More
    KreuIntervistaPyetësori "Librat e jetës sime: DURIM TAÇI

    Pyetësori “Librat e jetës sime: DURIM TAÇI

    Libri që po lexoj ndërkohë

    Është romani i Laurenc Sternit ‘Tristram Shandy’, të cilin e kam hasur të cituar gjithandej pa mundur ta lexoja deri tani. Por le të përqëndrohemi tek leximet e autorëve tanë. Edhe pse jetoj jashtë nuk e quaj veten lexues të keq të librit shqip. Nuk e di a do të ishte e frytshme të përmendja këtu ndonjë listë, prandaj po përjashtoj apriori autorët e njohur të brezit tim, po përmend më të rinjtë, disa prej tyre syresh vërtet të talentuar si Alda Taçe, Andreas Dushi, Liridon Mulaj, Ervin Nezha e të tjerë.

    Libri që më ka ndryshuar jetën

    Do të përmendja me dëshirë libra të leximeve të para, nga letërsia e huaj: ‘Martin Iden’, ‘Plaku dhe deti’, ‘Një tragjedi amerikane’, ‘Zherminal’, ‘Të mjerët’, veçanërisht një tregim të Kadaresë, ‘Sjellësi i fatkeqësisë’ , përfshi edhe prozën e tij në tërësi, romanin ‘Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo’ të Dritëroit, i cili më duket libri më iluminues mbi dekadencën e regjimit tonë të diktaturës, – libra këta me të cilët jemi formuar përgjithësisht ne si brez, – por unë besoj se libri ta ndryshon jetën edhe mbi të pesëdhjetat, si në rastin tim leximi me vëmendje i kryeveprës ‘Koha dhe rrëfimi” të filozofit francez Pol Rikër.

    Libri që do të doja ta kisha shkruar

    I bie të jetë libri im i radhës nëse do të isha fatlum, titullohet ‘Liqeni në mes të detit’, pasi nuk arrij të konceptoj se si do të doja të shkruaja librin e një tjetri. Shkrimi është t’ia besosh fjalët e tua hapësirës, diçka e pakryer pa leximin, që është faktori i ndryshueshëm në këtë ekuacion, kështu që le t’ia lëmë shpresës se pikerisht libri që kam në dorë të jetë ai që do të dëshiroja. Mirëpo, përderisa dëshira shterr me lëngun e jetës, kjo pyetje mbetet e hapur.

    Libri i fundit që më ka bërë të qaj

    Nuk ka libra që më bëjnë të qaj, përgjithësisht. Megjithatë është një libër të cilin e kam përkthyer vetë, ‘Shkojmë të vjedhim kuaj’ i Per Petersonit, ka një skenë në fund ku i biri pret babain të vijë e ai nuk duket, ka filluar një jetë tjëtër. Këtu, nuk e di përse përlotem.

    Libri i fundit që më ka bërë të qesh

    Librat që nuk më bëjnë për të qeshur, nuk ia vlejnë. Për fat të mirë janë të paktë.

    Libri që më vjen turp që nuk e kam lexuar

    Leximi është një akt shumë personal, vështirë të ndjej turp për diçka që nuk e kam bërë, kjo do të thotë se dorëzohemi përpara trysnisë që na bëjnë superstrukturat duke na servirur tituj, edhe në rastin kur këta janë vërtet të vlefshëm. Mund të them për shembull, se i kam përfundur me vështirësi e në shumë seanca librat ‘Uliksi’ dhe ‘Në kërkim të kohës së humbur’, kohë që ka zgjatur vite, por nuk kam ndjerë turp edhe kur nuk i kisha përfunduar.

    Librat që kam dhuruar

    Nuk kanë qenë vetëm librat e mi. Ndë ta veçoj ‘Infinite Gest’ i David Forster Wallace, pasi është autori i cili të pavetëdijshem e bën gjurmë, një pasqyre me dy faqe, nga ku duket se nis e sos vetë rrëfimi.

    Libri me të cilin dua të mbahem mend

    Është romani im ‘Extra Time’, i cili kënaq dëshirën time të rrëfimit dyfish, të atij mbi ngjarjen dhe të atij se si ndërtohet nga unë ngjarja. Kam përshtypjen se është një gjedhe romanore e veçantë në panoramën letrare shqipe. Këtë e kam me të dëgjuar, ma kanë thënë e shkruar shumë syresh, pasi librin e kanë pasuar rreth dyqind faqe vlerësime brenda dy viteve që kur ka dalë.

    Libri që më bën të ndjehem mirë

    Nuk është një libër i plotë. Janë zakonisht çaste sublime leximi, kur teksti që kam përpara me flet e më lejon t’i flas.

    Libri që mendoj se është nënvlerësuar

    Duhet të jenë shumë syresh dhe kjo është pjesë e lojës për fat të keq, libri duhet të ndihmohet të dalë në sipërfaqe. Prandaj përmenda autorë të rinj, që të jap një ndihmë sa mundem që të jenë në vitrinë e pastaj fati i tyre të mbetet në lojë.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË