.
    Ç’të bëj me veten, po ashtu nuk e di.
    Për ne hyrja në Mesjetë zgjati shumë.
    Dalja nga Mesjeta zgjati edhe më shumë.
    Fundi po tregon se nuk jemi kurrkund.
    Deri te Guri i Fundit në maje të Piramidës, ku ka vend vetëm për një gur që e mbyll piramidën.
    Fjala që po zhduket.
    Jeta që po zhduket po na fusin frikën.
    Iku rasti.
    Dëgjova fundin.
    Harrova fillimin.
    Nuk kam humbur asgjë.
    S’ka burrë që jeton si burrë!
    S’ka burrë që vdes si burrë!
    Kujt t’i falënderohemi?

    7.

    Koha e pa shpresë nuk është as pyetje e as përgjigje.
    Jeta sa e dhimbshme, sa e bukur, është edhe humbje.
    Njeriu ka nevojë ta shuajë etjen.
    Kush i bie në sy e thërret.

    Oh, eja!…
    Koha është të më besosh.
    Kemi sy për detaje.
    Për ta ruajtur sekretin.
    Ruajtja e sekretit nuk është më shumë se unë e më pak se ti.
    Nuk ia kam thënë këtë besim askujt.
    Më 1961, kur isha student në Beograd e bleva një libër të arkeologjisë.
    Në kopertinë ishte reproduksioni me legjendë “Maska e artë e mbretit ilir”.
    Me hypjen e temperaturës politike mbi njëqind, pas njëzet e katër viteve, në ribotimin e atij libri ishte e njëjta pamje figurative e kopertinës, por tani e kishte ndryshuar legjendën “Maska e artë e mbretit të vdekur”, ilirët i çoi në harresë.
    Meqenëse kemi jetuar jashtë historisë, të trishtuar dhe të lumtur, kurrë nuk kemi menduar se kujt i hyn në punë historia.
    Për ta shpëtuar profilin mësova shumë nga historia e pashkruar.
    Po vjen një kohë e largët.
    Do ta jetojmë momentin.
    Shkojmë në det.
    Dëgjojmë oqeanin.
    Nga turpi nuk do të dimë as të gënjejmë.
    Kjo vetmi nuk është as fillim e as fund!

    Qershor, 2021

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË