More
    KreuLetërsiShënime mbi libraPrirje të studimit të teksteve dhe autorëve të letërsisë në botime shkollore...

    Prirje të studimit të teksteve dhe autorëve të letërsisë në botime shkollore shqiptare të gjysmës së parë të shekullit të kaluar

    Nga Evalda PACI

    Teksti si medium në një proces edukativ dhe funksional dhe në ndihmë të mësimdhënësve të gjuhës e të letërsisë shqipe ka qenë prej kohësh objekt trajtimi në botime që pikë së pari kanë pasur një destinacion të paracaktuar për shkollimin parauniversitar. Në ditët e sotme të tilla botime nuk e kanë humbur vlerën e referimit sa i përket faktit që përfaqësojnë përpilime të lavdërueshme për brezat që pasuan një proces të gjatë brendësimi të metodologjisë së mësimdhënies, por dhe të mjeteve konkrete që e ndërmjetësonin atë, ndërkohë që dhe në pikëpamje të brendisë shkencore dhe elementeve origjinale që gjurmohen në to ka mjaft për të thënë e për të shtuar.

    Botimi në vitin 1936 i një vepërze që ngërthente elemente të trajtimit në një perspektivë sa gjenealogjike (E.Çabej, Elemente të gjuhësisë e të literaturës shqipe), aq dhe tipologjike të gjuhëve të caktuara e që përfaqësonin dhe referenca të mirëfillta në kuptimin e një formimi gjuhësor të nxënësve të asaj kohe, por dhe linja të vështrimit në një mënyrë të veçantë të teksteve kryesisht letrare që kishin parë dritën e botimit shekuj më parë, përbën pa asnjë dyshim një hap shënues drejt një ecurie që prirej sa nga studimi në nivele shkollore parauniversitare, aq dhe nga vëzhgime më të thelluara që shtysën mund ta merrnin pikërisht nga të tilla përpilime komplekse që merrnin parasysh rëndësinë e studimit të lamijeve të ndryshme, por themelore të dijes e shkencës. 

    Rëndësia e tekstit në kuptimin e sigurimit të një feedbacku pozitiv dhe frytdhënës për nxënësit mund të receptohet fare mirë, por dhe në qasje të ndryshme prej modelesh që janë konceptuar t’i shërbejnë një edukimi kompleks në dijet e humanitetit dhe të disiplinave konkrete siç janë gjuhët klasike dhe letërsia antike, klasiciteti me autorë përkatës e në parim me më përfaqësuesit në kuptimin e gjinive letrare që kanë përuruar, antikiteti si periudhë dhe ekzemplar i studimit të qasjes ndaj individualitetit të natyrës njerëzore etj.

    Në tekstet me destinacion të mirëfilltë edukimin liceal dhe parauniversitar të përpiluara gjatë dekadave të para të shekullit të kaluar receptohet ndjeshëm një angazhim i autorit apo i autorëve për të nxitur jo vetëm nxënien e nocioneve që janë specifike për vetë botën e lashtë dhe modelet që ajo ofron, por dhe një preokupim i qartë për të shtjelluar në pikëpamje termash dhe emërtesash çka është e shqipes dhe e regjistrave kryesorë e specifikë të saj. Në një vështrim të ditëve tona shumë prej teksteve që përbëjnë paragrafe të rëndësishme të përmbajtjes së tyre mund të jenë objekt i një vëmendjeje kritike që vë në dukje dhe diferencime të diktuara nga ndryshimet graduale që kanë përfshirë dhe arsimin parauniversitar dhe studimin e një bote të tillë, e bërë pjesë e programeve shkollore në një tjetër masë dhe në të tjera modalitete. Por nënvizimi i rëndësisë që ka studimi i një realiteti të largët në kohë dhe që nuk ka munguar të ofrojë shembuj të individit që përbën modelin e njeriut që kërkon të eksplorojë botën, që kërkon kthim në vatrën familjare mbas peripecish e ndeshtrashash që ofron jeta vetë, modele të autorit që shkruan për familjarë dhe miq duke themeluar dhe gjini shkrimore tipike të periudhës në të cilën kanë jetuar nuk duhet konsideruar i zbehur dhe i tejkaluar. Kujtojmë në këtë rasë rëndësinë që u jepet në shkollat evropiane veprave themelore të letërsisë antike, asaj greke dhe latine, në kuptimin që botime mirëfilli filologjike vihen në përdorim në formate të një natyre sa didaktike dhe shkencore, duke i shërbyer një objektivi të shumëfishtë që ka prioritet formimin individual me elemente të një kulture që ka shënuar e vijon të jetë faktor për vetë evropianitetin si nocion e model qytetërimi.

    Modelet që mund të marrim në kuptimin e një referencialiteti gjegjës dhe që dëshmojnë dhe rëndësinë që paraqiste në vitet ’30-40 të shekullit të kaluar edukimi me disiplinat e sipërpërmendura janë të ndryshme, por gjithsesi i bashkon fakti që vëmendja ndaj aspektit didaktik dhe ofrimit të mundësisë së njohjes sa më të mirë të letërsisë klasike në shkolla ka bërë të mundur të eksplorohen metoda dhe qasje origjinale si ndaj kësaj letërsie, ashtu dhe ndaj nxënësit dhe përdoruesve të tjerë të këtyre teksteve. Përpiluesit në gjuhën shqipe janë njohës të mirë të kësaj letërsie falë dhe një formimi që përkon me vetë kohën dhe prirjet e përqendruara të saj në pikëpamje edukimi dhe formimi, por njëkohësisht do të jenë dhe për ne po aq burime referimi sa u përket disiplinave themelore studimore në albanologji: studime mbi morfologjinë dhe leksikun e shqipes, gramatologjinë dhe letërsinë e shkruar shqipe etj.

    Në një kohë të afërt paraqiten me anë botimesh të tilla si Eqrem Çabej dhe Aleksandër Xhuvani, por ndërkohë nuk lëmë jashtë vëmendjes Karl Gurakuqin dhe përkushtimin e tij për latinishten klasike dhe Atë Viktor Volajn O.F.M., i cili dha një tjetër shembull në lidhje me kompetencën e tij si përpilues dhe shqipërues i formuar me një vepërz që përbën një memorandum të qytetërimit romak në kuptimin e mirëfilltë të fjalës.[1] Kontribute konkrete dhe pikërisht të orientuara ndaj edukimit liceal shënohen mirëfilli nga Ernest Koliqi dhe Kolë Kamsi në fillim të viteve ’40 të shekullit të kaluar, ndërkohë që promovohet përmes iniciativave të tyre dhe modeli i një antologjie që jo vetëm bën të mundur reflektimin e prurjeve nga autorë me rëndësi në historinë e letërsisë së shkruar shqipe, por dhe pasqyrimi në mënyrë të përpjesëtuar i një krijimtarie të vyer si në prozë, ashtu dhe në poezi, pa lënë mënjanë ndihmesën që jepnin në atë kohë ose pak vite më parë të përkohshme si Dituria, Leka, Hylli i Dritës e që falë projektit përmbajtësor të arsyetuar prej autorëve të sipërcituar konkretizohet dhe në faqet e kësaj antologjie.[2]

    Një tipar që shërben dhe për të ndërtuar modelin e një teksti hyrës dhe shpjegues por dhe konciz në pikëpamje vëllimi janë pa dyshim parathëniet në të cilat autorët dhe përgatitësit e botimeve në fjalë gjejnë mundësi të shprehen e të shtjellojnë një platformë të mirëfilltë pune që duket se ka qenë për ta një palestër  e mirëfilltë e stërvitjes mendore dhe njëkohësisht një mënyrë e mirë për t’u dhënë diçka serioze brezave që edukoheshin në shkollat tona. Përposë vetë përmbajtjes së veprave në fjalë, këto parathënie paraqesin interes për faktin se përbëjnë çelësa të mirëfilltë për të kuptuar më mirë shtysat e secilit për t’iu përafruar si historisë së letërsisë së shkruar si disiplinë me rëndësi edukative dhe formative për shkollat tona, ashtu dhe argumentimit të metodologjisë së adaptuar dhe që ka si objektiv kryesor tekstin letrar dhe shtjellimin sa më të qartë të tij. Në paraqitjen që Aleksandër Xhuvani i bën botimit me titull Historija e letërsisë greke për kursin e naltë të liceut klasik(simbas librit të G.Sett-it), Tiranë, 1941, pjesë e një serie botimi që ka destinacion pikërisht të ashtuquajturit libra shteti për shkolla të mesme, mësojmë më shumë rreth këtyre fakteve:

    Këso-dore, me botimin e këtij libri ka për t’u mbushë nji e metë për nji këso vepre në gjuhën t’onë, e më bâhet se ka për të dalë nji tekst i plotë, për t’u përdorë jo vetëm nëpër shkollat t’ona të mesme, por edhe prej gjindsh të lavruem, që duen me njoftë letrësinë klasike greke, të naltë e të pakapërxyeshme, që ka pasë ndëkim të math mbi krejt letrësit’ e botës së qytetnueme. (Xhuvani A., Parathane, në Historija e letërsisë greke për kursin e naltë të liceut klasik, Tiranë, 1941).

    Duke qenë se përpiluesi i këtij botimi ka qenë dhe përshtatës dhe përzgjedhës i burimeve paralele që përbënin gjithashtu doracakë studimorë mbi historinë e letërsisë greke, plotësues me një sërë shënimesh dhe referencash që vetëm një autor merr tagrin t’i vërë në përdorim të nxënësit a lexuesit, me të drejtë i atribuojmë dhe në rasë të kësaj trajtese nga ana jonë kompetenca autoriale që e bëjnë vërtet të lavdërueshëm për botimet shqiptare një punim të tillë dhe krerët në të cilat ky i fundit artikulohet. Do të jetë gjithashtu Aleksandër Xhuvani që do të kujdesojë dhe zërat kushtuar letërsisë klasike pikërisht në antologjinë e sipërcituar Rreze drite, Tiranë, 1943, pjesë e së njëjtës seri vëllimesh të emërtuar nën siglën Libra shteti për shkolla të mesme.

    Pavarësisht trajtimit që mund t’i dedikohet në rasë të një vështrimi sa kritik aq dhe retrospektiv një botimi të tillë, nuk mund të lëmë pa vënë në dukje faktin që modeli që ofrohet në kuptimin e përpilimit të një historie të gjerë e mjaft informuese të një letërsie që vërtet ka luajtur rol në format dhe modelet gjinore të traditave të tjera letrare e shkrimore është i arrirë dhe në ditët tona mund të rimerrej sigurisht duke plotësuar me më shumë tekste dhe paragrafe ilustruese. Nga ana tjetër, si dhe për botime të tjera të së njëjtës periudhë, duhet ritheksuar që shkalla e vështirësisë së receptimit mbetet për t’u rivlerësuar, në veçanti sa u takon çështjeve që kërkojnë diskutime të zgjeruara në nivele universitare dhe pasuniversitare. Ndër të tjera, shtjellimi i argumenteve të përveçme siç është dhe autorësia e veprave që tradicionalisht i atribuohen Homerit përbën një nga pjesët më interesante të kësaj vepre, që e theksojmë nuk paraqitet në formatin e një antologjie, por të një historie letërsie të pasur me trajtime në pikëpamje të përfshirjes së autorëve dhe veprave gjegjëse të tyre.

    Një sprovë të mirëfilltë që cek drejtpërdrejt dhe çështje të konceptimit të një modeli të kronologjizimit, por dhe renditjes tematike të veprave që kanë shënuar në pikëpamje periudhe dhe veçantie përmbajtësore letërsinë dhe kulturën e shkrimit shqip përbën patjetër opuskoli i sipërcituar i Eqrem Çabejt, që gëzoi dhe vëmendje kritike në kohën kur pa dritën e botimit. Duke qenë dhe interesi ynë i orientuar ndaj botimesh që kërkonin t’u jepnin vendin e merituar periudhave më të hershme të lëvrimit të shkrimit dhe kultivimit të letërsisë shqipe, vërejmë në këtë rasë që një sprovë e tillë mbetet përherë një monument shkrimor dhe për faktin që reflektoi vizionin e përpiluesit të tij për një konceptim të duhur të pranëvënies së veprave dhe autorëve, duke i dhënë kësisoj një prioritet të qartë historisë së letërsisë shqipe. Elemente trajtesash kushtuar gjeografisë gjuhësore dhe një kulture kryesisht formative mbi gjuhët dhe njohjen e tyre nuk i zvetënojnë vlerat këtij botimi, ndërkohë që rinënvizojnë dobinë e një formimi sa më të plotë dhe në këtë rasë mirëfilli pluridisiplinor. Pranëvënia e teksteve të ngjashme nga përmbajtja, por dhe me tipare të ndryshme që shpjegohen me përkatësinë dialektore dhe me rrethanat historike që ndikuan dhe në zhvillimet gjegjëse letrare përbën një prej veçorive konstitutive të këtij vëllimi, ndërkohë që rimarrja e të njëjtëve autorë, si nga tradita shqiptare, si nga ajo arbëreshe e më tej do të përforcohet dhe në botime të mëvona të ngjashme, por jo me të njëjtin autor.

    Botimet në thelb të paracaktuara për përdorim në nivele shkollore parauniversitare përbëjnë në optikën tonë dhe referenca që shënojnë ecurinë e një konceptimi përherë në objekt vëmendjeje dhe të letërsisë së vjetër shqipe, një periudhë që dhe për problematikën e përfaqësimit dhe të modalitetit të sjelljes së teksteve përkatëse kërkon përherë vëmendje dhe kompetencë të veçantë njohjeje. Tekstet që sillen në këto botime të viteve ’30-’40 nuk përbëjnë variante të mirëfillta transkribimi, por ndërkohë nuk paraqiten plotësisht pa vëmendje rishikimesh që sigurisht lehtësojnë në njëfarë mënyre leximin e tyre. Vlerësimi që u bëhet botimeve të tilla mund të lexohet fare qartë dhe në pikëpamje të faktit që mjaft shpejt u bënë burime referimi për studiues që ndërmorën të rindërtonin me aq sa kishin njohuri dhe të dhëna një kontekst të konfigurimit të veprave të letërsisë së vjetër shqipe në një traditë më të gjerë studimesh filologjike dhe në këtë drejtim pikërisht të tilla realizime do t’u shërbejnë më së miri iniciativave të tilla.

    Sa i përket përzgjedhjes së teksteve nga veprat e letërsisë së vjetër shqipe, duket qartë që Çabej(1936) e ka pasur fort të qartë ecurinë që duhej ndjekur dhe një fakt i tillë ilustrohet më së miri nëse vihet në dukje që në lidhje me të tilla vepra pjesët që i përfaqësojnë ato janë dhe bartëse të një modeli të përcaktuar e të njohur mirë si në kohën kur panë dritën e botimit këto të fundit, ashtu dhe në këndvështrimin e një tradite studimore mbi filologjinë e tekstit që i kushton rëndësi dhe hulumtime më vete si përmbajtjes dhe gjatësisë tekstore, ashtu dhe përçimit të elementeve njohëse që transmetohet pikërisht nga të tilla pjesë.

    Afri metodologjike nëse krahasojmë me tekstet që afërsisht në kohë përgatit për një destinacion të tillë dhe Atë Justin Rrota O.F.M., dëshmohen nga prirja për të orientuar drejt një njohjeje komplekse që ka në vetvete dhe përforcimin e kompetencës gjuhësore dhe vetë elemente të historikut të veprave në fjalë. Letërsia e vjetër shqipe konsiderohet prej studiuesve tanë një periudhë me rëndësi në shumë pikëpamje, ndërkohë që shihet qartë që vetë veprat e autorëve të saj janë tashmë një objektiv që do qëndrojë gjatë në vëmendjen dhe perspektivat e punës studimore të secilit. Orientimi sa didaktik, aq dhe shkencor që kishte Atë Justin Rrota O.F.M. bëri të mundur që ky i fundit të përuronte disa modele në pikëpamje të sjelljes sa më të afërt të teksteve të letërsisë së vjetër shqipe dhe letërsisë arbëreshe, bashkë me ndjekjen në pikëpamje ecurie dhe modifikimi të sistemeve grafematike që pasqyrohen në vijimësi te autorët e kësaj letërsie. Përzgjedhja e pjesëve të caktuara nga veprat e tyre dëshmon dhe njohjen e mirë të përmbajtjes dhe të nëntekstit përkatës e që do ta ndihmonte Rrotën të rendiste tekste që do t’i shërbenin dhe receptimit të një brendie tipike dhe mjaft specifike si ajo e Mesharit, por dhe e Çetës së profetëve etj. Falë këtyre realizimeve Justin Rrota O.F.M. arriti të promovohej dhe të promovonte tekste me vlerë të veçantë, ndërkohë që përgatitja  e mirë në fushë të filologjisë i mundësoi dhe përpilimin e sprovave të tjera, por më të përqendruara në disiplina e nënsisteme gjuhësore, gjithnjë me orientim ndaj edukimit parauniversitar në shkollat shqiptare. Tekste që mbajnë autorësinë e tij e që mbeten dhe sot e kësaj dite doracakë ekzemplarë në kuptimin e koncepteve themelore, por dhe shembujve që i kanë shërbyer për të parashtruar pikëpamjet mbi elemente të sintaksës së sintagmës dhe të fjalisë janë përherë modele referimi si në dijen e didaktikës, ashtu dhe në shkencën e gramatologjisë shqiptare.

    Vetë periudha që lidhet me realizimin e këtyre botimeve është mjaft e afërt me kohën kur në Shqipëri sillen kopjet fotomekanike të librit të Gjon Buzukut nga Atë Justin Rrota dhe një fakt i tillë ndikoi patjetër dhe në rishikimin e një evidentimi të natyrës në pamje të parë kronologjike në lidhje me këtë periudhë.

    Të tilla sprova që i qëndrojnë më së miri një konteksti që natyrshëm e kërkonte daljen e tyre në dritë të shtypit përbëjnë dhe premisa të mirëfillta të një përafrimi ndaj filologjisë së tekstit në kuptimin që do të përshkallëzoheshin në punime të përmasave sa shkencore aq dhe të plotësuara në kuptimin e përmbajtjes dhe parametrave që përmbushnin. Në ditët tona, ndërsa diskutojmë dhe reflektojmë për çka është më e mira për brezat dhe fëmijët tanë, ndërsa vijojmë të nënvizojmë rëndësinë që paraqesin për edukimin në mosha të caktuara disiplina të dijes e të kërkimit shkencor si filologjia dhe studimi i tekstit, nuk mund të mos shtojmë se një shtysë goxha e përfillshme ka ardhur dhe nga qasja që ofrohej nga të tilla botime, që duke qenë të ndryshme për nga natyra e përpilimit dhe e sjelljes së teksteve të caktuara, janë njëkohësisht dhe unike në natyrën e vet, të denja për t’u renditur në çdo studim shkencor mbi historinë e letërsisë së shkruar dhe periodizimin sa më të saktë të saj.

    Të tilla botime u kanë prirë në kohë, por dhe në pikëpamje të qasjes ndaj tekstit e studimit shkencor të tij realizimeve më të mira të cilave u referohemi si në proces të mësimdhënies në nivele universitare dhe pasuniversitare, ashtu dhe në trajtesa që kanë objekt historinë e letërsisë së shkruar shqipe dhe më saktë, periudha të veçanta të saj. Namik Ressuli vite më vonë iu kushtua posaçërisht dokumenteve shkrimore që konsiderohen më të hershme dhe nuk paraqiten si vepra të plota në kuptimin përmbajtësor dhe ndërtimor, po ai do të rishikojë çështje të konsiderimit kronologjik dhe tipologjik të veprave që përfaqësojnë letërsinë e vjetër shqipe në Parathënien e Gramatikës së gjuhës shqipe, botuar në Bologna në gjuhën italiane në vitin 1985.

    Ҫështja e një kronologjizimi të saktë të periudhave më të hershme të lëvrimit të shkrimit shqip është cekur jo pak në dekadat që u morën në shqyrtim, dhe një fakt i tillë pasqyrohet si në botimet që u cituan më sipër, ashtu dhe në të përkohshmet me një profil të mirëfilltë kulturor që të dala në dritë të shtypit pikërisht në atë kohë ose pak vite më parë, mbeten pasqyrë e një sinergjie jo të rastësishme dhe plotësisht të kuptueshme.  

    Në këto botime dhe pse të paracaktuara për përdorime para së gjithash shkollore dhe edukative do të gjejmë të dokumentuara sprovat e para për të rindërtuar historinë e alfabetit të gjuhës sonë, historinë e një kulture librore që zuri fill shekuj më parë, historinë e përdorimit të shenjave grafike pa të cilat nuk kuptohet vijimësia e traditës shkrimore që u përvijua nga një autor në tjetrin, përpjekjet e para për të interpretuar dhe vështirësinë për të sjellë sa më afër tekste që sigurisht të botuara në tipografi dhe në një kontekst kulturor të largët nuk paraqesin lehtësim për botime të mëvona e në veçanti në ato të gjysmës së parë të shekullit të kaluar. 

    Botime të mëvona, por të përpiluara pas vitit 1944 ruajnë qartë tipare të ndryshme në pikëpamje të trajtimit të letërsisë së vjetër shqipe dhe në veçanti ndaj konceptimit të tematikës të saj. Botime të realizuara për praktikën shkollore gjimnazike si ai i vitit 1952 (botim i Ministrisë së Arsimit) dhe që përfshin si letërsinë e vjetër shqipe dhe atë arbëreshe dëshmojnë prirje për të pasqyruar në mënyrë skematike çka përmbahej në vepra të caktuara dhe ndërkohë dhe ndaj periodizimit të historisë së letërsisë sonë të shkruar shfaqen pikëpamje që sot mund të shihen pa asnjë dyshim me një sy kritik. Nuk mungojnë shënime shpjeguese në lidhje me leksikun e secilës vepër dhe të dhëna kryesisht biografike mbi autorët, por lirshmëria ndaj trajtimit përmbajtësor të veprave tashmë shihet qartë që është rrudhur dhe priret të mënjanohet duke u përqendruar në rrethanat e pushtimeve të zgjatura që qenë pengesë për një zhvillim të qetë dhe të natyrshëm të një kulture letrare dhe shkrimore në viset arbërore. Përshtatja e plotë me alfabetin e shqipes e teksteve të këtyre veprave mbetet një tipar permanent që ndoshta e ka bërë më të lehtë leximin dhe interpretimin e tyre prej nxënësve, por ndërkohë mënjanon në njëfarë mënyre çështje të interpretimeve grafike në pjesë të caktuara. Pikërisht në lidhje me letërsinë e vjetër shqipe duhet theksuar se ka si raste përkimi, ashtu dhe mospërkimi në pikëpamje të pjesëve të zgjedhura me botimet paraardhëse, e veçanërisht në rastin e veprës së Pjetër Bogdanit vihet re se janë përzgjedhur mjaft fragmente, në atë masë sa nënvizohet kësisoj diversiteti i qartë tekstor e tematik në lidhje me këtë të fundit.

    Çka mund të thuhet në lidhje me të tilla karakteristika dhe elemente trajtimi që reflektojnë dhe pikëpamje të ndryshme në krahasim me botimet që u shqyrtuan më sipër, është pikërisht fakti që ndaj këtyre autorëve dhe vetë periudhës në fjalë shfaqen pozicionime më të ngurta dhe më të kushtëzuara nga ana e përpiluesve të tyre, gjë që nuk përbën tashmë një lloj vijimësie me realizimet e pak viteve më parë.


    [1] Bëhet fjalë për botimin me titull Njohuní mbi kulturën klasike të Rromakvet për klasën II e III të kursit të naltë punue shqyp prej A.Viktor Volaj mbas Dr.Prof.N.Bianchi e S.Sciuto, Shtypshkroja “A.Gj.Fishta”, Shkodër, 1941.

    [2] Rreze drite, Libër leximi për klasën e tretë e të katërt të kursit t’ulët, Botim II, Botim i Ministrisë s’Arsimit,  Tiranë, 1943. (mbledhë e punue nën kujdesin e Ernest Koliqit, nga Karl Gurakuqi e Kolë Kamsi).

    SHKRUAJ NJË PËRGJIGJE

    Ju lutem lini komentin tuaj!
    Ju lutemi shënoni emrin tuaj këtu

    Artikujt më të fundit

    KATEGORITË