More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. as. dr. Jonela Spaho: Dallime në vargëzim midis dy përkthimeve në...

    Prof. as. dr. Jonela Spaho: Dallime në vargëzim midis dy përkthimeve në shqip të rubairave, prej Fan S.Nolit dhe Hafiz Ali Korçës

    ExLibris – sponsor medial i konferencës shkencore ndërkombëtare, “ÇËSHTJE TË GJUHËS, LETËRSISË DHE PËRKTHIMIT LETRAR”.
    Fakulteti i Filologjisë i Universitetit “Fehmi Agani”, Gjakovë

    Rubairat e Omar Kajamit, poetit të shquar persian të fundit të shekullit XI dhe fillimit të shekullit XII, janë një vlerë esteike, artistike dhe filozofike e çdo kohe, sepse mbajnë në vetvete shpirtin universal të të gjitha epokave, me frymën e tyre epikuriane që injekton eneregjinë optimiste te të gjithë brezat njerëzorë, përtej kohës dhe hapesirës. Omar Khajmi u bë i njohur për lexuesin shqiptar më tepër nga përkthimi i Fan S. Nolit dhe më pak nga përkthimi i Hafiz Ali Korçës.

    Të përkthesh nje vepër në gjuhën shqipe dhe ta shqipërosh atë, janë dy gjëra që në pamje të parë duken të njëjta por në thelb ndryshojnë. Përkthimi mund të bëhet dhe literal, duke i qëndruar besnik origjinalit, pa e ndryshuar atë, ndërsa shqipërimi është diçka e ngjashme me rikrijimin, sepse t’i sjellësh një vepër të huaj lexuesit shqiptar, duhet t’ja përshtatësh atë jo vetëm mënyrës të të konceptuarit dhe receptuarit të veprës prej këtij publiku, por ta përshtatësh dhe nga ana stilistike.

    Për herë të parë rubairat në shqip i solli Noli, i cili botoi së pari katër prej tyre në gazetën “Dielli”, në vitin 1924. Pas dy vjetësh ai shqipëroi mbi 100 të tilla dhe i botoi në vitin 1926, në Bruksel dhe një vit më vonë, pas pritjes entuziaste të tyre, nga publiku shqiptar, ai shqipëroi mbi 200 rubaira të tjera dhe i botoi në vitin 1927. Ai shkruan vetë në faqen e parë të librit:“ I shqipëroj Rushit Bilbil Gramshi, edicje e dytë e ndrequr dhe e plotësuar”, dhe i përktheu nga anglishtja prej Eduard Fitzgeraldit. Shqipërimet e Fan Nolit nuk ishin vetëm zgjedhje, por njëkohësisht një afrim shpirtëror dhe mendor i kulturave.

    I dyti që përktheu rubairat ishte H.A.Korça, më 1930. Ai merr shkas për përkthimin e kësaj vepre nga Noli, të cilit i bën vërejtjen se është larguar nga origjinali. Pra, ai sheh si arsye të parë të botimit rregullimin dhe shtrembërimin, që sipas tij Noli u ka bërë vargjeve të Khajamit:” Nga ky shkak më shtrëngoj ndërgjegjja të gjej rubairat dhe t’i përkthej, që kësisoj brezi i ri shqiptar të kuptojë burrin e famshëm Khajam, se cili është. Zoti Rushit mund të ketë zotësi të ligjërojë si bilbil e ca më bukur se bilbili, si në shqipet edhe në disa gjuhra të tjera, porse në persisht nuk mundet të ligjërojë aspak”. Duke zotëruar persishten, H.A.Korça e mbështet përkthimin te bindja se duhet të mbizotërojë autori. Ai gjen gabime tek Fan Noli në ndryshimin e disa koncepteve dhe mbron mendimin se do të ishte me interes njohja e lëvizjes fetare në Persi, në kohën e krijimit të rubairave, duke e ndërlidhur këtë më lëvizjet e mëdha kulturore dhe fetare në Evropë.

    Ndërsa Noli i përktheu rubairat, sepse u mrekullua prej magjisë që ato përcillnin dhe sepse te këto kryevepra botërore ai gjeti vetveten, si njeri dhe si poet. Siç shprehet dhe në parathënien e veprës:”Rubairat persane nuk kanë shërbyer si bazë për këtë version se shqipëronjësi nuk e ka studiuar persishten, veç me një mënyrë pak a shumë të çalë, po di ta këndojë me ndihmën e leksikut për çdo fjalë pothua dhe kështu ka mundur t’a afronjë këtë përkthim më tepër pas tekstit, veçanërisht, me Rubairat, në të cilat përkthenjësit e ndryshme nuk janë të një mëndje sa për kuptimin e tyre”

    Studiuesit janë të mendimit se rubairat janë shqipërimi më i mirë i Nolit dhe se me to ai arrin cakun e rikrijimit të vërtetë, sepse nga aspekti i vargëzimit dhe stilit ato ngjasojnë më poezitë origjinale të tij. Për këtë arsye, albanalogu Norbert Jokli i ka cilësuar rubairat si përkthimin më të arritur pas atij të Fitxheraldit, por dhe veprën më të dashur të Nolit.Noli gjeti te rubairat vokacionin e vet poetik, në muzikalitetin e vargut të tyre, në simbolet dhe metaforat. Ai studioi nocionet dhe pasi i zbertheu ato, i thuri mjeshtërisht fjalët për të dhënë mendimet e mistikut të madh.

    Hafiz Ali Korça u përpoq të shqipërojë disa terma dhe emra dhe rubairat preferoi t’i quajë katrorë, ndërsa poetin e quajti Omer dhe jo Omar, si Noli. Megjithatë, fjalori i Nolit mbeti, sepse termi rubairë ekziston dhe sot te “Fjalori i gjuhës së sotmë shqipe”.

    Studiuesi Nasho Jorgaqi thekson se Noli, si talent i fuqishëm krijues nuk ka mbetur rob i fjalës. Ai ka bërë perifrazim të rubairave dhe jo përkthim të tyre, ndërsa Korça ka bërë një përkthim teologjik të tyre. Noli i ka parë rubairat nga pozicioni i krijuesit dhe jo i teologut, prandaj rubairat e përkthyera prej tij janë më të bukurat, më poetiket, më humanet dhe më të përafërta me kulturën perëndimore, ndërsa rubairat e përkthyera nga Korça janë më të sakta, më afër variantit original, por që kanë humbur peshën poetike. Ndërsa studiuesi i orientalistikës Ermal Bega, që ka bërë dhe botimin e rubairave të Korçës, beson se:” përkthimi i tij është i përpiktë si metro, mbi vargjet e vjetra persiane, duke iu afruar kuptimit filozofik dhe të virtytshëm të vargut”.

    E rëndësishme, për të kuptuar më qartë vargëzimin e rubairave, është dhe mënyra se si dy përkthyesit i kuptonin ato. Mënyra se si këta dy përkthyes i këndvështrojnë rubairat dhe krijuesin e tyre, do të përcaktojë dhe mënyrën e ndërtimit të vargjeve, sistemin figuratv, dhe sintaksën poetike.

    Dy lajtmotivet e rubairave janë gëzimi epikurian dhe hedonist i jetës dhe qëndrimi stoik përballë vështirësive. Noli i jep përparësi, në shqipërimin e tij, qëndrimit stoik në jetë. Ai është i mendimit se për të realizuar qëllimet e tij, njeriu duhet ta gëzojë jetën, kënaqësitë që jep ajo, të përballojë vuajtjet, duke u ngritur mbi fatin, për të arritur lirinë. Dhe gjithë sistemi ritmik dhe stilistik i tij janë vënë në shërbim të zbërthimit të kësaj ideje. Në introduktën që shoqëron shqipërimin, ai i cilëson rubairat si strofa katër vargëshe, me trajtë lakonike si epigrame, që bartin e shprehin gjendje të ndryshme shpirtërore. Sipas Nolit, Khajami është “…vetë natyra njerzore në lëvizje që shfaqet në kohë e hapësira të ndryshme”.

    Ndërsa Korça mendon:” Rubajitë janë më të bukurat më terheqëset se te ato duhet te mblidhen shumë gjëra në ato katër srofa, prandaj që të shkruajë rubaira duhet që vjershëtori të jetë shumë i ditur dhe shumë mendimtar”. Noli në përkthimin e tij, siç thamë, u mbështet te përkthimi anglisht i rubairave prej Fitxheraldit dhe e mësoi persishten, aq sa i nevojitej për të bërë një krahasim me origjinalin. Rubaitë janë vargje lakonike te të cilat, siç shprehet nje studiues:” fjala ndihet ngushtë, ndërsa mendimi i lire”. Por, tek shqipërimi i Nolit vërejmë se fjala dhe mendimi shtrihen në një hapësirë të gjerë në harmoni më njëri-tjetrin.

    Përkthimi i Korçës, kësisoj, është vërtet i saktë, se ai e përktheu nga origjinali, fjalë për fjalë, por ai ka më shumë vlera filologjike se poetike, pasi ai nuk ishte poet. Ndërsa Noli, duke qënë poet, mundi t’u japë vlera origjinale, falë aftësive të tij krijuese. Ai bëri një përkthim i lirë dhe na dha një vepër që risjell dhe njëherë vlerat e tij të shquara si poet.

    Nisur nga kjo, larmia e sistemit të vargëzimit dhe e krijimit të ritmit, apo muzikalitetit të vargut, në shqipërimin e Nolit do të përshfaqet më gjerë në shqipërimin e tij, në krahasim me përkthimin e Korçës. Vargu me të cilin Noli ka shqipëruar rubairat është 11-rrokëshi. Noli e preferoi atë, sepse është një varg që merr muzikalitet të larmishëm dhe ka theksa të ndryshëm ritmikë:  6, 10 dhe 4,8,10. Tek shqipërimi i Nolit vërejmë alternimin e dy theksave të ndryshëm ritmikë 6, 10:  Një derë ka që çelsin s’ia gjejmë, / Dhe ka një vel, me sy se kapërcejmë, ose Kur isha i ri kujtonja se e gjeta, / pallatin ku shkëlqente e vërteta,.dhe4,8,10: Si lot pikon nga Qiell’ i mvrojtur shiu, ose  mund të kemi gershetimin e theksave të ndryshëm brenda 2 vargjeve të së njëjtës strofë:  Qëndroje dorën, mor poçar mizor, /  që garbe bën më trupin njerëzor!

    Vargjet përgjithësisht përfundojnë më theksim trokaik, pra vargje paraoksitonë dhe daktilë dhe rrallë përfundojnë më theksim jambik: Natën kur flinja më tha shpirti Pi! / Në gjumë dhe në Varr s’ka lumëri.

    Po ashtu dhe organizimi i ritmit bëhet kryesisht me theksim trokaik dhe daktil:Në ëndërr, kur agimi zbardhëllonte, / Një zë nga taverna po gjëmonte.

    Vargu që ka përdorur Korça është 12 rrokëshi me theksim tek rrokja 2, 5, 8 ,11: Ca po vrasin mendjen për fe për doktrine, / Disa të habitur sakt’dyshim gjë s’dinë. Ky varg përgjithësisht ka një cezurë në mes: Hap sytë ngadalë // të shkelç përbi tokë, / Bebe syri vajzash // është pluhur; i thatë.

    Ajo që të bie në sy tek Noli, që në strofat e para të shqipërimit të tij, ashtu si dhe ne poezinë origjinale, është muzikaliteti i vargut. Me të drejtë Kuteli e ka cilësuar muzikalitetin e vargut si karakteristikë themelore të vargëzimit të Nolit, ndërsa Rexhep Qosja pohon se muzikalitetin e vargut Noli e ka bërë imanencë të tij. Strukturës muzikore të vargut, ashtu si në poezinë e tij ai ia  ka nënshtruar të gjitha elementet poetike, si dhe leksikun poetik. Ritmi, rima, ngjyra e tingujve, përsëritjet, anaforat, aliteracionet, janë ato qe ju japin një muzikalitet të jashtëzakonshëm rubairave te Nolit. Një nga mjetet me të cilat Noli procedon shpesh në shqipërimin e rubairave, për t’i dhënë vargut muzikalitet është aliteracioni. Sasia e vargjeve të përkthyera dhe dëndësia e mendimit që duhet të shprehë në 4 vargjet e rubairave, i ka dhënë mundësinë atij të përdorë të gjitha nuancat tingëllore të fjalës: Shiko Luadhe, lule bukuri, / lumenj kristali, kronj e brohori, ku tingulli lu që përsëritet, jep idenë e bukurisë dhë pastërtisë të natyrës.

    Ti hiqma udhën, ti shpëtim rrëfëmë, / ti çelma derën zot dhe përdëllemë, ku përsëritet tingulli m, i shoqëruar me zanoret a, i, ë. që japin idenë e mëshirës, lutjes, ndihmës, ose: Të shkuarat mos i kujto më kot, / dhe për të pritmet mos u lodh më kot, / sa kohë në luadhin je, kullot, / nga drapëri i vdekjes nuk shpëton dot, tingulli o përsëritet në të katër vargjet.

    Aliteracioni nuk është karakteristikë e vargëzimit të Korçës, por muzikaliteti i vargut dhe ritmi i tij krijohet dhe nga përsëritjet e fjalëve dhe veçanërisht nga anafora. Rastet e përdorimit të anaforës tek Noli janë të shumta: Kur të gjesh Verë, pije pa mejtuar, / kur të gjesh Vajzë, puthe pa pushuar ose: Mbi dhe e nënë dhe, gjumë i paprerë, / Mi dhe e nënë dhe trupa të nderë. Ose: Mëshirë lyp, për shpirtin e burgosur, / mëshirë lyp, për gjoksin e brengosur.

    Anafora përveç muzikalitetit të vargut, vihet shpesh në funksion të idesë dhe lakonizmit të vargjeve, sidomos kur ajo është një togfjalësh, apo kur kombinohet me mjete te tjera të sintaksës poetike si elipsi apo pyetja retorike. Ndërkaq, përsëriten nëpër vargje fjalët; pi, kupa, jeta, varri, çupa, poçe, poçari, zemër, ferr, parajsë, pluhur, çelës, qiell, dritë, det i jetës, fron i jetës, burbuqe, selvi etj., foljet; putha, dogja, pervëlova, dëfrej, të cilat marrin gjatë përdorimit, në kontekste të ndryshme, vlerën e simbolit. Ndërsa në vargjet e Korçës, gjithashtu, e hasim përsëritjen e fjalëve dhe anaforën, por jo aq dendur sa tek Noli dhe jo me të njëjtat efekte muzikore si të tijat: Për ne vent-dëfrimi kjo bim’është sot, / për ta vent-dëfrimi bima jonë mot? ku përveç anaforës kemi dhe përsëritjen e fjalës vent-dëfrimi dhe bimë, e cila jep idenë e lindjes dhe përtëritjes së jetës. Në vend të fjalës vel, Korça përdor fjalën perde: Kur të ngrihen perdet do të kuptohet, /prapa perdes folmë, çfolmë unë e ti”, ndërsa Noli: Dhe ka një vel, me sy s’e kapërcejmë.

    Korça përsërit, gjithashtu, fjalën: verë, bimë, baltë, poçar, ditë, natë, pluhur, doktrinë, fe, të cilat, gjithashtu, marrin vlerën e simbolit. Fjalët verë dhe dashuri përdoren dendur te të dy përkythesit, sepse Khajami tek këto rubai i përkushtohet gëzimit dhe bukurisë së jetës, të cilat i gjen të simbolizuara te dashuria dhe vera.

    Muzikalitetin në vargjet e Nolit e krijojnë dhe alternimi i asindetit me polisindetin. Asindeti  sugjeron në vargjet e Nolit shpejtësinë e ritmit: Dritën ma nxive Zot, zemrën ma theve, / gazin ma çore shpresën, ma rëmbeve. Por, polisindeti do takohet me shpesh në rubaitë e Nolit dhe jep idene e rimit të qetë dhë rrëfyes: Fito një zemër puthe dhe rrëmbeje, /dhe adhuroje si Altar prej feje, ose: Dhe Qiellit rrotullonjës i thërrita, / Dhe e pyeta:”Cila është Drita?

    Përdorimi i shpeshtë i polisindetit, vjen si rrjedhojë e stilit biblik. Në të kundërt, në vargjet e Korçës e hasim vetëm në ndonjë rast të rrallë polisindetin, ndërsa, përgjithësisht, në vargje ai operon me mungesën e lidhëzave, gjë që i jep ritmit të vargut shpejtësi: Para meje teje, kishte dit’nat, / Për pun’është sjellë rrot e qiellit gjatë, ose: Nga ardhja nga ikja jonë ç’dobi vallë, / Ndënë rreth të rrotës sa shpirtra të pastër, / digjen bëhen pluhur tymi ku të dalë.

    Është për t’u theksuar fakti se Korça përpiqet të ruajë gjatësinë konstante të vargut me asindetin dhe me përdorimin e lirive poetike, kryesisht rrëzimin e rrokjes fundore të fjalës dhe zëvendësimin e saj më apostrof: Ndër shqelmë një copë balt’e kishte marrë, Nga kjo Nat’e errët s’duallën në rrugë, etj., ndërsa përdorimi i kësaj lirie poetike mund të themi se ka, pothuajse, dendësinë më të shpeshtë

    Karakteristikë e vargut të Nolit është përdorimi i apostrofit: O ëngjëll faqedritë, ja u gdhi, / O ti mbi dhe më e zgjedhura Selvi, Mos qaj or mik mos u mërzit me kot, O zot, barrën e jetës lehtësoma, etj., të cilat vendosen kryesisht ne fillim të strofës dhe i japin dinamizëm vargut. Apostrofi nuk është karakteristikë e vargjeve të Korçës. Ajo që është e përbashkët për dy përkthyesit, është përdorimi i dendur i pyetjes retorike dhe inversionit.

    Korça: Kush e gatoi kupën dhe e pat përzjerë?, ose: Prej majit të shpresës ç’ish indi sa gjallë?

    Noli: A e di këndesi po këndon, mesnatë dhe nga gjumi po të zgjon?, Hardhinë pse ma thurrni me ndalim? / Kush e ka vën’atje këtë mallkim / Kur dije q’e merr prapë, ç’ma dhurove?/ Përse më ngjalle, kur pastaj më vret?, etj.

    Lidhur me pyetjen retorike vlen të përmendet nje lloj i veçantë i saj, që në poezinë orientale quhet redif dhe përsëritet pas rimës, por në shumicën e rasteve në formë pyetjeje.

    Korça: Zëre se e kreve jetën pasdëshirës, fundi çë? /zëre se i shkove pas të mirës, fundi ç’ë?  Zëre se e kape qindin si pas qefit, fundi çë? / dhe një qint të tjera ta zëmë pashirë, fundi çë?

    Nol: Sa, sot gas paske dhe shëndet: pastaj? / sa mot të patshim si sivjet: pastaj? / Sa qofsh i lumtur njëqint vjet: Pastaj? /S a për çudi dyqint si mbret pastaj ?

    Redifi mund të jetë shpesh dhe një fjali urdhërore: U bëra prapë djal’i ri: sill verë! / Kërcenj me flag’e lumturi:sill verë!, ose mund të jetë një togfjalësh: fjalë lumi, ëndrra gjumi, flluska brumi etj. Redifi ka larmi përdorimi në vargjet e Nolit duke marrë forma nga më të ndryshmet Dëndësia e shpeshtë e redifit, e polisindetit dhe pyetjes retorike te Korça dhe Noli, të lë të mendosh, që këto janë pjesë e pandarë e stilit të Khajamit.

    Vlen të përmendim, gjithashtu, përdorimin e dendur të metaforave dhe tropeve të tjera, si te Korça ashtu dhe te Noli, i cili në poezinë e vet, sipas Rexhep Qoses, mungesën e shprehjes metaforike e ka zvendësuar me dridhjet ritmike dhe muzikore, çka përsëri hedh dritë mbi vetë stilin e rubairave origjinale, ku shprehja metaforike është përhershmëri e tyre.

    Noli: Shpesh shpirti sulet nga kafazi t’ikë, ose faqja ju nxi, ia mori namin era, dëfrimet qe kam dashur me verbuan, dërgova shpirtin lart mbi qiell, mbi retë, etj.

    Korça: Shkoj reja dhe bimën rish e lau me lot, në këmbët e vdekjes nje nga një u shkelën, kot më kot ca njerëz kapnë madhështinë, etj.

    Një element i rëndësishëm i vargëzimit të dy përkthyesve është dhe rima. Rubaitë thamë qe janë strofa katërshe, ku e para e dyta dhe e katërta rimojnë më njëra-tjetrën. Këto rima mbarojnë me të njëjtën shkronjë dhe zanoret që janë para, tyre janë të njëjta. Ky është një rregull i rubairave, që është zbatuar përgjithësisht në mënyrë strikte në të dy përkthimet:

    Noli: Me vrer për ditë fati po na ndes, / S’jep gas që s’na e vjedh me interes; / ta dinte i palinduri s’na lintte, / i linduri më mirë bën kur vdes.

    Korça: Ca po vrasin mëndjen, për fe, për doktrinë, / Disa të habitur sakt’dyshim gjë s’dinë, / Njëherë tellalli del nga ushtja thotë, / s’është o të pa ditçëm ç’thot aju dhe tinë.

    Përderisa rubaitë e kanë të përcaktuar përdorimin e rimës, nuk mund të bëhët fjalë për larmi të përdorimit të saj, por kjo mënyrë e organizimit të rimës te to, organizon dhe ruan ritmin. Përsa i përket theksit të rimës mund të themi që në të dyja përkthimet, përgjithësisht, kemi rimë paroksitone, me theks ne rrokjen e dytë, por në ndonjë rast kemi dhe rimë oksitone, ku theksi bie ne rrokjen e fundit.

    Noli: Ka vetëm për të marrët lumëri, / Për t’urtët s’ka veç vrer e qesëndi.

    Korça: Si –rezet e ezelit un’e ti s’i di, / Kur të ngrihet perdja me habi!

    Përsa i përket fjalorit poetik, vërejmë tek Noli prirjen për të krijuar neologjizma, në përputhje me stilin e rubairave dhe permbajtjen e tyre si: faqepjeshke, faqedritë, shpirtrrëmbenjëse, flakaves, zemraflutur, si dhe disa neologjizma me baze oksimorinin; vrermjaltë, qiellhapsanë, etj. Edhe Korça ka krijuar neologjizma përsëri në përputhje me stilin e rubairave: fytyrë, parajsë, shpirtdjegës, dergjishtë, falishtë, pasngelje, gërmadhohet, koçkorë, etj.

    Kur dikush i pat thënë Korçës se i kishte shkruar bukur rubaira, por gjuhën nuk e kishte fabrikuar, ai u përgjigj: “Unë gjuhën engjëllore nuk mund ta përziej me gjemba, as nuk mund të shkel manushaqe dhe në vend të tyre të mbjell ferra”. Dhe më pas u drejtohet lexuesve:” Të më falni se unë nuk munda të shkruaj shkronja të tepërta, as fjalë të huaja, po gjuhë popullore më dialekt të ngjashëm e të lehtë.”

    Tek të dy përkthimet vihen re përdorime të shumta të trajtave dialektore kryesisht të toskërishtes.

    Noli:  nëmëron, loç, vjetë, ay, çpall, dyke, mun, lark, nofta, balsam, kaqë, çkallmë, etj.

    Korça: shkelç, tine, tokët, lulishtë, mbleron, gocash, kërhëni, trekt, kupëtohet, vleftë kuxon, gjallja, marrçlark, folmë, duallën, ndejmë, ikmë, etj. 

    Ndërkohë për qëllime stilistike vërehet dhe përdorimi i pakët i barbarizmave, sidomos te Noli, që në poezinë e vet i ka përdorur gjerësisht si: dava, muhabet, trobolitnja, duman, etj., ose te Korça: ezel, sefte, tellall, volt, etj.

    Nga ky krahasim i sistemit të vargëzimt, sintaksës dhe fjalorit poetik, u munduam të evidentokmë disa përafri dhe ndryshimi tek të dy përkthimet, duke arritur në përfundimin se Noli ka bërë një shqipërim në kufijtë e rikrijimit, me vlerë të pakrahasueshme artistike, ndërsa përkthimi i Korçës, mbetet një përkthim literal, i saktë, serioz dhe filologjik, por nuk arrin dot peshën artistike të vargut, apo strofës të shqipëruar nga Noli. Noli, siç pohon dhe Rexhep Qosja:” është më tepër stilist në përkthimet e Khajamit, Shekspirit, Servantesit, sesa ne shkrimet origjinale. Stili i tij është në radhë të parë, stili i mendimeve dhe imagjinatës së krijuesve të mëdhenj, ai është në radhë të parë stilist përkthyes e pastaj stilist original”. Gjithsesi, nga të dyja përkthimet lexuesit mund të pasurojnë përvojat estetike, filozofike dhe artistike, të rubairave, si perla të krijimit njerëzor.

    Bibliografia:

    Noli,  Vepra 1, Tiranë, 1988.

    Hafiz Ali Korça,” Rubaijati Umer Khajjamit ”, Tiranë, 2006.

    Nasho Jorgaqi “Fan Noli për rilindjen persiane dhe Omar Khajami”, Revista “Perla”, Tiranë, 2007, Nr.1

    Xhemal Balla “Vlera të çmuara për kulturën tonë”, Revista “Urtësia”, Nr 64, Tiranë, 2008.

    Rexhep Qosja “Shkrimtarë dhe periudha”, Tiranë, 2005.

    Mitrush Kuteli,Vepra letrare 5, Tiranë, 1987.

    Robert Elsi  ,Historia e letërsisë shqiptare”, Tiranë-Pejë, 2007.

    Gjergj Zheji, Natasha Xhafka ”Fjalor enciklopedik letrar”, Tiranë, 2001.

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË