More
    KreuLetërsiBibliotekëRexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

    Rexhep Ferri: Fjala gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine

    1.

    Për të parë ose lexuar kurrë nuk kemi qenë më shumë.

    Kurrë nuk kemi qenë më larg dhe më të vetmuar.

    Dhe kurrë nuk i kemi ngjarë më pak vetvetes.

    Sot kjo rrugë qenka e vetmja rrugë dhe e vetmja kohë.

    Prandaj s’duhet të mendoj shumë se çmendem.

    As në bisht të sorrës nuk ka mbetur vend as për gënjeshtra.

    Me jetën që kemi, çka të bëjmë?

    Për histori nuk kemi kalendar.

    As vite.

    As shekuj.

    Nuk kemi bërë asgjë dhe nuk po mendojmë asgjë.

    Të shohim kush jemi dhe çfarë lajme ka.

    Ëndrrat na kanë lënë vetëm.

    Mos u shqetësoni!

    Dikur ndoshta ia dalim.

    Deri dje ka qenë natë.

    Për të qenë më të kuptueshëm a ka hero?!

    A është një apo njëmijë e një?!

    Ku i kemi sytë?

    Emrat?

    Nënshkrimet?

    Fillimin në tokë?

    Vazhdimin në qiell?

    A mund ta kuptojmë pse?

    Dëshiroj të shkoj te shtatorja e heroit të panjohur për të bërë një fotografi.

    Fotografi?

    Një fotografi që të më bëjë shoqëri kur jam vetëm.

    Ta kuptoj se jam gjallë.

    Mikut dhe armikut nuk i bëhet vonë.

    Në këtë botë jetohet edhe pa Zot.

    2.

    Jemi ashtu si jemi.

    A mund të shkojë më keq?

    E nesërmja ndoshta nuk vjen.

    Kur flasim për njeriun a jemi të besueshëm?

    Pse të gënjej!

    Ndoshta nuk ka kuptim.

    Le të del ku të del.

    Pse fshihemi?

    Historia gjithmonë shihet si një hapësirë e pushtuar, apo si një hapësirë e lakmueshme për ta pushtuar.

    Tani jemi duke e bërë një pushim.

    Njeriu jeton dhe nuk e di ku dreqin do të shkojë dhe nuk e di se çka e përcjell deri te Guri i Varrit.

    E vërteta harrohet shpejt.

    Heshtja nuk ndryshon asgjë.

    Kur fillon, fillon.

    Kur mbaron, humb.

    Me sentimentalizëm e shohim vetëm një ëndërr.

    Për sekrete çdo i çmendur e ka theksin e vet.

    Fatmirësisht që nuk është Zot.

    3.

    Më 1971 e 1972, si Zogu Përrallor që digjet dhe rilind nga hiri i vet, prapë shkova në Paris.

    Në rrugën Fi-Fi, në kafenenë Kyzhas me një studenteshë franceze për herë të parë e piva një kafe.

    – Nga jeni?- më pyeti.

    – Nga Shqipëria.

    – Ju qenkeni nga vendi i Ismail Kadaresë.

    – Po!

    – A jeni edhe ju shkrimtar?

    – Jo!… Dhe, nuk e di!.. Kombit tim i mungon një piktor i mirë.

    Ajo me një buzëqeshja të hollë e të qetë e vazhdoi rrëfimin.

    – Gjatë Vjeshtës Kulturore në Paris edhe Xhon Mili ka hapur një ekspozitë të fotografive. Në atë ekspozitë, në atë ambient për mua të panjohur kuptova se edhe Xhon Mili ishte shqiptar. Në atë ekspozitë për herë të parë e kam parë edhe Pikason duke vizatuar me dritë. Ajo që pashë në atë ekspozitë kishte më shumë dritë natyrale se artificiale. Kjo ide a mund të jetë e njëjta dritë për të gjithë? – më pyeti.

    Unë duke kërkuar vetveten, pas një pushimi të shkurtër i thashë:

    – Jeta nuk është si tregimet e “Një mijë e një netëve”.

    Në të njëjtën kohë ka shumë kërkesa dhe fjalë të pakuptueshme.

    Studentesha që më foli për Ismail Kadarenë e për Xhon Milin, quhej Barbara nga Ishulli.

    4.

    Pesë vjet më vonë, më 1977, në Galerinë e babait të saj, në Paris unë e hapa një ekspozitë.

    Për atë prezantim të pikturave të mia Alen Boske (poet i njohur francez) ka shkruar:

    “Ajo që mua personalisht më tërheq te Ferri është një përpjekje për të paraqitur shkatërrimin, pastaj rifillimin e botës përmes vështirësive të mëdha tragjike”.

    Gjatë një rruge ku nuk ka pasur rrugë, në legjendat tona vëllai për motrën bëhet valë deti.

    Aty për aty harrohet realiteti.

    Motra për vëllanë çdo ditë kah sillet e kah shkon vetvetes i thotë: “Ai nuk është në mes të vdekurve! Ma ka dhënë fjalën që vjen me më marrë. ..”

    S’është për të mos besuar.

    Për motrën vëllai i vdekur është jetëgjatë.

    Këtij rrëfimi edhe nëna fatmjerë i beson.

    Për të treguar madhështinë e rrëfimeve, të legjendave në fushë të mejdanit motrës i ngjallen shpresat.

    Për të besuar ka shumë hapësirë të zbrazërt brenda vetes.

    5.

    Patriotët tanë sojli gjatë gjithë kohës janë në hap me kohën.

    Lugën e çojnë vetëm në gojë të vet.

    Jetën shpejt e kanë kuptuar.

    Nga lakmia e kanë harruar frikën reale.

    Mirë është që nuk kërkohet një vrasje.

    Për të larë duart ndoshta nuk shkohet më larg.

    Kur bota e vogël mbyllet në botën e madhe njeriut me fytyrë gozhda i ngulet në zemër.

    Për fajin e vet dhe mikut mashtrues.

    Vonë e kupton se bota e vogël e mbyllur në botën e madhe shpesh e ndërron mendjen.

    Pa na njohur na bind se jemi të pranishëm.

    Kur mendojmë se është humbje kohe duhet të jemi me fat.

    Kur ndodh diçka që është e shkruar, me gjysmën e çmimit bjen mjegulla.

    Flasim për detin.

    Ndalemi.

    Shqetësimi na vjen nga vetvetja.

    Dhe prapë bjen mjegulla.

    Ashtu si di ajo vetë.

    Për kohën e harruar.

    Përtej mundësive tona diçka e largët, prapë është e largët.

    6.

    Për marrëzitë tona, pse jemi kaq të etur e të pangopur e të trishtueshëm?

    Lapsi i moralit njerëzor nuk ka lënë asgjë të shkruar.

    Për historinë e përgjimit s’kemi çka të flasim.

    Nga jeta nuk kërkojmë atë që e njohim, por atë që ende e kemi të panjohur.

    Imagjinata na bën kërkues.

    Nëse nuk je i ftuar, nuk ka kuptim as të shkosh e as të ndalesh.

    Po thonë e po flitet se humbja e identitetit nuk është gjë e madhe.

    Kryqi i një kryqi.

    E shohim kur e harrojmë.

    Fjala bëhet gënjeshtër e gënjeshtra kukull vitrine.

    Kur dritat artificiale ndryshojnë nga fjalët e pabesueshme dallimet nuk i kuptojmë.

    Shumë gjëra i kemi në rrafshin e numrave 1,3,4,5.

    Kjo ndjenjë nuk krahasohet me asgjë që e kemi të njohur.

    Sot e kemi një shpejtësi që nuk do as ëndrra, as dashuri.

    Momentet e mëdha lindin shpejt.

    Pritet të jemi edhe më të çmendur.

    Përtej murit, pa ndalesa e pa kufizime, ajo që dimë është pak.

    Ajo që shohim është një mur mbi mur.

    E shohim të gjithë.

    Kujt i duhet ndryshe?!

    Sot çmenduria njeriun e bën të lumtur.

    7.

    Ku të shkoj?

    Ku të ndalem?

    – Ndryshoje identitetin, – më thanë. – Fytyrës futja tri operacione plastike. Kërkush nuk të njeh. Kurkush nuk të shanë. Qebesa, kërkush as nuk të qanë.

    Pa familje e pa Atdhe nga e kaluara s’kemi as çka të lëmë e as çka të marrim e as çka të harrojmë.

    Në sekretet e panjohura nuk po shkoj më larg.

    Realizmi politik është një mashtrim i madh.

    Me lajme të rrejshme.

    Me fjalë të pabesueshme nuk po shkoj më larg.

    Veç me kris Lufta e Tretë Botërore.

    Jo sot, po nesër!

    Jo patriot, po tradhtar.

    Është marrëzi se dikush mendon se do të bëhet mirë.

    Fundi i mjerimit qenka i gjatë.

    As çka të marrim e as çka të lëmë.

    Në hapësirën e së jetuarës, vepra e jetës qenka maskë mashtruese.

    Kështu mbaron muhabeti.

    Nuk them asgjë me këtë.

    Për besimin e shenjtë, gjatë atyre sekondave të fundit të jetës, para vdekjes s’ka kuptim ta gënjejmë veten.

    Shkurt, 2020

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË