More
    KreuLetërsiShënime mbi libra“Retë e mrekullueshme...” të Rudolf Markut, një koleksion i poezisë ndërkontinentale, më...

    “Retë e mrekullueshme…” të Rudolf Markut, një koleksion i poezisë ndërkontinentale, më të mirë në shqip

    Nga Mimoza Ahmeti

    Nuk reshtin së shpalluri fundin e Poezisë, por ajo shfaqet gjithmonë e re dhe tronditëse në postblloqet politike “të mbarimit”. Si një festë kuptimesh, e veshur me rekuizitë të një gjuhe të re e me melodi sinapsesh, kjo muzë është e vetmja që siguron freskinë e sagave dhe pastron shpirtin nga myku i vetëpërdorimit normativ.

    Mijëra definicione dhe asnjë ngërthyes për të. Poezia është një medium që çliron gjithë lëndën, pasi nuk e damkos atë, si arsyeja, por e shpërbën me metafora hiçin e demarkacionit me të cilin është krijuar shpirti!

    Befasues, një rrengëtar i limitit, shfaqet Rudolf Marku në seleksionin që ka bërë. Duke prurë poetë nga të gjitha gjuhët, pa bërë dallime, por gjithashtu duke dalluar më të mirën, tek autorët e mëdhenj, ka ndërtuar një unitet metastruktural, që kalon urë mbi urë nëpër kultura, duke kapërcyer kohëra dhe gjeografi, për të dhënë në mënyrën më të thjeshtë një rruzull intrinsik në këtë përmbledhje impresionuese e transformuese, ku përkthyesi shkrihet me poetin, për lexuesin.

    Titulli i Antologjisë është frymëzuar nga vargjet e Baudelaire, “I huaji”-  Ai nuk ka: as nënë e as baba, as motër e as vëlla, as miq e as atdhe, dhe e urren arin po aq sa dhe Zotin, por Ai, i huaji, dashuron retë…retë e mrekullueshme…

    Poet i eksplorimit të shpirtit dhe i ndriçimit të plehut të tij, prej të cilit rritet e ndodh lulëzimi i luleve të së keqes, Baudelaire, në mënyrë të pamëshirshme por përgjithësuese na zbulon vetëdënimin që i bëjmë vetes, jo thjesht kur e kryejmë mëkatin sesa kur e vuajmë atë dhe pendohemi, pasi bota unifikohet kur ndërgjegjja nënështrohet, pajtohet me dënimin:

    “Gabimet, kopracia, mëkati, marrëzia,

    na  pushtojnë në shpirt e na mundojnë në trup,

    ne ushqejmë pendimet tona më në fund,

    siç ushqejnë lypësat morrat, me mijëra”.

    Eshtë djalli ai që na lëviz gjithë qenien tonë,

    me sendet e neveritshme joshja na kap,

    çdo ditë drejt Ferrit zbresim nga një hap

    pa tmerr, mes Ferrit që kutërbon.

    Si një i çthurur varfanjak që puth i dehur

    gjirin e mundur të një kurve plakë,

    ne vjedhim ndonjë kënaqësi kalimthi si tinëzakë

    dhe e rrokim fort si një portokall të mshehur…

    Për të vazhduar të njëjtën ide në një rrethanë të re formulimi, poeti Britanik, Thomas Eliot, derdhet radikalisht në vargjet e poemës së tij: ”Këngë dashurie për Alfred Prufrock”:

    “Dhe prapë kohë për njëqind ngurrime,

    për njëqind shikime dhe rishikime…

    Të pyesësh me çudi: A do të guxosh? Dhe: A do të guxosh?

    A do të guxoj-

    Universin të shqetësoj?

    Një minutë ka kohë

    për vendime dhe rishikime që, po brenda minutit, asgjë të mos mbesi…

    Sepse tashmë i kam njohur të gjitha, të gjitha i kam njohur,

    i njoh zërat që shuhen në një kadencë që vdes,

    Kam matur jetën time, me lugën e kafesë…

    Ta shtrydhim Universin si një lëmsh

    duke e rrokullisur me një frazë, që të luan mendsh:

    e cila thotë: “Jam Lazari, prej së vdekurish jam kthyer,

    jam rikthyer, të gjitha- për t´jua dëftyer”…

    Qysh prej shekulli apo edhe më parë, por jo në një dimension kaq të gjerë social si sot, shtrohet pyetja: a është njeriu që e prodhon shoqërinë e këtij lloji, apo kjo e fundit e klishon njeriun kësishi?

    Kësaj pyetjeje, thuajse në një mënyrë flegmatike dhe pa retorika, me tone të urta vetëqortimi, i përgjigjet Kavafisi i dashur, poezia e të cilit të rreshqet thellë si mëndafsh nëpër trupin monoton të kohës:

    Ti thua: “Do shkoj në një qytet tjetër, në brigje të tjera,

    të gjej një qytet më të mirë se ky.

    çfarëdo që të bëj, fati ma kthen mbrapsht

    dhe zemrën e kam sikur ta kisha të vdekur.

    Sa kohë më tepër do e lë shpirtin të kalbet në kët´ vend?…

    Këtu ku kalova pjesën më të madhe të viteve të mia, duke i shkatërruar dhe i shkuar dëm…

    Ti nuk do gjesh vend tjetër dhe as brigje të tjera

    Ky qytet gjithmonë ty ka për të të ndjekur. Do ecësh…

    Do ecësh të njëjtat rrugë…në të njëjtën shtëpi do të thinjesh…

    Siç e shprishe jetën këtu, në këtë qoshe të vogël,

    ti e ke shprishur atë në çdo vend tjetër të botës.

    Duke iu kthyer veçorisë së poezisë dhe gjuhës së saj, le të citojmë filozofin e qenies, Heidegger, që thotë për poezinë, në raport me gjuhën në tërësi: Gjuha, në vetvete është poezi, në sensin essencial. Por qëkurse gjuha është gjithashtu trualli në të cilin qeniet njerëzore zbërthejnë veten, në çdo herë si qenie, poezia mbetet sensi më i hollë dhe forma më origjinale e esencës së sensit. Gjuha nuk është poezi, sepse është poezia e parë; në të vërtetë poezia zë vend në gjuhë sepse gjuha e ruan natyrën origjinuese të poezisë. Është hapja e gjuhës që e mbush poezinë; në hapjen e thënies ndodh emërtimi, duke vënë të vërtetën në veprim, duke nxjerrë në dritë atë që ka ndodhur e nuk është vënë re ende në gjuhë.

    Duket se gjuha dhe jeta udhëtojnë bashkë për të dhënë qenie. Në poezinë lirike metafizike të Borhesit gjuha shkrihet nga dashuria për jetën:

    Manuel Flores shkon të vdesë…

    Vdekja është nje monedhë që ecën,

    vdekja është një zakon,

    që ndonjëherë e kanë njerëzit.

    E megjithatë,më vjen keq,

    t´í them jetës: lamtumirë,

    kësaj gjëje, përgjithmonë,

    aq të ëmbël, aq të mirë…

    I vetëdijshëm për të gjitha dimensionet: gjuhë, qenie, jetë, vdekje, pasvdekje, në Artin poetik, Borhes vazhdon:

    Të shohësh Lumin që është prej kohe dhe uji,

    e të kujtohesh se koha është një tjetër lumë,

    të dish se ne humbasim si një lumë

    dhe radha jonë kalon si uji…

    E prapë duke iu referuar Hedeggerit, për të perifrazuar atë që përvoja e qenies kupton në poezi dhe e rikrijon në të: Njeriu rron në atë që ndërton, dhe ajo që ndërton i jep atij sensin. Njeriu nuk rron duke ndërtuar ndejtjen e tij në tokë poshtë qiellit, duke rritur e ngritur gjërat ashtu si ngre binate (ndërtesat). Njeriu është i zoti të ndërtojë vetëm aq sa ka ndërtuar në masën e sensit poetik. Ndërtesa është autentike, saç është edhe poetike. Poetët janë masa e arkitekturës së banimit individual-qenësor.

    Duke falenderuar përkthyesin dhe poetin e njohur, Rudolf Marku, për këtë konstelacion poetik-konceptual qëllues , si dhe shtëpinë botuese Mapo për botimin e saporealizuar, 2017, shpresojmë se sadopak kemi prekur shqisën poetike të lexuasit, në apelin modest me këtë shkrim, kundrejt të gjitha llojeve të mediave gjithashtu, për të kthyer kujtesën dhe vëmendjen drejt poezisë, burimit të të gjitha burimeve.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË