More
    KreuArte pamoreProf. Skënder Aliu: Furrat e qeramikës dhe objektet e kultit në vendbanimin...

    Prof. Skënder Aliu: Furrat e qeramikës dhe objektet e kultit në vendbanimin prehistorik të Kamnikut në Kolonjë

    Vendbanimi prehistorik i Kamnikut ndodhet në një nga kodrat e Malësisë Jugperëndimore të Kolonjës. Vendin kryesor në këtë formacion gjeografik e zenë shpatet e kodrave në drejtim Lindje-Perëndim, 10 km gjatësi, të veshura me drurë halorë, dushk e shkozë me kullota alpine. Në relievin e kësaj malësie  spikatin pllajat karstike të Podës, Shalësit e Barmashit.

    Burimet me ujë të bollshëm, që dalin përfund fshatit Podë, Barmash e Kamnik, së bashku me ujrat e përrenjve, që zbresin nga shpatet e kodrave, formojnë luginën e sipërme të lumit Langaricë, që bashkohet me lumin Vjosë pranë fshatit Petran të Përmetit.

    Kushtet klimaterike, pyjet e kullotat alpine, pllajat me toka të përshtashme për bujqësi e vreshtari, së bashku me luginat e përrenjve e lumin Langaricë dhe qafave lehtësisht të kalueshme, përgjatë rrugë-kalimeve lindje-perëndim e veri-jug, kanë favorizuar jetesën njerëzore që herët në epokat prehistorike (Fig. 1).

    Fig. 1

    Brenda këtij terreni janë lokalizuar, në vitet 1965-1966 disa vendbanime të hapura e shpellore dhe të fortifikuara me mure, të kohëve të ndryshme. Vendin kryesor e përfaqëson  Vendbanim i Kamnikut, i cili ndodhet në një kodër shkëmbore, me lartësi 1200 m mbi nivelin e detit. Kodra ka drejtimin  lindje-perëndim dhe përbëhet prej dy kreshtave, që lartësohen pranë fshatit Kamnik. Shpatet jugore zbresin me pjerrësi të pakalueshme mbi përroin e Barmashit, kurse nga veriu ka disa  shkallëzime tarracore, të njohur nga vendasit “ Livadhet e Qytesë”.

    Gjatë  këtyre survejimeve, janë konstatuar linjat e mureve të një kalaje prehistorike ilire, që ruhen pjesërisht mbi sipërfaqe dhe shumë fragmente qeramike të Bronzit të vonë, epokës së Hekurit,  e sidomos të periudhës Qytetare Ilire. Midis këtyre gjetjeve kemi veçuar një buzë pitosi, të stampuar me emrin e mirënjohur Amynt, që i përket një pronari punishte  të shek.  IV-III p.Kr.

    Në shpatet jugore ndodhet gjithashtu, hyrja e një shpelle karstike, e njohur nga vendasit me emrin “Guvë”, me përmasa 30 m gjatësi, 2-3 m gjerësi dhe 5- 6 m lartësi. Gjatë kontrolleve tona në këtë shpellë,  janë gjetur fragmente qeramike të Bronzit të vonë dhe Hekurit të hershëm. Në kreshtën më të lartë të kodrës “Shkëmbi i Kamnikut” ruhen rrënojat e një  kulle të Antikitetit të vonë të shek. V-VI m.Kr (Fig. 2).

    Fig. 2

    Gërmimet e para arkeologjike  në këtë vendbanim prehistorik, u ndërmorën në vitin 1968 (Aliu, St. Hist.1, 1969, f. 159-163). Gjatë kësaj fushate u gërmuan katër kuadrate, me përmasa 5 x 5 m, që arritën deri në thellësinë 2. 20 m nga sipërfaqja. Në shtresat kulturore të këtyre kuadrateve u zbuluan materiale të shumta qeramike, vegla pune prej stralli,  guri, kocke e briri, të datuara kryesisht në epokën e Neolitit të vonë e më rrallë të epokës Eneolitike, të ngjashme me ato të zbuluara në vendbanimin Neo-Eneolitik të Maliqit (Prendi St. Alb.1966/1, Tab. 2) dhe vendbanimin shpellor të Trenit  (Korkuti “Iliria”1, 1971, f. 31-47).

    Në tabanin fillestar shkëmbor, në përfundim të kësaj fushate gërmimesh në Kamnik (1968), u zbulua një linjë me gurë, të vendosur grumbull njeri mbi tjetrin, me gjerësi 1. 70 m në taban dhe 0. 40 m lartësi, që paraqet konstruksionin më të hershëm prej gurësh, me karakter tarracimi (Fig. 3).

    Fig. 3

    Në fushatën e dytë të gërmimeve në vitin 1969, u gërmuan 6 kuadrate me përmasa 5 x 5 m, por që u ndërprenë punimet në thellësi të ndryshme, për të sqaruar katër komplekse furrash, që përmbanin nga 4- 5 enë qeramike për çdo furrë (Aliu; Jubani Bul. Ark. 1969, f. 1 – 13).

    Gjatë gërmimeve përfundimtare të vitit 1970, u gërmuan tre kuadrate të rrinj me përmasa 5 x 5 m dhe përfunduan gërmimet e papërfunduara të vitit 1969 ( Prendi; Aliu, “Iliria” 1, 1971, f. 13-30).

    Në përfundim të gërmimeve tre vjeçare në vendbanimin prehistoric të Kamnikut, u zbuluan mijëra fragmente qeramike, si dhe rreth 60 enë të plota, që u gjetën të vendosura brenda furrave.  Në nivele të ndryshme të shtresave kulturore neo-eneolitike  të Kamnikut, u zbuluan me shumicë vegla pune prej stralli, guri, kocke e briri, mokra e kokra gruri  të karbonizuara, etj.

    Në vështrim të përgjithshëm, elementet më të rëndësishëm të zbuluar në Kamnik të Kolonjës, me vlera të rralla unikale, të panjohura brenda vendit tonë e më gjerë, përfaqësohen nga  pesë komplekse furrash, nga të cilat 16 prej tyre përmbanin 5- 6 enë secila, që së bashku me objektet e kultit, përbëjnë  objektin e kësaj kumtese.

    FURRAT

    Në vështrim të përgjithshëm ato janë ndërtuar, në nivelin më të hershëm  kronologjik, të datuara pamëdyshje në Neolitin e vonë,  mijëvjeçari IV-III p.Kr. Fillimisht është ndërtuar një platformë me gurë të mëdhenj, mbi të cilën janë hedhur gurë të vegjël, për ta niveluar. Mbi këtë xokolaturë gurësh, është hedhur një shtresë dheu argjilor i pastër, i ngjeshur mirë, që nga pjekja është shndërruar në një shtresë kompakte e lustruar.

    Kubetë e këtyre furrave, janë ndërtuar, prej një skeleti të thurur me thupra druri të hollë, ndryshe nga ato të vendbanimit të Maliqit, që ishin të thurura me kallama (Prendi St. Alb. 1, 1966, Tab. 2). Mbi skeletin e thurrur me thupra dhe të mbushur brenda me kashtë gruri, është hedhur një shtresë argjili e pastër, e njomur dhe e përzier me byk, me qëllim që brumi të bëhej sa më rezistent. Në përfundim të këtij procesi,  furra ndizej dhe në kontakt me zjarrin,  lënda e drunjtë digjej nga brenda. Gjurmët e thuprave duken qartësisht nga paretet e furrave, që ruhen pjesërisht me trashësi nga 6- 12 cm. Në periferi të kubesë ruhen edhe gjurmët e hunjve (drurë të trashë), që kanë  konsoliduar  kubenë me tabanin e furrës dhe  kanë shërbyer njëkohësisht, si brima për daljen e tymit.

    Përmasat e furrave kanë qenë të ndryshme, në varësi të numrit dhe përmasave të enëve të vendosura për t’u pjekur. Kështu furra e zbuluar në fushatën e parë të gërmimeve (1968), me diametër 2 m, përmbante brenda 6 enë të plota.

    Në fushatën e dytë të gërmimeve, u zbuluan katër komplekse me furra me përmasa: A. 3. 10 x 2. 60 m, me tre furra pranë njëra-tjetrës; B.  2. 90 x 2. 20 m,  me tre furra; C. 2. 50 x 1. 50 m, me dy furra; D. 3 x 1. 20 m, me dy furra. Në njërën nga këto furra, u gjetën brenda pesë enë të plota (Fig. 4).

    Furra me konstruksione ndërtimi dhe përmasa si këto të Kamnikut, janë konstatuar edhe në vendbanimin neo-eneolitik të Maliqit, me ndryshimin,  që në Maliq në vend të thuprave prej druri, është përdorur kallami (Prendi St. Alb. 1, 1966, tab, 2).

    Me shumë interes është një kompleks me pesë furra, që u zbulua në fushatën e tretë të gërmimeve në Kamnik 1970.

    Në nivelin më të hershëm  të kuadrateve : XXIII, XXIV, XXV, u zbuluan gjurmët e pesë furrave, të vendosura në dy rreshta paralele, me hyrje nga veriu. (Fig. 5). Dy nga këto furra kanë planimetri gjysmë vezake, me përmasa 1. 50 x 1. 10 m  dhe 1. 90 x 1. 5 m. Tre furrat e tjera janë katërkëndëshe dhe kanë përmasa të barabarta 1 x 1 m. Të gjitha së bashku janë me mure ndarës të përbashkët, të rrethuar anash me një bordurë  balte të pjekur, me lartësi 17 cm.  Në mesin e dy rreshtave të këtyre furrave, gjendej një vatër me përmasa  1. 28 x 0. 60 m, që duhet të ketë shërbyer për grumbullimin e hirit në përfundim të zjarrit,  ose për vendosjen e enëve prej qeramike para ose pas pjekjes.

    Është me interes të theksojmë se ky kompleks furrash, të vendosura në rreshta me mure të përbashkët ndarës, provon qartësisht se ato kanë funksionuar në të njëjtën kohë, por është vështirë të thuhet me saktësi.

    Ajo që paraqet interes dhe meriton të provohet me gërmime  në të ardhmen, ka të bëjë,  nëse ato kanë funksionuar të gjitha në një kohë për pjekje, apo njëra prej furrave midis tyre, mund të ketë shërbyer për tharjen e enëve. Ky problem  mbart vlera të rëndësishme, se ka të ngjarë të lidhet me “shtëpi punishte”  për prodhimin e qeramikës në Kamnik.

    Gjithsesi, ky mendim përforcohet, po të sjellim në vëmendje se brenda 16 furrave të zbuluara në Kamnik (1968-1970), u gjetën rreth 60 enë të plota. Ato shquhen për përsosmërinë në modelimin e larmishëm të formave dhe të zbukurimit me motive gjeometrike e spiralike, me vlera të rralla e unikale, të realizuara nga poçarët artistë të vërtetë të Kamnikut. Sipas mendimit të shprehur që herët nga arkeologët shqiptarë e të huaj, këto dukuri presupozojnë ekzistencën e prodhimit “zejtar” të qeramikës. Sigurisht kjo përbën një dukuri të panjohur brenda vendit tonë e më gjerë, që kërkon të argumentohet me gërmime të tjera në të ardhmen (Prendi, Aliu, “Iliria” 1, 1971, f. 28).

    OBJEKTET E KULTIT

    Në vendbanimin prehistorik të Kamnikut, janë zbuluar një grup objektesh me karakter kulti, religjoz botkuptimor. Ndonëse numerikisht të kufizuara, ato mbartin vlera të rëndësishme, për t’u njohur me botën shpirtërore të një bashkësie sociale, që në kuptimin historik, përkon me organizimin e shoqërisë matriarkale dhe me rolin, që zinte gruaja në epokat  Neo-eneolitike.

    Këto kategori gjetjesh të zbuluara në Kamnik, ndryshojnë nga njëra-tjetra, nga mënyra e modelimit, që lidhen ngushtë me atributet simbolike. Në këtë grup, bëjnë pjesë disa enë në trajtë buste grash, enë në trajtë vazo kambane, me dy sfera sipër,”altarë”, me forma  krejt origjinale, e  të panjohura nga kulturat bashkëkohore brenda vendit tonë e më gjerë. Në Kamnik janë zbuluar gjithashtu, disa figurina antropomorfe e zeomorfe, disa këmbë të larta enësh, me forma të papërcaktuara, si dhe disa stoli prej balte të pjekur, ose dhëmbë derri të egër dhe prej  midhje, që kanë shërbyer si stoli me karakter kulti.

    Enë antropomorfe, e cila është e ruajtur plotësisht, paraqet torsin e një gruaje 16 cm lartësi; 10. 5 cm gjerësi në shpatulla dhe  5 cm diametër i grykës (Tab. I, 1)

    Ajo është e përgatitur prej argjili të pastër, me sipërfaqe të veshur me ajkë balte, me ngjyrë kremi dhe është zbukuruar me motivin e telave me gjemba, me ngjyrë kafe në të gjithë sipërfaqen. Ajo paraqet torsin e një gruaje me krahë të cunguar, qafë të gjatë cilindrike, me kokë në formë çallme, me dy thimtha konikë të tejshpuar vertikalisht, që kanë shërbyer per t’u varur në fije, brenda ambjentit të një banese.

    Mbi gjoksin e kësaj figurine, ka dy thimtha konikë, që paraqesin gjinjtë e gruas. Mënyra e modelimit të përsosur e torsit, cilësia e brumit të qeramikës, si dhe motivet e zbukurimit me ngjyrë kafe mbi sfondin okër të çelur, e prezantojnë këtë figurinë, si një vepër arti të vërtetë, të realizuar nga poçarët artistë të Kamnikut (është ekspozuar në Muzeun  Kombëtar Tiranë, me Nr. inventari 1065).

     2. Enë antropomorfe, është e përgatitur prej argjili të përzir me pak rërë të imët. Sipërfaqja është e lyer  me ajkë balte, përgjithësisht e lëmuar, me ngjyrë të zezë me shkëlqim (Tab. I, 2). Kjo figurë paraqet bustin e një gruaje, me krahë të cunguar, qafë cilindrike 6. 5 cm të gjatë, me gjerësi 10 cm në shpatulla, me dy thimtha konikë mbi gjoks, që simbolizojnë gjinjtë e gruas si dhe me kokën çallmë, por e dëmtuar pjesërisht. Figurina është zbukuruar ndryshe nga e para, me pastë të bardhë, me shirita që ruhen pjesërisht mbi sipërfaqe (është ekspozuar në Muzeun Arkeologjik të Institutit Arkeologjik Tiranë).

    Në grupin  e enëve me karakter botkuptimor e religjoz, të zbuluar në vendbanimin  e Kamnikut, bëjnë pjesë edhe dy enë në trajtë vazokambanë.

    1. Ena e parë, që ruhet afërsisht e plotë, është e formës vazokambanë 33. 3 cm lartësi, 30 cm diametri i grykës dhe 14 cm diametri  i sipërm. Ena ka në pjesën e sipërme anash, përballë njëra- tjetrës dy sfera me diameter 9. 7 dhe 9. 2 cm (Tab. II, 1). Kjo enë e tipit altar kulti është përgatitur prej argjili të pastër. Sipërfaqja e saj është e veshur  me një cipë ngjyrë okër, me shkëlqim dhe e zbukuruar me tufa vijash të valëzuara me ngjyrë kafe të çelur, njësoj  si të gjitha enët e grupit të pikturuar, të zbuluar në shtresimin e parë të furrave të zbuluara  në Kamnik.

    2.  Ena e dytë e tipit vazokambanë, është 32 cm e lartë, 23 cm diametri i grykës dhe 14 cm diametri i sipërm ( Tab. II, 2).

    Në sipërfaqen e sheshtë lart, ruhen vetëm  rrënjët e dy sferave që i mungojnë. E gjithë sipërfaqja është e veshur me një cipë me shkëlqim ngjyrë okër dhe është e zbukuruar me shirita të mbushur me vija të valëzuara, që krijojnë motivin  e shkronjës “S”, në të njëjtën mënyrë me grupin e qeramikës së pikturuar. Të dy këto enë të tipit vazokambanë janë  ekspozuar në Muzeun  Kombëtar në Tiranë, me Nr inventari 1056 dhe 1066.

    Figurina antropomorfe. Numri i tyre është i kufizuar dhe në të gjitha rastet ruhen pjesërisht. Vendin e parë e ze në këtë grup një bust gruaje me të dy duart të mbledhura grusht, të palosura mbi bark, me dy thimtha konike mbi gjoks. Ruhet pjesërisht qafa, i mungon koka dhe gjymtyrët e poshtme (Tab. III, 1).

    Tab. III, 1

    Figurina e dytë është një tors i një gruaje, e cila ka të incizuar në pjesën e poshtme të barkut një trekëndësh (Tab. III, 2).

    Tab. III, 2

    Këto figurina janë të punuara prej argjili të pastër, kanë sipërfaqe të lustruar me ngjyrë të murme dhe janë shumë të ngjashme me figurinat e Neolitit të vonë, të zbuluara në vendbanimin prehistorik të Maliqit, në pellgun e Korçës (Prendi St. Alb. 1, 1966, Tab X a). Në grupin e figurinave antropomorfe të zbuluara në Kamnik bëjnë pjesë gjithashtu, disa këmbë vazosh kulti të papërcaktuara, një putër këmbe dhe një dorë të modeluara bukur, si dhe disa tavolina kulti të fragmentuara, një enë e tipit furrë, që ruhet e plotë, e cila është ekspozuar së bashku me enët e tjera të kultit, në të njëjtën vitrinë në Muzeun Kombëtar në Tiranë.

    Figurina zeomorfe. Përfaqësohen nga dy copë gjithsej, prej të cilave ruhen vetëm kokat me sqep, që nuk mundësojnë, për të përcaktuar llojin e shpendëve që simbolizojnë (Tab. III 3, 4). Figurina kafshësh ose shpendësh, afërsisht si këto të Kamnikut, janë bërë të njohura nga zbulimet në vendbanimet  neo-eneolitike të pellgut të Korçës, e më gjerë në vendin tonë.

    Tab. III 3, 4

    Stoli me karakter kulti. Në niveletë ndryshme të shtresave kulturore në Kamnik, janë zbuluar  disa stoli të ndryshme. Në këtë grup bëjnë pjesë: -Një rruazë balte sferike e tejshpuar (Tab. III, 5); Një midhje deti e tejshpuar (Tab III, 6). Në këtë grup janë përfaqësuar gjithashtu dhe tre copë dhëmbë derri të egër të tejshpuar (Tab.III, 7, 8, 9). Në të gjitha rastet këto lloj stoli të tejshpuara, kanë qenë të futura në fije dhe janë përdorur nga gratë si “amuleta” të varura në qafë, për t’i mbrojtur ato nga fatkeqësitë dhe për t’u sjellë fat e mirësi (Stipçeviq 2002, f. 360).  

    Tab. III, 5

    Nëpërmjet studimit të profileve të kuadrateve I, II, IX, X, të gërmuar në vitin 1968 (S. Aliu, St. Hist, Nr.1, 1969, f. 159) dhe kudrateve XI, XII, XIII, XIV, XV e XVI, të gërmuar në vitin 1969 (Aliu, Jubani Bul. Ark. Nr 2, f. 1 ), së bashku  me profilet e kuadrateve XIX, XX e XXXIV, të gërmuar në vitin 1970 (Prendi, Aliu,  Iliria 1, 1971, f. 13), rezulton se të pesë grupet e furrave të zbuluara në Kamnik, i përkasin tërësisht Neolitit të vonë, mijëvjeçarit të  IV- III p.Kr. Të kësaj kohe janë dhe njëra nga enët antropomorfe, së bashku me dy enët vazokambanë të zbukuruara me pikturim me  motive tipike, të përdorura për pikturimin e enëve të plota, të zbuluara brenda 16 furrave në vendbanimin e Kamnikut. Në këtë kuptim,  kemi parasysh horizontin e parë e të dytë të furrave, të cilat u zbuluan në shtresën e parë kulturore, në thellësinë 2. 20 m nga sipërfaqja dhe deri në  thellësinë 1. 20 m, ku fillon shtresa e dytë e epokës Eneolitike,  e cila arrin deri në 1 m trashësi. Duke pasur parasysh tërësinë e kategorive të ndryshme të kësaj shtrese kulturore, qeramikën, veglat e punës prej stralli, guri, kocke e briri, e sidomos komplekset e furrave të mbushura me enë, apo ato të prishura me përmbajtje hiri, thëngjilli, zgjyre dhe skarcitete, krijohet bindja e plotë, se në këtë qendër ka banuar një bashkësi sociale, e cila kishte në qendër të aktivitetit të saj, veprimtarinë prodhuese të qeramikës. Grupi i qeramikës së pikturuar të Kamnikut të zbuluar në këto furra, shquhet për modelimin e përsosur e të larmishëm të formave, për vizatimet e sakta dhe kompozimin e motiveve e të ngjyrave të admirueshme, njera nga të cilat është dhe një enë e importuar nga Dimini klasik. (Tab. IV). Përgjithësisht qeramika e Kamnikut, i tejkalon kufijtë e prodhimit shtëpiak me dorë. Janë  këto dukuri  të marra së bashku  të panjohura nga kulturat bashkëkohore, që na ndihmojnë për të shprehur mendimin, se këtu kemi të bëjmë me një prodhim zejtar, të realizuar në shtëpi punishte, nëpërmjet mjeteve të ndryshme teknike. Ky mendim përforcohet dhe me konteksin e furrave të vendosura në rreshta, me mure të përbashkët ndarës, të cilat i përmendëm më sipër. Ato duhet të kenë qënë në fiunksion të këtyre punishteve shtëpiake. Sigurisht që kjo kërkon domosdoshmërisht  të provohet  me gërmime të tjera në të ardhmen.

    Në vështrim të përgjithshëm këto dukuri  pasurojnë ndjeshëm, jo vetëm kulturën e Neolitit të vonë të vendbanimit shumë shtresor të Maliqit, të fazës ML Ia (Prendi Iliria VI, 1976, f. 35), por edhe ato të vendbanimeve bashkohore të zbuluara në Shqipëri (Korkuti 2010, f. 193-216).

    Nga sa prezantuam më sipër rezulton se në vendbanimin prehistorik të Kamnikut, kemi të bëjmë jo me një shtresë kulturore (Prendi 1972 St. Hist. 1972, f. 88), por me dy shtresa kulturore ( Aliu-Jubani,  Bul. Ark., 1969, f. 4-6).

    Shtresa e parë kulturore në Kamnik që  fillon në tabanin fillestar të terrenit në thellësinë 2. 20 m, arrin  deri në nivelin e dytë të furrave, me trashësi 1. 20 m. Në krahun verior të kuadrateve I, X, XI, të gërmuar gjatë viteve 1969, u zbulua një grumbull gurësh të vendosur njeri mbi tjetrin. Ky grumbullim gurësh, që vazhdon edhe në kuadratin XXIV, në formë harku, arrin deri në sipërfaqen e këtyre kuadrateve dhe  duhet të ketë shërbyer si një ledh tarracimi, për të krijuar një platformë të sheshtë në këtë terren shumë të pjerrët drejt veriut. Në këtë shtresë kulturore  janë zbuluar me shumicë enë të plota nëpër furra dhe shumë fragmente enësh. Grupin e parë e përfaqësojnë  qeramika e pikturuar me motive të larmishme, me ngjyrë kafe ose kafe të çelur. Ky grup qeramike në të gjithë treguesit e saj,  si për nga repertori i formave dhe teknika e zbukurimit  me pikturim,  barazohet me qeramikën e pikturimit të Neolitit të vonë të Maliqit  Ia, të Barçit II (Lera  “Iliria” 1, 1987, f. 33) ; Burimi I (Korkuti Iliria 1, 1982, f. 253) të pellgut të Korçës.

    Shtresa e dytë kulturore, fillon në thellësinë 1. 20 m me nivelin e dytë të furrave dhe arrin deri në sipërfaqe, me 1 m trashësi. Kjo shtresë kulturore është e përfaqësuar nga qeramika e zezë e gri  e zezë, zbukuruar me incizim e thellim para pjekjes, me motive gjeometrike ose me pastë të bardhë e të kuqe, që ndeshet rrallë në shtresën e parë, kurse në shtresën e dytë të këtij vendbanimi, përfaqëson vendin kryesor. Në mjaft raste kupat e vogla  e sidomos tasat grykëgjerë, me ngjyrë të errët drejt së zezës, janë të  zbukuruara me pastë të bardhë ose të kuqe, me motive brezash si brenda dhe jashte pareteve të këtyre enëve.

    Me vlera të veçantë në këtë shtresë të Kamnikut II; ndonëse rrallë, ndeshet dhe qeramika me pikturim gri, që së bashku me qeramikën me pastë është e njëjtë me qeramikën e Eneolitit të Maliqit II ( Prendi 2018, f. 66), Burimasi II (Korkuti 2010, f. 223)  dhe Treni II (Korkuti, Iliria 1, 1971, f. 31- 48).

    Prania e një dalte prej bakri  e zbuluar në shtresën e dytë  kulturore të Kamnikut, tipologjikisht e ngjashme me ato të zbuluara në Maliq, provojnë se kjo shtresë kulturore renditet në grupin e kulturave eneoloitike të Shqipërisë Juglindore.

    Disa nga format e enëve të pikturuara me ngjyrë kafe, që ndeshen rrallë, janë elemente që trashëgohen nga Neoliti i vonë, që provojnë njëkohësisht evolucionin dhe formimin autokton të kulturës së epokës së Bakrit në këtë qendër banimi.  Këto dukuri janë konstatuar  që herët edhe në shtresën e Maliqit I b të pellgut të Korçës. Gjithsesi duhet të theksojmë  se gërmimet në vendbanimin e Kamnikut, ashtu si dhe ato në vendbanimin shumë shtresor të Maliqit, si një nga kryeqendrat e Arkeologjisë prehistorike të vendit tonë, janë kryer gjysmë shekulli më parë. Mundësitë për analiza laboratorike, ishin atë kohë të pamundura, ndaj duhet të ndërmerren gërmime e studime të reja shumë disiplinore në të ardhmen. Nisma të tilla, janë marrë kohët e fundit nga Doktoranti Gazmend Elezi, me udhëheqës J. Papadopoulos në Universitetin e Kalifornisë, Losangeles (UCLA), i cili po studion qeramikën e Neolitit të zbuluar në Vendbanimin e Kamnikut në rrethin e Kolonjës.

    Nëpërmjet një akt-marrëveshje, të nënëshkruar midis  S. Aliu dhe G. Elezi në vitin 2018, në Korçë, me miratimin e Institutit Arkeologjik, doktoranti Elezi, ekzaminoi të gjitha materialet e qeramikës së Kamnikut, që ruhen në fondet e Institutit Arkeologjik, së bashku me ato të vitrinave, të ekspozuara në Muzen Arkeologjik, Muzeun Historik Kombëtar, Muzeun Arkeologjik të Korçës, si dhe në Muzeun e Rrethit Kolonjë. Në te njëjtën kohë ai ka marrë një numër të limituar fragmentesh qeramike të Kamnikut, që ruhen në fondet e Institutit Arkeologjik, për analiza të hollësishme mikroskopike dhe kimike për t’i ekzaminuar, përbërjen e baltës, kompozimin e pigmenteve, si dhe mbetjet organike, që shpresojmë të përfshihen në të ardhmen, në një monografi për publikim.

    BIBLIOGRAFIA

    Aliu. S., 1969

    “Zbulime të reja të kulturës ilire në rrethin e Kolonjës”, Studime   Historike, Nr. 1, Tiranë, 1969, f. 159-163.

    Aliu, S., 1969 

      “Zbulime të reja të Kulturës ilire në rrethin e Kolonjës” Ilirët dhe Gjeneza e Shqiptarëve, Tiranë, 1969, f. 85-89.

    Aliu. S.,  Jubani, B., 1969

    “VendbanimiPrehistorik i Kamnikut,-Kolonjë”, Buletin Arkeologjik, Tiranë 1969, f. 1-26.

    Aliu, S., = Karaiskaj, Gj.,1984

    “Vendbanime të fortifikuara në pllajën e Kolonjës, e në rrjedhën e sipërme të luginës së Osumit”, Monumentet, 1. 1984,  f. 81-101

    Aliu, S.,  2002

    “Les rapports entre L’Albanie du Sud-est et L’Europe Centrale pendant la transition de L’age du bronze à L’âge du fer à’ la Lumière desdécouvertes de Kolonjë. L’Albanie dans L’Europe Préhistorique,”B C H” 2002, ,”Actes du Colloque de Lorient, 2002, 42: 217-2 29. Athènes, 2002.

    Aliu, S., 2004

    “Les traits principaux de la culture de la région de Kolonjë dans L’epoque du Bronze recent et pendant L’époque du Fer, “ IX Congrés Internationl D’Eudes Sud- Est Européennes”, Tiranë 2004. f. 147-148 Resumes.

     Aliu, S., 2006

    “Recent prehistoric research in southeast Albania : A review, New Directions in Albania Archaeology”, Tiranë 2006. f. 43-55.

    Aliu, S., 2018

    “Natural and Archaeologycal Volues of Treni Cave”,  Vjetori shkencor 5/1 II FEF. ( Botim i veçantë i buletinit shkencor të  Universitetit “ Fan S. Noli” Korçë}, Korçë 2018, f. 363-377.

    Bela, M., 2012

     “Kërkime prehistorike në bashkimin e Drinit”, Tiranë 2012, 246-279.

    Bejko, L., 1993

    “Mbi praninë e qeramikës mikene në Shqipërinë Jugore”. Iliria 1993 1-2, f. 106.

    Bodinaku, N., 1985

    “Migrimet e periudhës së Bronzit të hershëm dhe roli i tyre në formimin e etnosit ilir”. Iliria 1985, 2, f. 181-193.

    Bunguri. A., 2010

    “Prehistoria e Dibrës”, Tiranë, 2010, f. 187-204.

    Bodinaku,  N.,1981

             “Kërkime arkeologjike në rrethin e Përmetit”. Iliria 1981, 2, f. 243- 262

    Ceka, N.,2014

    “Ilirët deri te shqiptarët”,Tiranë 2014

    Gjongecaj, Sh., =  Nikolet -Pierre.,1991

    Le Monnayage D’ Argent D’Egine et Le Tresor de Hollm ( Albanie) 1991. Bulletin de Correspondance  Hellenique 119, 1995, 1 Etudes.“A. History of Macedonian” I, Oxford, 1972., f. 283-309.

    Gjongecaj, Vangjeli, Sh.,  2014

    Thesare me monedha Antike  të gjetura në Shqipëri. Shek. V-I p.Kr. Tiranë 2014

     Korkuti, M., 1971

    “Vendbanimi prehistorik i Trenit”, Iliria 1971, 1. f. 31-48.

    Korkuti, M., 1995            

             Neolithikum und Chalkalithikum i Alnanien,  Mainz 1995

    Korkuti, M., 2010            

    “Qytetërimi Neolitik dhe Eneolitik në Shqipëri”, Tiranë, 2010, f. 203-211.

    Lera, P.,  1987

    Vendbanimi i Neolitit të  vonë në Barç, “Iliria” 1 1987 2 f. 25-59.

    Lera, P.,  1988

    Vendbanimi i Neolitit të  vonë në Dërsnik, “Iliria” 2 1988, f. 21-50.

    Përzhita, L.,  2018  

    Kukësi vështrim Arkeologjik, Tiranë 2018.

    Prendi, F., 1966

    “La civilization prehistorique de Maliq”, SA 1966, 1. f. 255-280.

    Prendi, F.,=Aliu,S., 1971

    “Vendbanimi neolitik në fshatin Kamnik të rrethit të Kolonjës”, (Gërmime të vitit 1970), Iliria 1,  1971. f.: 13- 45.

    Prendi, F., 1972

             “Tipare të Neolitit të  vonë në Shqipëri në dritën e zbulimeve të reja” (Kultura Maliq-Kamnik). St. Hist. Nr. 2, 1972, f. 83- 102.

    Prendi, F., 1976

             “Neoliti dhe Eneoliti në Shqipëri”, Iliria VI, 1976, f. 21-48.

    Prendi, F.,  1977-1978   

    “Epoka e Bronzit në Shqipëri,” Iliria 1977-1978, VII-VII, f. 5-58. .

    Prendi, F., 2018

             Vendbanimi Prehistorik i Maliqit, Tiranë, 2018.

    Tsuntas, H., 1908

    Ai proistorikai Akropoleis Dimeniu kai Sesklu” Athenais, 1908, f. 322

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË