Berat. 29 tetor 2022. Pranverë drejt fundit të vjeshtës. Një diell i bukur na provokonte me një afërsi çapkëne… Qemë nisur një grup për pelegrinazhin përnderues të figurës emblematike të këtij qyteti, Vexhi Buharaja. Vinim te shkrimtari, përkthyesi pa shok, njeriu i ditur dhe me shumë frymëzime. Do ta gjenim te varreza, në pllakën e kreut një libër i hapur me vargjet ‘Përballë Tomorit’, Mali Blu, që ai veçanërisht e donte aq sa s’thuhej. Pastaj një fjalë përshëndetëse e Rexhep Shahut të ‘Klubit të Poezisë’ pa harruar emrin e mecenit Flamur Hoxha, deputet. Gjendja shpirtërore e qytetit m’u duk si e ndryshuar. Vetëm asaj dite? Ndoshta. Tanimë ai ndihej aq i qetë, saqë i bënte njerëzit të prisnin për asgjë. Një ide që sapo të shkrepte në kokë, të bënte vetiu për vete krejt: të shkëpuste nga duart e diellit dhe vrapoje pastaj për t’u vënë vetë drynat dritareve të Mangalemit, të rreshtuara njëra mbi tjetrën, atje ku s’mund të hyje dot me rrezet jetëdhënëse të diellit. Ndërsa ndonjë dashnor i thekur do të hynte me rrezen e diellit e të puthej me xhamat e ndritshëm, po prapëseprapë do kthente kokën pas nga rrugica e ngushtë, e cila të vinte pranë fort e më fort dhe të përkëdhelte me aq dashuri. Dhe ti, kushdo qofsh, do t’i numëroje sekondat për t’u argëtuar. Miqtë e mi, pjesë e pelegrinazhit nuk harronin asgjë, as shtëpitë e ndërtuara habitshëm, as buzëqeshjet e mahnitshme të dritareve, as pëshpërimat e magjishme të Shën Mëhillit fin… Doje s’doje aty do të ishe njeriu më i sjellshëm që i dhuron magjisë që ke pranë një send të rrallë; më të rrallën ngrohtësi shpirtërore…
E shoh befas Vexhi Buharanë duke shëtitur te parku, duke shkelur madje edhe pllakën me emrin dhe mbiemrin e tij, vitet kufizuese të jetës, padyshim edhe ndajshtimin social e kulturor. Aty, para monumentit të dëshmorëve të kombit, vendosur nga bashkia e qytetit në vitet tridhjetë të shek. XX, mund të mërmërije pas një çasti heshtjeje. Aty pari po kalonte banda e qytetit. Duket me rastin e ditëve të ngrohta me diell pranveror, ndonëse në fund mesvjeshte, si në tablotë e famshme të Mios. Ky diell që duket se ia bën për inat qeverisë, e cila lutet për shi në çdo kishë e xhami!… Duke e ditur mirë sesi mund të bëhet më mirë…
Klithmat e parkut sa vinin e bëheshin më të shpeshta. Vexhi Buharaja ulur në stol. Në stolin e tij. E kanë ruajtur edhe me një përshkrim të bukur, poetik. Kishte nga ato të thjeshtat që ngjanin sikur belbëzonin e dridheshin si në rrëfimin e parë: të guximshme, që vibronin në peshën e ndonjë gishti brutal e të ngutshme, të cilat e përshkonin ajrin e parkut me një dridhje të shpejtë. Ishte një kumbim i vërtetë kambanash, një kumbim i tillë që trondit krejt lagjen ku u rrit dhe ai ia shkroi historinë: Murat Çelepias… Një hokatar i vjetër i lagjes po tregohej tepër bujar, me sa duket, duke na dhënë të gjithëve atë që e kërkonim, e, nga ritmi i lartë i rrengut të zërave, e shihja se po turreshin kush e kush të vinte para tjetrit.
Në momentet e ndërprerjes së këngës origjinale të qytetit plot vajtje-ardhjesh të qytetarëve, me shkak se po shihnin qytetarin e tyre të vjetër e me emër të madh, Vexhi Buharanë, ulur në stolin e tij duke deklamuar vargje nga Shahnameja, apo nga Gjylistan e Bostan për të përgatitur një shfaqje vërtet të bukur e sigurisht të rrallë. Dukej, ndërkohë, se një sy satiri, zinte e tallej me ta, duke thënë se Berati dhe Buharaja i ndiente tek merrnin frymë atje prapa dritareve, të gjithë me pamje të varur nga joshja e krijuar.
Buharaja po ndihej disi i shqetësuar, ndërsa ndiente frymën e ngrohtë që kalonte nëpërmjet rrezeve të diellit. Ndërkaq, dikush lëshoi një britmë lehtësimi. Si qe e mundur, që Buharaja ishte me ne!? Kështu i shoqëron miqtë, kurdoherë? Ndoshta kishte ardhur me ngut për të thënë se ia kishte shlyer gjithë detyrimet qytetit të tij. E megjithatë dukej se qyteti po e dëgjonte, tërë neps, duke përsëritur se do ta merrnin me vete e do ta ruanin si talisman… se do të darkonin së bashku mbrëmjeve në ‘Castel Park’, në pyllin me pisha dhe kështjellën afër Drobonikut…. Në këtë skenë duhet të jemi në çdo orë të ditës e të natës… Ç’fat që kishte qyteti: pat ardhur ora e njeriut të mirë Vexhi Buharaja! Ai ishte një tip që kurrë nuk kërkonte gjë. Por thjesht një mik i të gjithëve, të cilëve u rregullonte punët e vogla dhe edhe ato të shpirtit. Në këtë mënyrë, duke ardhur, ai i kishte shtyrë pelegtinët e rinj për ta pritur para Mangalemit. Njeriu nuk lodhej kurrë së menduari para dritareve të tij, syve më të mahnitshëm në botë.
Mos kishte ardhur sërish Abdyl Pilafi, i vetmi nga shtetarët e së kaluarës që dinte t’i vlerësonte bashkëqytetarët me talente, se edhe vetë qe një talent. Ne e dinim se ai do ta kapte për krahu Buharanë, duke e shtyrë atë me një përqafim të habitshëm drejt Mangalemit, duke bërë të mundur që të largohej paksa nga e vërteta e ditëve që jetonim… Mirëpo pikërisht aty te Xhamia e Beqarëve, në mes të Mangalemit, e priste Simon Vrusho, që e mbante si idhull Buharanë, duke iu përgjëruar t’ia shihte veprën, muzeun Solomon, pasi Vexhiu dhe qindra qytetarë të tjerë i fshehën hebrenjtë në odat e tyre gjatë Luftës së Dytë Botërore prej nazistëve. U ngopëm edhe ne si Vexhiu me të qeshurën e heshtur të Simonit… Më në fund, ndihej gjithçka e çliruar prej ritmit të ditës, ndërkohë që dukeshin të lumtur që do të kishin mundësi të gëzonin veten e tyre, pa rëndësi sesi, por edhe pa u bezdisur prej atyre adeteve të jetës normale që s’reshtnin kurrë… Imagjinoni pak, miqtë e mi, do të jem këtu një ditë e një natë të tërë, një kohë të gjatë, vetëm me veten time! Një mrekulli, kjo, të dashurit e mi, të jeni një kohë të gjatë me veten tuaj!
Atë të shtunë, andej nga ora dhjetë, ishin nja dymbëdhjetë veta në sallonin e berberhanes së dikurshme pranë Pazarit të ri të Maman Duhanxhiut me shokë, kur ky kolos i kulturës priste biletat e njerëzve në radhë për t’u qethur e për t’u rruar… Aty Buharaja duket se priste vetëm miqtë e afërt, nuk hapte as sallonin e vogël e as sallën e ndenjjes. Ndiheshin më mirë kështu, më afër mes tyre, duke ndenjur e biseduar rreth zjarrit imagjinar që digjej e ngrohte për bukuri. Salloni, nga ana tjetër, ishte shumë i madh, shumë i lartë; katër dritare binin mbi lulishte, nga e cila, në atë paradite fundtetori me diell të paparë, ndihej një lloj lagështie, megjithëse kërcunjtë digjeshin gjithë flakë në oxhak. Aty recitoi Yzedin Hima vargje nga Letërsia e Dënuar, apo të fliste Kadri Kuka për forcën e karakterit prej intelektuali të Vexhi Buharasë. Asnjëherë nuk shmangej dielli për aty, ditën, një dritë që kthehej në të gjelbër kur ajo merrte një pamje më shumë se të bukur dhe hijerëndë e me dizenjo të gjëra. Të dilte para sysh ai dinjiteti i ftohtë i zakoneve apo i mënyrave të vjetra, të një kohe të zhdukur që lëshonte një aromë devocioni. Ky jelek i ngushtë nën sqetull, medet, ju thefshin duart kush ta ka qepur. Dhe qeshte me atë dhembin e florinjtë që binte në sy…
Megjithatë, përballë karriges ku ulej Buharaja dhe letrave të vogla – të vogla, me fjalë në gjuhët e Lindjes e të Perëndimit, ku ai kishte kaluar vite të tëra, si një ironi e gjallë që mund t’i përplasej në fytyrë një intelektuali prej stofe të veçantë, ndonëse dukej e ashpër, ku mëndafshi i mendimit të kohëve të vjetra vinte tek ne me një butësi pupëlore të paimagjinueshme. Kjo ishte e vetmja mobilie moderne, një qoshe fantazie e ndërfutur në atë rreptësi të ardhur prej vitesh dhe që, në të njëjtën kohë, ndeshej me të në një heshtje të përgjunjur.
Dhe letërsia e famshme e Persisë…
Biseda po zhvillohej rreth princave të Shahnamesë, një magji e paparë letrare. Dhe duket se Vexhiu ka mbajtur parasysh Mujët dhe Halilët e Jutbinës…
Miqtë e mi të pelegrinazhit e ndienin thellë këtë që po ndodhte, duke e ndezur fantazinë se me Buharanë do të ishte e parezistueshme një darkë në sallonet e mëdha të pritjeve të bujshme, duke folur gjatë e gjerë për letërsinë e Saadiut.
Gjithçka fliste me zjarr sikur sapo kishte kryer një mision në Orient, u jepte të pranishmëve hollësira mbi oborrin të kalifëve dhe shahëve duke zbritur në kohë deri te zotat e Zarathustrës së Niçes… me një drithërimë të lehtë, e cila e bënte të zbehej dhe si gjithnjë duke vënë buzën në gaz. – Ç’është e vërteta, do të belbëzonte Buharaja, ky sallon mezi ngrohet nga letërsia mesjetare e Lindjes!
Edhe në drekën e shtruar në restorant ‘Gega’ pelegrinët e ardhur për Vexhi Buharanë hutimthi, po edhe me lëvizje të gjalla, disi të shpjeguar se me një sallon të tillë me përkthyesin e madh e të pa krahasueshëm do të qe mëkat të mos kishe qejf t’i ndryshoje perdet, kolltukët, të gjitha, të gjitha(!); pastaj aty pa frikë mund të jepej një ballo e mrekullueshme, ku krejt e krejt do të vraponin për të ardhur aty.
Me një lëvizje të plogët, secili nga mikpritësit dhe pelegrinët e letërsisë buharaniane plotësonin mendimet e njëri-tjetrit. Tanimë Buharaja do të mbetej ashtu sikurse ardhësit e tij pelegrinë donin ta mbanin të ndezur bisedën, pse jo edhe për politikën e sotme. Sepse kështu mund të kish festime të bukura, ulur në një kanape, mes dy dritareve, duke pyetur me shkathtësi një deputet të majtë për të mësuar prej këtij të fundit më të rejat në lidhje me energjinë elektrike, nëse do t’i ndryshonte çmimet kryeministri apo jo. Po ku ta dinte i mjeri deputet se ç’kishte në mendje kryeministri ynë!… Për ta ditur atë duhej nuhatje e hollë që, do të qe më mirë të rrinin në këmbë, përpara tij edhe po të mos qe i pranishëm, të dëgjonin pa folur, me një pamje më të ngrysur se zakonisht… E donte puna, situata e rëndë. Luftohej në Ukrainë. E ç’qenë çmimet e larta para një gjendjeje të këtillë absurde? Ndërkaq katër a pesë të rinj formonin një tjetër grup pranë derës, ku kishin vënë në mes deputetin, i cili, me një zë edhe më të ulët, me sa duket, u tregonte ndonjë histori tepër të këndshme, pasi të rinjtë mezi e mbanin të qeshurën e tyre…
Dhe, duke qeshur, Vexhi Buharaja u kthye sërish pranë pelegrinëve të letërsisë së tij. Dukej se i kish zënë të gjithë një lloj oreksi i paparë, gati i tërbuar, saqë asgjë nuk arrinte dot ta përmbante… Ndërkaq po fliste Raxhep Shahu, Namik Dokle, Dhimitër Topi, kurdoherë i prnishëm, Kajana, Hima, Kuka, Bujar Balliu, Bajram Karabolli, teksa rregulloheshim te shkallët për një fotografi përkujtimore… Vexhi Buharanë e lamë pas në bustin e tij, para bibliotekës që mban atë emër të madh…
Tiranë, më 30 tetor 2022