-Çfarë po ndodh?
-Ta them nesër.
-Tani, në çast!- rreshtoi fjalët me inat Ted Deshanani.
Briga tundi kokën. Fjalët e ironike iu ngjitën pas gjuhës. I la të shuheshin: nuk jepnin qartë ndjenjat për njeriun e parruajtur që dëshiron t’i shtojë vetes dozat e shëmtisë. Humbja e fjalëve e bëri të shtrëngojë dhëmbët.
Tedi mbërtheu llërën e vajzës dhe sikur të kishtezbuluar kuptimin e frazave të pathëna, foli me ligësi:
– Qetësi, e dashur!
– Përse?
– Po e vure dashurinë në dyshim, ka marrë fund.
– Nuk qe dashuri.
Sytë e zinj u zhvendosën anash, rrudhëzat e përhershme u thelluan, ndërsa goja mbeti paksa e hapur, në buzëqeshje të pikëlluar. Ajo shpërndarje piklash, hijesh e grimasash, i mbushi mendjen se qenia para saj s’është tjetër, veçse një enë nervoze e tejdukshme mbu- shur me pije që nga refuzimi i mosmirënjohësve, shkulmon, zbret faqeve, turbullohet.
Mund ta lexonte, t’i kuptonte vuajtjet, dobësitë. Ndjeu dëshirën të pllaquritë këmbët në trishtimin e tij.
-Të mëshirova!
– Nuk jam simpatik.
– Më keq, sakat, – u bë e pacipë.
Qerpikët e Tedit puliten edhe më shpejt. Ne cepat e vetullave thellohen rrudha plaku, sytë mbyllen të trembur.
-Putanë.
Briga nuk qëndroi të shohë zemërimin e mëtejshëm. Vrapoi pas autobusit të linjës për në qytetin e lindjes. Kur vuri këmbën në shkallare, ktheu kokën. Tedi, papritur u shndërrua në gotë shampanje shembur në dysheme. Buzëve të qelqta kanë ngrirë kristalet e puthjeve. Një gllënjkë vere lëkundet në dilemën e derdhjes, heziton, kthehet në stalagmite akulli.
***
Nuk ndihej e ulët, aq më pak fajtore. Gënjeu kur i tha se u lidh për mëshirë. Difekti i pulitjes jo normale të syve, zhdukej kur afroheshe me Tedin. Mençuria dhe druajtja e virgjër, e bënin tërheqës.
Ted Deshanani e dinte se vajzat vdesin për dikë që ka aftësinë të dëgjojë broçkulla. Brigës i drejtoi shijet për lukun, leximin, të ushqyerit, parimet politike, deri dhe të ecurit. I mirë, fali kënaqësi, tani i panevojshëm.
***
Lidhi duart mbi ballë. Butësia e nënkresës i përcolli lëvizjen e lehtë të mezikapshme të faqes së ujit. Fluksi i freskët i liqenit u derdh në rrudhje të vogla dallgësh të vdekura.
E gllabëroi butësia e disfatës. Nga dhoma tjetër mbërrijnë fjalët e mamasë me gjyshen. Briga nuk dëshiron të dëgjojë zërin e ngjirur sa nga mosha, aq dhe nga acarimi i bisedës. Zuri veshët me kufje, buçiti melodia e gëzuar. Shtypi butonin e parë. Kënga rrodhi me ritëm të përshpejtuar, zëri i këngëtarit u bë fëmijëror. Shtypi të tjerë, nuk e gjeti normalitetin. Gjithçka për shkak të dorës që dridhej.
I flaku kufjet. Nga dhoma tjetër jehoi zëri i së gjyshes:
-Një burrë dua, ma gjen dot një burrë?
-Ç’të të dojë?
-Do ta dua unë.
“Shëmtira – mendoi Briga,- e bën për të mërzitur mamanë”.
– Duhet të ulim moshën në gjendjen civile,- tentoi e bija ta kthejë në shaka.
– Burrë ose e vdekur.
– Nuk ke zemër.
Briga çuditet me përgjigjet e qeta të së ëmës. Plakës i janë tharë të gjitha ndjesitë, edhe ajo e mëmësisë. Nuk ka më asnjë krijesë të dashur. Për të ekziston vetëm “unë”. I jep vetes rëndësinë e të qenit lart. Të tjerët duhet të mbajnë kokën ngritur dhe vështrimin ngulitur në tekat e saj. Briga nxitoi për në dhomën nga vinte biseda.
– Pse grindesh?
– E kam çupë.
– Nuk të lejoj.
– Shko moj aguridhe, ngjyej sytë e buzët!
– Po ti, shikohesh ndonjëherë në pasqyrë?
– E ke akoma prapanicën të menderosur.
– Porosit arkivol, jo burrë!- goditi me zjarr, pa kujdes, pa dhembshuri.
Grumbulli i mllefeve të njëpasnjëshme, bëri të shpërthente kot Kjo e kontraktoi. Fjalët e dërrmuan. Inati po kondensohej në lot. Vështroi gjyshen drejt në sy. E parëndësishme, e bezdisshme. Ngjyra e shpëlarë e syve të plakës u errësua nga shpërqendrimi. Shikimi u frikësua. Dëshirat humbën fuqinë.
-Ti të vret, dreqi e mori, – foli plaka e kruspullosur.
Gjyshja e dikurshme, tani gotë e plasaritur. Fjalët e fundit goditën ballas faqet e xhamta. Pluhuri u ngrit prej cepave ku buzët kanë lënë gjurmë buzëkuqi. Reja e hollë u vërtit si tym cigareje, humbi fuqi, preku fundin e tra- shë. Amalgamë pështyme, të kuq buzësh, kremi, medikamentesh.
Mbesa buzëqeshte hakmarrëse, pa e fshehur kënaqësinë.
E moshuar mërmëriti. Palat e rrudhat, dekorime pa shije. Krisjet e holla ndjekin njëra-tjetrën. Gota u mbush me degët e zhveshura të plasaritjeve. Sythat e tharë pikojnë mollëza gishtash. Prekjet braktisin lëmimin e xhamtë, kthehen në arabeska akulli.
Për herë të dytë brenda ditës, Briga humbi drejtpeshimin.
***
A mund të ketë njeriu zili vetmitarët e botës: sendet? Sidomos të qelqtat?
Natyra u ka dhënë vend real, të tejdukshëm. Thjesht, lodra të rastësisë. Tedi i tyre mungon: kanë kujtesë të qetë. Nuk u duhet të marrin pjesë në varrimin e gjyshes; e huaj brejtja e ndërgjegjes. Pamjen e pikëlluar të fatkeqes naive, s’janë të detyruara ta tërheqin pa fund nëpër çaste hipokrizie. Veçse të palëvizshëm, të ftohtë, prag dimri.
Ndodhej në dhomën e ngrënies dhe currili i ujit që rridhte nga një rubinet i harruar hapur, ia solli në majë të hundës. Briga ndeu mbi shtrat gjymtyrët e lodhura. Për herë të parë nuk u ndje krenare për tekat e saj.
“Më parë se të kesh mendime rebele, duhet të gjesh një vend për të banuar”.
Preku trupin me gishtat delikatë. Lëkura e padepërtueshme turbullohet mbi mishin e ftohtë. Zemra rreh diku nën shputë.