Shumë ide të tij, vargje të tij, vjersha të tij jo vetëm se i kujtojmë përmendësh, por i kemi bërë pronë të dijes personale, na kanë hyrë në mënyrën e të menduarit. Pra lexuesi jo rrallë i përdor si vlera të vetat.“
Sabri Hamiti
ORIGJINA E KUARTETIT LIRIK
Ndre Mjedën kozmopolit (Shkodër, 19. 11. 1866 – 01. 08. 1937) fluksi i stinëve e zuri në relievin kontrastues të hartës gjeografike Shqipëri – Francë – Spanjë – Portugali – Kroaci – Itali – Poloni – Austri – Gjermani – Mal i Zi. Përmes dridhjes së veladonit ai kapte ndryshimin e klimës mesdhetare me atë kontinentale, ndërsa përmes rrahjes së zemrës në arealin evropian ai ndjente dallimin e ajrit që frushullonte në liri dhe që rrallohej në robëri.
Kuarteti i vjershave lirike Prêndvéra, Véra, Vjeshta, Dimni, u publikua nga D. Ndre Miedia më 1917, tek vëllimi poetik Juvenilia, botim i Shtypshkronjës Gj. N. Vernay, Vjenë. Në përkrejcën e librit të hollë për nga sasia e faqeve, por edhe më të hollë për nga nga cilësia e shprehësive, figurojnë katërmbëdhjetë krijime origjinale dhe katër përkthime poezish italiane, angleze, gjermane. Varianti fillestar i ciklit u paraqit me krijues anonim, ku fshihej dorazi Ndre Mjeda, tek libri arsimor Këndime për shkollë të para të Shqypëniesë. Pjesë e dytë, shtypur në Vjenë më 1905. Ky tekst mësimi u kompilua në bashkëpunim mes Dom Ndreut dhe poetit At Anton Maria Xanoni S. J. Deri në vitin 1917 Mjeshtri Mjeda i rikrijoi kryekëput tri vjershat e para, larg didaskalizmit dhe e limoi muzikalisht të fundmen. Ai u përsosi të katërtave rimarin, u gdhendi vargun, u rinovoi strofën dhe u shkëlqeu leksikun. Pra i veshi me rroben e artit. Poezitë për fëmijë i shndërroi në letërsi universale. Shtrirjen e hapësirës, trillin e ngjyrës, rrjedhën e kohës dhe magjepsjen e tingullit i shkriu në një, duke i funksionalizuar në statusin e krijimit të mirëfilltë letrar. Pikëvështrimi i eseistit dhe poetit Ernest Koliqi zbulon se: “Mjeda përdori shqipen e palavruet si t’ishte tue shkrue latinisht. E shqipja i gjegji tue shkëlqye me vargje të tija me të çmueshmen dritë kristalore qi kudo lëshon klasicizmi i kulluet.” (1)
PRÊNDVÉRA.
Vjersha e parë e cikli poetik lirik vezullon nga similituda e rrallë emocionale:
Se qe ‘j prrue prei malit ulet
E t’tanë fushës ushqim i nep;
E nen borë po i shpërthejn’ lulet
Porsi fëmië qi zblohen n’djep.
Peizazhi natyror në udhëkryqin e artit kthehet në peizazh njerëzor. Larmia e paskajshme e luleve krahasohet me bukurinë e pafajshme të fëmijëve, prandaj optimizmi shpërthen pa fre. Cikli stinor harmonizohet dhe shkrihet me ciklin e jetës. Studiuesi Ali Xhiku mendon se: “Mjeda e donte natyrën si biri i saj që jetonte bashkë me të, si shumë romantikë, ai përjetonte bukurinë e saj, ashtu si adhuronte Zotin.“ (2)
VÉRA.
Vjersha e dytë e ciklit mozaik stinor spikat kontrastin mes grupit gazmor të vajzave malësore në fushë dhe të një cuce të mbyllur krejt në vetvete:
Veç n’at‘ arë, porsi nji e tretun
Zi nder petka e n’ ftyrë terr,
Korrë nji cucë pá shoqe vetun
Me hie t’vet qi mbrapa e merr.
Antiteza shfaqet prizmatike. Katundaret dhe malësoret vishen me mozaik ngjyrash, bija jetime mbështillet uniform çull me të zeza. Shoqet këndojnë, cuca hesht. Korrëset janë faqerrahura nga dielli; ajo është fytyrënxirë nga fatkeqësia. Vjersha mbyllet me sfondin qiellor, ku mistikja fashit humbjet tokësore me ekuilibrin e ekzistencës dhe të mbijetesës. Drapëri njerëzor del më i shpejtë sesa kosa e vdekjes. Kritiku Razi Brahimi tek “Historia e letërsisë shqiptare” e përfshin tekstin e “Verës” në ato: “ … krijime romantike të përshkruara nga ndjenja delikate, me një notë nostalgjie, por edhe dhimbjeje.” (3)
VJESHTA.
Vjersha e tretë e kuartetit poetik kontemplativ jep brengën pëshpëritëse të mërgimtarit të harruar në një konfiguracion të huaj, që s’ka kujt t’i ankohet tjetër, veç shpendëve shtegtarë. Cicërimën e zogjve, gjuha poetike e Ndre Mjedës e sjell me pesë rrokëshin e kultivuar eufonik, ku edhe një zanore fjalëformuese e vetme (â) arrin të rimojë bukur, si në një ritual imitimi:
Ndoshta, kúr t’ ktheni
Mue vorri m’ mbâ,
E ju kerkoni
Çérdhen qi s â.
Poeti Gjergj Fishta arrin në konkluzionin se Mjeda melankolik: “ … edhe sendeve ma të vogla u ep nji interes e nji randësi të veçantë.” (4)
Paralelizmi figurativ mes boshatisjes së qiellit nga zogjtë dhe braktisjes së shpirtit nga shpresat arrin gjer në pesimizëm kozmik.
DIMNI.
Vjersha e fundit e rrjedhës sa lineare, aq edhe kontrastuese, intrigon dy personazhe që lëvizin në kahe të ndryshme; njëri imagjinar dhe tjetri real. Dimri sulmon me kosën e ftohtë. Plaku mbrohet me lutjen e ngrohtë. Kjo meteorologji shpirtërore e bën të moshuarin përherë e më të përkorë:
Qet balkoni pjalm e bórë
E plak-shkreta, tui merdhitë,
I thotë védit me zâ pak:
– Struku, struku, i shkreti plak.
Është ëndrra për të hapur horizontin e mbyllur në të katër pikat. Është strategjia për të kapur sërish pranverën, me ndonjë nip a mbesë tjetër në djep. Simbas optikës së mjedologut Mentor Quku, Mjeda në këtë krijim lirik të ndjerë me audicion absolute mbarëkombëtar: “ … i bën thirrje dashurisë së njeriut për jetën edhe kur ajo është në zgrip.” (5)
Ndërsa prozatori Injac Zamputti, e ndërfut atë krijim në ingranazhin lëvizës me xhiro shpirtërore të pandalshme të mbarë vëllimit poetik, tek: “… vlerat vepruese në terrenin shoqëror të lirikave të “Juvenilja” -s që tronditën e bënë të rrihnin hovshëm zemrat e të gjithëve për t’u afruar te jeta e shtresave të ulëta, për ta mëshiruar atë jetë e për t’i dëshiruar një gjendje më të mirë.” (6)
MELODIA
Fllad i lét me vapë dashtnijet
Puthi pémen gémb per gémb;
U zgjue pêma e qe prei shijet
Buloj mbarë neper kopshtë têm.
(Prêndvéra – Largo).
Ritmi e harmonia janë elemente të poezisë dhe të muzikës. Muzika ka plus edhe melodinë. Kjo ndihet sterio në kuartetin e Mjedës, ku poeti i kulturuar përdor sa metrikën kadenciale, aq metronomin ritmor :
Dhe ju po shkoni
Bylbyla kshtu!
Po tretni këndenaj
Dallëndysha, ju!
(Vjeshta – Rallentando).
Një tekst brilant mbi të cilin melodia aranxhohet në mënyrën: A prima vista. Mjeda kishte qenë më parë mësues muzike në qytetin italian Cremona të Stradivarit, ndaj vargjet e tij sa shprehin lidhje fjalësh kumbuese, aq mbartin vlera notash pentagrami :
O murlâ, njat frymen ndale,
Ndal ti, o akull mos me ngrië,
Mos m‘a ngrîni ket pikë gjak.
– Struku, struku, i shkreti plak!
(Dimni – Crescendo).
64 vargjet me rima akustike të këtij kuarteti stinor e gjetën suksesin që meritonin në përkthimet ad sensum të tyre, përkatësisht në gjuhën ruse në vitin 1959, në gjuhën frënge në vitin 1980 dhe në gjuhën italiane në vitin 1993. Rimat e zgjedhura mashkullore e femërore të kuartetit lirik të Ndre Mjedës i gjetën përkatëset e tyre në foninë e tri metrikave silabike dhe tonike evropiane. Duke marrë në shqyrtim të ngeshëm rimarin e plotë mjedian, vibrues përmes ondulacionit të theksimit, studiuesi Shaban Sinani arrin në përfundimin se në të: „… mbisundon rimëformimi prej fjalës, për dallim nga rimëformimi prej trajtës, rendi poetik mbi rendin gjuhësor, ritmi dhe theksat poetikë mbi ritmet dhe theksat gjuhësorë.“ (7)
Kënga me tekstin e ngrohtë mjedian për verën, e kompozuar në Prishtinë prej muzikantit Akil Koci, u bë e dashur për koristët anglezë në vitin 2005. Ata e kënduan me sukses në gjuhën ndërkombëtare gjatë konkurimit për koncertin “Londra, qytet olimpik më 2012“ :
 zvérdhë fusha, e nder grunore
Po vëlojnë korrcat porsi zogj;
Këndojnë katuncat me malcore
Pá u kujtue si dielli i dogj.
(Véra – Molto grazioso).
Tepër këndshëm! Ky është vlerësimi i shekullit letrar për melosin e poezisë së Ndre Mjedës dhe për emblemën e artë të artit të tij.
REFERENCA:
1. Ernest Koliqi. Kritikë dhe estetikë. Tiranë, 1999, f. 152.
2. Ali Xhiku: Letërsia shqipe si polifoni. Tiranë, 2004, f. 155.
3. Razi Brahimi: Historia e letërsisë shqiptare. Tiranë, 1987, f. 354.
4. Criticus (pseudonim i Gjergj Fishtës): Një libër shqyp. Gaz. Posta e Shqypnis. Shkodër, 16. 02. 1918, f. 5.
5. Mentor Quku: Mjeda 4.Tiranë, 2009, f. 270.
6. Injac Zamputti: Kujtime. Njerëz – fakte – ngjarje. Prishtinë, 2020, f. 76.
7. Shaban Sinani: Ikja prej rimës gramatikore si ikje prej rapsodisë. Përmbledhja studimore shkencore Mjedologji. Botime Mjedologjike. Lezhë, 2016, f. 63.