More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Kush e rrëzoi lirinë nga kali?

    Rexhep Ferri: Kush e rrëzoi lirinë nga kali?

    1.

    Gjatë luftës e pas luftës së fundit kush e rrëzoi lirinë nga kali?
    Jo vdekja, po njeriu!
    Nëse do ta quajmë liri, a liri për njeriun qenka kjo!
    Nga inati liri po i themi.
    Dua të them edhe diçka tjetër.
    Shi, shi, shi…
    Zogjtë e qiellit po qajnë.
    Jo shi…
    Qentë po lehin, po lehin.
    Për të humburit, të vdekurit e të pagjeturit edhe zogjtë e qiellit po qajnë.
    Lotët janë për të jetuar.
    Katundet, qytetet, toka, u dogjën.
    Durimi dhe koha ku janë?
    Ne që pahiri shpëtuam gjallë, kur u kthyem gjetëm nga një gjysmë shtëpie.
    Shumë të vdekur e të pavarrosur na kishin pritur të kthehemi e t’i varrosim.
    Gjatë kohës që i varrosëm të vdekurit nuk na vinte në mendje të përmendim fjalën liri.
    Shtatoren e trimit të panjohur, e cila lirinë nuk e kishte parë me sy, si ta pagëzojmë?
    Përsëritja hesht.
    Kërkon të vërtetën.
    Më falni për guximin.
    Të shikojmë përpara.
    Është mirë të mendojmë për ta mbledhur veten, vetes i thashë.
    Mjaft në pritje.
    Koha është për të guxuar.
    Koha që mund të ndodhë.
    Nesër, nesër.
    Kur i gjejmë eshtrat e të pagjeturve?
    Me syrin e botës pa qiell?!?!

    2.

    Për t’i vendosur gjërat në vendin e vet, fama patriotike na çmendi.
    Herën tjetër do të jetë ndryshe.
    Gjatë luftës së kaçakëve e hajdutëve të maleve e piratëve e hajdutëve të detit ka pasur më shumë gjuetarë se veteranë trima e patriotë.
    Nuk e di se çka po flas.
    Asnjë liri nuk është liri e plotë.
    Për artin mistik, narcisoidi vret gjithçka…
    Përtej kohës së dimensionit të errët është zia e bukës.
    Thënë të vërtetën të gjithëve na kapë frika.
    Siç e thashë më lart, asnjë liri nuk është liri e plotë.
    Mbreti është mbret.
    Duhet ta dijmë.
    Pse të gënjejmë.
    Kush do ta paguajë lirinë.
    Askujt nuk i bëhet vonë.
    Pritni pak.
    S’mund të jetë e vërtetë.
    Jeta është një arsye për t’u zgjuar në mëngjes.
    Zemrën e çmendur fama patriotike e çoi peshë.
    Më shihni kush jam?!
    Jam e nuk jam.
    E di që po mashtrohem.
    Kur i mbyllim sytë, hapet mendja.
    Kjo hapje e mendjes më befason.
    Shoh atë që nuk e kemi parë.
    Përtej shkronjave dhe fjalëve ç’marrim vesh?
    Për çka është fjala?

    3.

    O, ish Njeri!
    Nuk e kisha frikën tënde, e kisha frikën time.
    Në mënyrë të paqartë.
    Për tregtarët e flamujve mbeta humbës.
    Në mënyrë të paqartë kishim qenë të pastër.
    Të njohur e të panjohur.
    Nga inati historinë e kuptoj me trishtim.
    Në rrafshin e lutjeve njihemi mirë.
    Liria kuptohet dhe dihet.
    Vetëm mashtrime.
    Qetësinë e lirisë së panjohur nuk duhet ta humbasim as në gjumë e as të zgjuar.
    Qetësia e lirisë të shpie në një botë ku vetëm fizikisht plakemi.
    Gjysma tjetër e jona është atdheu mitik.
    Për një mit të ëndrrave që nuk e rrëfejmë.
    “Gropat e syve i kemi të mbushura me dhe”.
    Kërkush nuk di të na tregojë ku jemi e çka mund të shohim.
    Njeriu mes njerëzve vetëm për vetminë flet mirë.
    Mendoj se çmenduria po i afrohet rrugës së qiellit.

    4.

    Nga poli i veriut iku dimri.
    Arusha e bardhë i dha fund frikës.
    Nga frika nuk fiton askush.
    Bota përtej kohës ende është e paqartë.
    Një ditë dhe dimensioni i tretë i një dite pa diell dhe i një nate pa hënë, kur harrojmë të pyesim veten çka mendojmë për Zotin.
    Të gjithë nuk e dimë për çka nuk shihet dhe për çka nuk pyesim ku është.
    Nga çasti në çast bota në flakë. Asgjë nuk mund të ndalet.
    E gjithë bota është e pushtuar nga kiçi.
    Nga frika.
    Nga urrejtja.
    Nga lufta.
    Vetëm ish-Njeriu mendon se kjo është histori suksesi.

    5.

    Me shumë frikë nga historia e çmendur, e me pak dashuri për jetën e njeriut.
    Kurrë s’e kam pyetur veten: A po na sheh Zoti?
    E arsyeshme ta kuptojmë rrugën që po e ndryshon jetën.
    Intelektualët evropianë me buzëqeshje e lot kurrë nuk reagojnë me kohë.
    Dervishi i Kukësit që flen nën Urën e Vezirit më tha:

    Po ti ende nuk e paske kuptuar se intelektualët evropianë nuk e kanë pushtetin në dorë.
    Ata janë vetëm maska për paradë që kërkohen për ëndrra mashtruese.
    Deri te kufijtë e heshtjes jeta është ëndërr e vërtetë.
    Mbretëria mbi tokë është çmenduri.
    Qëndrimi narcisoid i njeriut nga shpejtësia e vetëtimës i mbylli sytë.
    Me flamur të zbritur në gjysmështizë edhe deti mban zi.
    Tmerri nuk flet.
    Është fama e luftërave të humbura…

    6.

    Nuk kemi ç’besojmë më.
    Ajo kohë i përshtatet së kaluarës.
    Në këtë kohë, me një shprehje zemërimi, koha e ka kthyer kokën në anën tjetër.
    Universi ndan, bashkon.
    Pa gënjeshtra, Evropa mbetet me një shuplakë në fytyrë.
    Për historinë pa histori.
    Ata që flasin më rrallë jetojnë më gjatë.
    Me një shikim më të gjatë gjarpri më tha:

    Unë e pyes ç’është kjo thirrje?!
    Gjarpri për ta kuptuar vajin e burrave shkoi.
    Nuk i besonte askush.
    Larg syrit të keq.
    Kemi fituar çka nuk kemi pasur.
    Kemi humbur gjithçka që kemi pasur.
    Nga historia e pashkruar asgjë nuk më kujtohet.
    Nuk ka çmenduri më të madhe se mosnjohja e ditës ditë dhe e natës natë.
    Në Teatrin Kombëtar shfaqet drama me titull “Natyra vullgare”.
    Është shumë personale.
    Dënime dhe iluzione pa lejen e askujt nuk llogariten si e ardhme.
    Kur njerëzit largohen nga vetvetja bishat bëhen male e malet fusha, e bishat e maleve kafshë shtëpiake dhe qeni besnik për çdo kënaqësi.
    Ish-Njeriu nuk turpërohet të bëjë be rrejshëm.
    Ndodh shpesh harrohen kohët, vitet.
    Largësia kërcënon realitetin.
    Uzurpatorët e rinj të shtetit, të ligjit e të pasurisë kombëtare e kanë rrokur me kufi e pa kufi.

    7.

    Si mendohet të jetojmë?
    Asnjë përgjigje.
    Shumëkush tha: Është një turp.
    E ardhmja do të tregojë se ku kemi shkuar, ku kemi gabuar e ku kemi humbur.
    Jeta po i ndryshon fjalët.
    Unë nuk po e kuptoj kush e ka gabim.
    Rreth llampës së ndezur, rreth dritës sillet fluturzeza përtej kujtesës.
    Nga një e treta e jetës nuk mund të zbulojmë diçka tjetër e tjetër.
    Lirinë jo!
    Liria është e kërcënuar edhe nga lufta, edhe nga paqja.
    Më falni për atë që thashë.
    Në jetë ka një ndryshim të madh.
    Me diçka nostalgjike.
    Me diçka të harruar.
    Nuk po e njohim më as vetveten.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË