More
    KreuLetërsiShënime mbi libraProf. As. Dr. Anton Papleka: Kulti i kalit në epikën tone legjendare

    Prof. As. Dr. Anton Papleka: Kulti i kalit në epikën tone legjendare

    Në lëndën e pasur mitologjike që përmban epika jonë legjendare, bën pjesë edhe kulti i kalit. Këtë figurë të këngëve tona kreshnike, studiuesit kanë qenë të prirur ta shohin vetëm si një ndihmës të luftëtarëve, si një mjet për të kalëruar e për të luftuar me të. Kështu Maximilian Lambertz shkruan se për kreshnikun, përveç nënës e motrës, qenia më e shtrenjtë e më e afërt ishte kali i tij.[1] Duke folur për këngët kreshnike shqiptare, Alois Schmaus thotë se në këto këngë e shohim kalin si shok besnik të kreshnikut.[2]

    Një konceptim i përafërt mbizotëron edhe në studimet e folkoristëve shqiptarë. Në përcaktimin që i bëjnë kësaj figure, ata nuk shkojnë më tej se epitetet i jashtëzakonshëm: “Këta heronj lëvizin me kuaj fantastikë dhe u përgjigjen cilësive të zotërve të tyre…”[3] Për Jorgo Panajotin, kali i kreshnikëve është një figurë artistike.[4]

    Studiuesit që e kanë thyer kornizën e një konceptimi të tillë të mangët, kanë qenë të pakët, siç është rasti i Demush Shalës, i cili ka shkruar se kali bën pjesë në botën mitologjike e përrallore të këngëve tona kreshnike…[5]

    Duke pranuar se në epikën tonë legjendare ekziston kulti i kalit, duhet të sqarojmë se ky kult nuk ka lidhje me çfarëdo kali, me kuaj të zakonshëm, por me disa kuaj të rrallë, të cilët besohet se kanë origjinë dhe veti të mbinatyrshme.

    I. Prejardhja hyjnore e kalit të kreshnikut

    Rastin më tipik ku flitet për prejardhjen hyjnore të kalit, e gjejmë në këngën Ali Bajraktari merr çikën e kralit të Nemcit të lahutarit Halil Dauti nga Vllahia – Shala e Bajgorës. Protagonisti e qorton dhe e mallkon rëndë gjogun që e la në udhë, pastaj e pyet se a mos është duke ju frikësuar detit: “Athue detit kaq keq qi po i tutesh,/athue huj, bre bir, ti ke marrë?/Atëherë folke zog ati i mejdanit:/- Nam të madh, bre Ali, qi m’ke dhanë,/pa far haku ti mu qi m’ke nemë./ Nuk po tutna n’deti për me ra,/se në deti Ali unë kam le/hem qit trup, djalë, n’deti e kam rritë./ Qyr sa i rrept-o, po i thotë, unë qi jam,/ shum ma çpejt, n’or’, për deti qi shkoj,/krejt dynjeje n’deti unë qi dal.”[6]

    Besimi se kali i kreshnikut ka lindur dhe është rritur në det mund të jetë mbijetesë e ndonjë miti të stërlashtë, të ngjashëm me mitin që përmendet tek Iliada. Sipas këtij miti, Harpia Podarga, një nga perëndeshat e stuhisë, u bashkua me Zefirin dhe solli në jetë kuajt e pavdekshëm, të cilët Poseidoni ia dha Peleut, babait të Akilit[7]: “Kuajt e rrufeshëm për kularë i lidhi:/ Ksanthin e Balin, që vetëtimë fluturonin; /me suferinën kta i përftoi Harpia,/pela kambshpejtë, at-herë kur ndër luadhet/ e bregut t’lumit Oqean kullotte.”[8]

    Një gjurmë e mitit të prejardhjes së kalit të kreshnikut nga hyjnia e detit është edhe aftësia e gjogut për të ecur në det si në tokë: “Vrap të madh ai gjogut i ka dhan/ Mren në det çika ka ra,/Fill n’denam shkjaut i ka shkua.”[9] Aftësinë për të vrapuar mbi det e kanë edhe kuajt e mbinatyrshëm që përmenden tek Iliada e Homerit: “Pastaj Dardani puell mbret Erykthonin/ të pasun det si askush në ftyrë të tokës./ Për të kullotnin ndër luadhe e kneta/ tri mijë kokë pela krenare për maza. /Nësa kullotnin, m’ato zu merak Veri,/ që në shemllesë hamashori krifebukur,/dymdhetë prej tyne i barrsoi, të gjitha/ pollën nga ‘i maz, që ndër ara pjellore/mbi kallij tepe pa i përkulun bridhnin./ Kur ata bridhnin nëpër shpinë të detit,/me turr vraponin nëpër shkumë të bardha.”[10]

    Aftësinë e kalit të kreshnikut për të ecur nëpër det e vëmë re më se një herë në epikën tonë legjendare: “Qaty Muja gjogut n’shpinë po i bjen,/detit ‘Zi për midis po m’i bjen,/tu xhemia Muja kâka shkue,/ për ni reze xhemin-o p’e lidh.”[11]

    Përveç kalit të kreshnikut, aftësinë për të ecur mbi det e ka një figurë e mitologjisë shqiptare, Dhamsuta, të cilën Eqrem Çabej e paraqet kështu: “Ai (Dhevështruesi, A .P.) gjithmonë shkon kaluar në vithe të Dhamsutës, një pelë e pagojë që kalon nëpër male e dete dhe shpie larg atë që do të shpëtojë me anë të saj.”[12]

    Prejardhje të mbinatyrshme ka edhe gjogu i Mujit, i cili lind në një kohë sakrale, në prani të qenieve të mbinatyrshme dhe veç kësaj ka në trup shenja me karakter hyjnor si ylli i bardhë në shteg të ballit: “Shpejt Ajkuna n’kambë asht çue,/po ma merr pishën në dorë,/ m’ish kanë nata natë me orë,/kur ka ra grueja n’derë të burgut,/ hinglloi mazi mbrenda burgut,/m’i ra drita qymes s’shtatit, /ndriti qymja si bora e malit, /hyllin bardh shkrue n’shtek të ballit.”[13] Shenja të tilla të mbinatyrshme, gjogu i Mujit ka edhe në variante të tjera, siç ndodh në këngën Hergjelja e Mujit “…t’madhe Kunja ather’ ka britë:/-Mushtukull, Bylykbashe Muji,/ se t’ka pjellë hargjelja e zezë,/e ka ba gjogun e bardhë,/ e ka ba me ylli në ballë/ gja ma t’bukur zoti s’e ka falë,/ i gjith’ burgu ite zhdritë…”[14] Me të drejtë Qemal Haxhihasani e ka krahasuar lindjen e mëzit me shenja të tilla me lindjen e fëmijëve me yll në ballë që ndodh në disa përralla popullore.[15] Sipas mitologjisë shqiptare, fëmijë të tillë mbaheshin si dragonj, pra, ishin qenie të mbinatyrshme.

    Për të theksuar se kali është i mbinatyrshëm, në disa tekste të epikës sonë legjendare përdoret shprehja “gjog me orë”, e cila do të thotë se ai kalë ka lidhje me hyjnitë: “Si insan, po gjogu vesh e merr,/gjog me orë ai gjog ish kanë…”[16] Në radhë të parë, i tillë është kali i Mujit: “Thon me or’gjogi ish kan!”[17] Këtë atribut e ka edhe kali i Halilit: “Gjog me orë, more, gjithmonë ai ish kanë…”[18] Për lidhjen e kalit me Orët, të cilat konceptohen si shpirtra të këqij ose demonë në kuptimin parakristian, ka mbledhur të dhëna edhe etnologia Edith Durham: “Një tjetër kënaqësi e tyre (e Orëve, A.P.) është t’u hipin kuajve natën dhe t’u lidhin nyjë krifat. Këto nyja nuk duhen zgjidhur në asnjë mënyrë.”[19]

    Më qartë se kudo në epikën tonë legjendare, lidhja e Zanave në kalin është paraqitur në këngën Lule Frangu ku hyjneshat i japin fuqi të mbinatyrshme kalit të këtij të fundit për të përballuar udhëtimin nga Shkodra në Vlorë e kthim brenda një dite: “Të tri zanat iu kanë afrue./ -Po pse kshtu, gjogo, ti me ba?/ Me dorë kreshtën po ia lmojnë,/ me bar malit po e fërkojnë,/ po ja lmojnë kopitat e kambvet/ e ja lmojnë ato peshqit e shpinës,/ edhe gashtat e gliqet e gjyjvet./ Ato lmo e gjogu tue hingllue,/ toje-toje shtati iu ka ba./ Mbet e i tha aty zana ma e madhja:/ – Kah të shkojsh, more gjog, e kah të vijsh,/ gjithkund paran rrugës un kam me t’pri,/ un për qiell e ti për tokë,/ shndosh te shpija Lulen kemi me e pru.”[20]

    Kali me prejardhje hyjnore dallohet nga kuajt e zakonshëm edhe nga paraqitja trupore, siç ndodh me kalin e Gargullit të Zi, i cili ka dy kokë: “Se ktu asht, Halil, Gargulli i Zi,/ Si ma asgan nuk ka as n’turk as në krali./ Veshun Gargulli n’pancir e çelik,/ dhe dy krena e ka harap bidevinë,/ Kurr çka i ban tibe nuk ke.”[21]

    Mazi i Mujit shquhet për bukurinë e tij të rrallë, e cila ravijëzohet duke u krahasuar me gjërat më të zgjedhura: “Nata â shkue, hana s’ka dalë,/ Muji ‘i andërr e ki’ andrrue,/ andërr paka hergelen tuj’ pjellë:/ ki ba mazin bardh si bora,/ hyllin n’ballë zoti i kish falë,/ qafa e tij si kreshta e bjeshkëve,/ kambët e holla si të kaprollit,/ qymja e tij si leshi i fjollit.”[22] Një bukuri të tillë ka edhe kali i Dizdar Osman Agës: “Kaq të bukur zoti ma kish falë!/ Shtati i tij të tanë roga-roga,/ rogat ishin bardh e kuq e zi,/ porsi lulet kur po çilin n’vrri.”[23]

    Karakteri i mbinatyrshëm i disa kuajve të kreshnikëve del në pah edhe te kujdesi që tregohet për ta. Kuaj të tillë që lindin me shenja të jashtëzakonshme, mbahen të veçuar nga bota, të mbyllur në errësirën e katoit, duke u ushqyer me shujta të zgjedhura. Këto masa mbrojtëse kanë lidhje me mitologjinë pagane, sipas së cilës dragonjtë duheshin të ruheshin nga syri i keq, nga magjistarët gjatë një kohe të caktuar, me qëllim që të mos zbuloheshin dhe të mos dëmtoheshin nga keqbërësit:[24] “Çka ka qitë grues i ka thanë?/ – Hysmet t’mirë mazit me m’i ba,/ n’vend t’elbit, grunë ke me m’i dhanë/ e n’vend ujit venë ke me m’i qitë,/ tri herë në ditë me ma kashagitë,/ për tri vjet jashtë mos me e qitë,/ për tri vjet mos të shohë kund dritë!”[25] Këtë mikrostrukturë e hasim edhe në variantin Hergjelja e Mujit: “Be m’Zotin Muji ka ba:/ – Për tri vjet, prej burgu s’e qes,/ por me i dhan’ mazit tagji/ e m’ven sane me i qit jatak,/ n’ven tagjije grun’ të bardhë,/m’ven të ujit me pi ven’ t’kuqe,/ ka ‘i her’ n’diell me e qitë/ me uj’ t’vokt e me sapun me e la.”[26]

    Besimi në karakterin e mbinatyrshëm të kalit, në zanafillën e tij hyjnore është një element i kulturës indoeuropiane, sepse ai është i pranishëm edhe në epopenë induse ku flitet për katërkëmbëshin gjysmëhyjnor.[27] Lindjen e mëzit të Mujit, studiuesi Qemal Haxhihasani e ka përqasur me origjinën e kuajve fantastikë të përrallave tona, me origjinën e Sharcit të Kraleviq Markut, të Babiekës së Cid-it…[28]

    II. Megalozia

    Duke folur për kuajt e kreshnikëve, Q. Haxhihasani thotë se ata kanë po ato përpjesëtime trupore që kanë edhe të zotërit e tyre.[29] Pra është e natyrshme që këta kuaj të kenë përmasa të hiperbolizuara. Pothuajse në të gjitha rastet, në vend të përshkrimit të përgjithshëm e të plotë, parapëlqet përdorimi i sinekdodës, domethënë në vend të tërë trupit të kalit jepet përmasa e një misi të tij të veçantë, i cili na e bën të mundur të marrim me mend tërësinë. Ky mis mund të jetë goja, e cila në rastin më të skajshëm është plot një pash e gjerë: “N’sheher t’krajlit kur ka ra,/ vrap t’madh gjokut i ka dhanë./ Në qejf gjogu kenka ba,/ nji pash gojën e ka hapë,/ ma ka kcye bishtin në shpindë.”[30] Krahas gojës, në shumë këngë kreshnike paraqitet gjuha e Kalit: “Shum idhnim gjogu ma ki marrë,/ Tre pash nelt njaj kryet e ki’ ngrehë,/ tri plam’ jasht gjuhën po ma qet…”[31]

    Misi i kalit që përdoret më shpesh është thundra/ potkoi/ gjurma: “Gjogun (Muja, N.P.) e ka pas shum të madh: tri pllam gjan potkonin e kams, thon.”[32] Po këto përmasa ka kali i Mujit edhe në këngën Halili krajl i Kotorreve: “…kalit t’Mujës fërkemt kah ja shohin./ Kakan ungjë e fërkemt i kanë matë-/ rrash tri pllamë, more, pa shybe t’gatë.”[33] Për gjurmët e kalit të Mujit në Tropojë qarkullon kjo legjendë: “Janë n’fund Dojane, n’breg Valbone, janë çuka t’mdhaj. Kur e ka ladrue Muja kalin, janë ba ato gropa, dy ka dy, krahas, sikur gjurmët e kalit. Qysh nga ajo kohë, ai vend quhet Fangjet e Mujës.”[34]

    Përmasat hiperbolike të kalit të Mujit që lind me shenja të mbinatyrshme, vihen në dukje edhe me elemente të tjera si freri, shala apo grazhdi. Mëzit të Mujit nuk i bien për shtat as freri as shala e një kali të rritur: “Po e merr frenin e gjogatit,/ gja për krye freni s’po i bjen,/ shkurt e ngusht freni po i bjen;/ po ma merr shalën e gjogatit,/ aspak shala s’m’i ka ra,/ shkurt e ngusht shala i ka ra.”[35] Këtë klishe e gjejmë edhe në këngën Hergjelja e Mujit “Kur jan’ mush tri vjet tamam,/ n’der gjogun e ka qitë,/ vu tagjin’ prej grunit t’bardhë,/ ka marr shaln e gjogut t’madh./ Shala mazin s’e bërzan.”[36]

    Në ndonjë tekst, përmasat hiperbolike dhe karakteri i madhërishëm i kalit të Mujit paraqiten tërthorazi, duke përshkruar grazhdin e tij: “Grazhdi i këtij kali të mrekullueshëm (Gjogu i Mujit, A.P.) është kaq i lartë sa nuk e harrinë dot njeriu me grykën e pushkës së çuar përpjetë…”[37]

    III. Fuqia e jashtëzakonshme

    Një nga vetitë e kalit të mbinatyrshëm është edhe fuqia e jashtëzakonshme, e cila e dallon nga të gjithë kuajt e tjerë. Përcaktimi i një kali të tillë, shpeshherë bëhet duke i tërhequr kuajt nga bishti, siç bën Ager Isvano: “N’podrum djali te atllarët ka ra,/ gjithë për bishti i provon,/vithambrapa për bishtit i ngrehë./ Kur ka shkue m’at gjogun e vogël/ e për bishti e ka kapë,/ aspak vendit s’mund e luen./”Ndimo, Zot” sinxhirat ia mjet/ e përjashta e ka qitë,/ mirë e shlon, sa mirë e gaton.”[38] Një fuqi të tillë ka edhe kali që zgjedh Deli Mehmet Aga: “N’podrum t’kualve ather djali â ra, t’gjith me red-o Delija po i kapë,/zhag për bishti për doret po i qet./ Kur ka kap nji gjok fort të thatë,/ aspak vendit nuk mundet m’e luejtë.”[39]

    Ymer Agë Ulqini, ilustrim nga Gazmend Leka

    IV. Pajisja me flatra dhe aftësia për të fluturuar

    Sipas besimeve popullore shqiptare, dragonjtë ishin qenie mitologjike që kishin flatra nën sqetulla. Një atribut të tillë e kishin edhe kuajt e disa kreshnikëve. “Gjogu i Mujës kishte flatra nën sjetullat e para. Kur Muja ndodhej ngushtë, kali çohej fluturim mbi shkiet.”[40] E njëjta gjë pohohet edhe në këngën kreshnike Muja pret Krale Kapetanin: “E ka lshue Devdilin hava,/n’oborr t’kralit vrapin ja ka nalë,/ aty Krali s’koka kanë.”[41] Përveç kryekreshnikut Muji, kalë me flatra kanë edhe disa kreshnikë të tjerë.

    Halili: “E ki pas ni gjogun me krahë.”[42]

    Ahmet Aga i Ri: “N’Maje t’Talirit kur janë hypë,/ shka i kish thanë Ahmet Aga i Ri:/ “Çetu ti, Sokol, për me nejë,/ une shkoj Dylberen e marr.” Ai me flatra xhokin e kish pasë,/ fill te Krajli, tha, koka ra.”[43]

    Alia i Anadollit: “Po kur hin Alia n’det,/ Aj me krah gjogun e kish pas,/ Përmi det havê ma ka çue,/kalon detin, n’tok kôka ra.”[44]

    Beno Bajraktari: “Ni here Bena ishte çëllu,/ Pi kudretit gjoku ka fjaru,/Pi granicës mejr kishte shpëtu.”[45]

    Ali Janadoba: “Alija gjogun me krih e ki’ pasë.”[46]

    Në ndonjë këngë, paraqiten duke fluturuar kuajt e treqind kreshnikëve: “Treqind agët mirë janë shtërngue,/ kanë ba ashtat trimat me ushtue,/ kanë ba lumet trimat me u turbullue,/ kanë ba gjogat trimat me flurue…”[47]

    Atributin për të pasur flatra dhe për të fluturuar nuk e kanë vetëm kreshnikët shqiptarë, por edhe kundërshtarët e tyre, sepse vetëm kështu ata do të ishin në kushte të barabarta dhe do të dilte në pah epërsia e protagonistëve: “Shpejt ia mrrini Jan Kovis Tojani,/ ai ma kish gjogun me krahë,/ e kish gjitë kumonë e cingare.”[48] Antagonistë të tjerë që e kanë kalin me krahë, janë:

    Gjure Harambashi: “E kish kalin sikur shpen me krih…”[49]

    Krali i Herdelit: “Qy çka bani Krali i Herdelit,/ – po m’i hyp ai sharanit me krahë,/ shum bajloza me veti i ka marrë,/n’Fushë t’Herdelit krali kôka dalë.”[50]

    Llatini: “Mbreti Mujës ka nis po i kallxon:/ – A merr vesh, o Mujë? – i ka thanë,/ se shum trim Llatinin pi kallxojnë,/ e n’midis detit ai kulla i ka/ e me krah sharanin qi ma ka.”[51]

    Në ndonjë këngë thuhet se kalin me krahë e ka një kundërshtar anonim: “Qyr në ur Halili ish hyp,/ Matan’ ure edhe ish dal,/ Ma kish gjet at sharanin me krah,/ Shplak në vithe i paska ra.? – Ty t’trashgoft Sokole Halili!”[52]

    Dëshmi e lidhjes midis figurës së dragoit dhe kalit me flatra mund të jenë edhe emërtimet hazhdran e ezhdral, të cilat përdoren për këtë të fundit dhe që duhet të jenë shtrembërime të huazimit oriental ezhdërha: “Si vetima hazdranat fluturojnë!…”[53] Ose: “Edhe e çoi ezhdralin n’hava,/ Fluturim bjeshkt i ka trupue,/ N’Fush t’Jutbinës për tok e ka lshue.”[54]

    Ashtu siç ndodhte me dragonjtë, edhe kalit me flatra mund t’i hiqej dhuntia e mbinatyrshme pikërisht duke i djegur flatrat, me të cilat ishte pajisur: “Ora e malit i â përgjegjë:/ Kurr ç’ me ba gjoku s’po ka,/ Se kraht e tij me zjarrm ia kan djegë!”[55]

    Figura mitologjike e kalit me flatra ka mbijetuar në disa gjini e zhanre të folklorit tonë, siç ndodh në përrallën Tre vëllezërit dhe tre të bukurat e Dheut: “Djaloshi erdhi rreth e rrotull dhe i previ kokën dhëndrrit dhe u largua me kalin fluturues.”[56] Kjo figurë është ruajtur në disa legjenda për Skënderbeun: “Skënderbeu qëndronte nalt në kalë dhe fluturonte nga një vend në tjetrin.”[57] Ose: “Skanderbej ka ardhë hava e ka hi n’at shpellë e atje mu në gjur ka gulë e ka lidhë atin, se shpella â në faqe t’larme. Thojshin ka flarue.”[58]

    Figura mitologjike e kalit me flatra të epikës sonë legjendare, të kujton Pegasin, kalin me flatra që, sipas Hesiodit, mbante rrufenë dhe bubullimën e Zeusit.[59] Kjo figurë është e pranishme edhe në epopenë skandinave, siç e dëshmon Edda e Sturluson-it: “E katërmbëdhjeta është Gna (Perëndeshë Ases): Frig e dërgon me mision në botërat e ndryshme. Ajo ka një kalë që galopon nëpër ajër e nëpër det dhe quhet Hofvarpnir.”[60] Figura mitologjike e kalit me flatra është ruajtur edhe në poezinë gojore rumune.[61]

    V. Nxjerrja e flakës nga goja

    Ashtu siç ndodh me disa kreshnikë, edhe kuajt me veti të mbinatyrshme kanë atributin të nxjerrin flakë nga goja. Sipas Eliades, kjo nxehtësi magjike” është manifestim i fuqisë së zotave: “Megjithatë nuk kemi ngulmuar sa duhet te fakti se “fuqitë” e zotave, të shtuara nga zemërimi, manifestohen në formën e flakëve.”[62]

    Këtë atribut e zotëron në radhë të parë gjogu i Mujit: “N’shpinë të gjogut sa ka hipë, asnjiherë nuk i ka britë./ Mirë po e din gjogu se kah me shkue,/ flakë të verdhë për goje qi po qet/ tym e mjegull qi m’ â ba,/ shpat e m’shpat thue po fluturon.”[63]

    I tillë është edhe gjogu i vëllait të Mujit, Halilit: “Hingllon gjogu, qi â dridhë ashti,/ kur i kcen n’shpinë Halil Aga i ri,/ flakë të verdhë për turish ka qitun.”[64]

    Nganjëherë, kuajt e këtyre kreshnikëve krahas flakëve nxjerrin edhe shtëllunga tymi aq të mëdha, saqë ato mbulojnë bjeshkët: “…tym e mjegull gjogat i kanë ba,/ flakë të verdhë përzi me shkumë po qesin,/ dushku i malit marrë flakë qi po derdhet,/ kurrku’ bjeshkët prej timit nu’ po shifen.”[65]

    Dukuria e mësipërme nuk është e pranishme vetëm në ndonjë këngë të mbledhur në një zonë të kufizuar, por ajo haset në tërë gjeografinë e epikës sonë legjendare. Në këngën Ikja e Hajkunës të lahutarit Smajl Selmanmusa nga Strellci i Deçanit: “Shpejt Halili te shpija ka vojtë,/ të tre frejt ai atit ja ka ngrehë,/ flakë të verdhë, qyr, për goje po i shkon,/ n’kamë të mrame kaskan kanka çue…”[66] Në këngën Bejno Bajraktari i liron tri motrat të lahutarit Shukri Ahmeti nga Arngjelli i Kërçovës: “-Hajde, gjok bre, si e ke marifetin!/ Kur i ra, bre, gjokut në zëngej,/ tojm e mjegull gjoku ish lishoumun,/ tojm për hunësh gjokut, zjarr për komësh,/ para Arapit gjoku kishte dalun.”[67]

    Krahas kuajve të protagonistëve, këtë atribut magjik e kanë edhe kuajt e antagonistëve: “…sall ni brimë Galani çi e bani,/ flakë të verdhë për goje po çet…”[68]

    Në një këngë që gjendet në Fondin e Qemal Haxhihasanit, thuhet shprehimisht se kali me veti të mbinatyrshme nxjerr zjarr nga goja kur mërzitet, domethënë kur inatoset: “Sa her gjogu si mërzitet,/ Shkndija e zjarm për dhambsh po qet.”[69]

    Figura e kalit mitik që nxjerr flakë e tym mund të ketë lidhje edhe me besimin indoeuropian të një zot bubullime në formë kali. A. H. Krappe shton se në Romë, kuajt e bardhë ishin kafshë të Jupiterit.[70] Në një tekst të epikës sonë legjendare, kuajt që fluturojnë në qiell duke nxjerrë tym e flakë, të kujtojnë pikërisht stuhinë me vetëtima e bubullima: “Dy atllarët Mujën mirë p’e ngojnë,/ tim i zi për hunve po u shkon./ Si vetima hazhdranat fluturojnë,/ tanë zharav kalldramës po i shkon./ Dilli ish dal-o, po nxen me pishman.”[71]

    Figura e kalit të përflakur ka mbijetuar edhe në një këngë që nuk i përket epikës legjendare, të mbledhur në Beçisht të Tepelenës: “Dorylli hingëlliti,/ dhé e qiell i ndriti,/ Ligësi të mbyttë lumi,/ qysh u trembe nga Derylli?”[72] Është fare e qartë se emërtimi Dertlli, i formuar nga Doryll, do të thotë që ndrit si yll, rrezëllitës, flakërues.

    Sipas studiueses Yvonne de Sike, kali është i pajisur me fuqi magjike.[73] Në një këngë kreshnike, thuhet se, kur e ka goditur me këmbë gjoku i Mujit, Halilit të vogël i është shndërruar dora në ar: “Gjogu n’shkelm i paksa mshua,/ Atej dora iu ka prarua./ Pe kour dorën ia kish kallzua,/ Sikur hana ka zdritua.”[74]

    VI. Hingëllima dhe duhama e jashtëzakonshme

    Krappe thotë se në mitologjinë e lashtë, bubullima, quhet zhurma e një qerreje, e udhëtimit të kuajve, e fluturimit të zogjve viganë ose e galopit të një kali.[75] Një konceptim i tillë ka mbijetuar edhe në traditën gojore shqiptare, sipas të cilës Dhamsutën e ndjek mëzi i saj, i cili me hingëllimat e tij lajmëron drangonjtë për këtë kalim të pelës.[76] Përqasja e hingëllimës së kuajve të kreshnikëve me bubullimën apo e duhamës së tyre me shtrëngatën është një nga klishetë më tipike të epikës sonë legjendare.

    Kuajt e Mujit e të Halilit: “Të madhe Muji atherë asht hallakatë,/ të dy gjogat për një herë hingllojnë,,/gjethi i ahit për tokë kish pasë ra,/ fort shkjetë friga i kish pasë marrë…”[77]

    Kali i Dizdar Osman Agës: “… sa me shpejt ai gjogun ma ka thirrë: / – Hajde, gjog të nisna për Jutbinë,/ Hinglloi gjogu, bumbulloi tanë logu.”[78]

    Kali i Arnaut Osmanit: “Shka po ushton gjama e bedovisë!/ Krali at gjam-o po e ndi,/ i thotë asqerit – Shpërndanju në shpij,/ se po vjen Arnaut Osmani…”[79]

    Kali i Imerit të Mujit: “Qatherë fushs djali po e ladron,/ Ka nisë gjogu edhe po hingllon./ Shtat krajlitë zanin ja kan ndie,/ Muja n’burk zanin ja ka ndie…”[80]

    Në këngët tona kreshnike ka skena ku hingëllima dhe duhama e kalit që vrapon me shpejtësi lë prapa po ato pasoja që lë prapa një stuhi dimërore: “ Qyre gjogi bisht e jel bashk’ i kish bamun,/ ka mar’ rrugën malet, besa, qi po i çan-e, pra/ edhe i hingllim-o gjogi qi e kish bamun-e,/ gjitha malet gjam’ paskan marrun-e;/ duhma e gjogut, besa, ka po dilte, pra/ e kishte bamun zoti jezer si n’dimën./ Edhe ather’ lisat përdhe qi po rrxohen-e/ edhe zjarm patkojt qi po i qisin-e/ e n’at jezer-o vetima qi shkeptojke.”[81]

    Ka raste që kundërshtarët tmerrohen aq shumë nga hingëllima e kalit të kreshnikut, saqë ata heqin dorë nga lufta dhe janë gati të pranojnë çdo kërkesë që u bëhet: “Atherë Muja te gjogi po shkon./ – Ah, bre gjog, dalldyshë, i ka thanë,/ ni hingllimë të vogël ti ta bajsh,/ qato kafe n’fyt-o me m’jau zanë,/ do ta dinë na t’dy qi jemi ardhë./ Edhe gjoki hingllim’n e ka marrë./ Burra e gra t’Zadranit çka janë kanë,/ shkojnë te krali. – O kral, i kanë thanë, /jepja Mujës çikën! Po ja bajnë./ Ngoja gjogit hingllimën qi e ban!”[82]

    Edhe në rrafshin estetik, hingëllima dhe trokëllima e kuajve të kreshnikëve krahasohet me bubullimën, siç e vëmë re te ky paralelizëm figurativ mohues: “Djelmt e Mretit kqyr se shka kanë thanë:/ – Ç’janë kto bumurimë qi po bumrojnë?/ A mos janë topa në Krajli?/ Betë në Zotin Mreti tuk ka ba/ – Nu’ janë, jo, kto bumurinë për qiell,/ As nuk janë gjamë luftash në Krajli,/ Por janë kah vinë Muja e Halili.”[83] Kështu ndodh edhe në kalin e Zukut Bajraktar, hingëllima e të cilit të kujton zhurmën shurdhuese të bubullimës: “Sa të madhe gjogu ka hingllue,/ gjithë Jutbinën e kite shurdhue!”[84]

    VII. Vrapimi

    Sipas Gilbert Durand-it, dhuntia e kalit për të vrapuar në mënyrë të rrufeshme lidhet me mitin diellor. Ai shkruan: “Së treti, Dotenville zbulon aspektin astral të “la Grant jument” apo të “Bayart-it” folklorik që zhvendoset nga Lindja në Perëndim me kërcime të mrekullishme: mit diellor i kristianizuar në formën e një kali të St. Martinit apo të St.-Gildas-it, thundra e të cilit ka lënë gjurmë pothuaj kudo në Francë.”[85]

    Në epikën tonë legjendare, dhuntinë e mbinatyrshme për të vrapuar me shpejtësi të rrufeshme e kanë para së gjithash kuajt e kreshnikëve kryesorë. Kali i Mujit: “Gja me sy ai nuk po shef,/ pse përpara mazi kcen,/ e përmbrapa mjegull len,/ tim e mjegull bjeshkë e fushë i bani,/ si me kanë smet me borë.”[86] Për të treguar sesa shpejt vrapon kali i Mujit, në një rapsodi thuhet se me një hap ai i kalon tri male: “Gjogun Muja e paska marrë,/ në shpi shkaun për me e nxanë,/ me ka ‘i hap tri male gjogu po i kalon…”[87]

    Kali i Halilit: “I idhtë gjogu, ma i idhtë kalori,/ me tërbim kaq rrugën ma ka marrë,/ sa shkyen ahat kur po bien npër ashta,/ re prej pluhnit po çon kur bjen fushës!…[88] Në një tekst tjetër thuhet se kali i Halilit vrapon më shpejt sesa plumbi i pushkës: “Rrept po i bien ai kalit me kamxhi./ Aman zot, çfarë vrapi qi ka marrë. Plumbi i pushkës mos me mujt m’e nxanë,/ shkumë të verdhë po shkon ati tuj qitë!”[89]

    Kali i Deli Mehmet Agës: “… gjogut udhën djali ja ka bredhë./ Erën ndryshej, thue, gjogu po e kthen,/ dushku i bjeshkës për tokë seç po bjen,/ bari i tokës krejt veç nis me u tha,/ gjurmën gjogu aty ku e ka ba!”[90] Kur lodron kali i Hysen Krajishnikut, dridhet toka, dridhen themelet e kullave dhe rrëzohen tjegullat e çatisë: “…e në shpinë dorisë m’i paska ra;/ ni lojë t’vogël për avli ja ban;/ çeramidet pej kulle po bien.”[91]

    Për të dhënë idenë e shpejtësisë së rrufeshme të kalit me veti të mbinatyrshme përdoren dy procedime. Procedimi i parë bazohet te përmasa kohore, siç ndodh në një këngë ku thuhet se kali i bën shtatë orë udhë për një orë: “Në shpin gjogut njat-her i ka ra,/ er të gjallë zotyn e paska ba,/ Shtat sahat për nja i ka kap/ Dhe n’krali at-her na paska dal…”[92] Procedimi i dytë bazohet te përmasa hapësinore: “… ka shtat’ hapa me ‘i hap po i merr,/ fusha e male mrapa po m’i len.”[93] Klisheja poetike më e shpeshtë që përdoret për të përshkruar vrapimin e kalit është sintagma tim e mjegull: “Gjog me orë, more, gjithmonë ai kish kanë,/ tim e mjegull zoti qi p’e ban,/ trup e trup, more bjeshkët po i trupon.”[94]

    Kuaj që vrapojnë me shpejtësi të rrufeshme ndeshen së pari në Iliadën e Homerit: “Kuajt e pavdekshëm e të shpejtë si era,/ që Peleut hyji Posidon ja fali,/dëshrue t’vraponin kapërcyen llogorin.” Kuaj të tillë përmenden edhe në epikën mesjetare europiane siç është kali Gramimon i paganit Valdabrun: “I hipën kalit Gramimon të quajtur./ Nuk është sqifteri aq i shpejtë si ai.”[95]

    Krahas vrapimit, kali i kreshnikëve dallohet edhe për kërcime të jashtëzakonshme, duke kaluar mbi mure shumë të larta dhe mbi pengesë të tjera: “…m’i kcen Muja mazit në’shpinë,/ po dron krali se e çon në Jutbinë,/ m’ja ka mbyllë dyert e avullisë,/ m’ja ka vu, tha, rojën shpisë,/ por ç’dobi se Muji meiherë,/ me dezgina gjogun ma ther,/ për maje avllisë e n’fushë po del;/ ma ka marrë fushën e gjanë,/ vrap të madh gjogut i ka dhanë,/ tim e mjegull mbrapa ka lanë.”[96] Kjo mikrostrukturë është e pranishme në epikën skandinave ku kali i Hermodhrit kapërcen kangjellat e Hel-it: “Pastaj Hermodhri kalëroi derisa mbërriti te kangjellat e Hel-it. Aty, ai zbriti në tokë, ia shtrëngoi rripat e shalës, i hipi kalit përsëri, i nguli shporet. Ai bëri një kërcim kaq të mrekullueshëm sa as që i preku fare kangjellat…”[97]

    VIII. Kali ndien e kupton si njeri

    Sipas Q. Haxhihasanit, kuajt e kreshnikëve janë të pajisur me veti njerëzore: inteligjencë, gjuhë e ndjenjë.[98] Nuk janë të pakta rastet kur në epikën tonë legjendare, kali krahasohet me njeriun për nga aftësia që ka për të kuptuar: “Bash si njeri gjogu tek p’e ngon.”[99] Pasi ka dëgjuar për bastin e marrë që ka vënë i zoti i tij, kali i Lule Frangut i shpreh ndjenjat si të ishte një qenie njerëzore: “Kur ka ra Lula me fjetë,/ shka ka pritë vasha me bamë?/ Mirë gjogatin po don me e tagjisë,/ n’vend të elbit grunë po i nep me ngranë,/ n’vend të ujit venë po i nep me pi./ T’madhen çudë vasha qi po ban:/ As s’po han gjogati as po pin,/ veç idhnushëm gjogu që po m’rrin,/ me kambë t’para tue çukërmue,/ aj me sy por tue lotue/ edhe dhimbshëm Ajkën po ma kqyrë,/ kryet për gjoks tuj ja fërkue,/ me qerpikë aj tuj ligjrue.”[100]

    Kur i tregojnë se krajli e ka grabitur Kunen, gjogu i Mujit reagon si një qenie me arsye, duke shprehur fuqishëm hidhërimin e zemërimin e tij: “…n’daç n’podrum, Halil, për me ra,/ gjogut t’Mujit me i diftue:/ Kunen krajli na e ka grabitë,/ gjoku shkelma ka me qitë,/ gjoku fort ka me u tërbue, podrumin ka m’e coptue,/ t’tan kalldremin tash p’e then; /gjumin Mujit po ia qet.”[101]

    Për kalin e kreshnikëve, robëria është e padurueshme. Mëzi i Mujit jo vetëm nuk e lejon t’i hipë në kurriz krajli që e ka grabitur, por i qëllon me shkelma dhe përpiqet t’i kafshojë me dhëmbë stallierët që i shërbejnë, duke e shprehur kështu mllefin e tij ndaj kundërshtarit të të zot: “Ça ka qitë krali e ka thanë?/ – Kurrgja mazi nuk po vijë,/ veç pa të Muja si të rrijë. ?Qysh at ditë-o qi e kam marrë,/ thellë në burg-o qi e kam shti,/ kush tu ai s’mundet me hi./ Idhnim mazi qi ka marrë/ e me shtjelma që ma vret/ e me dhambë qi po na han,/ për prezorjet tagjinë po ja qesim.”[102]

    E njëjta gjë ndodh me kalin e Mujit që bie në dorë të krajlit të Miskovit. Ngaqë është i robëruar, ai bëhet si i tërbuar, madje thuhet se ai është çmendur nga hidhërimi: “Çka kish ba krajli i Miskovit?/ Gjogu Mujs meç i kish dalë,/ katër kut gojn e kish hapë,/ n’ni podrum krajli e kish ‘gujue,/ për ullukësh uj’po i çon,/ për tavan sanën po ia çet,/ se z’dalke kush deren me ia çelë,/ krejt krajlit kish me i bitisë.”[103]

    Kali i kreshnikut ka edhe ndjenjën e krenarisë, të dinjitetit. Kur Omeri i ri i thotë kalit të tij se do ta shesë te qerrtarët që shesin thëngjill, ai nuk mund ta durojë një poshtërim të tillë, prandaj e plotëson menjëherë kërkesën e të zot: “Atherë gjogut m’i bërtet: /-Hajt, bre gjog, zoti ty t’vraftë!/ N’qerraxhi po due me t’shitë/ e qymyr me bajtë me ty./ N’mnerë qymyrin gjogu e pat,/ n’stom të lugut n’dy gjujt ra.”[104]

    Ashtu siç hidhërohet për fatkeqësitë që i ndodhin kalorësit të tij, kali gëzohet kur ky i fundit del fitimtar apo e vret kundërshtarin: “Me nafakë Halili kishte le,/ n’derë të shpellës krajli kur ka mrrijtë,/ n’mezdrak t’madh Halili e ka shinue,/ dekun n’tokë krajlin e la pushue./ Hinglloi gjogu mbrenda shpellë prej gzimit,/ briti vasha mbrenda prej trishtimit.”[105]

    Edhe kur është larg nga i zoti, kalin e Mujit e merr malli për kalorësin, prandaj bën çmos për të shkuar pranë tij: “Në gjysë t’udhës aty kur ish shkue,/ gjogu i Mujës për Mujin ish mërzitë,/ fort qef gjogut besa i kish ra,/ edhe ‘i herë ai Mujën me e pa./ Frejt në gojë, tha, gjoku i kish marrë, /(djali i ri-o s’mujtke m’e ndalë)/ gjogu i fortë në krye shum ish kanë,/ drejt tu Muja gjogu kâka shkue,/ hingllimë t’madhe gjogu kish hingllue./ Atherë kllapa Mujës po i del.”[106]

    Një topik i epikës sonë legjendare, por edhe i mbarë poezisë sonë gojore është vajtimi i kalit për të zotin e vdekur: “Qat vjetë Muji jetë paska ndrrue!/ Ça ka ba Zuku Bajraktar?/ Sa fort gjogun te e ka ndjellë,/ gjogu meç Mujos te i ka dalë,/ s’ â dalë kush gjogun n’dorë me e shti./ Sa t’madhe gjogu po hingllon,/ tana bjeshkët gjogu po i shurdhon.”[107] Në një tekst tjetër, gjogu qan me lot për kalorësin e vdekur: “E n’dhe Mujën e paska shti./ Sa mirë varrin po ja mlon./ E t’dy gjogat para i ka vu,/ Ja kanë nisë gjogat e po lotojnë,/ Me kamë gjogat po shkepojnë.”[108] Në këtë mënyrë kali i Halilit vajton për të zotin e vrarë në luftë: “Çaty n’skej djalit kur i ka shkue,/ ja pau xhokin tuj vajtue,/ rreth e rreth Muja paska shkue.”[109]

    Vajtimi i kalit për të zotin e vdekur ndeshet shpesh në baladat tona popullore. Në baladën Hasani e Hyseni të mbledhur në Shkrel, Rugovë, thuhet: “Afër ti ati hingllon/ e langoni po luron,/ brimë të madhe sokoli lshon,/ ‘tret po kajnë si me kanë insan.”[110] Topiku i vajtimit të kalit për të zotit ka mbijetuar edhe në epikën historike: “Hingëlliti ati tutje te çairi,/ Mos ki keq, o zonjë, se të vdiq mudiri.”[111]

    IX. Dhuntia e të folurit

    Aftësia që kanë kuajt për të folur në epikën tonë legjendare, bën pjesë në kontekstin e mitit të Kohës së Artë. Duke folur për këtë mit, G. Nagy shkruan: “Me fjalë të tjera, gjatë Kohës së Artë ka pasur një komunikim midis kafshëve e njerëzve dhe midis njerëzve e zotave.”[112] Më tej, ai shton se, sipas mitologjisë, në atë kohë, kafshët kishin të njëjtën foné (=aftësi për të folur) si dhe njerëzit…[113] Si mbijetesë e kësaj mendësie mitologjike, mund të konsiderohen shprehjet se “qëmoti (në atë kohë, in ille tempore) gjithçkahi kish pasë folë ose në atë kohë folshin edhe shtazët”, të cilat ndeshen si në këngët tona kreshnike ashtu dhe në disa legjenda.[114]

    Në poezinë tonë gojore, dhuntinë për të folur e kanë disa kafshë, sidomos zogjtë: “Paska qitë korbi e paska thanë: / -Njetash sytë t’dy ju kam ngranë!”[115]. Kjo mikrostrukturë haset edhe në epopenë skandinave: “Dy korba janë ulur mbi supet e tij (Odinit, A.P.) dhe i thonë në vesh tërë ngjarjet që shohin ose dëgjojnë…”[116] Në këngët tona kreshnike ndodh që flet edhe arusha: “Betë në zotin harusha m’i ka ba:/ – Për në kjosh çikë si m’merr vesh,/ krejt nji copet n’bark e kam!”[117]

    Në epikën tonë legjendare, më të shumtën e herës, dhuntia e të folurit i atribuohet kalit. Duke e përmendur këtë dukuri, Stavro Skëndi tregohet tendencioz kur shkruan: “Kali, më shumë në këngët serbe dhe më pak në rapsoditë shqiptare, i flet heroit.”[118] Shembujt e mëposhtëm që do të sjellim nga tërë hapësira e qarkullimit të këngëve tona kreshnike, tregojnë se kali që flet si njeri, nuk i drejtohet vetëm një personazhi, por disa personazheve.

    Mujit: “Gjogu i Mujit larg e ka pa/ e te kryet Mujit gjoku i ka shkue/ e shqelm Mujit gjogu i ka ra:/ Çou bre Muji, gjumi mos të daltë,/ se po vjen Halili tuj qa/ e Ymerin diku na kanë xanë.”[119] Në këngën Muja ik prej krajlit të lahutarit Kolë Prendi nga fshati Dush i Shkodrës: “Ati i Mujos po hingllon:/ – Hajde Mujo, se në vend po t’çoj, /se krajli vendin e ka lshue.”[120] Në këngën Ç’kanan mbledh kralat n’krajli të lahutarit Sahit Izeti, nga fshati Gradec, Gostivar: “Atëherë Muja ishte kon idhnu,/ E hoç këllëçin gjokin me e shkurtu./ Ene gjoku athere i ka thonë:/ – S’kije kah Mujo me m’shkurtu,/ E t’shkoj Fatimen me e shputu,/ Se Fatimja m’çëllonte mu./ Pesë herë natën vinte me m’çëllu./ Kaçitën e bukës ma ipte mu,/ Për Fatimen kurban kamë me shku.”[121] Në këngën Ahmeti, bit i Gjarpan Agës të lahutarit Cenë Jaha nga fshati Zasellë, Shala e Bajgorës: “At’herë foli Gjoku i mejdanit:/ – A ngo mirë, o Çete Bashe Muja,/ qisi njeri n’shpin-o së m’ka ra!”[122]

    Kali i drejtohet Beno Bajraktarit: “Gjoku i Bejnos mrapa kishte shkoumun,/ ne ku Benoja kish zonë me qajtë:/ – Pse bre gjok, kaç mrapa ti me metun?/ A don babën, gjok, t’ma marrojsh,/ a s’don motrat tej të m’i shpëtojsh?/ Hem me gojë gjoku i kishte thonë:/ – Kour nuk du babën të ta marroj,/ he ne motrat do të t’i shpëtoj,/ po kam frejkë, Bejno bre, mos të vras.”[123] Në këngën Beno Bajraktari i shpëton tri motrat, të mbledhur në Kërçovë: “Ene Benoja gjokut i ka thonë/ – A bre gjok Arapi na e shkoi/ Don babën tej, tha, të ma marrojsh?/ A don motrat, more, me m’i shpëtojsh?/ At’herë gjoku Benos i ka thonë:/ – Kam frejkë Beno o bre mo’ të vras tey.”[124] Në këngën Ç’paska qenë Beno Bajraktari: “Nana e vete i ka thanë: /-Ri more Benë mos shko n’krajli,/ Se je i ri, rrugën s’e di./ Athere foli gjoku i bardhë: / – Hajt, mori nanë mos kije gajle./ E di rrugen une për n’krajli./ Se kam qonë me baba Bebën.”[125]

    Kali i drejtohet nënës së Zukut Bajraktar: “M’â nisë nana, tha, tue lotue/ e ç’ka qitë ai gjog asaj e i ka thanë?/ – Tash shtatë vjet n’njet burg qi jam kanë,/ dritn e diellit askurr s’e kam pa,/askurr burgu mue nuk n’ka pikue.”[126] Në variantin Zuku Bajraktar merr Rushen e kralit: “Atherë qiti gjogu e i ka thanë:/ – Se n’e paçim baftin qi kem’pasë,/në Jutbinë prap shëndosh na kem’ me ardhë.”[127]

    Iliadën e Homerit kam vënë re një rast të vetëm kur kali Ksanth flet i shtyrë nga hyjnesha Herë, çka lë të nënkuptohet se të folurit për të nuk ishte një dhunti e përhershme: “E prej kularit kullmi Ksanth kambshpejti,/ me kokë përkulun dhe me kikë të derdhun,/ dalë përmbi shtijë, që der në tokë i binte,/ kështu zu e foli i shtytun nga e lumja/ hyjnesha Herë me krahë të bardhë si bora:/ Edhe ksaj herë ty sot, o Akil i ndritun,/ po të shpëtojmë; por dita e kobshme e vdekjes të erdh/ mbi krye; për ktë shkaktarë na s’jemi,/ por zoti i madh e fati i gjithpushtetshëm.”[128]

    Balius dhe Ksanthi

    Sipas P. Zumthor-it, miti i kalit që flet, është i pranishëm edhe në epopetë mongole.[129] Në epopenë akritike, kali i Konstantimit luan rolin e alter egos së këtij heroi, të cilin e kritikon sa herë që ky harbohet pas dashurive jashtëmartesore.[130]

    Një fazë e mëvonshme e mitit për kalin që flet, mendoj se është ajo mikrostrukturë që na le të kuptojë se kjo gjë nuk është një dukuri e zakonshme, por një ngjarje e mrekullishme që ndodh falë ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Zotit: “Aman Zot, ty t’koshim falë,/ Mbrekulli Zoti e kish ba!/ Me gojë gjogu aty kish folë:/ – Shtërngou, djalë, fryma mos t’ndalet!/ Pr’i sahat n’Jutbinë kam me t’shti.”[131] Kësaj faze të mëvonshme duhet t’i përkasë edhe kënga ku thuhet se kali që e kupton të folurit, përdor një gjuhë të ndryshme nga gjuha njerëzore: “Fort tutë djalit i ka hypë,/ N’guh’ të vet gjokut i ka bërtitë:/- Ma kadal, gjak, zoti të rujtë,/ gadi frymën ti ma more!”[132]

    Dëshmi e profanizimit, e parodizimit të mitit apo e folklorizimit të tij, mund të jetë varianti ku thuhet se kali do të mësojë katër gjuhë: shqip, italisht, turqisht dhe sllavisht: “Katër vjet njaty-o me ma lan,/ katër g-juh gjogu ka me i zan,/ Ni e zen shqyp, ni e zen taljan,/ Turçe e mashke ai ka me zan.”[133]

    Autoktoninë e mitit të kalit që flet, e vërteton edhe prania e tij në poezinë gojore arbëreshe ku Miloshini dialogon me kalin: “Pieti pra kalin e tij:/ – Porsa tij murxhari im,/ sa aio zëmëra më t’bën?/ – Nëntë zëmëra më bën,/ të luftoj për nëntëqind.”[134] Kështu edhe në këngën: Duall e bukura ndë derë: “Ture thënë e bukura,/ njo e proseksi murxharin/ me kapistrën për ndër këmbë/ e me selën për ndë bark/ e me flamur carr e carrë./ – Se ti i shkret e i rrëmaksëm,/ si ti vien, zoti im ku ë?/ – Mori zonja ime zonjë,/ se u t’e them, ti helmone: / Shkoi një dit e errëtez/ e një nat e tremburëz…”[135]

    Kaq i rrënjosur ka qenë në traditën tonë gojore miti i kalit që flet, saqë ai ka mbijetuar edhe në një elegji të botuar më 1854 nga Johon Georg Von Hahn: “Thërret hati ndë katua,/ Thotë: “Ç’m’u bë zoti mua?/ Të më vijë të më nisijë/ Të më hipijë, të më gjestisijë.”[136] Gjurmë të folklorizuara të mitit të mësipërm janë ruajtur sidomos në përrallat e popujve të ndryshëm.[137]

    X. Kalorësi flet me kalin

    Ashtu siç ka dhuntinë për të folur, kali me veti të mbinatyrshme ka edhe dhuntinë për të kuptuar të folurit, fjalët e kalorësit të tij apo të ndonjë personazhi tjetër si të ishte një qenie me arsye. Në epikën tonë legjendare, dialogu midis njeriut e kalit zhvillohet në situata të jashtëzakonshme, dramatike.

    a. Kalit i premton ushqime të zgjedhura: “Prap ka qitë nana e i ka thanë: / – Si n’e paçi baftin për me pështue,/ në vend t’elbit oriz kam me të dhanë;/ në vend t’ujit, venë kam me të qitë.”[138] Kjo skenë është e përfarët me atë pasazh të Iliadës, në të cilin Hektori u thotë kuajve të tij se Andromaka i ka tagjisur me grurë të ëmbël e u ka dhënë për të pirë verë: “Si foli ashtu, atllarve t’vet u briti:/ – Ksanth e Podarg, ti, Eton e Lamp hyneri,/ tani m’shpërbleni mundin që Andromaka,/ bija e shpirtmadhit Eetjon n’ju derdhi/ tue ju tagjitë gjithnji me grunë të ambël/ e ju qet verë me pi sa t’ju dojë zemra,/ dhe ju ndreq ju ma parë se mue që mbahem/ burri i saj n’lule të jetës. Ç’prisni?/ Vetimë fluturoni, t’ja rrëmbejmë mburojën/ Nestorit, – që der n’qiell i vajti zani – / krejt ngri n’flori, edhe me dorza arit,/ dhe prej krahnorit t’pasunën parzmore/ burrit Diomed që Hefesti ta farkonte/ tanë dijen shkriu.”[139]

    b. Kalit i premtohen pajime të vyera: “Nji za t’idhun gjogut pe m’ia lshon. – Ja, bre gjog, bishti t’u preftë!/ Gjog, t’më çojsh tu kulla e Serdarit,/ gjog, ta pres ni shalën e dukatit,/ potkoj, thuma do ti ve çelikut.”[140] Kjo mikrostrukturë është ruajtur më së miri te kënga epike arbëreshe Nkushti “… dreq riodh te murxhari./ – More ti, murxhari inë,/ nesër ndë lugadh të madh, / nderë mua të të m’bësh,/ nderë mua e Zotit tim./ Ndër sënduqezit e mi, / se u kam breze të rëgjëntë,/ nënbarke e më t’i bënj,/ Mori ti murxhari inë,/ nesër në lugadh t’madh,/ nderë mua ti të m’bësh,/ nderë mua e zotit tim;/ ndër sënduqezit e mi,/ kam se anak të arta,/ gjith e murxha më t’i bënj./ Hingëllisi murxhari.”[141]

    Duke përmendur premtimet që i bëhen kalit qoftë për t’i dhënë ushqime të zgjedhura, qoftë për t’i dhuruar pajisje të çmuara, A. Schmaus shkruan: “Në poezin popullore sllave të Jugut, marrëdhanja e ngushtë, plot besim e kreshnikut kundrejt kalit të vet, asht gja e dijtun, pse ai, në rasë fitoreje apo në rasë vrapimi shum të shpejtë në largësi shum të madhe, i premton kalit grun të bardhë, apo gozhda t’arta për patkojt.”[142]

    c. Kali kërcënoset se do të ketë pasoja të kobshme, po të mos kryejë një detyrë shumë të rëndësishme: “Ka qitë nana e i ka thanë:/ – Nuk ka nisë ty burgu me të pikue,/ por kam nisë ty vetë me të lotue,/ se në Krajlni Zuku don me shkue./ Besa shqijetë Zukun kanë m’ e pre/ e ty, gjog, besa, kanë me të marrë/ e samarin ty kanë me ta vu/ e qira me ty, besa, kanë me bajtë,/ të tanë patkojt ty gjog qi kanë me të ra, / të tanë kambët gjak kanë me të kullue.”[143]

    Kërcënimi i kalit me shëmtimet dhe poshtërimet që do t’i ndodhin, po të mos dalë ngadhënjyes, është një nga formulësimet më tipike dhe më të shpeshta të këngëve tona kreshnike. Ky formulësim përdoret në tërë gjeografinë e epikës sonë legjendare. Në këngën Imeri i Mujit e lahutarit Sokol Martini nga fshati Brisë i Mërturit “Për Jutbinë kryet m’ja ka dredhë,/ Turçe gjogut m’i ka britun,/ Betë në Zotin aty m’i ka ba:/ – Në Krajli mue sot me m’lanë:/ Veshë e bisht un t’i curroj,/ Ndër gabel edhe kam me t’shitë,/ Të tanë hallku me ty me keshë.”[144] Në këngën Gjure Harambashi plagos të lumet e Mujit e lahutarit Shaban Groshi nga Shkreli i Rogovës: “E ki Muji, po tha ni adet:/ Zon n’mejdan ish kjenë i parahmet./ – Davran gjog! Ai gjogut po m’i lutet,/ Davran gjog! Ai gjogut i ka thanë./ N’paç rrezik mërkovin mos me e zanë/ nuk e lë ty dreqi për pa t’granë!/ A e din hiç, tha, taxhi kush t’ka dhanë?/ Mos me e zanë mërkovin sa ma shpejt,/ der gabel û, qe besa, të shes,/ kurr prej shpine qymyri s’t’u ka hjekë!/ Lum për ty e për të lumin zot,/ thojshe gjogu nuk po shkel për tokë!”[145] Në këngën Muja e Halili shkojnë në Stamboll e lahutarit Myrsel Myslia: “Ngat Stambollit kur ishin afrue,/ gjogut t’vet-o Muja i ka thanë:/ – Ngo, bre gjog, t’ktu unë çka po t’them/ kur të bijmë n’Stambollin e gjanë,/ krejt kalldrëmin m’e nxerrë me rrajë,/ t’tanë xhamat n’hava ke me i thye,/ çeremidet ti krejt ke me i thye!/ Qeto punë ti mos me i punue,/ tybe, Muja samarin ta qes,/ rrushaxhive, tybe, ty do t’shes!”[146] Në këngën Muja vret Paun Harambashin e lahutarit Shaban Groshi: “Kur â dredhë sa Pauni me ikë,/ t’madhe Muji gjogut i ka britë:/ – Davran, gjog bre, he gjogu i bardhë!/ Ti Paunin, he gjog, mos m’e zanë,/ n’bjeshkë s’e lâ û ty për pa t’lanë,/ gjâja e malit ty gjog kanë me të granë!/ Me t’lanë n’bjeshkë, gjog û t’baj çerak;/ ka’ me t’qitë û t’shtunën në mazgjah,/ në mazgjah û t’shtunën kâ me t’çitë,/ der gabel, o gjog, û kâ’ me t’shitë,/ n’dynje shalë ma kush ty s’ka me t’qitë,/ me qymyr e thigi kanë me t’pytë/ e kush ma ty tagji s’ka me t’çitë!”[147] Në këngën Tridhet’ ag’ n’mejhan’ jan’ mbedhë e lahutarit Gjekë Martini: “Mos më çosh tu kulla e Serdarit,/ do t’qes n’dor të njaj tellallit./ Del tellalli, gjog, tuj bërtitë:/ “Kal’ mejdanit ka dal’, don m’u shitë”./ Ka me t’ble, gjog, nji qiraxhi,/ pa patkoj hyzmet ke me ba,/ barkun t’untë kan’ me ta lanë.”[148] Në këngën Ahmeti, bir i Gjarpan Agës e lahutarit Cenë Jaha: “Në podrum, bre, vetë Muja po bjen/ edhe gjogun Muja p’e shtrëngon./ Be të kqija shum po ja ban/ mos m’e rrxue Ahmetin të ri:/ “Jele e bisht-o curr un ty t’i baj!”/ Qyre, gjogu Mujën po ma ngon./ Eu Ahmeti n’shpin-o po m’i bjen./ Tri herë gjogu shah përpjetë po kcen;/ as pej shale djalin s’un e dan.”[149] Në këngën Gjoki i Mujës taxhin nuk po e ha: “Ene te gjoku kur ka shku./ – Ore gjok, ore i ka thanë,/ Shoum her me toj n’krajli kam kon./ Kurrniher jesir s’më ke lanë,/ Çe ksi reni jesir me m’lanë,/ Ti pres veshët nër xhip do t’shes.”[150] Shembujt e mësipërm janë vetëm një pjesë e formulësimeve të tilla, të përdorura në këngët tona kreshnike.

    d. Kali nxitet, trimërohet për të përballuar një vështirësi të madhe, për të kryer një bëmë të jashtëzakonshme, për të nderuar veten dhe kalorësin: “Gjogut Muji i ka bërtit:/ – Dredho, gjog, se sot t’ka ardhun dita/ mue e vedit faqen me ja zbardhë!/ Sa shpejt gjogu shkjanë e paska mrrijë!”[151] Në këngën Gjogu i Mujit: “Në kambë Muji kenka çue,/ Po don mazin me e shilue,/ Llaf po ban n’at burg të zi:/ – A po don, maz, me ardhë me mue,/ Me t’shetitë der tu ni krue,/ Me matë fusha e me matë bjeshkë,/ Për me dalë n’shefi t’Krajlisë,/ Për me u pri Agve t’Jutbinës?”[152] Në këngën Halili – krajl i Kotorreve e lahutarit Hysen Alimusaj nga Strellci i Deçanit: “Nxu Halili gjogut e i ka thanë:/ – A merr vesh, o gjogu i mejdanit!/ Boll n’shum lufta me bacën ki ra,/ faqebardhë, more, bacën e ki nxjerrë./ M’ka ardhë rendi unë ty me t’provue./ Shtrëngoi gujt, bre gjog, ty baca t’pastë!/ Bash si njeri gjogu qi p’e ngon-/ bisht e jele bashkë po i ban,/ para zitnave prej toke â da/ edhe krajlit mrenda, qyrë, i ra.”[153] Në këngën Muja i liron shokët prej burgut e lahutarit Riza Bllaca: “Niska gjogut Muja po i kallxo:/ – More gjok-o, bir-e, po ja ban,/ shum e luftat bashkë i kemi ba,/ kurr ma n’zor-o se sod nuk jem kanë./ Pra allahi ty kuvet me t’dhanë/ a gajret ti sa t’munesh me ba,/ sa ma shpejt-o n’Zadër ti të m’çon/ se sot Talen, o bir, ngusht e kam -/ qe nan vjet-o krali ma ka zanë/ o sot kryet po don me jau marrë.”[154] Në këngën Stojan Kapedani rrëmben Hajkunën elahutarit Halil B. Mehmetaj: “Qyr, për dere qaty kur â dalë,/ ni piskamë gjogut po m’ja ban:/ – Ku je gjog, bre, qaty i ka thanë,/ n’dash hallall mundimin me ta ba,/ krejt takatin sod ti ke për m’e qitë./ Si insan, po gjogu vesh e merr,/ gjog me orë ai gjog ish kanë,/ dojshin mêtë të shkretin m’e lanë,/ tim e mjegull zoti qi p’e ban.”[155]

    Ky formulësim i epikës sonë legjendare të kujton fjalët që u thotë kuajve të tij Antiloku në këngën XXIII të Iliadës: “Mbas tij leshverdhi Manela Atridi,/ kerrit i grahte, i treti Antiloku,/ që kuajve t’jatit tue i thekë u briti:/ – Hani, o azgana, dhe ma shpejt vraponi./ Nuk po ju them që në këtë mundje t’mateni/ me kuajt e birit të Tyde kreshnikut,/ pse kuajve tij fuqi u kalli Athina,/ me faqe t’bardhë qiti fitues Tydidin,/ por zeni kuajt e Menela Atridit,/ e para tyne t’mos t’ju lëshojë zemra,/ se asht turp t’ju mundë pela Etë që asht femën.”[156]

    e. Kalit i jepet një porosi

    Kalorësi flet me kalin për t’i dhënë një porosi, për ta udhëzuar se si do të veprojë në të ardhmen. Para se të hakmerret ndaj nënës së pabesë dhe dashnorit të saj, të cilët ia kanë verbuar sytë, Zuku Bajraktar e porosit kështu kalin e tij: “Dy fjalë gjogut n’ja ka thanë:/ – Un’njanë anë, gjog, ti n’anë tjetër,/ se un sod do t’marr nji gjak të vjetër,/ qi kurr ksi gjaku kuj s’i ra me marrë./ A thue ndjeve, more gjogu em i mirë,/ hup ku t’mundesh, more gjogu em i bardhë,/ se n’baftë dita e eme për me ardhë,/ der në derë un ty prap kam me t’lypë.”[157]

    Kalit mund t’i japë porosi edhe ndonjë i afërm i kalorësit, siç është rasti i Dylberes së Bardhë: “Ka pritë çika e i ka thanë:/ – A merr vesh, o gjogu i mejdanit?/ Për Klladushë ti rrugën ke me e marrë!/ Për Halilin Muja në t’pëvetë,/ thuej: – Ja lashë asaj Dylberes Bardhë,/ për të zoti, thuej e kish falë,/ s’mundet robi jo për me ia ndalë.”[158]

    Nana e Agës Hysen Agë e porosit kalin që t’i sjellë një shenjë nga djali i saj, po qe se ai do të vritet në Kotorr: “Gjogun gryk’ e ama ia ka marrë,/ tri her’ n’faqe ia ka puthë:/ – Amanet, gjog, i ka thanë,/ për kët maj’ ty si t’kam ba,/ n’koft’ ky djal’ n’Kotorr me më metë,/ ni shej’ të tij me dham’ me m’ia marrë/ e për në Jutbin’ për me ma pru!”[159]

    Para se të dalë në fushën e dyluftimit, Zeqir Bajraktari e porosit kalin që të bëjë disa veprime të veçanta: “ – Oro xhok, – djali i ka thanë, – t’koftë haram maja çi t’kam ba,/ n’të dy sytë ti me lotue,/ n’të dy kamt me tapallue,/ na po dalim n’fushë t’mejdanit.”[160]

    Kur shkon për të takuar sulltanin, i cili e ka thirrur në Stamboll për ta ndëshkuar, Halili e porosit kalin të marrë pamje të llahtarshme, të shkatërrojë kalldrëmin, për t’i tmerruar banorët e kryeqytetit të perandorisë: “Qyr me pa at Sokole Halilin!/ M’i ka ramun gjogut-o në shpinë:/ – Ku je, gjok, he zoti ty të ruejtë!/ Gjith si t’them gjogat me m’nigiue,/ Thik përpjetë kryet ti me ma çue/ E n’shpin bishtin ti me e qitë/ E t’katra kamt me i çatallue,/ Tan kalldramin me e coptue,/ Dugajxhit me m’i trishtue./ Si i thotë, gjogu e ka nigiue…”[161]

    Halili i rrethuar nga shkiet në Shpellë të Zezë e përdor kalin si postier për t’i çuar Mujit një letër të tij. Kali bën çmos për ta kryer porosinë e të zotit: “Ashtu letrën djali e ka çkrue./ Qat kollan-e gjogut ja shliroi,/ nën kollan, more,/ qat letër p’e lshon./ Qyr kollanin apet ja shtrëngoi,/ e dizginat në shalë po ja vjerr,/ prej Klladushe kryet po m’ja kthen,/ ni shuplakë, more, n’vithe po m’ja jep,/ ni piskam ai përmas po m’ja ban:/ – Ti, në kosh ai gjogu qi t’kanë thanë,/ dej n’Klladushë ti vrapin mos m’e ndalë!/ Gjog me orë, mor gjithmonë ai ish kanë, /tim e mjegull zoti qi p’e ban,/ trup e trup, more, bjeshkët po i trupon./ Se n’Klladush-e gjogu kur asht dalë/ e te dera e Mujës kur po shkon,/ derën mshel-e gjogu qi p’e gjen./ Me kam t’para gjogu po kazdis,/ si insan, ai në derë po cokat,/ (‘I) hingëllimë t’madhe dikur ma ka ba.”[162]

    Formulësimi që bën fjalë për porosinë që i jepet kalit, nga epika legjendare ka kaluar në epikën tonë historike: “Aliut t’vogël si dukati,/ Tue kazdisun i vinte ati./ – Mos kasdis i lumi bardhosh,/ Po lutju zotit të shkojm shëndosh.”[163]

    Kalorësi i jep porosi kalit edhe në epopenë persiane. Sipas Henri Massé-së, para se ta lërë veten në dorë të fatit, Siavoshi e mbështet kokën e Behzadit pas kraharorit dhe i flet në vesh, duke e porositur që të lërë t’i afrohet vetëm Kei Kosrau…[164]

    f. Kali qortohet për një veprim të papërshtatshëm

    Duke e konsideruar kalin si një qenie që ndien e kupton si njeri, kalorësi e qorton kur ai trembet nga diçka që nuk është e udhës të ketë frikë. Kali i Gjergj Elez Alisë llahtariset nga kali i kundërshtarit, të cilin e kanë mbështjellë me lëkurë kafshësh dhe i kanë varur këmborë e zile, por qortimi i kalorësit e bën që të sillet ndryshe: “Kur i hipi Gjergji gjogut t’bardhë,/ nis me u trem-o, gjogu don me ikë./ Tremë i dhanë, tha, lkurat-o të gjedhe,/ kish pasë lkura l’ujqve e t’harushs,/ të kaprojve e t’dhive të egra./ – Ku je, gjog bre! Gjergji po i bërtet,/ qysh të tremin lkurat që janë dekë?!/ Shum je kanë ti me babën npër bjeshkë,/ i ke pa gjallë boll gjen-o të gjallë,/ kurr s’je tremë as ikën s’e ke marrë;/ po t’frigojnë ty kumonë e cingare!/ Qysh me ikë, mor’ gjog, marre për ty,/ kumonë e cingare kem’ der dhen e dhi!/ At’herë gjogu m’ledinë â dalua.”[165]

    Sapo dëgjon fjalët qortuese të Mujit, i cili i flet  gjogut në gjuhë të vet, kali vepron pikërisht ashtu siç i thotë kalorësi: “E atëherë Muja dredhë edhe m’ish kanë,/ e niske krali ikën e ka marrë,/ e i rreptë gjogu fort edhe m’ish kanë,/ e nuk po munet kralin-o me zanë,/ e n’guhë t’vet more, gjogut britë i ka:/ – E nal, bre gjog, bre zotyn të vraftë!/ E po don kralin ti me ma pshtu!/ E atëherë gjogu zanin ja ka njoftë,/ e t’dy kamt, more, ngulë edhe si i ka,/ e hiq prej veni nuk po don me lu…”[166]

    I menjëhershëm është reagimi i kalit të Mujit kur dëgjon qortimin e Halilit, pas grabitjes së Kunes nga krajli: “N’podrum djali shpejt po bjen./ – Zoti t’vraftë, gjogut po i thotë,/ shum hysmet Kunia t’ka ba,/ n’vend t’tagjis’ oriz t’ka shti,/ n’vend t’ujit t’ka qit’ raki,/ sot krajli na e ka grabitë./ Po merr gjoku hingëllimë,/ aqe fort qi asht tërbue:/ t’tan’ kalldrëmin e ka coptue,/ prej gjumit Mujin e ka çue.”[167]

    XI. Shenjat me të cilat kali parashikon fatkeqësitë

    Në epikën tonë legjendare, thuhet në mënyrë të shkoqur (eksplicite) se kali është i aftë të dallojë dukuritë përtejshqisore (transhendentale): “Thonë se kali nuk ka praskë, mendoi. Pra, po t’ishin hije ase thopça, ay do t’i shihte. Përgjoi nji grimë me të përgjethuna shtatit, por nuk ndjeu gja jashta ujit qi vrunjonte në gurrë e kalit bri tij tue çukërmue tokën me kambë.”[168]

    Karakteri i mbinatyrshëm i kalit del në pah edhe nga dhuntia që ka kjo gjallesë për të paralajmëruar ngjarje që kanë ndodhur larg apo do të ndodhin në të ardhmen. Trajta më e lashtë që bën fjalë për dhuntinë ndivnuese të kalit, duhet të jetë ajo kur ky i fundit e paralajmëron kalorësin duke përdorur një ligjërim të nyjëtuar: “Hyqmet zoti e ka ba,/ me gojë gjogu kishte folë:/ – S’ke, bre Muj, pse m’ban me plasë,/ sot dobi vrapi s’po t’ban/ se ndër kulla shkjau na ka ra/ edhe kullat djegë na i ka/ edhe gruen ty ta ka marrë.”

    Në tekste të tjera, parashikimi i ngjarjeve nga kali bëhet me anë të disa shenjave simbolike, të cilat, sipas besimeve popullore janë shenja ogurzeza.

    Shenjat që ndeshen më shpesh janë:

    a. britma e kobshme

    Kur kreshnikët ndahen nga Muji e Halili, kuajt e këtyre të fundit lëshojnë një britmë që paralajmëron se kjo ndarje do të pasohet nga një fatkeqësi e madhe: “… â petë Muja, tha, me vlla të vet,/ janë petë lidhun, po, gjogat e shkretë,/ Nam po bajke, tha, ai gjogu i shkretë;/ si insani brimën e ki marrë,/ kurrë s’ish msua me u da, pa atllarë,/ po ish msua gjith me kjenë i parë.”[169]

    b. Çukërmimi

    Sipas besimeve popullore shqiptare thuhet se kali asnjëherë nuk ndjell vdekje, vetëm ai e ndien hijen e vdekjes që i vjen rrotull të zot, prandaj i bie tokës me këmbën e parë dhe e bën gropë atë. Megjithëse besohej se ai përgatiste varrin e të zot, në këtë rast, kalin as nuk e rrihnin, as nuk e nëmnin, vetëm se e largonin nga ai vend.[170]

    Çukërmimi i tokës nga kali, si shenjë që paralajmëron një ngjarje të kobshme është një dukuri e shpeshtë në këngët tona kreshnike: “Gjoku i Mujës ç’athere se çka ban./ Me komë t’para vorr po ban./ Shokët e vet Mujës i kanë thanë,/ Merre gjokin tej çite n’pazar,/ E ta shesish gjokun qiraxhi./ Natë  ditë që s’e le me pri,/ Me taxhi barkun mos me e fry./ Atëherë shokve u ka thanë:/ – Shoum të mençët gjokin unë e kam./ Sa herë gjoku kshtou mu ma ban,/ Ka ni t’keçe krali mu ma ban.”[171]

    Gropa e hapur me këmbë nga kali i Musa Qesexhisë arrin deri te gjuri i katërkëmbëshit: “Hini nana allin me ja çit./ Alli i mjer n’gju n’tokë ka hup./ Ene Musa ishte drejtu./ Nana e vet i ka vikat.”[172]

    Në një tekst, gropa e hapur nga gjogu i Mujit ka përmasa hiperbolike: ajo është aq e thellë sa tërë katërkëmbëshi humbet në të: “Heret çohet Bylykbashe Muja / E ka shkue gjogun me e shikjue / Ni shejni gjogu ia kish ba:/ Me potkoj gjith natën kishte rrmue,/ Ni grop t’madhe gjogu e kish ba,/ Krejt në grop’ gjogu kish kalue.”[173]

    c. lotimi dhe çukërmimi

    Shenjës së gropës që simbolizon varrin, në disa tekste i shtohet një shenjë tjetër ndjellazezë, lotimi i kalit që të kujton ritin e përmortshëm: “Edhe n’kambë Muji m’â çue,/ se aj te gjogu kenka shkue,/ ka gjetë gjogun to lotue,/ me kambë t’para tu çukërmue./ Trimin gjogu e ka mjerue./ Shpejt n’log t’agëve Muji â dredhë,/ – A ndigiuet, agëve po u thotë,/ çetë prej çete mos me u da,/ se mbas shejes qi gjogu m’ka,/ nuk kem’ ra te shpija shndosh!”[174]

    Në këngën e Halit Halitit, nga fshati Cerovë, Tetovë: “N’taxhi t’gjogut ja ka dhonë./ Do nishane gjoku po i kallxon./ N’të di sytë gjoku po loton./ Me kamë t’para varr po ban.”[175]

    d. mospranimi për të ngrënë tagjinë

    Kali me veti të mbinatyrshme i paralajmëron ngjarjet tragjike edhe duke mos e ngrënë tagjinë. Madje ky veprim e dallon gjogun e Mujit nga kuajt e tjerë, të rëndomtë që nuk kanë dhunti ndivnuese: “Tanë alltart-o tagjinë po e hanë,/ Gjogu i Mujës tagjinë nuk e han/ veç me kamë ai tokën e kazdis,/ teri n’gu-o llogor po e ban.”[176]

    Në këngën Muji i liron shokët nga burgu i Zadranit e lahutarit Riza Selim Bllaca nga Bllaca e Suharekës: “Gjok i Mujës, more, ni seri me pa,/ hiq taxhinë at dit s’e paska ngranë,/ si gomar, more, vesht poshtë po i lshon,/ n’të dy syt, besa, gjoki po loton!/ Eh, nën bark shalën kur pe lshon,/ gjithë tabjat gjoki e paska pasë,/ naj rrezik, more, kur dojke me ardhë,/ besheretet si insan i kallxon.”[177]

    Në këngën Gjoki i Mujës taxhin nuk po e ha të lahutarit Adil Emini nga fshati Brodec, Tetovë: “Gjoki i Mujës taxhinë nuk po e ha./ Gjoki i Mujës taxhinë s’e ka ngranë./ Ene ni vorr e mbaron me komë./ Shokve t’vet Muja u ka thanë:/ – Unë shoum here n’krajli jam kon./ Çë kshtou gjoku m’u s’ëm ka bo./ Çe ksi reni me mës shku n’krajli./ Ka me na zanë krajli jesir.”[178]

    Dhuntinë e kalit të kreshnikëve shqiptarë për të paralajmëruar ngjarje të kobshme, studiuesi danez Minna Skafte Jensen e ka përqasur me të njëjtën dhunti që ka kali i Akilit: “Në raste të tjera gjogu qan kur i zoti niset për ndonjë udhëtim të rrezikshëm. Kështu bën dhe kali i Lule Frangut. Ky bashkëpërkim ka paralelen e vet në Iliadë : kali i Akilit paralajmëron vdekjen e heroit në çastin kur ai fillon luftën për të marrë hakun e shokut të vet, Patroklit.”[179]

    Dhuntinë për të paralajmëruar rreziqet që i kanosen heroit, e ka edhe Rakshi, kali i Rostemit, i cili, kur shkon në një vend ku i kanë ngritur pritë të zotit, nuk pranon të ecë përpara…[180]

    XII. Ndihma e kalit

    Për të ndihmuar kreshnikët, nganjëherë kuajt bëjnë veprime që janë jashtë mundësisë së tyre dhe mund t’i marrë përsipër vetëm një qenie njerëzore, e pajisur me arsye dhe me duar. Kështu ndodh me kalin e Halilit, i cili ia këput prangat të zotit: “Atin Krali ia ka dhanë./ Sa kah shpija jan’ largjue,/ atit fjalt ia ka kujtue./ Kçire ati asht zemrue,/ me dhamë prangat ka coptue./ Halilin e vogël e la lirue.”[181] Kjo klishe epike ndeshet edhe në tekstin Halili pret kralin të mbledhur në Nangë të Kukësit: “E Didilit troj pejka i pshtuen, grëjti di kam’t e para, ja pkuti prangat n’kamë e në duer.”[182]

    Kali e ndihmon të zotin duke vrarë kalin e kundërshtarit: “Kali i Filipit me t’Mujës qenkan rrokë,/ Deri n’veshë kanë sharrue në tokë,/ Baca Muji gjokut po i vikat:/ – A po ngon, bre gjoke ti?/ Sa ma shpejt kalin e Filipit me ma mbytë.”[183]

    Kali e ndihmon kreshnikun duke luftuar përkrah tij, duke i vrarë ushtarët kundërshtarë me dhëmbë e me shkelma: “Mirë Halili aty po na lufton,/ Gjogu i Mujës Halilit po i ndihmon./ Gjogu i Mujës kqyre çka ba!/ Krejt asqerin në dhambë po e han/ e sa shkelma mbrapan si po qet,/ aq të dekun krajlit ia ka ba.”[184] Për t’i siguruar fitoren të zotit, gjoku i Mujës kryen veprime të jashtëzakonshme, e tund tokën si tërmeti, e mbulon balozin me jargët e tij: “Tre sahat, thotë, kur iu ki’ afrue:/ – Haram të koftë, gjog, majn qi ta kam ba,/ e ven taxhie – oriz aga t’ka dhanë!/ E rrapllimë të madhe, tha, ti me çue,/ tokën nër gur bajlozit me ia lue,/ e, tha, jargt n’gjoks ati me ia gjue!/ O, ja ka nis gjogu po tërrfat,/ jargt balozit n’gjyks po m’ja qet,/ rrapllimë të madhe, po, tha, paska çue,/ tokë e kersh bajlozit po ja lue…”[185] Gjurmë të zbehta të këtij formulësimi janë ruajtur edhe në epikën historike: “Ali Pashë Berati,/ ç’po t’luftonte ati!”[186]

    Në disa tekste, kali e shpëton nga vdekja kreshnikun e plagosur, duke e tërhequr nga fusha e betejës apo duke e çuar në shtëpi: “Fort po ik ai Gjetobashe Muja;/ treqind shki përmbrapa po m’i shkojnë./ N’Lugje t’Verdha Muja kur â dalë,/ gja për veti trimi ditë nu’ ka,/ met i pshtetë n’qafë t’gjogut të mejdanit./ Gjogu i mirë kryet Mujës po ja pshton…”[187]

    Me forcën e tij të jashtëzakonshme, kali hap dyert e mbyllura me lloze dhe ia bën të mundur kreshnikut të hyjë atje ku ka dëshirë: “… n’kamë të mrame kaskan kâka çue,/ me kam t’para dyerve ç’u ka ra/ me gjithë drangje gati mrend me i shtie.”[188]

    Formulësimi i ndihmës së kalit për të zotin e tij ndeshet edhe në balada apo në përralla popullore, siç është rasti i përrallës arbëreshe Farasmaëni.[189]

    Për praninë e këtij formulësimi në epopenë persiane, H. Massé shkruan: “Gjatë luftërave dhe aventurave, nganjëherë luftëtarët ndihmohen nga kali i tyre. Kështu Raksh, doriu i famshëm i Rostemit, e do dhe e kupton të zotin: në rast rreziku, e zgjon me hingëllimat e tij apo e paralajmëron me anë të nervozitetit të tij; gjatë luftimit, i kafshon me tërbim armiqtë.”[190]

    XIII. Sublimimi i kalit të kreshnikut

    Një mënyrë për ta dalluar kalin e kreshnikut nga kuajt e zakonshëm, për ta sublimuar atë, ka qenë zbukurimi i tij me pajime sa më të kushtueshme, të sajuara me gurë të çmuar, me metale si floriri dhe çeliku, me lëkurë të zgjedhur si telatini dhe me stof të endur me fill mëndafshi: “Në Pazar me të po bjen,/ e për krye frenin ja pret,/ sa t’mirë shalën n’shpinë ja qet,/ ishte freni telatinit,/ ishte shala prej brishimit,/ krejt me gurë prej xhevahirit,/ nandë kollarë mademesh ltinit,/ tanë potkojt-o prej florinit,/ mbërthye thundrash prej çelikut…”[191]

    Përveç kalit të Mujit, në këtë mënyrë sublimohet edhe kali i ndonjë kreshniku të jashtëzakonshëm që ka lidhje gjaku me të, siç është rasti i gjokut të Zukut Bajraktar: “Ka nisë nana gjogun për m’e shlue,/ ja ka vu shalën prej florinit,/ m’ja ka vu bilanat telatinit/ e m’ja ven frenin ibershimit/ e n’fund shkallave Zukut ja ka çue.”[192]

    Nganjëherë, stolive të kalit u shtohet edhe konotacioni magjik me anë të përdorimit të numrave magjikë, siç është numri treqind, shumëfish i treshit, i trinisë: “Hej, moj nanë, zoti ka me të vra,/ hin ‘i herë n’at burg t’errtë,/ ma qit gjogun pullali;/ m’ja ven shalën maxhareshë,/ m’ja vê frenin treqin pullash.”[193]

    Në ndonjë formulësim që shërben për sublimimin e kalit të kreshnikut, gjejmë edhe të dhëna me karakter ekonomik, të cilat hedhin dritë mbi marrëdhëniet e Shqipërisë Veriore dhe të Epikës sonë legjendare me romanitetin perëndimor. Një e dhënë e tillë është përdorimi i thumbave me cilësi të lartë, të farkuar në Venedik: “Për dore gjogun e merr/ e n’pazar sa shpejt po bjen,/ n’nallban gjogun po e çon,/ n’katra kamsh gjogun e mathë,/ shal’ e fre mir ia ka pre,/ ia ven shalën prej florinit,/ math e ka patkoj çelikut/ edhe thumat Venedikut.”[194]

    Ky procedim epik sublimues vihet re edhe në poezinë gojore arbëreshe: “ – Ishë një trim i bukurith,/ i bukurith, i gjelburith,/ me një mustaq të ngrehurith,/ me një kal të mbrimurith,/ me një shalëzë të mëndafshë,/ me një qengle saravilustë,/ me një fre hrisonemi…[195]

    Formulësimi për sublimimin e kalit të kreshnikut me anë të pajimeve të përgatitura me metale të çmuara duhet të jetë një arketip universal, sepse atë e gjejmë edhe në epikën mesjetare të Europës Perëndimore, siç e dëshmon ky pasazh nga Kënga e Rolandit: “Marsili urdhëroi të bien dhjetë mushka t’bardha,/ që ato dhuratë ia çoi mbreti i Suatilës./ Frenat kanë arit, shalat n’serm punuar.”[196]

    * * *

    Duke u përpjekur të mohojë autoktoninë e këngëve kreshnike shqiptare dhe të mbrojë hipotezën e huazimit të tyre nga epika gojore e sllavëve të jugut, studiuesi Stavro Skëndi shkruan: “Gjuetia dhe interesimi për kuajt janë një tipar tjetër boshnjak në këngët shqiptare rë ciklit të Mujit e Halilit.”[197]

    Nuk ka dyshim se interesimi për kuajt dhe kulti i kalit që ka mbijetuar në epikën tonë legjendare nuk është huazuar aspak nga kultura e fqinjëve tanë veriorë, por është vazhdimësi e të njëjtit kult që ka qenë pjesë e mitologjisë së ilirëve dhe të arbërorëve të hershëm, vazhdimësi e një tradite shumëshekullore të zbutjes, të rritjes dhe të përdorimit të kuajve. Këtë vazhdimësi e vërtetojnë dëshmi të shumta që nuk vijnë vetëm nga epika jonë legjendare, por edhe nga fusha të tjera të etnokulturës sonë.

    Duke iu referuar shkrimtarit latin, Festus, E. Çabej thotë se hyjnia kryesore e fisit ilir të mesapëve, për nder të të cilit flijoheshin disa kuaj, ka qenë Juppiter Menzana. Ai shton se emrin e kësaj hyjnie, G. Stieri e ka përqasur me shq. Tosk. mëz, geg. maz[198]

    Në studimin e tij Kulti i kalit tek ilirët dhe shqiptarët, Moikom Zeqo shkruan: “Kali është një kafshë hyjnore që lidhet me hyun e detrave, tek ilirët me Redonin dhe te grekët me Poseidonin.”[199] Kalin e kanë adhuruar si hyjni mbrojtëse sidomos lundërtarët ilirë, të cilët, sipas Aleksandër Stipçeviçit e kishin zakon të vinin në bashin e anijeve të tyre një kokë kali.[200] M. Zeqo mendon se besimi popullor për ekzistencën e njerëzve të fuqishëm me bisht kali është jehonë e mitit të kentaurit.[201]

    Mbijetesa të kultit të kalit janë disa besime popullore që lidhen me këtë kafshë. Duke iu referuar Dr. Siebertzit, Vladan Gjorgjeviç shkruan se para çdo kulle shqiptare shihet një kafkë kali e vënë majë një purteke.[202] Po ashtu, deri vonë, në Shqipëri, potkoi i kalit është përdorur si fetish fatsjellës, duke e vendosur në derën e shtëpisë apo në ndonjë vend tjetër.

    Trajta të folklorizuara të kultit të kalit janë legjendat mitologjike që bëjnë fjalë për kuaj që hidhen nga shkëmbi në shkëmb apo nga mali në mal, që lënë në gur gjurmët e këmbëve të tyre, siç është rasti i kalit të Skënderbeut. Kali zë një vend të rëndësishëm në përrallat tona popullore, duke qenë një nga personazhet e tyre kryesore…

    Dëshmitë më të hershme që hedhin dritë mbi traditën e rritjes së kuajve dhe të përdorimit të tyre në luftë nga të parët e shqiptarëve, janë zbulimet arkologjike. Sipas arkeologut Skënder Anamali, dy nga relievet e zbuluara në Apoloni, paraqesin një kalorës të hipur mbi një kalë të harbuar, të veshur me një këmishë lufte, i cili me dorën e majtë mban një mburojë të rrumbullakët dhe në të djathtën ka një heshtë të gjatë.[203]

    Arkeologu i larpërmendur thekson se në relievet e Apolonisë ka elemente që mungojnë në momentet helene të këtij lloji: “Një figurë kali me këto përpjestime kemi përsëri në Apoloni, por këtu kalorësi nuk asht hypun në kalë. Kalorësi asht paraqitë në ¾, gati në drejtim të shikuesit kah i cili asht drejtue edhe fytyra e tij që sot asht e dërmueme. Me gjithë të metat në përpjestimet, skulptori ka dijtë të vejë në dukje mjaft imtësisht pajisjet e kalit, që nga freni deri te shala, imtësi këto që mungojnë zakonisht në monumente helene të këtij lloji dhe që e bajnë relievin e Apollonisë një ekzemplar të rrallë.”[204]

    Një reliev votiv me figurën e kalorësit, e zbuluar në qytetin ilir Rizon, i kushtohej perëndisë ilire të luftës, Medaurit. Monumente që e paraqesin Medaurin si kalorës janë zbuluar në disa vise të Ilirisë.[205]

    Gjetjeve arkeologjike të mësipërme, mund t’u shtohet edhe dëshmia e Kiriakut të Ankonës që erdhi në Durrës më 1436. Në portën veriore të rrethojës së kështjellës ai pa statujën prej bronzi të një kalorësi, të cilin Ana Komnena e kishte përmendur katër shekuj më parë…[206]

    Dokumenti shkrimor më i hershëm që bën falë për traditën e kalërimit në viset e Shqipërisë së sotme, është ai që thotë se në Olimpiadën e 66 në Olimp të Greqisë, në vitin 557 para Krishtit, e fitoi banori i Epidamnit, Kleosteni.[207]

    Në veprën e tij Bibliotheca historica (Biblioteka historike), në Librin XVI, Diodori flet për luftën e mbretit ilir Bardhyl kundër Filipit II të Maqedonisë. Ushtria e mbretit Bardhyl përbëhej nga dhjetë mijë këmbësorë të zgjedhur e afro pesëqind kalorës.[208]

    Duke ironizuar me të drejtë qëndrimin joobjektiv të S. Skëndit, V. Sejko i kujton studiuesit sllavofil pikërisht rastin domethënës të mbretit Bardhyl: “Autori nuk i njeh mirë shqiptarët e do e bën. Në fakt kalorësi i parë që përmendet rreth 400 para e r. është mbreti ilir Bardhyli, sikundër na informon historiani romak Luciani, i cili thotë: “Mbreti ilir Bardhyli luftonte 90 vjeç kaluar në kalë.”[209]

    Në veprën Scriptores Historiae Augustae (Shkrimtarët e historisë së perandorëve), autori që përshkruan luftën e perandorit romak Klaud kundër gotëve, vlerëson guximin e jashtëzakonshëm të kalorësisë dalmate.[210] Roli i kësaj kalorësie del në pah edhe në veprat Panegyria latini (Panegjerikët latinë)[211] apo Historia nova (Historia e re).[212] Sipas V. Sejkos, në veprën e tij Gjeorgjikët, kalin ilir, Virgjili e ka quajtur të bukur e të shpejtë për lojërat olimpike.[213]

    Kantakuzeni flet në kronikën e tij për 500 000 kuaj që ndodhen në Arbëri.[214] Edhe sikur numri i tij të jetë i tepruar dhe të kenë qenë së paku 5000 kuaj, kjo sasi nuk do të ishte e vogël, për atë kohë.

    Ndonjë të dhënë shkrimore për traditën e kalërimit në viset e Shqipërisë së sotme ka edhe nga periudhat e mëvonshme. Në një dokument të lëshuar më 20 janar 1416, shkruhet se krerët e Hotit, një fis që bën pjesë në një nga vatrat kryesore të epikës sonë legjendare, do t’i shërbenin Venedikut me treqind burra, nga të cilët tetëdhjetë do të ishin kalorës.[215]

    Në veprën e Marin Barletit Historia e Skënderbeut ka të dhëna të shumta për numrin e kalorësve në ushtrinë e Skënderbeut, për rolin që luajti kalorësia në betejat që kryetrimi shqiptar zhvilloi në Shqipëri dhe në Itali, kur vajti në ndihmë të Ferdinandit të Napolit. Në librin Venecia dhe Shqipëria: Gjurmë të lidhjeve antike të Lucia Nadin-it thuhet: “Tregojnë heroizmin e tyre nën udhëheqjen e Skënderbeut: krenohen se mund të pregatisin 30000 kuaj në luftë kundër turkut…”[216] Në dokumentet që bëjnë fjalë për Shqipërinë veriore, vihet theksi pikërisht te tradita e kalërimit, e përdorimit të kuajve nga luftëtarët e atëhershëm: “Kjo (Shqipëria) është një provincë e madhe dhe e bukur, shumë pjellore në pjesën veriore, sepse malet e mbrojnë nga furia e erës së ftohtë të veriut. (…) Ruajnë akoma njerëzit traditat dhe mënyrat skitike. Janë luftëtarë të zotë, sidomos në kalërim, nuk lodhen kurrë dhe nuk e lënë asnjëherë të qetë armikun, duke shkatërruar çdo gjë që del përpara në luftë…”[217]

    Jehonën e kësaj tradite, të ruajtur në poezinë gojore arbëreshe, është detyruar ta pranojë edhe S. Skëndi, i cili shkruan: “Dashuria për kalin është po aq e madhe, si dhe në këngët serbe. Heroi duke vdekur dëshiron që ta lidhin kalin e tij te varri:

    Të më lidhin atje murxharin.(13).”[218] Megjithëse pohimi i mësipërm bie në kundërshtim me pohimin e mëparshëm, sipas të cilit interesimin për kuajt shqiptarët e paskëshin huazuar nga boshnjakët, ky autor nuk e merr fare mundimin ta sqarojë një kontradiktë të tillë, e cila bëhet edhe më flagrante, po të kemi parasysh se këngët arbëreshe kanë një moshë së paku pesëshekullore, kurse sipas Skëndit, këngët kreshnike shqiptare janë huazuar nga sllavët e jugut në shekullin XVIII.[219]

    Duke folur për luftërat midis Perandorisë bizantine dhe sllavëve, Alain Ducellier thotë se këta të fundit nuk e njihnin kalorësinë: “Ndërsa rusët që madje nuk e njohin kalorësinë, sulmojnë me një rrëmujë të papërshkrueshme, bizantinët u kundërvihen duke përdorur përvojën e tyre dhe shkencën e tyre teknike.”[220] Ka të ngjarë se ashtu si rusët, edhe sllavët e jugut nuk e kanë njohur kalorësinë, por e mësuan atë nga popullsia vendase pas ardhjes së tyre në viset e Ballkanit, në trojet e banuara nga ilirët…

    Kuajt dhe kalorësit shqiptarë vazhduan të përmenden edhe në Kohën e Re. Sipas V. Sejkos, në luftën e Cambrait-së më 1508-1512, midis francezëve dhe anglezëve, kalorësit shqiptarë u dalluan si më të mirët.[221] Kështu ndodhi edhe në Hungari, gjatë fushatës së princit Eugjen, në More ku më 1716 kaloria shqiptare luftoi përkrah gjeneralëve venecianë. Kuajt e Shqipërisë i mburr një studiues i njohur i kësaj periudhe si Pouqueville.[222]

    Vlerësime pozitive për kuajt e Shqipërisë dhe në shqiptarët ka bërë edhe ndonjë autor sllav, i cili shkruan: “Shqiptarët e Kaçanikut janë hollakë e të pashëm… Sidomos janë të dëgjuar kuajt e tyre.”[223]

    Dashuria e shqiptarit për kuajt, atributi i tij si kalorës i rrallë ka lënë gjurmë në traditën e popujve fqinjë. Në poezinë Amaneti i një bariu të poetit rumun Gheorghe Cosbuc (1866-1918), heroi që po vdes, ua lë gjërat e tij më të çmuara njerëzore të ndryshëm: “Armët e mia t’i dhuroni/ te rumunët, jo të tjerë!/ Sharrën e madhe le ta marrë/ rumuni nga Ardenali,/ Zinxhirët, me të të çajë!/ Pallën një munteani! /Harkun atë prej mëndafshi,/ Lëriani një moldaviani!/ Kalin tim një shqiptari,/ Se është trim dhe i drejtë.”

    Duke folur për traditat e shqiptarëve, J. Carlus shkruan: “Ata (gegët, A.P.) luftojnë sidomos në kalë dhe përdorin për mrekulli heshtat e tyre të gjata.:[224]

    Në shkrimet e hulumtuesve të ndryshëm shqiptarë gjejmë të dhëna për kalorës me aftësi të jashtëzakonshme, siç është rasti i Hodo bej Nivicës: “Në shënimet e mia të vjetra, kam të dhëna nga dy pleq shkodranë rreth disa aftësive të Hodo beut si kalorës i rrallë, sepse me kalin e tij “Dervishin” bënte akrobaci vërtet të çuditshme, kur organizoheshin gara hipizmi. Kur në festën e vrapimit me kuaj hidheshin të hollat, Hodo beu i hipte kalit dhe, duke vrapuar, mblidhte të hollat e derdhura rrugës. Po kështu në vrap e sipër hudhte shaminë përpjetë dhe e ndante me shpatën e tij dysh.”[225]

    Si kalorës i jashtëzakonshëm mbahet mend edhe Ibrahim Beka nga Tplani i Tropojës, i cili, kur e lodronte kalin në fushë, kapuçin e bardhë e lëshonte në livadh, e kapte pa zbritur nga kali dhe vazhdonte garën me kalorësit e tjerë.[226]

    Nga shembujt e shumtë që sjell epika jonë legjendare kur flet për zotësinë e kreshnikëve për të kalëruar, po zëmë ngoje ndonjë prej tyre: “… dikur mazin zapt e ka ba;/ përpjetë dromin ma ka marrë,/ tanë kalldrëmin po e thërmon,/ fill kah fusha po ma çon/ e me të mirë po lodron,/ tash e ulë urë për tokë,/ tash ma ngre ai thikë përpjetë,/ pes konopë kcen përiherë;/ tre sahat lojën s’ma dan.”[227]

    Në një këngë tjetër vihet në dukje pikërisht n ami që ka shqiptari si kalorës i zoti: “Vrafti Zoti, m’mejhane tuj pi./ (a) çohshin djalin, tha, m’e pa me sy./ – Qysh kaq bet ktâ zoti e ka falë,/ si me kjenë prej Klladushe do ‘i agë?/ Qysh kaq bukur ky po rrin në kalë,/ si me kjanë, kopili, thanë, shqiptar?”[228]

    Në këngën Martesa e Hysen Krajishnikut të lahutarit Sokol Brunçaj nga fshati Vuthaj, Guci, thuhet se vajza e zgjedh burrin e saj të ardhshëm, duke pasur parasysh se sa i zoti është ai për të kalëruar: “Ti do t’çohesh, Hysen, do t’shtrëngohesh/ e n’avlli dorinë për me e qitë,/ n’shpinë dorisë Hysen ti do t’i hipsh,/ ‘i lojë t’vogël n’p’r avlli me ja ba,/ për prozore çika ka me t’pa./ Çi n’dashtë çika, Hysen, për me t’marrë,/ ty ni shej ka me ta dhanë.”[229]

    Në epikën tonë legjendare paraqitet fushimi i kreshnikëve dhe i kuajve të tyre në pllajat e bjeshkëve. Skena kaq të gjalla mund të përshkruheshin vetëm nga lahutarë që kishin parë me sy fushime të tilla: “Edhe nata i xen për rranxë nji brejit,/ Rremi i tij sa trupi i ahit të bjeshkëve,/ Nanqind vetëve kollaj me u ba hije./ Aty burrat vend kanë xanë;/ Kanë lshue gjogat nëpër ashtë;/ Nëpër bar gjogat kanë hupë;/ Vetë janë ulun bukë me ngranë.”[230]

    Pasazhi i mësipërm të kujton një skenë të përafërt që ndodhet te Kënga e Rolandit: “Për këtë fushim vendosi perandori./ Në një vend shkretë zbresin n’tokë francezët./ Ata prej trupit kuajve u heqin shalat,/ dhe prej koke frenat e praruar; nëpër livadhe i lëshojnë krej lirshëm/ ku ata gjejnë shumë bar të njomë e t’freskët:/ për kujdes tjetër s’kanë nevojë asfare.”[231]

    Në analogji tipologjike midis epikës sonë legjendare dhe asaj franceze është edhe dënimi i fajtorit, i tradhtarit apo tradhtares, duke e shqyer me anë të kuajve: “Mujo begu ç’ka marou,/ në saraj na kishte hypë,/ grun e vet e ka morrë,/ në dy kol e kishte lidhë,/ grun e vet don me e shetrejtë/ copa-copa e ka bo.”[232] Në një mënyrë të ngjashme ekzekutohet tradhtari Ganelon nga francezët: “Mbi të gjithë të tjerët morën vendim Frengët/ të vdesë Graneli me angështi të tmerrshme,/ Katër kuaj lufte aty përpara u sollën,/ pastaj aty i lidhin këmbë e duar./ Kuajt janë krenarë e në vrapim t’rrufeshëm,/ katër sergjentë atyre u grahin para / drejt një përroi që përshkon përmes fushës./ Nervat e tij t’shkatërruar i shtendosen,/ gjithë gjymtyrët e trupit i këputen:/ mbi bar të blertë i qartë gjaku i përhapet.”[233]

    Mbi traditën e lashtë të rritjes dhe të përdorimit të kuajve hedh dritë edhe një këngë legjendare, në të cilën Halili e qorton rëndë vëllanë e madh që ka vendosur të bëj tram kalin, i cili është një “shej i moçëm”, një kafshë e shenjtë që i sjell mbarësi shtëpisë: “Nisi Mujën djali p’e qorton:/ – O t’vraftë Zoti, lum baca! i ka thanë/ Se je ba, mor’ krajlia me t’ardhë/ punë ma t’keqe kurr ti nuk ke ba./ Le qet motër pa izë qi e ka dhanë,/ bashkë me krushqi dje qi s’na ke ardhë,/ po qysh gjogin, bre bacë, tramp m’e ba?/ Shej i moçëm gjithmonë ai â kanë.”[234]

    Tradita e rritjes dhe e përdorimit të kuajve ka vazhduar me shekuj, përderisa epika jonë legjendare nuk i bën jehonë vetëm periudhës së lulëzimit të kastës së kalorësve, por edhe periudhës së rënies së saj: “Sene t’thata kishin marrë, / të tanë agët fikë ishin kanë,/ po m’i shesin xhokat e mejdanit,/ ‘i kashore buk’ me nxi ç’i p’e hajnë.”[235]

    Etnografët shqiptarë kanë mbledhur një varg të dhënash që tregojnë se kali ka qenë një element i mënyrës së jetesës dhe i kulturës së popullit tonë. Atë Kolë P. Berishaj thotë se shtëpia e mirë në malësi duhej të kishte së paku një kalë shale dhe disa kuaj barre për të dalë në bjeshkë.[236] Duke folur për ritin e vdekjes në malësi, At Gjon Karma shënon: “Kur des i Zoti i shpis, i presin bishtin kalit qi ka hypë në tâ, e per nji shtek nuk hypë kush n’at kal në shej nderrimi, por e marrin për dore, e ia lanë sidomos nuses ma të re.”[237] Nga ana e tij, Fadil Mehmeti shkruan se kur vdiste i zoti i shtëpisë, kalit të tij të shalës i prisnin bishtin, kikat e jelet dhe i lidhnin një shami të zezë dhe e merrnin pas vigut deri në varreza. Në Kelmend, ekzistonte mallkimi: “T’u preftë bishti i kalit!”[238] Dukuria e prerjes së bishtit të kalit kur ndodh një vdekje e mynxyrshme haset edhe në hapësira të tjera kulturore. H. Massé thekson  se pas vdekjes së Aleksandrit të Madh, i vunë zjarrin pallatit të tij dhe ua prenë bishtin kuajve…[239]

    Kali ka ruajtur një rol të rëndësishëm sidomos në ceremoninë e dasmës. Ka shumë këngë dasme që flasin për udhëtimin e nuses, hipur në kalë, nga shtëpia e prindërve në shtëpinë e burrit. Një nga përbërësit e kësaj ceremonie, në disa vise ka qenë zhvillimi i garave me kuaj: “Gjatë dasmave në Llapin e Epërm, përveç mënyrave të tjera të argëtimit ishte zakon të organizohej edhe “ygdyli”, garat në vrapime që bëheshin në bazë të rregullave të caktuara. “Ygdylxhitë” që zinin vendet e para, merrnin shpërblime.”[240]

    Një dukuri etnografike që lidhet me kalin, është edhe përdorimi i emrit të kësaj kafshe, krahas emrave të kafshëve të tjera, si emër njeriu. Një banor i një fshati të Pukës e ka pasur emrin Kalë Uka. Nga emri kalë është formuar antroponimi Kalosh, i cili ka një përdorim mjaft të gjerë sidomos në zonën lindore të trojeve shqiptare…

    Më në fund, për të vërtetuar se traditën e rritjes së kuajve dhe të kalërimit, shqiptarët nuk e kanë huazuar nga sllavët e jugut, siç mëton S. Skëndi, argumenteve  të radhitura më sipër, mund t’u shtojmë edhe argumentin filologjik.

    Emrin e kalit të Akilit Balios, studiuesi rumun Gheorghe Mihaila e ka lidhur me fjalën shqipe balash, balosh, me fjalën bălas në lituanisht dhe bals në letonisht.[241]

    Midis ilirizmave të latinishtes, E. Çabej përmend edhe fjalën mannus: “Pastaj lat. Mannus “kalë i vogël”, kalush, pony”, e krahasueshme me shq. Mëz, rum. Minz, mesap. Juppiter Menzana.”[242]

    Ndonjë dijetar tjetër mendon se lista e fjalëve që lidhen me kalin apo me kalërimin dhe që e kanë burimin nga ilirishtja, është më e gjerë. M. Zeqo shkruan: “Kulti ilir i kuajve është kaq me peshë tek të parët tanë, saqë një dijetar i formatit të madh, austriaku Karl Treimer thotë se emri i kalit në Europë ka origjinë ilire. Vetë emri Hipius që quhet kali, lidhet me foljen “hip”, dmth., të kalërosh. Sipas Treimerit fjala “kabalos” që e kanë romakët për kalin është fjalë tipike ilire.”[243]

    Sipas Dr. Ivan Popović-it, kuajt shqiptarë (thrakas) kanë luajtur rol të rëndësishëm në garat me kuaj që zhvilloheshin në kryeqytetin bizantin. Këtë e dëshmon termi rendai, me të cilin bizantinët quanin garat me kuaj dhe hipodromin. Ky term rrjedh nga folja shqipe rend që lidhet me gjermanishten rennen “me vrapue”.[244]

    M. Lambertz vë në dukje se termat teknikë të drejtimit të kalit janë terma vendas si: me ia dredhë kryet prej krajliet, me i grahë me mamuza (shpore), me i therë në dezgina, me i hipë kalit, me u ulë prej kalit etj.[245]

    Një dëshmi e traditës së lashtë të përdorimit të kalit janë edhe emërtimet e shumta që shenjojnë këtë njëthundrak. Natyrisht, ashtu siç kanë ndikuar në sferat e tjera të jetës, gjuhët e huaja kanë lënë gjurmët e tyre edhe në këto emërtime. Është për t’u vënë re se huazimet që lidhen me kalin janë turko-arabe, pra nuk ndeshen huazime sllave. Emërtimet kryesore për kalin sipas moshës, seksit, ngjyrës dhe funksionit janë: maz (mëz), kalush, kalë, pelë, dori, bedevi, at, atkinë, zogat, murgar, murxhar, gjog, vraç, balash, kull, kullash, mindil, thimosh, hamshor, hergele, çil, balosh, allxhe etj.

    Emërtime të tilla përmenden shpesh në këngët tona kreshnike, siç e vëmë re në këtë pasazh: “… e po n’Klladush-e, po, kral-e, me shkua:/ e bacit Mujë, more, n’kull-e me i ra/ e me ja vjedhë at gjogin e bardhë;/ e me i ra n’kullë, more, Tale Budalinës/ e me ja vjedhë, he, bojali kullashin;/ e me i ra n’kull-e Kovaçin-e Ramit/ e me ja vjedh-e at vraçin e zi…”[246]

    Duke komentuar togfjalshin gjogu i bardhë që haset shpesh në këngët tona kreshnike, M. Lambertz thotë se epiteti i bardhë mund të jetë imitim i serbokroatishtes bielo që përdoret dendur në këngët e guslarëve.[247] Mendoj se ky shpjegim nuk qëndron, meqenëse në shqip epiteti i bardhë më tepër sesa ngjyrën, shenjon mbarësinë, siç del nga urimi i njohur: Ardhsh i bardhë! Me këtë kuptim, epiteti i bardhë përdoret edhe në epikën tonë legjendare: Ishte errë ajo nata e bardhë…[248]

    Nga emri kalë është formuar një çerdhe mjaft e gjerë fjalësh si:

    folje: kalëroj

    emra: kalor, kalorës, kalori/ kalorësi, kalërim

    ndajfolje: kalas, kaluar, kaluarthi, kaliqafë, kalapeç, kalistrof.

    Në kuptim metaforik, fjala kalë është përdorur edhe në emërtimet e mëposhtme: kali i qyqes, kalështriga, kali i vorreve, kali i lahutës etj.

    Si një nga dëshmitë më të hershme e më domethënëse për traditën e kalërimit që ka mbijetuar në këngët tona kreshnike, është figura e kuajshiluesit mitik. Kjo figurë e përfaqësuar nga Muji që zbut mazin me atribute hyjnore ka analogji tipologjike me Nakula-n indu, me Kikkuli-n hitit, me Akilin e Iliadës,[249] me Aleksandrin që zbut Buqefalin, me Rostemin që zbut Rakshin, me Siavoshin që zbut Behzadin,[250] dhe me Digjenis Akritasin që zbut kalin e tij.[251]

    Përveç Mujit, atributin e kuajshiluesit mitik e ka edhe vëllai i tij, Halili, siç thuhet shprehimisht në një motërzim të këngës Gjogu i Mujit: “Atherë Halili ç’ka qitë e i ka thanë?/ – Kurrnja asosh, krajl, baba s’m’i ka lanë./ As s’m’ka lanë gjojen me gjue,/ as çobaninë në bjeshkë me shkue,/ as çetën me çetue,/ por bixhi kvalsh baba m’ka lanë/ e qet zanat baba ma ka lanë.”[252]


    [1] Maximilian Lambertz, Epika popullore e shqiptarëve, Çështje të folklorit shqiptar, 6, Tiranë, 1998, f. 28

    [2] Alois Schmaus, Poezia epike shqiptare, Shejzat, prill – qershor, 1970, f. 123

    [3] Epika legjendare, I, Tiranë, 1966, f. 20, 42

    [4] Çështje të folklorit shqiptar, 2, t. 1986, 224

    [5] Dr. Demush Shala, Rreth këngëve kreshnike shqiptare, Prishtinë, 1985, f. 10

    [6] Këngë kreshnike, III, Prishtinë, 1993, f. 314 (Më tej KK, III)

    [7] Homeri, Iliada, Tiranë, 1965, 432

    [8] Po aty, f. 251

    [9] AIKP, Fondi i Qemal Haxhihasanit, vëll. 28, f. 235

    [10] Homeri, vep. e cit., f. 320

    [11] Këngë kreshnike, I, Prishtinë, 1974, f. 189 (Më tej KK, I)

    [12] Prof. Eqrem Çabej, Disa figura të mitologjisë popullore shqiptare, Çështje të folklorit shqiptar, Tiranë, 1982, f. 114

    [13] EL, I, f. 109

    [14] Epika legjendare, II, Tiranë, 1983, f. 39 (Më tej, EL, II)

    [15] Po aty, f. 336

    [16] KK, III, f. 124

    [17] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 22, f. 57

    [18] KK, I, f. 118

    [19] Edith Durham, Brenga e Ballkanit, Tiranë, 1990, f. 515

    [20] EL, I, f. 342

    [21] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 70, f. 71

    [22] EL, I, f. 109

    [23] Po aty, f. 204

    [24] Tregoi: Nuredin Lushaj, Tiranë, 18. 4. 2006

    [25] EL, I, f. 110

    [26] EL, II, f. 39-40

    [27] Charles Austrand, Épopée indoue, Paris, 1946, f. 27

    [28] Këngë popullore legjendare, Tiranë, 1955, f. 118 (Më tej KPL)

    [29] Po aty, f. 118

    [30] EL, II, f. 74

    [31] Rapsodi kreshnike, Tiranë, 1983, f. 26

    [32] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasani, vëll. 20, f. 9

    [33] KK, I, f. 218Tregoi: Nuredin Lushaj, Tiranë, më 18. 4. 2006

    [34] Tregoi: Nuredin Lushaj, Tiranë, më 18. 4. 2006

    [35] EL, I, f. 110

    [36] EL, II, f. 39

    [37] KPL, f. 118

    [38] EL, I, f. 264

    [39] EL, II, f. 298

    [40] Tregoi: Ibër Dula, Bajram Curri, më 25. 2. 1979

    [41] Shefqet Hoxha, Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f. 139

    [42] AIKP, Fondi i Gjergj Komninos, Radhori 355, f. 75

    [43] Sh. Hoxha, vep. e cit., f. 126

    [44] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. II, f.77

    [45] Hafezat Osmani, Epikë popullore shqiptare, Shkup, 1999, f. 167

    [46] Këngë kreshnike, II, Prishtinë, 1991, f. 47

    [47] EL, I, f. 84

    [48] Fulvio Cordignano, La epica di confine nell’ Albania del Nord, Padova, 1943, f. 95

    [49] KK, I, f. 10

    [50] Po aty, f. 265

    [51] KK, II, f. 585

    [52] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 23, f. 24

    [53] KK, III, f. 256

    [54] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasani, vëll, 28, f. 273

    [55] AIKP, Fondi i Gj. Konninos, Radhori 348, f. 176-177

    [56] Tregoi: Dare Tabaku, Jançë – Gramsh, 1989; mblodhi Petrit Basha

    [57] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. IX, f. 250

    [58] Tregime dhe këngë popullore për Skënderbeun, Tiranë, 1967, f. 118

    [59] Alexander Hagerty Krappe, Mythologie universelle, Paris, 1930, f.70

    [60] Snorri Sturluson, L’Edda, 1991, f. 177

    [61] Anthologie de la poésie roumaine, Bucaresti, 1979, f. 82

    [62] Mircea Eliade, Mythes, rêves et mysteres, 1985, f. 181

    [63] EL, I, f. 98

    [64] Po aty, f. 208

    [65] Po aty, f. 69

    [66] KK. I, f. 101

    [67] KK, III, f. 199

    [68] Shefqet Hoxha, Epikë legjendare nga rrethi i Kukësit, Tiranë, 1983, f. 51

    [69] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 21, f. 175

    [70] A. H. Krappe, vep. e cit., f. 70

    [71] KK, III, f. 256

    [72] Materiali ndodhet në dosjen e autorit

    [73] Yvonne de Sika, Fêtes et croyances en Europe, Bordas, 1995, f. 193

    [74] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 70, f. 66-67

    [75] A. H. Krappe, vep. e cit., f. 70

    [76] E. Çabej, art. i cit., f. 114

    [77] EL, I, f. 211

    [78] Po aty, f. 204

    [79] Po aty f. 382

    [80] KPL, f. 217

    [81] EL, II, f. 132

    [82] KK, III, f. 265

    [83] KPL, f. 198

    [84] EL, I, f. 428

    [85] Gilbert Durand, Les structures anthropologiques de l’imaginaire, Paris, 1995, f. 84

    [86] EL, I, f. 113

    [87] Tregoi: Shane Sylja; mblodhi; Col Çokaj, Curraj i Epër, 1973

    [88] EL, I, f. 208

    [89] KK, I, f. 100

    [90] EL, I, f. 295

    [91] KK, I, f. 150

    [92] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 28, f. 19-20

    [93] RK, f. 27

    [94] KK, I, f. 118

    [95] Turoldus, Kanga e Rolandit, Tiranë, 2003, f.

    [96] EL, I, f. 115

    [97] Europe, août – septembre, 2006, f.60

    [98] KPL, f. 118

    [99] KK, I, f. 31

    [100] EL, I, f. 339

    [101] EL, II, f. 28

    [102] EL, I, f. 114-115

    [103] EL, II, f. 45

    [104] EL, I, f. 123-124

    [105] Po aty, f. 210

    [106] KK, I, f. 145-146

    [107] EL, I, f. 253-254

    [108] KPL, f. 297

    [109] Sh. Hoxha, vep. e cit., f. 14

    [110] Balada e legjenda, Prishtinë, 1974, f. 199

    [111] Mbledhës të hershëm të folklorit shqiptar, Tiranë, 1961, f. 316

    [112] Gregory Nagy, Le meieull des Achéens, Paris, 1994, f. 363

    [113] Po aty, f.366

    [114] Tregoi: Nuredin Lushaj, Tiranë, 12.11.2005

    [115] EL, I, f. 238

    [116] S. Sturluson, vep. e cit., f. 70

    [117] EL, I, f. 239

    [118] S. Skëndi, vep. e cit., f. 231

    [119] EL, I, f. 424

    [120] Po aty, f. 57

    [121] H. Osmani, vep. e cit., f. 129

    [122] KK. III, f. 157

    [123] Po aty, f. 199

    [124] Dr. Qemal Murati, Këngë të moçme kërçovare, Tetovë, 2000, f. 71

    [125] H. Osmani, vep. e cit., f. 226

    [126] EL, I, f. 171

    [127] Po aty, f. 428

    [128] Homeri, Iliada, Tiranë, 1965, f. 313

    [129] Paul Zumthor, Introduction à la poeésie orale, Paris, 1983, f. 114

    [130] Anthologie de la poésie néohellenique, Paris, f. 464

    [131] KPL, f. 223

    [132] EL, II, f. 74

    [133] AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 28, f. 18

    [134] MHFSH, I, f. 168

    [135] Po aty, f. 191

    [136] MHFSH, I, f. 78

    [137] Ariane De Félice, Contes de Haute Bretagne, Paris, 1954, f. 25

    [138] EL, I, f. 428

    [139] Homeri, vep. e cit., f. 119

    [140] RK, f. 26

    [141] MHFSH, I, f. 145-146

    [142] Alois Schmaus, art. i cit., f. 129

    [143] EL, I, f. 428

    [144] KPL, f. 223

    [145] KK, I, f. 13

    [146] Po aty, f. 77

    [147] Po aty, f. 369

    [148] RK, f. 26

    [149] KK, III, f. 157

    [150] H. Osmani, vep. e cit., f. 148

    [151] EL, I, f. 100

    [152] KPL, f. 177

    [153] KK, I, f. 215

    [154] Po aty, f. 288-289

    [155] KK, III, f. 124

    [156] Homeri, vep. e cit., f. 366-367

    [157]  EL, I, f. 130

    [158]  KK, I, f. 217

    [159]  EL, II, f. 104-105

    [160]  Po aty, f. 151

    [161]  AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 21, f. 14

    [162]  KK, I, f. 118

    [163]  Visaret e Kombit, XIV, Tiranë, 1944, f. 24

    [164]  Henri Massé, Firdoussi et l’épopée nationale, Paris, f. 161-162

    [165]  KK, III, f. 18

    [166]  KK, II, f.282

    [167]  EL, II, f. 28

    [168]  KPL, f. 301

    [169]  EL, I, f. 192

    [170]  Etnografia shqiptare, V, Tiranë, 1974, f. 259

    [171]  H. Osmani, vep. e cit., f. 134

    [172]  Po aty, f. 192

    [173]  AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. 21, f. 288-289

    [174]  EL, I, f. 95

    [175]  H. Osmani, vep. e cit., f. 136

    [176]  KK. I, f. 145

    [177]  KK, II, f. 156

    [178]  H. Osmani, vep. e cit., f. 146

    [179]  Çështje të folklorit shqiptar, II, Tiranë, 1986, f. 207

    [180]  H. Massé, vep. e cit., f. 161

    [181]  EL, II, f. 169

    [182]  Sh. Hoxha, vep. e cit., f. 199

    [183]  AIKP, Fondi i Q. Haxhihasanit, vëll. IV, f. 38

    [184]  EL, I, f. 197

    [185]  KK, II, f.8

    [186]  Këngë popullore historike, Tiranë, 1956, f. 130

    [187]  KK, I, f. 243

    [188]  EL, I, f. 101

    [189]  Guiuseppe Schìro, Canti Tradizionali, Palermo, 1986, f. 475

    [190]  H. Massé. Vep. e cit., f. 161

    [191]  EL, I, f. 110

    [192]  Po aty, f. 428

    [193]  Po aty, f. 377

    [194]  EL, II, f. 39-40

    [195]  MHFSH, I, f. 30

    [196]  Tyroldus, vep. e cit., f. 26

    [197]  S. Skëndi, vep. e cit., f. 174

    [198]  Eqrem Çabej, Historia e gjuhës shqipe, Tiranë, 1973, f. 32

    [199]  Gazeta “Korrieri”, 23 gusht 2002, f. 14

    [200]  Po aty, f. 14

    [201]  Po aty, f. 14

    [202]  Dr. Vladan Georgevitch, Les Albanais et les grandes puissances, Paris, 1913, f. 178

    [203]  Skënder Anamali, Të dhana mbi elementin ilir në qytetet mitike Epidamn dhe Apolloni, Buletin për shkencat shoqërore, Tiranë, 1951/1, f. 15

    [204]  Po aty, f. 16

    [205]  Po aty, f. 16-17

    [206]  Ilirët dhe Iliria te autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 246

    [207]  Po aty, f. 139

    [208]  Iliria dhe ilirët te autorët antikë, Tiranë 1965, f. 139

    [209]  Veis Sejko, Mbi elementet e përbashkëta në epikën shqiptare-arbëreshe dhe serbokroate, Tiranë, f. 179

    [210]  Ilira dhe ilirët e autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 325

    [211]  Po aty, f. 344

    [212]  Po aty, f. 411

    [213]  V. Sejko, vep. e cit., f. 179

    [214]  Cantacuzène, Homme d’Etat et historien, Paris 1845, f. 134-135

    [215]  Regjistri i Kadastrës dhe i koncesioneve për rrethin e Shkodrës 1416-1417, 1977, f.199-200

    [216]  Lucia Nadin, Venecia dhe Shqipëria: Gjurmë të lidhjeve antike, Venezia Mestro, 1995, f. 14

    [217]  Po aty, f. 13-14

    [218]  S. Skëndi, vep. e cit., f. 119

    [219]  Po aty, f. 51

    [220]  Alain Ducellier, Le drame de Byzance, Paris, 1997, f. 208-209

    [221]  V. Sejko, vep. e cit., f. 180

    [222]  Po aty, f. 180

    [223]  Po aty, f. 180

    [224]  J. Carlus, Les Albanais, Revue de géographie, Paris, 1881, f.2

    [225]  Hamdi Bushati, Shkodra dhe motet, II, Shkodër, 1999, f. 345

    [226]  Xhevdet Malaj, Kur flasin burrat e Malësisë, Tiranë, 2003, f. 236

    [227]  EL, I, f. 110

    [228]  KK, I, f. 225

    [229]  Po aty, f. 150

    [230]  KPL, f. 142

    [231]  Turddus, vep. e cit., f. 112

    [232]  KK, II, f. 493

    [233]  Turddus, vep. e cit., f. 164

    [234]  KK, III, f. 82

    [235]  Sh. Hoxha, vep. e cit., f. 147

    [236]  Atë Kolë P. Berishaj, Etnografi, 3, Tiranë, 2003, f. 23

    [237]  At Gjon Karma, Ndër male tona, Shkodër, 1940, f. 242

    [238]  Fadil Mehmeti, Zakone, rite e besime vdekjeje në Kelmend, Etnografia shqiptare, Tiranë, 1978, f. 349

    [239]  A. Massé, vep. e cit., f. 204

    [240]  Ramadan Ibrahimi, Dasma në Llapin e Epërm, Gjurmime albanologjike, Folklor dhe etnografi, Prishtinë, 1980, f. 231

    [241]  Gheorge Mihăilă, Les plus anciens attestations de certains mots probablement en roumain, Traco-Dacica, Bucaresti, 1997-1-2, f. 50

    [242]  E. Çabej, vep. e cit., f. 33

    [243]  Gazeta Korrieri, 23 gusht 2002, f. 14

    [244]  Dr. Ivan Popović, Elemente të gjuhës shqipe në gjuhët e huaja, Përparimi, Prishtinë, 1957/1-2, f. 24-25

    [245]  M. Lambertz, art. i cit., f. 29

    [246]  KK, II, f. 113

    [247]  M. Lambertz, art. i cit., f. 29

    [248]  EL, I, f. 118

    [249]  Charles Autrand, vep. e cit., f. 24

    [250]  H. Massé, vep. e cit., f. 162

    [251]  Revue des études sud-est européen, Bucaresti, 1970/2, f. 390

    [252]  EL, 1, f. 273

    Botuar në numrat 237-238 të Gazetës ExLibris

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË