MEDITIM
Paralelja e letërsisë së krahasuar tenton të afrohet në një vijë një të drejtë, si në rastin e trajtimit të motivit lirik nga dy poetë të shquar të shekullit që shkoi. I pari, italiani Salvatore Quasimodo, më 1959 në Suedi do të shpallej nobelist. I dyti, shqiptari Gaspër Kolë Pali, më 2000 në atdhe do të quhej pionier i poezisë moderne. Gjatë viteve 1936 – 1940 kur Gaspër K. Pali qëndroi në Firence, Salvatore Quasimodo ishte shpërngulur nga ai qytet në Milano. Ata kurrë nuk komunikuan me njëri – tjetrin. Por G. Pali, student në Fakultetin e Letrave të Universitetit të Firences, mund të ketë pasur njohje me vëllimet poetike të S. Quasimodos apo me vjershat publikuar në revistat letrare të kohës.
Po sjellim disa vargje të tyre, të cilët në atë që kumtojnë dhe në mënyrën e të shprehurit kanë përqasje të çuditshme, mirëfilli gjer në formim stili.
Salvatore Quasimodo. “E shpejt bie nata”. Firenze, 1929:
“Rri vetëm secili mbi zemrën e tokës,
Përshkohet nga një rreze dielli
E shpejt errësohet.“
Gaspër Pali. “Bisedë me qytetin tim”. Shkodër, 1935:
“Por nji t’ rrahun qepallash
Ngjatë lumnija n’ botë.”
Tercina e Quasimodos, te një tekst shkollor në Bolonjë spikatet: “Një imazh lirik i jetës, pikërisht i vetmisë dhe i shkurtësisë së ekzistencës.” (1)
Ndërsa për distikun e Palit, te një përmbledhje autoriale në Shkodër vihet në dukje: “Në vargun e këtij poeti takojmë në ndrydhjet e dyshimit, në pikëpyetjet obsesjonuese, në problemet e pazgjidhuna metafyzike që karakterizojnë shumë poetë evropjanë të sodshëm.” (2)
Po krahasojmë edhe dy fragmente të shkurtra nga krijimtaria e zgjedhur e dy yjeve poetikë mesdhetarë.
Salvatore Quasimodo. “Dimër i moçëm”. Firenze, 1929 :
“Ndjej mall për duart e tua…
U vinte era lis e trëndafil e vdekje.“
Gaspër Pali. “Zane stuhish. (Vdekja e dashunis)”. Shkodër, 1941 :
“Shkon malli i dashunis,
Shuhet ma vonë, ndoshta, malli i gjithsis.“
Dy pjesët janë modeluar përmes shenjave të përvojës jetësore. E megjithatë Salvatore Quasimodo dhe Gaspër Pali, e përqafuan hermetizmin, se ishte një stimul i ri frymëzimi. Kjo pikë takimi mes tyre spikat në saje të orkestrimit gati të njëjtë poetik. E thotë bukur eseisti italian Sergio Solmi (1889 – 1981), se paradoksi i lirikës moderne duket sikur qëndron në një iluzion suprem kënge, që për mrekulli mbetet në këmbë pas shkatërrimit të të gjitha iluzioneve.
Po paraqesim gjithashtu dy poezi të shkruara më 1936 nga mjeshtrit e fjalës.
Salvatore Quasimodo. (Modica, 20. 08. 1901 – Napoli,14. 06. 1968).
PARA STATUJËS SË ILARIA DEL CARRETTOS
“Nën hënën e butë janë tash kodrat tuaja,
gjatë lumit Serchio vajza me të kuqe
e me veshje të bruzta lëvizin aq lehtë.
Si kohës tënde, e dashur dhe ylli Sirio
humb ngjyrën e çdo çast largohet
dhe pulëbardha tërbohet mbi plazhet
bosh… Nuk kanë mëshirë; dhe ti
e zënë nga dheu, çfarë ankon?
Je këtu mbetur vetëm. Dridhja ime
ndoshta është jotja, me zemërim e frikë.
Të largët të vdekurit dhe ende më tepër,
shokët e mi të gjallë, të ulët, të heshtur.” (Milano, 1936).
Salvatore Quasimodo prej shekullit atomik shpik bisedën pesëmbëdhjetë vargjesh me një bukuroshe të shuar në shekullin e pesëmbëdhjetë, tiparet e së cilës u përjetësuan në monumentin funebër të ngritur në Lucca. Poezia është shkruar në Milano, por zemra e poetit rreh pranë kishës San Martino, ku ndodhet statuja. Dialogu me vajzuken mesjetare është dëshmi e pamundësisë së tij për të folur me bashkëkohësit që janë më të largët se të vdekurit e më të heshtur. Imazhi i Ilarias përputhet me vetminë e poetit. Të dy janë të përjashtuar nga e tashmja. Mortorët ndahen nga nëndheu, të gjallët nga moskomunikimi.
“ … Të dashuruarit shkojnë të gëzuar
në ajrin e shtatorit e gjestet e tyre
shoqërojnë hijet e fjalëve
që njeh.”
Fjalët përherë të blerta vasha i ka dëgjuar dikur, por lumturia personale a në duet e të dashuruarve të shekullit modern i bën ata krejt indiferentë ndaj të tjerëve. Kjo elegji është një përkryerje e poezisë hermetike. Kritiku Giuseppe Petronio përgjithëson: “Një lirikë që duket emblematike.” (3).
Ndërsa shkrimtari Elio Vitorini analizon: “Dimension i fortë narativ dhe muzikor, ku s’humbet kurrë zëri i tij aq autentik e origjinal, i pakornizuar në asnjë lëvizje.” (4)
Gaspër Pali ( Shkodër, 14. 08. 1916 – Shkodër, 21. 07. 1942).
MËNGJESE SHNJERGJASH
“Në buzë t’kuqe si agimi
i Majit dridhej gëzimi
kur vasha me flokë ari
n’derë niste lule t’vari…
…Njimijë duerë varzash tjera
vendojn lule te dera,
si Shkodra e ka zakon;
por ti në vorr pushon.
Kot rrezet e prarueme
n’qytet zgjojn valle t’lume.
Vallzojn kot kumbonaret
E grishin t’çohen faret,
qytetast, qi janë n’gjumë,
pse nën rrasë s’jehon kumbë.
Gazmend gjithkahë përtrihet,
n’çinar der, cijim ndihet,
n’sa dyert mbushen n’blerime
por Lil për ty s’ka gzime.
Kumbona shpresë nuk t’njallë,
dhe zemrës seme t’gjallë,
blerime n’dyer tue pa
i kndon: Kohët nuk kthejnë ma.
N’ qytet veç se kangë ndihet
Por s’mundem ma me andrrue
Mue hylli pse m’u shue
M’ka prendue.“ (Firenze, 1936).
Poezia njëzet e tetë vargjesh monokolone, në shtatërrokëshin me rimë të puthur, edhe pse e shkruar në Firence, emocionalisht lidhet me Shkodrën, ku në mëngjeset e shëngjergjave të gjithë portikët mbushen me gjeth e me lule, shenjë erotike e ardhjes së krushkut të pranverës. Por dera e shoqes së fëmijërisë së poetit rri e shkretë. Vajza me flokë ari, me emrin Lil, nuk ka më të tilla gëzime, sepse:
“Simjet por duer’t e bardha
mermer i ngrini mardha”.
Në poezinë e Gaspër Palit shfaqet me intensitet përshtypjelënës humbja e njeriut të dashur apo e gjysmës së vetvetes. Në dejet e njëzet vjeçarit hyn pesimizmi si morbus i pashërueshëm. Poeti braktis kumtin e drejtpërdrejtë dhe përqafon trashendencën – shenjën shpirtërore përtej realitetit të gjërave, duke krijuar kështu një elegji të ngrirë. Simbolet e jetës: “lule te dera”, “rrezet e prarueme”; “valle t’lume”; “cijim”, “blerime” janë të gjitha të pasardhura, nuk abstragojnë më, bëhen realitet i dytë, imagjinar, i ngurtë. Ato simbole ta ndalojnë harrimin e humbjes. Gaspër Pali arrin gjer në luçididet metafizik, përmes spazmës së hemistikut: “Kohët nuk kthejn ma”. Atëherë ajo që mund të duket elementaritet (“kumbonarja”, “rrasa”, “çinari”) shndërrohet në konvencion. Kjo poezi e monologut aparent, e dialogut hipotetik, e përshkrimit të munguar, e vizionit të dëshiruar, shënon progres në shprehësinë e Gaspër Palit. Me të ai nis magjinë hermetike. Ajo u botua për herë të parë në vëllimin poetik “Gaspër K. Pali. Hyjt mbi greminë” në Tiranë më 1959; pikërisht atëherë kur Salvatore Quasimodo në Stokholm u kurorëzua me çmimin Nobel. Nga ana e tij studiuesi Nasho Jorgaqi sintetizon: “Pali tingëllon edhe sot i freskët, bashkëkohës, i pavjetëruar. Këtu qëndron, me sa duket dhe vlera e qenësishme e poezisë së tij.” (5)
FUND I MEDITIMIT
Ky përngjasim mes autorit të poezisë esenciale italiane S. Quasimodo e pionierit të poezisë moderne shqiptare G. Pali, ashtu si në studimet e letërsisë së krahasuar, s’ është gjë tjetër veçse një bast që vihet midis studiuesit e lexuesit, me mundësinë e goditjes së shenjit nga ana e të parit a me mospranimin tërësor nga ana e të dytit. Përpjekja ndodh gjithmonë në kufirin imagjinar: pesëdhjetë përqind këtej, me pesëdhjetë përqind andej. Megjithatë dy fakte flasin vetë: 1. Autorët prestigjiozë janë zëra fjalorësh enciklopedikë: Salvatore Quasimodo, në “Letteratura. Garzanti” (Torino – Milano, 2002); ndërsa Gaspër Pali në “FESH 3” (Tiranë, 2009). 2. Të dy poetët studiohen në fakultetet filologjike, përkatësisht të universiteteve italiane dhe të atyre shqiptare.
REFERENCA:
1. Shih: Gilberto Finzi: “Ed e subito sera. (Citazione)”. Antonio Di Cicco – Claudio Venturi. Dentro il testo. Bologna, 1992, p. 746.
2. Qemal Draçini: “Poezia e Gaspër Palit”. (Dorëshkrim. Shkodër. Me 25 – 28 Tetuer 1945, f. 1). Qemal Draçini. Era. Shkodër, 1995, f. 77.
3. Giuseppe Petronio: “Attività letteraria in Italia”. Casarile (Milano), 1972, p. 865.
4. Elio Vittorini: “Con uno scritto”. Salvatore Quasimodo. Tutte le poesie. Milano, 2013. (Copertina).
5. Nasho Jorgaqi: “Pionier i poezisë moderne shqiptare”. Gaspër Pali. Bisedë me vetvedin. Poezi, kallzime, artikuj kritikë”. Tiranë, 2002, f. 7.