More
    KreuLetërsiBibliotekë"Pse vonon ajo grua?", tregim nga Qazim Shehu

    “Pse vonon ajo grua?”, tregim nga Qazim Shehu

    Kishim hipur në një furgon në Prizren dhe shoferi u bë gati të nisej, kur pranë derës së tij gjysmë të mbyllur u shfaq një vajzë e vogël, e cila duhej të ishte nja dymbëdhjetë vjeç ose pak muaj më shumë. Ishte një vajzë rrezëllitëse, flokëkaçurrele, me sy që i shkëndijonin. Unë isha ulur në sediljen pas shoferit dhe e vura re këtë, por para se të shkoja edhe një herë nëpër mend bukurinë e kësaj fëmije, dëgjova fjalët e saj:

    – Xhaxhi Maksi, mami më tha ta presësh dhe dhjetë minuta, se do të vijë me ty në Kukës.

    – Mirë, – tha shoferi, – të cilit ia mësova emrin nga fjalët e vajzës, – po e pres, por thuaj të mos vonohet, se mërziten pasagjerët.

    Vajza iku.

    Hodha një vështrim në hapësirën e brendshme të furgonit dhe vura re se dy vajza ishin zhytur në ekranin e celularit, një djalë lexonte gazetën, ndërsa dy pleq rrinin si të ngrirë. Furgoni duhej të kishte edhe tre- katër vende bosh, por ne duhej të niseshim. Për të shfrytëzuar këtë kohë, dola jashtë dhe ndeza një cigare, ndërsa pasagjerët e tjerë nuk lëvizën. Gjatë kësaj kohe ata rrinin të heshtur. Pasi e mbarova cigaren, pashë orën dhe nuk kishin kaluar dhjetë minuta, por dymbëdhjetë. Me siguri ajo grua duhej të vinte tani, jo, kjo nuk shkonte ose shoferi duhej të nisej. Nuk kishte kuptim ta priste më, por shoferi po rrinte i heshtur në timon dhe trokiste gishtërinjtë në rrethin e tij. Me sa dukej edhe tek ai kishte filluar mërzia, duhej të kishin kaluar edhe dy-tre minuta kur sërish erdhi vajza.

    – Xhaxhi Maksi, – tha ajo, – mami më tha se vonohet edhe dhjetë minuta të tjera, a mund ta presësh?

    Maksi, pasi u mendua, tha:

    – Thuaj mamit se edhe dhjetë minuta do ta pres, më tepër jo!

    Kisha edhe dhjetë minuta të tjera për të dalë jashtë e për të pirë një cigare, por para meje dolën dy vajzat; ato nuk thanë gjë, vetëm, pasi panë një herë nga shoferi, ikën. As shoferi nuk u tha të prisnin. S’kishte sesi.

    Dy pleqtë ende nuk po lëviznin nga vendi. Gjatë këtyre dhjetë minutave, vajta pranë një kioske dhe bleva një shishe ujë. Ishte një vapë mbytëse. E piva ujin me etje dhe po vështroja qytetin, sikur ta shihja për herë të parë. Edhe pse vapa ngrinte avuj të lehtë mbi rrugë, makinat nuk pushonin së vërshëllyeri gomat, njerëzit lëviznin të përthithur në lëvizjet e tyre. Kur u ktheva, dy pleqtë nuk ishin më aty. As djali. Furgoni i vogël ishte bosh.

    – Paskan ikur, – thashë.

    – S’kanë faj, fajin e kam unë, por e njoh atë grua dhe s’mund të iki… – tha shoferi dhe hapi kapakun e motorit, i hodhi ujë dhe e mbylli me një përplasje të lehtë. Çuditërisht nuk dukej i mërzitur .

    – Edhe ti mund të ikësh!, – më tha.

    – Jo, – ia ktheva, – do të pres.

    Ai nuk foli, por e kuptova që dëshironte që unë të ikja, siç ikën të tjerët.

    – Eja të pimë diçka këtu afër, – tha ai, – ndonjë kola…

    Nuk refuzova dhe të dy shkuam aty pranë dhe ai nuk pranoi ta qerasja. Shoferi ishte një mesoburrë trupdrejtë, me tipare të rregullta. Në rininë e tij duhej të kishte qenë më simpatik, dhe hijeshia e tipareve, që kishin filluar një farë venitje për shkak të moshës, e tregonte këtë.

    – E ka shtëpinë larg ajo grua?- pyeta.

    – Jo, këtu afër…

    – Përderisa e njeh, përse nuk shkon ta marrësh. . – Unë pres këtu.

    – Jo, – tha ai. – Nuk shkon.

    Ndërsa po bisedonim për gjëra të tjera pa lidhje, erdhi sërish vajza. Ai e vuri re.

    – Çohemi, – tha, – vajza erdhi… Të shohim ç’lajm sjell.

    Vajza po rrinte te dera e furgonit. Dukej se ishte e lodhur…

    – Hë moj vogëlushe, – tha Maksi dhe nxori nga xhepi një çokollatë.

    Ajo nuk lëvizi. Rrinte si e mpirë. As çokollatën nuk e mori.

    – Merre, merre!- i foli ai, – nuk të pëlqen, ta jep xhaxhi me dëshirë…

    – Mami nuk vjen edhe për pesë minuta, – tha ajo, – i doli një punë e papritur dhe të kërkon falje.

    – Mirë, – murmuriti ai- U kthye nga unë dhe foli si nëpër dhëmbë: Presim!. . .

    E pashë shoferin me vëmendje dhe në atë çast më erdhi të qesh, por, në çast një vetëfrenim që më erdh prej një inati, si ndaj shoferit, dhe ndaj vetes që kisha ngurruar të ikja me kohë, ma ndaloi të qeshurën. Ende nuk po e kuptoja durimin e atij dhe sesi ua kishte dhënë pasagjerët shoferëve të tjerë duke e zbrazur furgonin prej kësaj pritjeje këmbëngulëse që përmbante një mister. Ai prapë dukej i qetë, ëndërrimtar dhe as nuk e vriste mendjen për këtë. Dhe unë duhej të ikja. Dhe i thashë me një zë që më dridhej pakëz, por ai nuk kishte pse ta kuptonte këtë dridhje. S’më kishte mbajtur me zor aty.

    – S’kam ç’të pres më, – i thashë, – edhe unë po iki si të tjerët…

    Ai nuk foli, por kjo qe miratim, mbase çlirim për të…Dhe shpejt e harrova shoferin ndërsa u përsëdyta të rrekem e të gjej me hamendje se pse vononte ajo grua. Dhe pse pikërisht kërkonte ta priste i njëjti shofer… kur makinat shkonin me shumicë drejt Kukësit. Mos vajza e vogël e pengonte? Kush e di?!. . .

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË